Mendime
Arbana Xharra: Manovrat e pabesueshme të Kurtit!
E marte, 18.06.2013, 07:38 PM
Manovrat
e pabesueshme të Kurtit!
Nga Arbana Xharra
Shpeshherë
kritikët e pushtetit akutal pyetën nga lexuesit nëse - eventualisht - janë
përkrahës të lëvizjes “Vetëvendosje”, sidomos atëherë kur edhe mediet përkrahin
nismat e kësaj lëvizje. Dy vjet më parë, në protestën e organizuar nga
“Vetëvendosje” (kundër hajnisë), jo vetëm unë kam marr djalin tim për dorë (atëbotë pesëvjeçar) për t'ju
bashkangjitur kësaj kauze, për të kundërshtuar keqpërdorimet dhe degradimin e
vlerave, për të kërkuar mbrojtjen e resursve të vendit dhe për të luftuar për
një ardhmëri më të mirë, sidomos të
fëmijëve tanë.
Secila
nismë e çdo partie, rrjedhimisht edhe e Vetëvendosjes, e cila synon
përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e shtetit do të gjejë
mbështetjen edhe të medieve. Kemi përkrahur fushatën për promovimin e
produkteve vendore, bashkë me kemi kundërshtuar ashpër privatizimin
jotransparent dhe shitjen skandaloze të ndërmarrjeve publike.
Gjithmonë
duke besuar në shumë anëtarët të kësaj lëvizje, dhe qëllimet e tyre si zëri më
kritik i cili ka dalur kundër politikave të cilat kanë shkatërruar në
vazhdimësi Kosovën. Atëherë kur jemi përballur me shkelje, keqpërdorim, ka
pasur një zë në Kuvendin e Kosovës për të thënë "Jo!".
Në një
ambient politik, ku secili bënë përllogaritë e veta sesi t’i afrohet pushtetit
më shpejtë, me një opozitë që nuk vlen as të quhet e tillë, “Vetëvendosja”
shpeshherë e vetme ka qëndruar me një anë. “Rebelët” e kuvendit, kanë
kundërshtuar sa herë që është prekur interesi i qytetarit. Ditë më parë, kur
temë aktual u bë sërish rreziku nga rryma ekstremiste brenda islamit, të
nxitura nga ligjërata e "hoxhë" Irfanit, e cila fillimisht u bë
publike nëpër rrjetet sociale.
Për herë
të parë nga një imam dëgjuam publikisht fyerje të ashpra në drejtim të gruas,
duke u quajtur lavire, në anën tjetër Forumi i të Rinjve Musliman, doli me
letër publike duke e quajtur deputeten e “Vetëvendosjes” Alma Lama refugjate
dhe të gjitha femrat e Shqipërisë lavire, ata madje kërkuan largimin e saj nga
Kosova.
Këto grupe
kërkuan nga “Vetvendosja” që të
distancohet nga Alma Lama duke dhënë kështu një sinjal të qartë për ata
që duan ta kuptojnë. Kërcënimet publike ndaj Lamës bënë që ajo të lëvizë me
përcjelljen e policisë. Lama nuk ishte e vetmja që u kërcënua. Meqë interneti
dhe mediet sociale ofrojnë edhe mundësi që kriminelët të fshehin identitetin,
shumë "besimtarë" shfrytëzuan rastin për të kërcënuar edhe gazetarë.
Deklaratat
kërcënuese vetëm sa erdhën duke u shtuar, duke u bërë kështu pjesë e debatit
publik. Në të njëjtën kohë, disa besimtarë të fesë myslimane, imam të rrahur e
të kërcënuar, dolën publikisht duke deklaruar se në Kosovë veprojnë elemente
ekstreme fetare të kampit islam. Raste konkrete të imamëve të rrezikuar vetëm
pse kishin dalur haptazi kundër wahabizmit u bënë publike me emra e
mbiemra. Të tjerë nisën të mohojnë
figurat kombëtare e historike të shqiptarëve, duke thënë se Skendërbeu është
hero i katolikëve dhe jo i shumicës shqiptare duke mohuar kështu historinë
shqiptare.
Dhe
papritmas në këtë rrëmujë ai i cili me të madhe mbron vlerat kombëtare dhe
promovon bashkimin, Albin Kurti doli me një editorial me temën “Feja dhe
Kombi”. Dhe mes rreshtave shohim një Albin të zbutur dhe joparimorë, i cili
mban balancë, flet për bashkëpunim ndërfetarë mes shqiptërave, por duke i
ikur aktualitetit. Thua se dikush e ka
vënë në dyshim bashkëjetesën ndërfetare. Në gati një faqe gazetë, Albin Kurti
nuk e zë njëherë të vetme në gojë faktin se deputetja e “Vetëvendosjes” është
kërcënuar ashpër, nga këto grupe të cilat fyen rëndë femrat e Shqipërisë.
Ai flet
për një të vërtetë për të kaluarën. Se shqiptarët përherë kanë pasur
bashkëpunim ndërfetar, por në të njëjtën kohë thotë një të pavërtetë se ky
bashkëpunim ndërfetar po vazhdon. Në shkrimin e tij Albin Kurti tingëllonte më
shumë si një taktikues politik, i cili tenton të na bind duke u thirrur në
periudhën diku ka fundi i shekullit XIX e përgjatë shekullit XX për
bashkëjetesë ndërfetare, por duke mos u marr me një realitet gjithnjë e më
ekstrem që nga mbarimi i luftës në Kosovë në vitin 1999. Ky realitet që
personifikohet me fytyrat e imamëve jotolerantë po dëmton tolerancën fetare që
ka ekzistuar me shekuj ndërshqiptarë.
Edhe pse
kërcënimet bëhen publike, pastaj edhe rastet konkrete që kanë ndodhur që nga
mbarimi i luftës e deri me tash u riaktualizuan, Albini thotë se "mediat e
regjimit paskan nxjerrur videoincizmet e vjetra të klerikëve për të ndezur
polemika për të larguar vëmendjen nga problemet tjera”, duke amnistuar kështu
grupet të cilat po kërcënojnë haptazi qytetarët e këtij vendi e në mesin e tyre
edhe përfaqësuesen e “Vetvendosjës” . Kurti ndoshta do të dëshironte që mediet
të merren vetëm me Thaçin.
Kryeministri
është vërtet shkaktar i shumë fatkeqësive të këtij vendi, por kjo nuk domethënë
se mediet duhet të merren vetëm me të dhe të injorojnë probleme të tjera të
shoqërisë, të cilat nuk janë të pakta. Një ndër këto probleme janë edhe
paraqitjet provokuese e fyese të disa imamëve. Albini shfrytëzon këtë situatë
në mënyrë shumë të pamoralshme dhe vetëm për poena politikë. Dhe kur lexon
pasuesin e tij se "Kosova është shtet sekular ku duhet të ketë liri të
religjionit e të religjioneve pa dallim...” papritmas të vjen në mendje situata
kur doli në votim në parlamentin e Kosovës çështja e lejimit të mbulesës nëpër
shkolla dhe “Vetëvendosja” e braktisi sallën për të mos votuar as pro e as kundër.
Njëri nga
përkrahësit e Albin Kurtit, profesori nga Tirana, Husamedin Feraj, haptazi ka
dalur kundër figurës së Skënderbeut me qasjen e tij shumë të përafërt me rrymat
fundamentale në Kosovë. Është e vërtet se grupi i fundamentalistëve janë edhe
votues, por të bësh pakt me ta për interesa të pushtetit nuk është veprim i
mençur politik.
Vetë
Albin Kurti ka kritikuar ata që janë në gjendje të shkelin mbi çdo gjë për të ardhur
në pushtet. Tani shohim kreun e VV-së që bën kalkulime të ulëta dhe iu vardiset
ekstremistëve fetarë. Ky qëndrim shpalos dyshimin se Albin Kurti ka zgjedhur
nacionalizimin e bashkimin kombëtar, pikat më të ndjeshme të cilat ndezin
qytetarin, për të vetmen arsye: të vijë në pushtet. Pasi të vijë në pushtet
edhe këto gjëra do të zhduken në arkën e premtimeve të kota.