Mendime
Man Poga: Besimtarët e dhunës
E hene, 26.08.2013, 07:52 PM
BESIMTARËT
E DHUNËS
Nga Man POGA
U bënë
disa ditë që mediat vizive dhe të shkruara po pasqyrojnë në mënyrë intensive
episode të dhunës që erdhën si pasojë e konfliktit mes disa policëve privatë e
përmbaruesve nga njëra anë dhe priftërinjve të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare
që shërbejnë në Përmet nga ana tjetër. Lajmi mori dhenë, aq shpejt sa për çudi
të parët që u shqetësuan ishin përfaqësuesit e komunitetit minoritar grek në
Shqipëri, pastaj Konsullata greke, dhe në fund Kisha Ortodokse “Autoqefale”
Shqiptare…! Në analizë të parë të tekstit dhe frymës reaguese, konstatohet fare
thjeshtë se deklaratat kishin veçse një qellim: ta servirnin para opinionin
ndërkombëtar situatën si konflikt fetar, deri aty sa ta cilësonin si pengesë e
të drejtës për të besuar apo për të ushtruar të drejtën e besimit në ritin
ortodoks etj, etj.
Si një
orkestër e organizuar mirë në fund erdhi dhe “ndihma” e shtetit fqinj mik,
Greqisë. E cila shpejt e shpejt nëpërmjet Ministrisë së Jashtme bëri një dalje
për shtyp, duke “futur hundët” në një çështje pronësie të një shteti tjetër
sovran. Vendi fqinj nuk e la me aq, por shkoi aq larg sa hartoi dhe një raport
kritik për Shqipërinë drejtuar KE, duke provokuar edhe më tej situatën.
Mirëpo,
po të lexohen me kujdes të dhënat në terren,
Së pari
të bie në sy ripërsëritja e zinxhirit reagues (-përfaqësues i
minoritetit-konsullata greke-shteti grek) pa lidhje me ngjarjen, por vetëm e
vetëm për qëllime politike, duke sjelle zvarrë një mendësi mesjetare e lidhur
me konceptin se ku ka ortodoksë ka grekë…! Nga kjo mendësi shpjegohet dhe
bllokimi i qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare greke, si hakmarrje për
situatën e Përmetit;
Së dyti
të bën përshtypje reagimi befasues i priftërinjve. Të cilët të vetme mundësi
proteste menduan dhunën. A thua se ata ishin predikues të dhunës e jo paqes; Së
treti, a nuk është absurde dhe anormale që të sjellësh me autobusë të
ashtuquajtur besimtarë nga Saranda, Delvina, Gjirokastra dhe ti yshtësh drejt
dhunës…mu në mes të Përmetit?!
Duke
patur miq nga Përmeti ju telefonova duke shprehur shqetësimin për ngjarjen por
dhe habinë se pse paska qenë e nevojshme të shkojnë besimtarë nga rrethe të
tjera, fundja, nëse priftërinjtë nuk arrijnë dot të bindin besimtaret e
Përmetit pse u dashka ajo shtëpi Kulture për Kishë..?!
-Normalisht
se do t’i merrnin nga rrethe të tjera, – më tha miku im nga Përmeti, – se ne
jemi besimtarë të qetë jo besimtarë të dhunës.