E diele, 28.04.2024, 07:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Shiu e ka shkruar emrin tënd

E marte, 09.04.2013, 07:49 PM


SHIU E KA SHKRUAR EMRIN TËND:

SI NJË BEKIM I BARDHË PERËNDIE

Xhemail Peci

Nga vëllimi me poema:

“POEMË PËR SYTË ME DIEJ TË SHQIPËRISË”

Sërish hijet e mimozave bien mbi Qepallat e Syve Tu, bien të digjen në dhembjen e tyre, tek Rrënjët e Qerpikëve në kërkim të pikave të shiut e pijnë etjen dhe mallin e shuajnë derdhur nëpër ninëzat e dashurisë  tek përpëliten mbi Sytë e Tu. E vargu i veshur me të kaltërtën e qiellit bie në pentagramet e fjalëve e përmbi vargjet: tufëzat e fjalëve ngriten si pirgje malli dhe përgjërimi. Platitet dhembja si pikëllimi i shiut në polemin e luleve të majit e në trëndafilat me sy dielli, platitet siç platitet dhe tingulli i vajit të përflakur i violinës në gishtërinjtë që u bien telave me fije dielli! Në ritmin e kohës si në ritmin e shiut, vetëm Tik-Taku i Rrahjes së Zemrës Sate të Bardhë dëgjohet! Vargu merr frymë me zë gjaku: po kjo mustull e kaltërt, po kjo figurë me duart gjalpë e me buzët vjollcë, kjo bukuri e mermertë, kjo dritë diellore me sfonde hyjnore? Të Lutem, cila metaforë ta bën me dorë, mënjollë e mëndafshtë me syze dielli? Era e brigjeve të detit dhe fërshfërima e valëve si një fustan që vallëzon lozë me erën që zë e klithë për Emrin Tënd. E Ti? Ti hyn si shiu i butë rënë në etjen e reve si dele të bardha: etje e shijes së shiut, Ti hyn si shiu i butë i mallit dhe i dhembjes, i përgjërimit dhe i dashurisë me duart drejt Qiellit – shiu i butë që zgjatë pikat për tek Duart e Tua më të Bardhat: për të kuvenduar me mbrëmjen; Ti hyn si pikat e buta të shiut në faqet e Qiellit që ecë me melodinë e ëndrrave mbledhur tek krahanori, Ti hyn në mëngjesin e buzëve të dritës dhe në joshjen e trëndafilave hyn Ti, Ti hyn si shikimet e përmallshme të luleve në përqafim të duarve, si engjull krahshkruar hyn Ti, e si zog i shqetësuar me dhembjen plagosur dashuria kokën don ta mbështesë në gjoksin gjithë psherrëtima; Ti fle me trëndafilat dhe në Ëndrrat e Tua vie deti, e Hëna Yjet përmbi Sytë e Tu puthur gjithmonë i ka: e përpos Ballit Tënd – Hëna tjetër Fron nuk do! Gishtërinjtë e hollë të erës lozin me Flokët e Tua, e dashuria dhembjen e saj e zbutë në shikimet tek bie në shiun e butë që prekë Duart e Tua më të Bardhat, tek i prekë Pëllëmbët e Duarve Tua, e në pragun saj si në vetë gjakun dashuria bie gjithmonë si shiu më i butë: përmbi Emrin Tënd  kur shiu e puthë herë nëpër poema e herë nëpër rrjeshta, e zemra dhe jeta tok varen në një fije të vetme shprese si lulepjeshka, e nëpër krahët e zogjve era bartë mallin tok me dhembjen, pikat e shiut bien butësisht përmbi qepallat e Syve Tu, e sërish dhembja e shtrydhë zemrën si gjethi i verdhë që shtrydhë lëngun në sythin e blertë, si dhembja e valëve të detit – dhembja e syve të etur: për të pirë etjen në Sytë e Tu të Bukur, në Sytë e Tu të Mençur, në mëngjeset dhe në mbrëmjet si vaji i përflakur i violinave zë i zemrës e zë i dhembjes etjen nisin ta shuajnë tek kërkojnë të pijnë ujë në krojet e Syve Tu që dehin në magji edhe pikat e shiut që bie pa pra, e nëpër vijat e thonjve të prerë ngjyrë me të kaltërtën e Qiellit – trëndafilat i mba të fshehur për nën ta, trëndafilat e fletët e kuqe si ngjyra e buzëve tek etja zemrës pikon gjak, me Emrin Tënd sipër si vet butësia e kujtimeve që fshehin lulet tek duan të bien në gjunj e tek prekin në prag siç prekin në gjak, si frymëmarrja e erërave të dashurisë që përmes valëve të detit nisë letrat kredenciale: A mund të ketë harrim për Sytë e Tu, harrimi a mund të bie si një natë pa yje dhe pa Emrin Tënd – si pa Hënën, a mund të ketë harrim, kur shiu i mallit etjen pi në Sytë e Tu e loti pikon faqeve të Qiellit në magjinë e Syve me Shtatë Palë Qiej e me ëndrrat kolovitur në dritare, e ylberi hijen e qepallave tua e merr për ta shtruar rrugën me harkun e tyre, e vetullat tua u bëjnë hije fletëve të engjujve tek çdo gjë mblidhet tek zemra në pritjen zjarr, në lutjet shi, Yllin e Ballit Tënd e ke në nurin që shkëlqen e yllit të syrit të natës falur ia ke! Dhe valë e vargjeve hapin me nure tek ecën sipër tyre me rimin e lehtë ta njeh se është i yti, dhe rimtin e gishtërinjve të lehtë si lëvizje e hollë e qerpikëve tu: ta njeh, si Aurora e lashtë që çohet me agimin e si Aulona përcëlluar rrrezeve të Diellit mbi palmat e mbi ullinjt, dhe rimtimin e ecjes ta njeh tek ecën kuadrateve: në krahët e engjujve e në sytë e mjellmave, në sytë e pëllumbardhave etja si kepsidra e dhimbja platitet tutje si vet Albatrosi tek përplasë krahët nëpër detëra, të gjitha vargjet shkruar për ty folenë e kanë si Elpinori – nëpër detëra, e me dritën e Portretit Tënd që shfaqet gjithmonë si drita e agimit – vargjet i shkruaj! Të Lutem, më lerë të të quajë Hënë e veshur me yje, se në Sytë Yjet í ke, e Hënës Artemidë je, Semiramidë pëllumbash, tek vie përherë vargjeve si zemrës vet, si aristoni vie Ti: Aristoni – zogu më i bukur i verës më të dashur, e krahët e natës flejnë nëpër bardhësi pëllumbash që prehen vetëm në Kurorën e Qerpikëve Tu: Shiu ua ka falë premtimin tënd, dhe të fshehtën e madhe të ëndrrave vetëm etja që bie si shi e di – askush tjetër, Shiu e ka shkruar Emrin Tënd si Një Bekim i Bardhë Perëndie – në gjethet që çelë pranvera, në shelgun më të përnallshëm që tundë blerimi í saj - si ngjyra e këpucëve tua, në bulëzat e pikave rënë nga strehët e reve të Qiellit menduar nëpër pikat e shiut që bie pa pra, e një shi i përmallshëm i reve nga Qielli, kaq Pafajshëm bie mbi Pentagramet e Emrit Tënd, bie si një trokitje e lehtë mbi Zemrën Tënde të Shenjtë, troket në Portat e Zemrës sate me dhembjen e çdo nate e me mallin e çdo mëngjesi; bie me Butësinë e Qepallave Tua, bie Pafundësisht, bie Përjetësisht mbi Heshtjen që s’falë, bie dhe zgjohet me Emrin Tënd: Përshpëritur Përmallshëm - si një Lutje e Engjëjve përpara Portave të Shenjta të Parajsës…



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora