Mendime
Adil Fetahu: Misionari i shqiptarizmës
E hene, 02.09.2013, 06:47 PM
MISIONARI
I SHQIPTARIZMËS
-Arben Kondi: “BARBARËT”, (roman; Vepra e zgjedhur), “ILAR”, Tiranë 2012, fq.179 -
Nga Adil Fetahu
Nga opusi
prej 20 librave të botuara deri më tash të shkrimtarit çam, Arben Kondi, në
Njëqintvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, vitin e kaluar u botuan tetë vepra
të zgjedhura, me titull simbolik e domethënës: K o s o v ë – Ç a m ë r i. Në
këtë komplet të veprave të zgjedhura u
botuan: “Shqiptarovrasësi Napolon Zerva”(roman), “Vrasja e dytë e Marko Boçarit
(roman)”, “Rikthimi në Çamëri”(roman), “Djaj në Veladon”(roman),
“Barbarët”(roman), “Tmerri” (roman), “Poezi e tregime”, dhe “Publicistikë
letrare”. Në Panairin e sivjetmë të librit në Prishtinë, autori u paraqit me kompletin e veprave të përmendura dhe me
veprat tjera të tij.
Arben
Kondi tanimë është shkrimtar i mirënjohur në Shqipëri, Kosovë e më gjerë, dhe
duke marrë parasysh moshën e tij mesatare,
është shkrimtar i arrirë dhe mjaft produktiv. Kryetemë dhe kryefjalë e
veprave të Kondit janë Çamëria dhe Kosova, pa lënë anash edhe viset e tjera
shqiptare, si “Ilirida”, Lugina e Preshevës, tokat shqiptare në Mal të Zi.
“Tmerri”,
edhe “Barbarët” janë dy romane kushtuar
luftës, krimeve, tmerrit e gjenocidit serb në Kosovë, paçka se romani
“Barbarët” (botuar në vitin 2000, e ribotuar
më 2012) bënë fjalë edhe për skenat dhe prapaskenat politike, diplomatike dhe
ushtarake të aksionit të bombardimeve të
NATO-s dhe të marrëveshjes së paqes e marrëveshjeve tjera (si ajo për
çarmatosjen e UÇK-së). Kryepersonazhe të romanit janë Xhejms Rubin, zëdhënës i
Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, bashkëshortja e tij, Kristiene Amanpur,
gazetare e mirënjohur e CNN-it, Medelin Olbrajt, ish-sekretarja e Shtetit e
ShBA-ve, Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, për të vazhduar me një
galeri të tërë personalitetesh (reale), kryetarë shtetesh, ambasadorë, ministra
të jashtëm e ministra të mbrojtjes, udhëheqës e komandantë të NATO-s të periudhës së luftës në Kosovë, përfaqësues
special në negociata, etj. Të gjitha këto personazhe (reale) lexuesve të moshës
së caktuar iu kujtohen, kush për të mirë e kush për të keq.
Romani
është i strukturuar në njëzet kapituj (pa tituj), dhe është interesant se 16
kapituj janë me vëllim të barabartë teksti (nga 8 faqe). Kapitulli i parë
fillon me takimin e kolegjiumit
në zyrën
e Sekretares së Shtetit, zonjës Medelin Olbrajt, ku drejtori ndërkombëtar i
CNN-it e lajmëron Xhejms Rubinin, zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, se
bashkëshortja e tij, Kristiene Amanpur, gazetare e njohur e CNN-it, qe ishte e
vendosur ne hotelin “Hayat” në Beograd, qenka zhdukur dhe nuk dihet ku gjendet.
Mund ta merrni me mend momentin psikologjik të bashkëshortit, i martuar tek
para shtatë muajve, t’i ketë zhdukur gruaja natën e fillimit të bombardimeve,
në një vend kur paramilitarët sillen gjithandej të etshëm për krime
gjithfarësh, e cila si gruaja e një funksionari të lartë amerikan mund të
shërbejë si peng me shumë vlerë për regjimin e Beogradit. Lajmin tjetër të
gëzueshëm ia kumton natën në shtëpi me
telefon drejtori i CNN-it, që i thotë se Kristiena është shëndosh e mirë dhe se
gjendet në
Në
kapitullin e katërt, që është kapitulli më i gjatë i librit, autori
përshkruan ecurinë dhe atmosferën e rëndë të Konferencës së
Rambujesë, ku delegacioni serb i kryesuar nga presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviqi
kapërdisej e tregohej megaloman. Në një takim në Kështjellë, Millutinoviqi i
kishte thënë zonjës Olbrajt: “Përse brengoseni kaq shumë për këta shqiptarët?
Lernani neve të lirë ta zgjidhim problemin e tyre, sipas mënyrës tonë”!
Sekretarja Olbrajt ishte tjetërsua nga arroganca e Millutinoviqit, dhe e kishte
pyetur: “Në ç’mënyrë synoni ta zgjidhni, nëpërmjet përndjekjeve masive”?
(fq.35). Millutinoviqi që nuk e kishte pritur reagimin e tillë të sekretares
Olbrajt, pas kësaj u zbut dhe përpiqej të tregohej tepër i sjellshëm. Ndërkaq,
delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Hashim Thaçi, “kryengritësi misterioz”,
ishin kryesisht me moshë të re. Në vazhdim, autori përshkruan ecurinë e
Konferencës, ku poenta kryesore ishte që delegacioni i Kosovës duhej të hiqte
dorë nga pavarësia, qoftë edhe përkohësisht, përndryshe aleatët evropian do të
na kthenin shpinën dhe nuk do të mund të hynte NATO në Kosovë. Thaçi thoshte “e
kam të pamundur të heq dorë prej pavarësisë; kemi gati një shekull që vuajmë e
luftojmë për lirinë tonë...”. Duke parë se Thaçi nuk do të nënshkruajë
marrëveshjen në të cilën nuk parashihej pavarësia e Kosovës, Medelin Olbrajt e
zemëruar, mbajti takim të veçantë me Thaçin, për ta bindur se “pa marrëveshje
nuk do të ketë forca ajrore të NATO-s në Kosovë, dhe se serbët do të vrisnin e
masakronin më tej popullin tuaj, se do ta
humbësh përkrahjen e Perëndimit dhe miqësinë me mua e me z.Rubin,
dhe se ti
personalisht
do të jesh përgjegjës për fatkeqësinë e njerëzve tu”. Thaçi arsyetohej, se
komandantët e UÇK-së në terren po bënin presion, e nëse nënshkruaj
marrëveshjen, do të më konsiderojnë tradhtar të atdheut. Prandaj, propozoi që
marrëveshjen e formuluar nga Xh.Rubin e V.Surroi, ta nënshkruajë Vetoni, e pas
dy javësh, pasi të kthehet nga Kosova, do ta nënshkruante edhe vet Thaçi.
Me
fillimin e bombardimeve, nisë hakmarrja barbare serbe ndaj shqiptarëve.
Në roman
spikatet funksionimi i mekanizmit të
mikpritjes së refugjatëve të ikur në Kukës, ku hynin nga njëzet e sa mijë
refugjatë në ditë, dhe ku kishin shkuar vendasit edhe nga qytetet e tjera për
t’i marrë vëllezërit kosovarë nëpër shtëpitë e tyre. Imazhet e tmerreve satelitore
po e tronditnin botën. Megjithatë, në politikën dhe diplomacinë botërore kishte
asi që e kundërshtonin bombardimin. Në mesin e tyre, jo vetëm Rusia e Greqia e
ndonjë tjetër, por edhe ministri i jashtëm i Italisë, Lamberto Dini, proserb i
dëshmuar, ishte kundër bombardimit; ai disa herë kishte kërkuar ndërprerjen e
bombardimeve, kurse me rastin e festës
së pashkëve, në takimin e ministrave të NATO-s kishte kërkuar bile ndërprerjen
e përkohshme të bombardimeve për 48 orë, gjë që e kishin kundërshtuar ashpër
ministri gjerman Joshka Fisher, dhe ai britanik Robin Kuk. Ndërkaq, në fjalimin
e tij me rastin e 50-vjetorit të NATOs, presidenti Bill Klinton theksoi: “NATO
do të luftojë deri në fitoren përfundimtare kundër regjimit diktatorial të
Millosheviqit”. Por, idenë e Toni Blerit
për të hyrë forcat tokësore, nuk e përkrahi Bill Klintoni, nga frika se do
vriteshin ushtarët e tij, prandaj e vetmja aleate e NATO-s si forcë tokësore
ishte UÇK-ja. Me qenë se koha e bombardimeve po zgjatej, edhe disa zyrtarë të
Pentagonit,
me një kryeartikull “Lufta e Madalenës”, botuar në “Washinton Post”, e akuzonin
Olbrajtin për hyrjen në luftë pa bërë llogarinë mirë. Gabimi i NATO-s në
gjuajtjen e kolonës së civilëve afër Gjakovës, ishte pretekst për ta sulmuar
zonjën Olbrajt. Sekretari Shtetëror i Mbrojtjes, William Kohen, kishte shprehur
keqardhje dhe kërkuar ndjesë për këtë gabim. Duke u ndërlidhur me idenë e
ndërhyrjes tokësore të NATO-s, Kohen ishte shprehur optimist për rezistencën e
UÇK-së, për të cilën kishte thënë se është formacion ushtarak tepër i
disiplinuar dhe se ajo do të jetë forca fitimtare mbi Millosheviqin (65).
Planin strategjik të luftës në Kosovë e kishin hartuar bashkë: sekretarja e
Shtetit (Medelin Olbrajt), sekretari i Departamentit të Mbrojtjes (William
Kohen), këshilltari për Siguri Kombëtare (Sandi Berger) dhe drejtori i CIA-s
(Xhorxh Tenet)
Xhejms
Rubin tregon se si një serbo-amerikan,
në një kafene në Washington i kishte thënë: “NATO dhe Amerika po e bombardojnë
atdheun tim, dhe luftën mund ta fitoni, por një gjë mos harroni, se Kosova ka
qenë dhe mbetet përjetësisht djepi i Serbisë, se kockat e Stefan Dushanit,
krijuesit të Perandorisë së Serbisë edhe sot e kësaj dite prehen në manastirin
e Deçanit”. Rubini thotë se hamendej t’i thoshte se Stefan Dushani ka mbetur
atje si pushtues, e jo si autokton, por u përmbajt duke parë figurën mjerane të
serbit që po dridhej, dhe nuk deshi të hynte në polemikë me te, në praninë e
njerëzve që ishin në kafene.
Autori i
romanit “Barbarët” me mjeshtri e ka përpunuar letrarisht dhe artistikisht dhe
ia ka prezantuar lexuesve periudhën më të bujshme të historisë së Kosovës, dhe
ngjarjen kryesore në historinë e botës së fundshekullit njëzet, historinë e
luftës tragjike dhe të shpresës për popullin e Kosovës. Në këtë luftë, në role
e kontekste të ndryshe, janë involvuar personalitete, organizma e shtete të
ndryshme, qoftë me pjesëmarrje të drejtpërdrejt, me përkrahje politike a
logjistike, qoftë edhe aso kundërshtare. Figurat e personazheve kryesore ose
atyre aksesore, autori i ka portretizuar, realizuar e simbolizuar në mënyrë
mjeshtërore artistike e letrare: me vullnete politike, psikologji, emocione e
karaktere të ndryshme. Lëndën historike e ka shtjelluar letrarisht në bazë të
vërtetave politiko-ushtarake, me ngjarje, vende, data, personazhe konkrete,
reale. Kjo bënë që prej faqes së parë deri në atë të fundit, libri të mban të
lidhur emocionalisht dhe të përkujton epopenë e luftës reale, nga e cila kemi
dalë fitues para katërmbëdhjetë vjetëve.
Çdo personazh a ngjarje e shtjelluar në roman, ka adresën reale, të
ditëve tona, shumë prej të cilëve edhe sot janë në skenën politike dhe të
njohur për lexuesit.
Arben Kondi është krijues i suksesshëm dhe i afirmuar në disa fusha të letërsisë: roman, ese, tregime, poezi. Kryetemë dhe kryefjalë e gati të gjitha veprave letrare të Kondit janë ngjarjet në Kosovë dhe në Çamëri, pa munguar kujdesi edhe për viset tjera shqiptare. Ai kërkon drejtësi dhe korrigjim të padrejtësive që i janë bërë popullit shqiptar në Ballkan.