Kulturë
Drita Lushi: Në vend të urimit
E marte, 15.10.2013, 07:59 PM
DRITA LUSHI
NË VEND TE URIMIT
Pak reflektim…
Urim?
Po,është gjëja më e lehtë, më e
bukur dhe normale të urosh, ose të të urojnë “Gëzuar”.Nuk është ndonjë gjë e
madhe, në fakt gjashtë gërma të bukura
janë,të kapura përdorë e që secili mund ta ngjyrosë këtë fjalë me timbrin e tij
dhe…
Por…
Jetojmë kohë të trazuara.
Të trazuara kohët, i trazuar shpirti i njerëzve.
Kur them “trazim”
përfshij aty një diapazon gjëndjesh, që nga dëshirat e deri tek ëndërrimet.
Dëshira pozitive dhe negative.
Ndërsa ëndërrimet? Eh… Ato e mbajne njeriun të lidhur me
jetën.
Thonë se në këtë botë ,më shumë janë njerëzit që s’të
duan sesa ata që të duan. Nuk e di sa e vërtetë është.Ndoshta edhe e di, por s’dua të
pranoj që në magjet e njerëzve gatuhet si bukë, edhe urrejtja e smira.
Po përse, përse vallë?
Përse qenkërka më e lehtë të ushqesh veten me negativizëm
sesa me pozitivitet, me mirësi, me optimizëm?
Njeriun e mbajnë krahët dhe mendja e tij.
Kur nuk i futesh kujt në hise, kur punon me orë te
zgjatura kur ndien dhe shijon djersën tënde, kur ke fytyrën tënde, duart e tua,
frymën tënde që rrit frymën dhe shtatin e fëmijes tënd, përse nuk ka paqe?
Mënyra më e mirë për të vendosur paqe me veten dhe të tjerët
është puna.
“Nuk ka punë”- mund të thotë,dikush. Po, ndoshta nuk ka
punë,por ka shpresë. Zoti,shpesh na vë në provë besimin, durimin, shpirtin,
komunikimin, zemrën. Asgjë nuk ndodh rastësisht e pa asnjë shkak.
Janë fije të padukëshme që lidhin të rastësishmen me të logjikshmen.
Nëse nuk falim dot pará, të falim një buzëqeshje, një përshëndetje,
një fjalë të mirë, nje tingull,një vështrim miqësor.
E di,e di që s’ngopet barku me të tilla. As me fjalë s’ngopet
barku.
Dakord.
Po a mund të ngopet barku me dashakeqësi, me urrejtje,me
smirë, me indiferentizëm, me egoizëm?
Pa mendoni, sa pak miqësorë e sa të pandjeshëm janë bërë
njerëzit sot…
Sa pak vizita bëjnë tek njëri- tjetri,sa pak urime
shkëmbehen për festa.
Ca mesazhe të thata e pa frymë aty në celular dhe kaq.
Fjalët e sjelljet e mira të bëjnë më të mirë, më të
ndjeshëm, të bëjnë të ndihesh më afër së mirës, më afër të vërtetës, më afër Zotit;
Mbi të gjitha më afër Vetvetes.
Po pra, po. Janë gjëra që i kemi mësuar në shkollën që
sot s’i mungon kurrkujt as në atë copë letër që quhet diplomë.
I kemi mësuar dhe s’i dimë.
I kemi mësuar dhe i kemi harruar.
Përfshihemi në vorbulla që s’ua dimë as kuptimin, as
prejardhjen, jetojmë gati si në eter, harrojmë që thithim të njëjtin ajër e që
shkelim të njëjtën tokë, e që jemi njerëz, ose duam të jemi njerëz.
Udhëhiqemi shpesh nga instiktet sesa nga mendimi, logjika
dhe zemra.
Edhe unë dua te jem njeri .
Ky është objektivi që duhet të arrijmë deri në fund të
jetës sonë: Pra të jemi njerëz!
Çdo të thotë?
Ja pra,do të thotë që të marrësh frymë thellë të nxjerrësh
e të çosh urrejtjen e çdo ndijim negativ larg,e të degdisësh smirën.
Sot
bota myslimane feston…
Ah, jo bota.
Bota është një.
Zoti është Një! Njerezit janë Një.
Festohet besimi.
Nuk i kam parë festat si ndasi fetare, por si vëllazërim.
Çdo festë është një ditë ku jo vetem duhet të qeshim, por të bejmë të ndihen mirë edhe ata, që u kanë shterruar buzëgazet,e hallet u kanë shtuar rrudhat e mendimeve.
Sot është Festë.
Eshtë Bajrami. Dëgjohen urime, mbushen tavolinat, njerëzit qeshin, pijnë e nën efektin e një gote verë, harrojnë trazimet e shpirtit.
Nesër është ditë e zakonshme, e ndoshta në tavolina s’do
të ketë verë, do te ketë më pak ushqime.
Por urimet, shpresa e besimi duhet të jenë fidanët që
secili duhet të mbjellë në shpirt.
Kështu Pema e Jetës, do bëhet më e bukur.
Le të kujdesimi për të.
Drita Lushi.
15/10/2013
Shqipëri