E diele, 04.05.2025, 04:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Elida Buçpapaj: Kur isha turmë

E enjte, 30.05.2013, 07:11 PM


KUR ISHA TURMË

 

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ

 

Kur isha turmë,

luaja në skenën e teatrit

absurd

si kukullat e kurdisura

me çelës

për të ndryshuar

metropolin ballkanik

ky Pazar vjetërirash

me ndërgjegje blozë

e tru lejfenësh

 

kur isha turmë

isha e pagdhëndur

nga ato që kemi hequr

tash sa mot

 

kur isha turmë

urinë e shuaja

me fjalët bosh

si çengelë

flamujsh të dalë boje

 

kur isha turmë

fjalëve u jepja frymën

time

i transformoja

në simite të ngrohta

në fusha gruri

pyje gjithë oksigjen

autostrada shprese

që i binin kryq e tërthor Europës

pa vizë

e ndërtonin

ura fluturuese mbi Atlantik

 

ku isha turmë

mendoja me zemër

ngopesha me ajër

etjen e shuaja

në burimet e iluzionistëve

profanë

 

kur isha turmë

rendja pas shpresës si një qen besnik

 

kur isha turmë besoja

se kështjellat prej rëre

janë beton të forta

se lëkura e kohës nuk rrudhet kurrë

 

kur isha turmë

sirtaret i kisha të mbushura me

ëndërra

vetë isha shitëse ambulante ëndërrash

ëndërrat i shisja gratis

ëndërrat i blinin gratis

 

kur isha turmë

isha si turmat sot

budalle, të dehura pa pirë

të dehura

me ujra të ndejtur moçalesh

ku llapuçiten zhaba

dhe zhapinj

të pështirë

tash një çerek shekulli

 

kur isha turmë

isha e pamëshirëshme me kohën

time

kohën e vishja dhe e zhvishja

me pavëmendje

sikur të ishte një fustan

që nuk grisej kurrë

 

kur isha turmë

e sfidoja e tallesha me kohën

duke e humbur si një brilant të çmuar

në shkretëtirën e kotësisë

kur veshët

të ushtojnë prej jehonës

të brohoritjeve idiote

 

kur isha turmë

ashtu si turmat sot

të mashtruara

nga dordolecë

që trembin sorrat

i dedikohesha asgjësë

asgjënë e kisha kthyer

në idol

si turmat sot,

të rrahura me vaj e me uthull,

gjithë këtë tranzicion

makabër

të vërtitura prej xhonglerësh

satrapë në mënyrë ciklike

që hiqen posa kanë

zbritur nga një planet tjetër

që sholla e lëkurës

u është regjur më tepër se sholla

e këpucëve të turmës

të ngrëna nga

nga konsumi i vetëvetes

i turmës

kur turma ha turmën

të shtrydhur

si një limon

deri në pikën e fundit…

 

kur isha turmë

ishte një herë e një kohë

kur isha turmë

tani s’jam më turmë

urra !



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx