E diele, 28.04.2024, 03:55 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Robelli: Dhunuesit e Kosovës

E shtune, 15.06.2013, 11:42 AM


Dhunuesit e Kosovës

Nga Enver Robelli

Nuk është aspak befasi që një deputet i tarafit sundues i fyen të gjitha femrat e dhunuara gjatë luftës, duke thënë se “nuk janë viktima”. Befasi e neveritshme është që edhe në vitin 2013 populli i Kosovës duron që persona të tillë (si puna e Shaip Mujës) të jenë deputetë. Derisa njerëzit nuk ballafaqohen me marrëzinë – marrëzia nuk do të marrë fund...

“Atë ditë kur krimi stoliset me trofetë e pafajësisë përmes ndonjë kthese të çuditshme që i përshtatet kohës sonë, atëherë do ta detyrojë pafajësinë që ta arsyetojë veten.” - Albert Camus: Njeriu i revoltuar

Ky koment ka të bëjë me shtetasin Shaip Muja. Për arsye të higjienës publike nuk është e nevojshme që emri i tij të përmendet më tutje. Personi në fjalë është deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai me gjasë është i bindur se është zgjedhur me vota të lira, ndërsa pak qytetarë të Kosovës do t’i besonin kësaj përralle, duke ditur se pjesa më e madhe e deputetëve të partisë sunduese (dhe jo vetëm të saj) në Parlament janë futur me vjedhje e blerje votash, me premtime në stilin “ti mua një duq me vota, unë ty një tender ose një vend pune” dhe me lloj-lloj marifetesh të njohura nga bota e nëntokës kriminale.

Para disa ditësh Radio Evropa e Lirë, një medium amerikan me traditë të lavdishme të angazhimit për liri të popujve të shtypur, e intervistoi deputetin e lartpërmendur. Në pyetjen se përse nuk mund të futen gratë e dhunuara (gjatë luftës së Kosovës, v.j.) në kategorinë ligjore të viktimave të luftës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës tha: “Nuk mundesh me i quajt viktima, sepse nuk janë të vrara. Viktimat janë të vrarët”.

“...sepse nuk janë të vrara”

Vini re këto fjalë të deputetit:

“Nuk janë viktima”!

Pse?

“...sepse nuk janë të vrara”!

Kush është viktimë?

“Viktimat janë të vrarët”!

Pra, jo të vrarat, por të vrarët.

Meshkujt, jo femrat.

Burrat, jo gratë.

(Natyrisht deputeti mund të dalë e të thotë se krejt ndryshe i ka menduar gjërat, por në këtë rast ishte gjuha që e tradhtoi dhe e nxori para publikut pa fije dinjiteti).

Dhe pastaj ai i ra vulë: “Unë kam qenë pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”.

Pikërisht për shkak se të tillët kanë qenë pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, asaj UÇK-së së hotel Rognerit në Tiranë, gjendja në Kosovë sot është kaq e tmerrshme, kaq e padurueshme, kaq bizare.

Deputeti i tarafit sundues vazhdon: “Të themi shumë thjesht, ne do t’i futim në ligj, ua japim edhe 200 euro ose 250 euro, një pagë dhe i harrojmë ato. Kjo nuk është zgjidhje”. Logjikë më e mbrapshtë se kjo zor të gjendet. Kështu me gjasë tentohet t’i vishet “një etje grabitqare” një shtrese të shoqërisë - grave , të cilat janë poshtëruar në luftë - përmes armës më të fëlliqur, dhunimit. Nga ana tjetër, sipas kësaj mendësie, dhembja e femrave s’mund të matet me heroizmin e luftëtarëve të lirisë - një heroizëm shpeshherë i kufizuar në rrahjen e shqiptarëve nëpër kampe të UÇK-së në Shqipërinë veriore dhe vrasje pas shpine.

“Dhurues” dhe rrenacakë

Për të folur budallallëqe në emër të kësaj politike - sunduese e arbitrare - ndër personat më të kualifikuar me siguri është deputeti i lartpërmendur i PDK-së. Ai tashmë ka bërë një karrierë të bujshme në mediet ndërkombëtare si i përzier në aferën “Medicus”, me ç’rast në Prishtinë janë sjellë “dhurues të organeve” nga Izraeli dhe vende të tjera. Këtu, në klinikën “Medicus” u janë nxjerrë veshkat këtyre njerëzve fatzinj. Një dhurues e patën lëshuar këmbët në Aeroportin e Prishtinës dhe qe ndalur nga policia. Pastaj filluan hetimet, që çuan në ngritjen e aktakuzës.

Para gati një viti revista gjermane “Der Spiegel” ia kushtoi një hulumtim të gjerë tmerreve të klinikës “Medicus” dhe shkroi, duke iu referuar aktakuzës së Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, se mjeku Lutfi Dervishi nga kjo klinikë kishte mbajtur lidhje “me qarqet më të larta qeveritare të Kosovës”, përfshirë edhe këshilltarin e kryeministrit për shëndetësi (fjala ishte për deputetin, emrin e të cilit e përmendëm në fillim). Ç’të pritet më shumë nga një person i tillë përveç fyerjeve për viktima dhe disa broçkullave të treguara nga “prizmi i profesionistit” - mos të harrojmë deputeti “ynë” me profesion është edhe mjek. Me fjalë të tjera: versioni kosovar i Dr. Frankensteinit.

Në vend se të merret me mijëra e mijëra rrenacakë që, duke shfrytëzuar ligjin për veteranë po tentojnë të kontrabandohen si “heronj të luftës” me të drejtë pensioni të përjetshëm dhe në dëm të shoqërisë së varfër kosovare, regjimi aktual rrugëdaljen e sheh në fyerjen e grave të dhunuara. “Kishim shumë ushtarë në UÇK, por jo 57.556”, tha ministri Agim Çeku. Më shumë Çeku s’mund të flasë, fundja pas shumë shëtitjeve politike është rehatuar në partinë e mashtrimeve, korrupsionit galopant dhe krimit të organizuar. E vërteta me gati 58 mijë “luftëtarët e UÇK-së” është: duke fryrë shifrat e “luftëtarëve” po bëhet një lloj rekrutimi i zgjedhësve për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare. “Ne ju japim pensione, ju votoni për neve” - kjo metodë është përdorur edhe me personelin arsimor të Kosovës, duke rritur rrogat e kësaj kategorie. Jo që nuk kanë merituar rroga më të mira mësuesit dhe profesorët, por buxheti i shtetit është shfrytëzuar për interesa të një partie politike, asaj që është duke sunduar Kosovën dhe duke frikësuar të gjithë ata që i ka hëngër në sy.

Rezoluta 1820 e OKB-së

Këta që fyejnë gratë e dhunuara gjatë luftës më mirë do ishte të lexonin dokumentet përkatëse ndërkombëtare në lidhje me dhunimet gjatë konflikteve të armatosura dhe jo të ndotnin ambientin me helm oral. Dhe meqë në çarshinë politike të Prishtinës edhe për gjërat më të vetëkuptueshme kërkohet ndihmë mendore nga miqtë amerikanë, po theksojmë se ishte ministrja e Jashtme amerikane, Condoleezza Rice, e cila më datën 19 qershor 2008 prezantoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një rezolutë, e cila në të ardhmen do të gjendet në çdo libër serioz të historisë. Fjala është për Rezolutën 1820, e cila u miratua nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe e cila në mënyrë të qartë dhunimet e femrave gjatë konflikteve të armatosura i klasifikon si “krim lufte”, “krim kundër njerëzimit” dhe veprim që plotëson elementet e gjenocidit. Rezoluta kërkon nga shtetet anëtare të OKB-së të respektojnë obligimet e tyre për ndjekjen penale të dhunuesve dhe mundëson sanksione kundër atyre vendeve, në të cilat ushtrohet dhunë seksuale gjatë konflikteve të armatosura.

Viteve të fundit politikanë të niveleve të ndryshme të Kosovës “kanë raportuar” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi “përparimet në Kosovë”, por për aq sa është dëgjuar publikisht asnjëherë nuk i kanë përmendur gratë e dhunuara gjatë konfliktit të viteve 1998/99. Ky është vetëm njëri nga shembujt e mendësisë patriarkale – një mendësi që sot është mbizotëruese në politikën e vendit. Dhembja, poshtërimi, dhunimi, çnderimi, shkelja mbi dinjitetin e femrës nga çizmja e kriminelit pushtues duket se janë vetëm fjalë pa përmbajtje në botëkuptimin e figurave “n’kajde të njeriut”, që ndotin debatet publike në Kosovë.

Kjo arrogancë ndaj viktimave ndoshta është vetëm përpjekje e disa komandantëve të UÇK-së jo vetëm për të fshehur krimet e tyre “të rëndomta” (vrasje, “plagesa”, rrahje brutale), por edhe dhunimet që mund t’i kenë bërë edhe ata gjatë luftës. Në sytë e tyre dhunimet mund të mos duken si krime, por në sytë e çdo shoqërie normale janë krime, ashtu siç i kishte definuar ministrja e Jashtme amerikane, Condoleezza Rice. Dhe ashtu siç nënvizon Rezoluta 1820 e OKB-së.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora