E shtune, 05.10.2024, 01:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Neki Lulaj

E premte, 18.10.2013, 07:10 PM


NEKI LULAJ

 

QERRE NUSËRIE

 

Në muzgëtim vesha vellon e nusërisë

Riga e shiut përlotej tejmatanë qelqit

Lotonte diçka e pa kuptuar përjashta

Qerre e kuqe nusërie

Krushqit me flamur në oborr

E atë ditë përgëzimi

Babai m’i rrahu shpatullat

Nëna më puthi në ballë

Gjyshja këndoi uratën në heshtje

Motra më njomi me lot

Vëllezërit më thanë shqip:

U trashëgofsh për jetë e mot

 

NË GJIRIN E NATËS

 

Duart e dridhura mes këmbëve të natës

Fluska dëbore mbi fytyrë e krahëror

I shtrirë nga lodhja pranë gardhit në drit’

Si një hu pa shpirt rënqethje e trazuar

Sa prek mendjen me dorë ajo më thotë prit

 

Rrëshirë të levarashtë kullon trupi

Unë në pellgun e shpirtit kërkoj muranë

Ta godasë kohën duke e ndarë në copa

Me dorën plotë gjurmë pezmatimi

Ta  kthej erën e ngrohtë në këtë acar

Në shtratin e përjteshëm të pushimit

 

Çka më sillet rreth mendjes n’këtë natë acari

Në zgrip e kërkoj çarçafin që ta shploj hënën

Nëpër faqet e lisave mbledhë cegma kohe

Këtë natë me zgallë ta shlyej prej kësaj bote

E të puthemi sërish me Diellin  e kreshpëruar

 

TRASTA MBI TRA

 

Trasta rri varë plot ëndrra mbi trarin e vjetër

Që shpesh nga pesha e drithit krahun ma lëndoi

Nga zgërbnoja e lisit më vjen një tringëllimë përmallimi

Sipër lavrës thehen rrezet mbi petale një pikë vesë

 

Heshtjen nuk e prishin as dallëndyshet mbi tra

Pllugu nën drithnjak puthet me ndryshkun shekullor

S’di ku ta mbledhë forcën me grushta në ajër

Zodiak ku ndodhen dymbëdhjetë yjësi njomak

 

Gjej shteg për ta përbiruar fjalën n’oborrin me bar

Vesa mbi gurë e shkurre si pasqyrë e thyer

Dherat e mërgimit plot thinja e halle

Ti kthehem sërish shtegut mbi supe me trastë

 

KORNIZË JETE

 

Të gjata e shkurta ishin kornizat

Motet u ndryshkën deri në këputje

Me zinxhirët e kapitur të kohës

Mes zgavrave të murit dëneste nata

Shkundeshin me furi thundrat e kohës

 

Ato rëndë ishin ngarkuar me mykun e urrejtjes

Lotët e zhduknin mjegullën e dritave të shpirtit

Gurrat e faqeve derdhnin kristale

Një feks gjumi mortor

Ankthi fshihte cynamin e besës

 

Mes valëve të padurmit

Kërcasin gishtrinjtë e ëndrrës

Shtrëngohen fortë për të prurë

Në Oqeanin e  lotëve ujin njelmët

Lotët e shiut nga shumë mërgimtarë

 

LISAT

 

Shtati i lisave e lëvizë kohën

Fotografi e foltore mbi hapësirë

Degët plotë gjethe pipa e gjemba jetën përtërinë

E hija e tyre mbi shtatë bjeshkë këndell dashurinë

 

Atje vashat me llëra të zhveshura

E me gjinjë si suka të ëmbla bjeshke

Qëndisin Diellin e mbarë gjithësinë

E me gjergjef qëndisin imazh dashurinë

Duke soditur kohën e krisur të thatësisë

 

Poshtë një relikt i vjetër i plasaritur nga motet

I veshur me zgalema e myshk shekulli

Kalaja me bedena fortifikatë e pamposhtur

Thërret kohën vrastare në moskthim

Pëllumbit ia lemoj flatrat e thërras për bashkim

 

E JONI

 

Leqeve të shkumbëzuara të Jonit

Buzë deti nën strehë shkëmbi

Shtrirë nën shtjellat e mjegullës

Sa një konop samari hija e jetës

Kumbojnë tingujt e Orfeut

 

Mbi shkëmbinj e valë pushojnë pulëbardhat

E me këngë të bekuara dashurie

Ngrisin epshin e ndezur të nimfave

Shtrirë mbi stomin e shkëmbinjve

Shtegut të fjalëve një dritë i shtohet

 

Yjet dhe hëna po lahen mbi Jon

E mbi kalldremin e valëve

Peshku i artë grepon hënën

Duke i ruajtur nën gjuhë

Perlat e Albanisë iliriane

 

RRUGËTIM I PAPRITUR

(Kushtuar Kolonelit Ahmet Krasniqi)

 

Heshtja ka pllakosur në atë vargan të gjatë kolone

Lëvizje e ngadaltë me plagën e rëndë të dhimbjes

Pikon plaga e hapur në përcjelljen e pafund  mortore

Kolona bluan në mullirin e kohës me ritëm befasie

 

Kush ta zuri pritën, vëlla kush e vrau ylberin

Kush i veshi rrobat mjerane të tradhtisë

Kush e vrau, kush qëlloi mbi kolonelin

Kush e vrau atë dritë që donte vetëm dritë

 

Hedhim hapat në rrugëtimin e fundit kur ndalet jeta

Po dredhim në  heshtjen mortore një duhan kaçak me dhimbje

Malli për ty shtrydh gjoksin ndrydh ndjenja

Shtrëngojmë duart e kafshojmë buzët në dridhje

 

E s’duam loti të na tradhëtojë në ligësinë shkullore

Teksa turma memece gjarpëron nëpër udhë

Seicili ka hapur kalendarin e veprës  madhështore

Që kur ishe fëmijë kolonel deri sa u bëre burrë

 

O tërmet o tradhëti e lashtë shekspiriane

Në gjirin e nënës ti ishe atlet për pavarësi

Mos thuaj se s’të kemi më odave ku ka fjalë mentare

E në bjeshkët tona s’do ta ringrejmë flamurin kuq e zi

 

Zvarranikët ecin drejt aktit të fundit të turpit të zi

E Kosova ngjason sot me një lëndinë e plagosur në petale

Hienat mes turmës anonime i shoh duke zgërdhirë

E koloneli nga arkivoli tinguj tmerri lëshon me batare:

 

Kapni kusarët e kriminelët që jetën e vrasin

Kosovës sonë të dashur kurrë të mos i ndalet hapi!|

 

Jam njeriu që lindi në burg

Për ata që nuk vdesin nëse më pyesni

Dëshmorëve të kombit nga u erdhi fuqia

Unë ju tregoj

Nëse më pyesni

A luftuan ata për emër a për Liri

Unë ju tregoj

 

Nëse më pyesni

A u shkrua për ta në histori një kapitull i ri

Unë ju tregoj

Nëse më pyesni

Kosharja, Loxha, Prekazi e Gllogjani

A janë djepa trimërie

Unë di t’ju tregoj

 

Nëse me pyesni

A jetojnë dëshmorët e cilën ditë të lindjes kanë

Unë me saktësi ua tregoj

Nëse më pyesni

A jetojnë në Parajsën e  Pavarësisë

I pari dhe i fundit unë, unë  ua tregoj



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora