E merkure, 09.10.2024, 02:30 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Tropojës po i ndriçohet historia

E hene, 18.11.2013, 08:15 PM


TROPOJËS PO I NDRIÇOHET HISTORIA, PO I FORCOHET E ARDHMJA...!

(Festë letrare me rastin e promovimit të romanit “Unë kam qenë të Mat’hauzen” të autorit Shpendi Topollaj)

NGA SEJDI BERISHA

Në organizim të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, të shtunën në qytetin Bajram Curri u bërë promovimi i librit-romanit autobiografik, “Unë kam qenë në Mat’hauzen”, të autorit, Shpendi Topollaj, krijues nga Durrësi. Në këtë manifestim letrar dhe kulturor, i cili u realizua në kuadër të punës së Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, morën pjesë numër i konsiderueshëm krijuesish nga Krahina e Tropojës, nga Durrësi, Tirana, nga Gjakova dhe Peja, por edhe shumë dashamirë të fjalës së shkruar, intelektualë të fushave të ndryshme dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal nga Bajrami Curri dhe pothuaj se nga të gjitha komunat dhe bashkitë e rrethit të Kukësit, që ishte shprehje e respektit dhe e mbështetjes së krijimtarisë letrare, të vlerave shpirtërore dhe kulturore të kësaj ane dhe më gjerë.

Bujaria, mikpritja tradita tropopjane edhe sot e kësaj dite reflektojnë madhështinë e shqiptarëve të kësaj ane

Unë, së bashku me Tahir Bezhanin, krijues nga Gjakova, i cili është edhe nip i kësaj ane (edhe pse i sëmurë, kishte marrë forcën të merr pjesë në këtë ngjarje kulturore, dhe me Muharrem Kurtin, kryetar i Klubit Letrar “Gjon N. Kazazi” të Gjakovës, rrugës për në Tropojë, sikur nxitonim makinën, edhe pse duhej të ishim të kujdesshëm për sëmundjen e Tahirit, sikur shpejtonim për të arritur me kohë në këtë manifestim. Dhe, posa arritëm tek Restorant Bushi, i familjes Hajdarmataj, në të zbritur nga makina, i pari na doli për të na dëshiruar mirëseardhjen, krijuesi dhe poeti, Gjon Neçaj, me të cilin u përqafuam ngrohtësisht, gjë e cila reflektonte dashurinë dhe sinqeritetin ndaj njëri-tjetrit. Pastaj, menjëherë me fytyrën si gjithnjë të buzëqeshur, doli, poeti dhe njeriu i fjalës së ëmbël, Lulzim Logu, i cili është edhe kryetar i Klubit të shkrimtarëve nga ky qytet, dhe pasi u përshëndetëm, menjëherë zumë vend në sallën e restorantit, e cila kishte marrë pamje dhe peshë solemne të ngjarjes kulturore, të vlerave letrare që do të prezantoheshin aty.

Tani gradualisht mbushej salla me krijues dhe dashamirë të kulturës, me intelektualë të profileve të ndryshme, dhe çfarë është më e rëndësishme, secili prej tyre, së pari drejtoheshin për tu përshëndetur me ne, e pastaj zënin vendet e tyre. Ishte kjo shprehje e respektit, e bujarisë dhe e traditës së banorëve të kësaj ane, familjet e të cilëve secila mbanë nga një rrëfim, apo nga një pjesë të veçantë të historisë së kësaj treve, mbase edhe të tërë kombit shqiptar.

Tani, nëse bëjë një kronologji të rrjedhës së kësaj ngjarjeje, duke zënë vendet në sallë, poeti Gjon Neçaj, mu afrua dhe m’i dha disa nga numrat e gazetave “Nacional” dhe “Muzgu”, të cilat m’i kishte ruajtur për një kohë jo edhe aq të shkurtër, sepse, aty i kisha disa nga shkrimet-poezitë e mia. Ky ishte e një respekt i këtij miku dhe krijuesi ndaj meje, për çfarë e falënderoj. E takoj edhe krijuesin dhe rebelin e jetës, siç e quaj unë, Asllan Osmanajn, të cilin shumë e kam për zemër për shumë arsye të jetës dhe të qëndrimit të tij ndaj jetës. E “mashtrova” me tri pako cigare, sepse ai e ka mik të mirë duhanin dhe kështu pastaj u “bëmë” më miq për të mos folur ashtu siç e ka zakon ai. Kështu ishte fillimi i këtij manifestimi letrar mbase edhe i takimit me ngrohtësinë shpirtërore.

Tropoja dhe biri i saj që ka qenë në Mat’hauzen, pjesë e historisë dhe e atdhetarisë të krahinës veriore të atdheut

Isha kureshtar që para se të fillojë pjesa solemne e promovimit, të takohem me autorin e librit, dhe ashtu ndodhi. U takuam dhe u përshëndetëm ngrohtësisht, edhe pse për herë të parë takoheshim me njëri-tjetrin. Ishte ky pra, Shpendi Topollaj, autor i mbi tridhjetë e pesë librash nga fusha të ndryshme. E kuptoja se nga pak ishte i ngarkuar me emocione për mbarëvajtjen e manifestimit letrar, që është shumë normale, dhe nuk i mora kohë. Nuk vonon e vijnë për t’u përshëndetur edhe krijuesit Agim Bajrami nga Durrësi, Qazim Shehu nga Tirana, Haki Zllami nga Bajram Curri, Sami Velçani, por edhe shumë e shumë intelektualë të tjerë, të cilët i falënderoj për respektin dhe sjelljen aq dinjitoze.

U përshëndetem edhe me Nuredin Ahmetin, dikur kryetar bashkie në Bajram Curri, i cili, më sa më kujtohet, përherë i ka mbështetur arritjet kulturore dhe letrare, por edhe personalisht ka marrë pjesë në ngjarje të tilla, si në qytetin e tij, ashtu edhe në Tiranë, në Gjakovë, në Pejë e gjetiu tjetër. U përshëndetem edhe me Azgan Haklajn, një njeri të devotshëm i vlerave kulturore, historike dhe kombëtare. Ndërsa, unë, pasi mora librin “Unë kam qenë në Mat’hauzen”, i cili i kushtohet, Ahmet Zenel Çekaj, i një burri nga kjo anë, duke pyetur se a ka ndonjë anëtar të familjes prezent në këtë ngjarje, papritmas përball meje u paraqit një burrë pedant dhe plotë elan jete por edhe i mbrumur me afërsi e dashamirësi. Ai ishte, Faslli Kuliçi, i biri i personazhit të këtij libri, pra, i Ahmet Zenel Çakajt. Mësova se me profesion ishte avokat, por ishte njeri modest, njeri i popullit, që do të thotë se ishte me të gjitha virtytet dhe tiparet madhështore të krahinës së Malësisë së Gjakovës, të Tropojës. Ishte kënaqësi të qëndrosh dhe të bisedosh me te, i cili në vete mbante dhe shtrëngonte fortë mburrjen për babanë e tij, për familjen, por edhe për librin që i është kushtuar këtij njeriu të rrallë të rrugëtimit historik të kombit.

I theksova të gjitha këto për të treguar se ky promovim libri kishte edhe më shumë peshë se sa një ngjarje letrare dhe kulturore.

Edhe një promovim libri që po i forcon hallkat krijuese kombëtare

Tani salla është plotë mysafirë. Në tavolinën e udhëheqjes së manifestimit janë ulur, Lulzim Logu, kryetar dhe Gjon Neçaj, nënkryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, dhe, kuptohet edhe autori i librit, Shpendi Topollaj. Manifestimin e hapi, kryetari i krijuesve të qytetit Bajram Curri, prapa të cilit, në mur qëndron shkrimi për promovimin e veprës, kurse anash, vertikalisht dhe plotë me krenari e domethënie shndrisin, flamuri kombëtar, ai i Bashkësisë së Evropës dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas fjalës përshëndetëse të Lulzim Logut, tani përshëndesin edhe Kryetari i Bashkisë Bajram Curri, krijuesi dhe publicisti nga Peja, Sejdi Berisha dhe shumë të tjerë. Ndërsa, përkitazi me librin flasin, krijuesit, Agim Bajrami, Azgan Haklaj, krijuesi nga Tirana, Qazim Shehu dhe Gjon Neçaj nga Bajram Curri.

Ndërsa, për vazhdimësinë e familjes së Ahmet Çekajt, por edhe për rrugëtimin heroik të kombit, vargje recitojnë edhe nipat e kësaj familje. E në vazhdën e kësaj feste letrare dhe jo vetëm letrare, për të folur, radha i vjen edhe birit të personazhit të veprës, intelektualit dhe avokatit, Faslli Kuliçi, i cili duke u falënderuar për një vepër të tillë, me krenari fletë për qëndresën dhe heroizmin jo vetëm të familjes Çekaj por edhe për historinë e begatë të kësaj ane. Dhe, në fund, autori i librit, Shpendi Topollaj, i cili ka një biografi të begatë, shpalosi synimet dhe angazhimin e vetë krijues për t’i hedhë sa më shumë dritë historisë së kombit, siç është rasti me romanin “Unë kam qenë në Mat’hauzen” dhe për t’i begatuar dhe afirmuar sa më shumë vlerat letrare kombëtare.

Gjatë tërë kohës, mua më silleshin në mendje shumë gjëra, rrugëtimi historik, fati i njeriut tonë, i kombit, ecja e tij dhe i atdheut, përplasjet aktuale dhe ende të panjohurat e vendit dhe të popullit, nevoja për unitet edhe më të madh, për afirmimin e historisë, për shkuarjen përpara bashkë e me vetëdijesim e ndërgjegjësim më të lartë, i cili ende na mungon. Dhe pikërisht, ky promovim, ardhja e autorit nga Durrësi në Bajram Curri, më trimëronte, më bënte të lumtur, se po forcohen hallkat krijuese të përbashkëta kombëtare, se po ngritët vetëdijesimi për tërësinë gjeografike kombëtare.

Në këtë drejtim, para pak ditësh, krijuesit e Malësisë së Gjakovës, me botimin e Antologjisë së poetëve të kësaj ane, ndizen flakadanin ndoshta të parin për ta nisur rrugëtimin drejtë vlerave unike krijuese dhe kulturore në tërë hapësirën shqiptare. Kësaj vepre madhore, ka disa vite që u kanë paraprirë lidhjet krijuese dhe promovuese të ndërsjella me shkrimtarët nga Tropoja, Gjakova, Peja, Lezha, Durrësi, Tirana, Klina, Rozhaja etj.

 

Andaj, edhe fundit të këtij promovimi të librit të Shpendi Topollaj, iu vu si kurorë, vallëzimi pothuaj i të gjithë të pranishmëve, që dëshmon për madhështinë e shpirtit dhe të zemrës që kanë tropojanët, por edhe shqiptarët përgjithësisht në të gjitha kohërat.

Ishte kjo një ditë dhe një ngjarje e shënuar, e cila forcoi edhe më shumë kahet krijuese, vlerat shpirtërore dhe kulturore kombëtare, e që përfundoi me një darkë, si dëshmi e mikpritjes, e, edhe e qëndrimit historik të popullit të kësaj ane të njohur si bukanikë. U përshëndetëm me zemër plotë madhështi, unë, bashkë me Tahir Bezhanin dhe Muharrem Kurtin, dhe u nisëm për në Gjakovë e Pejë, me shpresë që së shpejti do të takohemi në Tiranë, në promovimin e Antologjisë së Poetëve të Malësisë së Gjakovës, e më pastaj në promovimin e të njëjtës vepër, në Prishtinë.

Nuk mungoi dhurimi as këmbimi i veprave të krijuesve për të gjithë të pranishmit. Në mesin e tyre edhe Antologjia e Poetëve të Malësisë së Gjakovës, e cila këto ditë doli nga shtypi, në botim të Klubit “Gjon N. Kazazi” të Gjakovës dhe të Klubit të Shkrimtarëve dhe të Artistëve Tropojë.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora