Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Mos harroni, jemi edhe ne!
E marte, 29.10.2013, 09:19 PM
Mos
harroni, jemi edhe ne!
Nga Reshat Kripa
Shqipëria
sot jeton në botën e çudirave. Përse do të thoni ju, të nderuar lexues? Sepse
kushdo, i djathtë apo i majtë, politikan apo i paparti (nuk e di nëse mund te
ketë në vendin tonë ndonjë që nuk i përket asnjë partie), analist apo
gazetar është përfshirë në vorbullën e kësaj
Shqipërie të çuditshme. Sot, në vendin
tonë je i lirë të shprehësh çdo lloj mbroçkullash që të do zemra, të çdo lloj
ngjyrash të jenë ato dhe turma, si një kope e bindur, beson ato që i vinë më për
shtat. Është për të ardhur keq, por sot vendin kryesor e zenë mashtrimet dhe
llafollogjia propagandistike e trashëguar nga regjimi i përmbysur dhe kjo
fillon që nga kupola drejtuese dhe deri në shtresat më të ulta të popullsisë.
Një sentencë
e njohur thotë: “Oh, drejtësi, drejtësi, shumë krime kryhen nën emrin tënd!” A është
e vleshme kjo sentencë për vendin tonë? Unë mendoj se po. Përse? Sepse këtu
ekziston demagodgjia e premtimeve të pambajtura dhe më e keqja, ata që premtuan,
nuk kanë as pikën e turpit për të përgënjeshtruar thëniet e tyre. Kjo është Shqipëria
e sotme.
Flitet
dhe çfarë nuk flitet. Flitet që rendi në Shqipëri paska qenë për tokë dhe tani
e tutje do të gjejë vendin e merituar. Sa do të dëshironim që një gjë e tillë të
realizohej! Madje për këtë u shkarkuan edhe qindra kuadro të nomenklaturës së kaluar.
Por në të vërtetë ne shohim se për çdo
ditë në rrugët e vendit ndodhin vrasje nga më të padëgjuarat ndonjëherë. Është herët
shpejt për zgjidhjen e këtij problemi, thonë drejtuesit e shtetit. Edhe unë jam
dakord me ta. Do të presim dhe do të shohim. Por, nëqoftëse , me kalimin e kohës,
asnjë ndryshim nuk do të ndodhë, çfarë do të thonë zotërinjtë e kupolës
drejtuese?
Solla vetëm
dy shembuj të jetës së përditshme dhe mund të vazhdoja edhe më tej. Por nuk dua
të zgjatem. Dua të përqëndrohem në problemet që i përkasin shresës time, që unë
i përkas, shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Çfarë ndryshimi do të sjellë ndërrimi i
pushteteve në Shqipëri për këtë shtresë? Gjatë fushatës elektorale drejtuesit e
sotëm bënë shumë premtime. Natyrisht, në rast se do t’i realizojnë këto, kjo do
të ishte një tregues se edhe e majta shqiptare është e interesuar për këtë shtresë.
Kjo do të tregonte se nuk është vetëm e djathta që i ka përkrahur. Kjo do të ishte
një përmbysje e mentalitetit të deri tanishëm dhe kjo do të ishte një gjë e mirë.
Por si
paraqitet gjendja reale në vendin tonë? Ne konstatojmë se, në rradhët e të pezulluarve
nga puna, një pjesë e mirë e tyre i përkasin pikërisht kësaj shtrese. Unë mund
t’i cilësoja me emrat përkatës, por po e le për një herë tjetër, në rast se
pala e prekur do e kërkonte një gjë të tillë. Gjithashtu, në rradhët e të emëruarve
të rinj në institucionet e ndryshme nuk shohim asnjë të propozuar nga shoqatat
e të përndjekurve politikë. Drejtuesit e sotëm mund të shpikin lloj-lloj
shoqatash inekzistente që, në përbërjen e tyre, kanë vetëm një individ që nuk përfaqëson
asgjë përveç emrit të tij të përlyer. Në rast se ekzistojnë të tilla shoqata do
t’ju lutesha të na paraqisnin vendimin e gjykatës që i ka miratuar, përbërjen e
saj, degët e rretheve, selitë përkatëse dhe
elementë të tjerë që vërtetojnë ekzistencën e tyre. Për fat të keq,
shoqata të tilla me këto të dhëna
janë fare pak, për të mos thënë vetëm një,
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë
Demokratë të Shqipërisë,
anëtare me të drejta të plota e
Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit
me qendër në Berlin.
I shkruaj
këto se gjatë fushatës elektorale drejtuesit e sotëm krijuan edhe një “grup me
të përndjekur politikë” për të hartuar një program për këtë shtresë dhe, në të vërtetë,
ky program u hartua dhe u shpallën publikisht shifrat e tij. Më lejoni t’ju
paraqes disa pika të këtij programi:
1. Ngritja
e masës së dëmshpërblimit financiar nga 2000 lekë për ditë dënimi në 25
euro
ose 3500
lekë për ditë dënimi.
2. Pagesa në mënyrë të menjëhershme e
atyre që kanë mbushur moshën 75 vjeç për burrat
dhe 70
vjeç për gratë.
3. Përfundimi i dëmshpërblimit
financiar për të përndjekurit politikë në
një periudhë prej
dy vjetësh.
Këto
ishin tre premtimet kryesore të drejtuesve të sotëm. Deri tani, megjithse kanë kaluar
gati dy muaj nga marrja e pushtetit nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, në asnjërën
nga konferencat e shumta të zhvilluara prej tyre, për këto çështje. As edhe një
premtim të vetëm se çfarë do të bëhet në të ardhmen për këtë shtresë. Kjo na lë
një shije të hidhur, na lë përshtypjen se gjithshka ishte një demagogji e
shpifur, njëlloj si ato të sistemit të përmbysur që u mundua, më kot, të na
diskriminonte dhe të na zhdukte fare nga faqja e dheut, por që nuk mundi t’ia
arrinte kurrë. Lidhur me sa më sipër, më vjen keq edhe për ata “ish-të përndjekur
politikë” që u përdorën si manekinë në duart e mjeshtërve të mashtrimit dhe që sot
nuk e ngrenë më zërin.
Pak më sipër
citova tre premtimet e bëra nga drejtuesit e pushtetit të sotëm. Por, kërkesat
e të përndjekurve politikë nuk janë vetëm këto, madje unë do të thoja se këto
do të ishin të fundit e kërkesave të tyre.
Dënoni
diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e
sistemit diktatorial komunist në Europën Lindore.
Hapni
dosjet e ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët,
drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës
publike qëndrore e lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.
Akordoni
një fond për gjetjen e të rënëve nga diktatura komuniste për arsye politike dhe
rivarrosjen e tyre në një varrezë të veçantë, si në vendet e tjera të Europës
Lindore, ku të afermit të mund të vendosin
një tufë me lule apo të dredhin dy pika lot për kujtim të tyre.
Bëni
rishikimin e historisë së Shqipërisë për të paraqitur realitetin e asaj
periudhe të manipuluar dhe rishikoni tekstet shkollore të mbushura me propagandën
komuniste.
Hapni
muzetë në qendrat kryesore të persekutimit politikë dhe ngrini memorialin qëndror të të rënëve nga diktatura për
të cilin ka vite që është marrë vendim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundi
organizoni konferncën kombëtare me pjesëmarrjen
e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të
të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve për
krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist. Sot shohim që zhvillohen
konferenca edhe per romët apo për gejt. Nuk e di nëse këta konsiderohen më të rëndësishëm
se të përndjekurit politikë.
Në rast
se do të bëni këto, ju do të tregoni se jeni me të vërtetë ashtu siç keni
premtuar. Në të kundërt do të mbeteni sharlatanë gënjeshtarë të pamoralshëm që atë
që premtojnë sot nuk e kanë për turp ta mohojnë nesër.
Ne jemi në pritje.
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës