E enjte, 24.07.2025, 09:37 PM (GMT+1)

Kerko: a

Zyba Hysa: Cila është e keqja jonë

E marte, 07.01.2014, 07:49 PM


CILA ËSHTË E KEQJA JONË NGA E MIRA JONË QË NA KA BËRË KEQ??

NGA ZYBA HYSEN HYSA

Ne, shqiptarët, jemi populli më i lashtë dhe me virtyte nga më të çmuarat njerëzore, ku shumë shkencëtarë, studiues, shkrimtarë... shqiptarë dhe  botërorë kanë shkruar ndër shekuj dhe tashmë dihet përcaktimi: popull fisnik!

Duke njohur dhe studiuar raca të ndryshme me kombësi të ndryshme nga e gjithë bota, Prof. Dr. Isuf Luzaj ka dalë në përfundim që populli ynë ka një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore që duhet të nxisë shkencëtarët e shekullit XXI që të studiojnë e të përgjithësojnë vlerat e pallogaritshme të popullit shqiptar “Shpirti i populli shqiptar është një thesar i çmuar... ” ndaj  kudo dhe kurdoherë e ka thënë  me zë të lartë: “Jam Iliro – Thrak!” dhe ishte krenar për origjinën e tij. Lind pyetja: Pse atëherë jemi më të varfrit dhe më të përbuzurit në Ballkan, Evropë dhe Botë?

Unë mendoj, se përgjigja është shumë e thjeshtë: është kjo fisnikëri e shpirtit tonë që ka “lejuar” botën  të lozë me ne si macja më miun, se të qenarit fisnik me harbutin, është injorancë, budallallëk, vetëvrasje.

Armiqve tanë u është dashur që historikisht të përballen me luftëra të rrepta, me luftëra që kanë tronditur botën dhe armiqtë e sotëm (asnjëherë popujt, por politika) e dinë që nuk na bëjnë ballë me heroizma e me gjakderdhje për të mbrojtur vatanin, me të cilin jemi lidhur shpirtërisht, se jemi autoktonë dhe nuk ka forcë të na dalë përpara... (Duke e parë në këtë prizëm, pra sa luftëra dhe sa gjak është derdhur, ne duhet të ishim kombi më i bashkuar dhe më i zhvilluar në Evropë e më gjerë, por çfarë ka ndodhur me ne? Cila është e keqja jonë nga e mira jonë që na ka bërë keq??) mendoj se është pikërisht FISNIKËRIA, virtytet fisnike të popullit shqiptar, të cilat janë studiuar imtësisht nga kundërshtarët tanë, nga armiqtë tanë duke shpenzuar mijëra dollarë përmes anketimeve të ndryshme, si dhe specialistëve të psikologjisë e psikanalizës për të ndërtuar strategjitë e tyre antishqiptare.

Shqipëria është si një vajzë me bukuri përrallore, por që është rritur në një familje fisnike, nuk i ka munguar gjë që të studionte rrugë të ndryshme për të siguruar jetesën, pra e padalë që të njohë botën dhe e di që bota është si ajo, e kur i vjen rasti të takohet me të huajt, u beson si të ishte vetë, por nuk është e zonja që të konceptojë lojën e tyre dhe përfundon prostitutë... një prostitutë me tutor, që të gjitha fitimet i merr tutori dhe asaj i japin aq sa të mbajë shpirtin gjallë.

Duke e parë në këtë këndvështrim, ka ardhur koha që ne, të paktën elita shqiptare që merret me fatet e popullit tonë, duhet të bëje të njëjtën gjë me ato shtete që lidh marrëveshje dhe sidomos me fqinjët tanë.

Si t’i studiojë? Është shumë e thjeshtë: nëpërmjet historisë së vërtetë, se si ato shtete lidhin e zgjidhim marrëdhëniet me njëra – tjetrën dhe taktikat e përbashkëta dhe të veçanta që ato kanë në qëndrimin ndaj nesh.

Nëse kjo do t’i besohet politikës shqiptare, duhet që në politikë të zgjidhen jo vetëm ata njerëz që e quajnë vetëm profesion politikën, por në radhë të parë, duke parë kushtet në të cilat populli ynë është, duhet ta mendojnë në radhë të parë mision.

Më bëri përshtypje në një debat televiziv, Ministri i Punëve të Jashtme aktual, z. Ditmir Bushati, ku e ftuar ishte dhe ish - Ministrja e Integrimit shqiptar, z. Majlinda Bregu (e cila në vend që të jepte shpjegim, ligjëronte duke fajësuar qeverinë e re) tha që “ Në parlamentin Evropian, nuk kishte shkuar asnjë politikan shqiptar për të negociuar...” Vetëm kaq dhe të gjithë duhet të vëmë kujën, se kuptojmë llumërinë e politikës shqiptare gjithë këto vite, që na dolën veshtët duke dëgjuar për “rendjen drejt BE – së” dhe asnjë politikan, jo që nuk ka shkuar për të negociuar, por besoj as në ëndërr nuk e ka pasur ndonjëherë për ta bërë këtë veprim, se kur politika është vetëm profesion, apo dhuratë nga antishqiptarët e nuk është njëkohësisht mision për të zhvilluar vendin dhe mirëqenien e popullit, nuk ka se si të ndodhte ndryshe.

Në një intervistë me Prof. Carrie Hooper, në përgjigje të pyetjes: “A mendon se kombi im do të bashkohet një ditë dhe do të përparojë si gjithë kombet tjera?”, ndër të tjera ajo shprehet: “Politikanët duhet të mendojnë për të mirën e kombit, jo vetëm për t'u pasuruar vetë. Duhet të pushojnë së fajësuarit të njeri - tjetrit dhe të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Duhet të gjenden më shumë mundësi për t'i punësuar të rinjtë kështu se nuk ikin nga vendi. Shqipëria po humb trurin e vet për shkak të emigrimit dhe kjo nuk do të ndihmojë në përparimin e vendit. Me gjithë vështirësitë, e di se një ditë Shqipëria do të zhvillohet dhe trojet shqiptare do të bashkohen. Kombi shqiptar ka një shpirt ngadhënjyes dhe gjithmonë ka mbijetuar gjatë historisë së vet.”

Përpos fatkeqësisë kombëtare, për fatin e keq që na udhëheqin drejt një të ardhme imagjinare, ashtu si në socializëm “Drejt komunizmit” dhe tani “Drejt Bashkimit Evropian”, por që as nuk ekziston në mendjen dhe aspiratat e tyre, fatkeqësia më e madhe është se politika shqiptare e ka çmendur popullin me dogmat e komunizmit dhe poskomunizmit, apo më saktë fare, të antikombëtarëve shqiptarë, ku përveç zbatimit të urdhrave të tutorëve të tyre ndërkombëtarë, asgjë tjetër nuk u ka interesuar dhe populli ynë fisnik, sa vrapon në një krah, i duhet të kthehet të vrapojë në krahun tjetër dhe kjo do ishte gjysma e të keqes po të shkonin të gjithë njëherësh, por të ndarë në dysh, gjatë kthimeve të shpeshta, i është dashur të përplaset me gjysmën tjetër duke gjakosur vetveten.

Politika e ushqyer nga një dorë e padukshme, shfrytëzon popullin për të ushqyer veten, tutorin dhe langonjtë që lehin për të, siç janë gazetarët dhe shkrimtarët që dinë të lehin sipas melodisë së mësuar përmendësh nga punëdhënësit e tyre dhe e them me bindje, që e keqja e këtij vendi ka ardhur nga tellallët e politikave antikombëtare, të ushqyer si “ogiça”... Nëse politikanët janë mëkatarë, gazetarët, aq më shumë shkrimtarët, intelektualët, janë dyfish mëkatarë, sepse populli u beson siç i beson vetes, gji nga i cili ata kanë dalë. Këta e kanë bërë popullin të besojë, se përparimin e vendit, bashkimin e kombit, do na e sjellin ndërkombëtarët dhe populli pret “Babagjyshët” ndërkombëtarë të hapin thesin e të na e sjellin si dhuratë.

Apo disa “koka” të mëdha si Kreshnik Spahiu, apo Koço Danaj, me Platformën e Bashkimit Kombëtar, apo Shpëtim Idrizi me Hagën për Çamërinë, apo... apo ... ushqejnë popullin me lugë bosh, që ai të mos ketë fuqi të ecë rrugës së gjatë e të vështirë për zhvillim e përparim kombëtar, se të bashkosh kombin, do të thotë, të punojmë për rimëkëmbje dhe zhvillim, kufijtë janë të hapur dhe eksperienca kemi: Serbët me grumbuj dheu pushtuan veriun, po ne, shqiptarët nuk kemi nevojë për grumbuj dheu (kufijtë dihen), por për bashkim mendjesh e zemrash për të qenë bashkë në kërkesat e ligjshme të popullit tonë, që janë në përputhje me shumë marrëveshje ndërkombëtare për vetëvendosjen e popujve në bazë të drejtave e lirive të  njeriut.

Mosmarrëveshjet kurrë nuk kanë qenë në popull, por në ata që fatkeqësisht kanë udhëhequr popullin, se nuk janë marrë me drejtim drejt zhvillimit e bashkimit, por drejt forcimit të kolltukut të marrë borxh herë nga Serbia, herë nga Greqia, herë... dhe është e trishtueshme ta mendoj, por fjalët dhe mendimet e Prof. Dr. Isuf Luzajt, kur thotë se “Pas analfabetizmit, pas vobektësisë dhe mungesës së shëndetit, armiqtë e popullit shqiptarë, kanë qenë, janë sot dhe do të jenë në potencë, fqinjët tanë në këtë shkallë rreziku: Serbët, Grekët dhe Latinët.”, më dëshpërojnë se dëshirat e tyre të ethshme për të gllabëruar trojet tona, kanë bërë që kombi ynë ta futin disa herë në sallën ndërkombëtare të operacionit, jo për ta shëruar, por për eksperiment, se pas çdo operacioni ka dalë më i sëmurë se ç’ka qenë.

Nëse do kemi ndonjëherë politikë shqiptare, se deri tani në politikë është rreshtuar ajo pjesë e popullsisë jo fisnike, pra, ose kanë gjak të përzier, ose janë lidhur me fije tjera me hipokrizinë ndërkombëtare (tani shihet një dritë në horizont), këtë e shoh tek ardhja e qeverisë së re me tjetër vizion dhe tek disa politikanë që pa frikë po shprehin bashkimin tonë duke bashkëpunuar qeveritë shqiptare, se edhe deklarimet e ish - Ambasadori Britanik se “Nuk shoh arsye, që pas një kohe, pse të mos bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të vetëm, nëse këtë e duan... “, janë “Si koshi pas të vjelave”, thotë populli ynë, por vetë qeveria duhet të negociojë me gjithë ndërkombëtarët për një konsultë serioze për të gjetur të sëmurin e vërtetë, ta futin në sallën e operacionit, t’i heqin “mishin e huaj” dhe secili në trojet e veta do jetë i qetë dhe me një miqësi të ndërsjellët e të sinqertë, ku çdo shqiptar ka të drejtë të punojë në Greqi e çdo grek në Shqipëri, çdo serb të punojë në Shqipëri e çdo shqiptar të punojë në Serbi, si njerëz që historikisht kanë pasur e kanë miqësi, deri në krushqi, por politika na ka bërë të shohim tek njëri – tjetri një xhelat.

Kështu, Ballkani bie në paqe, Evropa bashkohet jo me diktat, as me marrëveshje dhe negociata, por me dashuri dhe mirëkuptim me gjithë popujt evropianë, marrëdhënie të ndërsjellët ekonomike, tregtare dhe kulturore – arsimore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx