Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Sqarim për mikun tim Pullumb Kulla
E premte, 27.09.2013, 08:29 PM
Një sqarim për mikun tim Pullumb Kulla
Nga Reshat Kripa
Po ju shkruaj me vonesë, pasi vetëm mbrëmë lexova në
internet letrën e hapur që ju i drejtonit zotit Sali Berisha. Për këtë letër më
njoftuan disa miq të mi që e kishin lexuar në gazetën “Dita”. U bëra kurioz,
hapa internetin, gjeta shkrimin dhe e lexova. Natyrisht, sot në sistemin
demokratik, kushdo ka të drejtë t’i shpreh mendimet e tij hapur dhe pa pasur
frike, si dikur, se mos e persekutojnë. Unë, gjithashtu, mendoj se nuk ka te
drejtë askush të kundërshtojë mendimin e tjetrit, për sa shkruan ai për një
individ çfardo, kushdo qoftë ai. Ndaj unë nuk do të shfaq asnjë opinion për të
gjitha ato që shkruani për Sali Berishën, qofshin merita apo dështime. Ato janë
e drejta juaj personale t’i paraqisni sipas mendimit që ju keni për të. Kjo është
e drejta juaj ekskluzive. Mua mund të mos më duken të gjitha të drejta, por nuk
është detyra ime të ndërroj opinionin tuaj. Por unë do të përqëndrohem në disa
çështje që dalin nga shkrimi juaj dhe që më përkasin personalisht mua dhe
shoqatës që përfaqësoj. Lidhur me këtë mendoj se një gjë e tillë ka ndodhur
pasi ju, për vetë faktin që ndodheni larg atdheut, keni mungesë informacioni
lidhur me aktivitetin tim dhe të shoqatës tonë. Për sa më sipër dua të bëj
sqarimet e mëposhtme.
Në artikullin tuaj ju shkruani:
“Ju i kërkoni qeverisë së re “Komuniste” që të shlyejë brenda dy vjetësh detyrimet financiare ndaj të përndjekurve. Nuk ia kërkuat kështu qeverisë “antikomuniste” të “premtimeve të mbajtura” që ju dha solemnisht zotimin se do t’i shlyente brenda tetë vjetëve.”
Një kërkesë e tillë nga ana e ime, i dashur Pullumb, nuk është
një ultimatum që unë i drejtoj atij. Ajo është një kujtesë që unë i bëj për
premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale prej tij dhe grupit të punës së ngritur
për këtë qëllim me përfaqësues të të përndjekurve politikë. Unë mendoj se premtimet
në një fushatë elektorale nuk duhet të jenë “Flluska sapuni” të hedhur në erë,
por të bazuara në një realitet të prekshëm.
Madje unë e përgëzoj për këtë “nismë” të tij në favor të shtresës që përfaqësoj.
Por, për të thënë të vërtetën, dyshoj në realizimin e këtyre premtimeve. Kjo ka
arsyet e veta. Ai ka aluduar se me ardhjen në pushtet do të amendoj ligjin për
dëmshpërblimin financiar me një nen që përcakton se çdo i përndjekur duhet t’i
drejtohet gjykatës për përfitimin e dëmshpërblimit. Me pak fjalë ne, ish të
dënuarit nga regjimi komunist, duhet të endkemi përsëri dyerve të gjykatave.
Nuk dua të flas për
periudhën 1997-2005 kur qeveria socialiste drejtohej nga Nano. Majko dhe Meta.
Gjatë tetë vjetve të sundimit të tyre nuk vrejtëm asnjë shenjë se kishin dëshirë
të bënin diçka të mirë për këtë shtresë. Madje edhe një ligj dëmshpërblimi që
miratuan ishte një tallje pasi na jepte, për mëshirë, një kafe 50 lekshe në ditë
dëmshpërblim, ligj që, me të drejtë, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Por
do t’ju kujtoj periudhën 2005-2013. Është e vërtetë që qeveria demokratike dhe
aleanca e drejtuar prej saj nuk i mbajtën të gjitha premtimet e bëra. Kështu
për shembull ligji për dëmshpërblimin financiar u zbatua vetëm për dy këste kur
duhej të ishin shlyer katër. Përveç miratimit të ligjit të dëmshpërblimit dhe
ngritjes së Institutit për Hetimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist,
nuk u zbatua asnjë prej pikave të tjera të Rezolutës së Kuvendit të Shipërisë
për dënimin e krimeve të kryera nga ai regjim. Këto dhe të tjera tregojnë se
predispozicioni i kësaj qeverie nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Por shumë
herë më negativ ka qenë qëndrimi i opozitës socialiste kundrejt nesh dhe kjo
opozitë drejtohej nga zoti Edi Rama. Kjo vërtetohet me nxjerrjen nga salla të
deputetëve socialistë sa herë miratoheshin ligje në favor të shtresës tonë.
Pikërisht për këto raste kam shkruar në shkrimin e mëparshëm. Ndaj atje i
kërkoja Ramës të kërkonte ndjesë për këto veprime që, në një farë mase, do t’i
quaja kundra interesave të kësaj shtrese, për të mos thënë armiqësore, gati
gati si qëndrimi i dikurshëm ndaj saj.
Në artikullin tuaj shkruani se përse këto gjëra nuk ia
paskemi kërkuar edhe Qeverisë Demokratike apo Sali Berishës. Edhe këtu gaboheni
dhe unë jam i sigurtë se edhe kjo vjen nga mungesa e informacionit. Më lejoni
t’ju rendis disa artikuj të mi lidhur me këtë çështje:
Më datën 22 shkurt 2007, lidhur me humbjen e shumë kryetarve demokratë të bashkive të mëdha në zgjedhjet lokale të zhvilluara atë vit, në gazetën “Telegraf” kam botuar artikullin “Fitimtarët e pakicës” ku midis të tjerave shkruaja:
“Por së fundi dua t’i drejtohem edhe Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë ku bëjë pjesë dhe në mënyrë të sinqertë t’i shpreh mendimin tim për këto çështje. E çmoj së tepërmi kontributin tuaj në drejtimin e Partisë Demokratike dhe të qeverisë, por dua të shtoj se përgjegjësinë kryesore në këtë humbje e keni ju. Pushteti i gjatë i konsumon njerëzit. Nuk e di se si do të veprojnë vartësit tuaj, ajo është e drejta e tyre, por mendoj se është në nderin tuaj të tregoni fisnikërinë që ju ka karakterizuar. Bëni xhestin që ju takon burrave të shquar të politikës botërore. Jepni dorëheqjen. Partia Demokratike ka plot burra të tjerë të ndershëm dhe të zotë që mund ta drejtojnë atë.”
Më datën 3 korrik 2007 kam botuar përsëri një letër të hapur drejtuar
Kreministrit Sali Berisha ku, midis të tjerave, theksoja:
“Një miku im para disa ditësh më tha se kjo është rezultat i politikës së Katovicës që po ndiqet në vendin tonë. Natyrisht unë nuk dua ta besoj një gjë të tillë. Por nuk gjej as argumenta për ta kundërshtuar. Çdo ditë ndeshem me miqtë e mi bashkëvuajtës që e venë theksin në këtë çështje. Ata më flasin për miratimin e një ligji dinjitoz për dëmshpërblimin material të tyre, për të vrarët nga rregjimi që akoma nuk kanë një varr ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule, për rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Këshillit të Europës, për hapjen e dosjeve për të gjithë ata që pretendojnë të futen në politikë, për largimin nga administrata shtetërore të gjithë ish sigurimsave dhe njerëzve të tjerë të këtij kallëpi, për rishikimin e teksteve shkollore që akoma vazhdojnë të jenë shkruar nën frymën e ideologjisë komuniste, për rivlerësimin e figurave të shquara të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e memorialeve per ngjarje të shënuara të kësaj rezistence, për hapjen e muzeumeve nëpër vendet ku është ushtruar më shumë dhunë, për barazimin të paktën të statusit të tyre me atë të veteranëve të luftës në mënyrë që të mos ketë diferencim në trajtimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiprtare dhe së fundi për thirrjen e një konference me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Presidencës, Qeverisë, Parlamentit, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, mediave dhe shoqërisë civile e cila do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një komiteti me ekspertë të pavarur për shqyrtimin e krimeve të kryera nga sistemi komunist në Shqipëri.”
Le t’i hedhim një
vështrim shkrimit tjetër me titull “ A po zbatohet Katovica?”
botuar në gazetën “Metropol” datë 14 qershor 2012:
“Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë, qysh në marsin e vitit 2010, të dënonte krimet e komunizmit. Po për këtë qëllim, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë i kërkuan Sekretares së Përgjithshme për Drejtësinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zonjës Vivian Reding, dënimin e këtyre krimeve por që, për fat të keq, kjo kërkesë nuk u përkrah nga Ministri ynë i jashtëm.”
E pra
Ministër i Jashtëm ishte pikërisht zoti Ilir Meta, për të cilin ju shkruani se
qenka një nga “njerëzit e paparashikuar në kornizat hoxhisto-ramiziste”.
Tani dua të flas lidhur me grevën e urisë të shpallur nga një grup të përndjekurish politikë, nga të cilët një pjesë ishin me të vërtetë të tillë. Megjithëse për këtë grevë unë kam rezervat e mia që nuk ia vlen t’i shpreh tani, po ju paraqes një fragment nga shkrimi im, botuar në gazetën “Metropol” datë 29 tetor 2012 me titull: “Greva e urise, media dhe të përndjekurit politikë” që bën fjalë pikërisht për qëndrimin e qeverisë për këtë çështje:
“Le të flasim për menaxhimin që i bëri qeveria kësaj greve. Mendoj se ai nuk ishte i drejtë. Ajo ra në grackën e përgatitur nga organizatorët e grevës dhe zëdhënësit e saj dhe u kthye në një shkëmbim batutash jokorrekte midis tyre. Ditët e fundit Kryeministri deklaroi se ligji do të zbatohej një për një, se dëmshpërblimi do të përfundonte pikërisht në vitin 2017, se në ligj do të bëheshin edhe përmirësime dhe shtesa të tjera. Kjo është një gjë e mirë të cilën shoqata e jonë e ka kërkuar prej kohësh. A nuk do të kishte qenë më mirë që këto deklarata t’u ishin bërë të ditura grevistëve qysh në ditët e para të saj? A nuk do të kishte qenë më mirë që një përfaqësues, për shembull, i Ministrisë së Financave, t’u kishte bërë të ditur atyre të dhënat mbi përfitimet në privatizime e të tjera, që më vonë u publikuan nëpërmjet organeve të medias?”
E pra këto janë vetëm një pjesë e shkrimeve të shkruara
nga unë lidhur me çështjet që u përkasin të përndjekurve politikë dhe dua t’ju
siguroj se asnjë nga shkrimet e mia nuk është hartuar në “kancelaritë e
kryeministrit të përmbysur”, siç shkruani juve. Shkrimet e mësipërme flasin vetë
për të kundërtën. Por ne jemi një shoqatë e të përndjekurve politikë dhe nuk
mund të heshtim kur kryhen veprime që bien erë komunizëm nga cilido krah
qofshin.
Ne kemi konstatuar dhe konstatojme ende se të dy krahët e
politikës vazhdojnë të mbështeten në elementë, dosjet e të cilëve sikur të
ishin hapur, nuk do të guxonte njeri t’i emëronte në detyra kyçe të pushtetit.
Fjalën këtu e kam më tepër për ish punonjës të Sigurimit të Shtetit,
prokurorive, hetuesive dhe gjykatave të regjimit komunist. Ne nuk kemi heshtur
dhe nuk do të heshtim asnjë herë për këto raste. Jemi i vetmi vend i Europës
Lindore ku individë të këtij kallëpi i gjen në majat e politikës shqiptare.
Ndaj iu drejtova zotit Rama për emërimin në postin e këshilltarit të një
agjenti të njohur të UDB-së dhe për këtë janë vetë kosovarët që flasin.
Para disa muajve ju dërgova për vlerësim, një monodramë me temë sipas romanit tim
“Shkallët e Ferrit”, botuar në vitin 2008. Monodrama bën fjalë pikërisht për
penetrimin e këtyre tipave të cituar më sipër në postet më të larta të
administratës së sotme. Ia kisha dërguar më parë disa aktorëve, regjizorëve, dramaturgëve të njohur të teatrit dhe kinematografisë, por
asnjë nuk mori përsipër vënien e saj në skenë. Përse? Ndoshta nga frika se do
t’u dogëndiste disave prej të mëdhenjve të vendit. Jua kërkova edhe juve një gjë
të tillë. Pasi e vlerësuat më premtuat se kur të vini këtu në tetor do ta
bisedojmë. Unë jam në pritje, por kam frikë se, përsëri tani, që u ndërrua
pushteti, monodrama do t’u dogëndisë disa drejtuesve të rinj të këtij pushteti.
Këto ditë bënë një vizitë në SHBA, me ftesaë të ish
Presidentit Klinton dy përfaqësues të pushtetit në Shqipëri, Presidenti Nishani
dhe Kryeministri Rama. Ndërsa i pari, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë në të
cilën ishte ftuar, u takua edhe me përfaqësuesit e mërgatës shqiptare në Amerikë
dhe zhvilloi një bisedë miqësore me ta. Ndërsa i dyti, harroi se në Amerikë
jetojnë një bashkësi e madhe bashkëqytetarësh, të vjetër dhe të rinj dhe
preferoi më mirë të merrte pjesë në ceremoninë e dasmës së një miliarderi ultra
të majtë. Mendoj se ky krahasim nuk ka nevojë për koment.
Filozofi Friedrich Nietzsche shkruante në librin e pambaruar “Vullneti për pushtet” qysh në vitin 1906:
“Kam
fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të
çon te një “jo” dhe te një “po”.
Unë
ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.
Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”
Unë kam zgjedhur këtë të dytën, miku im. I përkas krahut
të djathtë të politikës shqiptare dhe do të vazhdoj të jem i tillë deri në
fund. Për mua nuk kanë rëndësi individët që drejtojnë forcat politike. Për mua
kanë rëndësi programet e tyre. Jam me atë që është më afër nesh.
Ju përshëndes dhe ju uroj gjithë të mirat!