E diele, 28.04.2024, 01:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

E marte, 09.04.2013, 06:17 PM


Adem Zaplluzha

 

 

SONTE KJO NATË

 

Merri duart e tua

Dhe ec

Shko ku të duash

Sonte  kemi punë me ylberet

 

Do të lozim

Si këto hije të thyera

Le të vajtojnë parmakët e dritareve

Askush nuk do i çel portat

Deri në mëngjes

 

Sonte si shkëndija shpresash

Xixëllojnë xixëllonjat

Syri i natës

Ëndërron më shumë se çdo nuse

Netëve të vona

Mbi degë akaciesh çelin dashuritë

 

Do kalojmë edhe këtë rrugë

Atje përtej të pamundurës

Mbyllet një portë

Dhe hapen disa të tjera

 

Asnjëherë

Nuk ngushtohen rrugët

Në fund të një udhe

Fillon një nismë e re

E cila kurrë nuk përfundon

 

Merri duart e tua

Futi në xhepat e mjegullave

Në daç fshihu edhe ti

Në ëndrrën tënde

Sonte kjo natë

Nuk ka asnjë dëshmitarë

-----------

 

ERA SI LUMI BELHOLLË

 

Një Eve te një mollë

Sërish doli

Nga lëvozhga e arrës

Ashtu lakuriqe

Si e lindur nga nëna

Iku luadheve pas fluturave të erës

 

Doli

Dhe u tretë diku larg

Si nusja e lalës

Nëpër bahçe dashurish

 

Dikush i shkundi degët

Nga kujtesa e ujit

Asnjë gjethe e rënë

Nuk mund të ja mbuloj

Syrin e ngrirë të ditës

 

Qante ajo te një mollë

Qante molla te një vashë

Era si lumi belhollë

Iku diku

Dhe më kurrë nuk e pashë

---------

 

REFRENE YJESH

 

Mbrëmë ikën nga xhepat e erës

Të gjitha lirikat e fjalëve

Korça dremitej

Si një vashë e përgjumur

 

Flinin edhe rrugët

Hëna përtej mjegullave

I mbushte shtambat me lot nusesh

 

Qanin sokakët

Një gërnetë e dehur

Mjaullinte

Si një mace e trishtuar në shi

 

Disa drita neonesh

Pështynin mbi barin e njomë

Një hutin i zi nate

Kotej mbi disa gjethe nerenxash

 

Zëri i trishtë

Hyri në korin e mjaullimës

Refrene yjesh spërkasin

Qepenat e baladave të pafjetura

 

Prishtinë,06. o3 .2013

-------------

 

HËNA

 

Dikur në mesnatë

U zbrazën

Të gjitha pikturat e shirave

Nga kornizat e një hingëllime

Pikojnë

Dhe nuk kanë të ndalur

Këto shira prej trishtimeve

 

Era frynë

Nuk mejnë as gjethet

Një mjaullimë sa e zëshme

Po aq edhe e trishtuar dëgjohet

Diku në kujtesë

 

Sërish një erë e fortë

Po hukat nëpër balada

Dolën nuset te lisat

Dhe si nëpër epika

I zgjuan këngët e vjetra

 

Diku në malësi

Zëri i përvajshëm i një kavalli

I zgjoi gjethet

Dhe ua fshiu lotët

Me shaminë e plagëve

 

Kush e di se për të satën herë

Vajtuan blegërimat

Te korijet e zhuritura

Rri  kacule një hënë

Rri dhe shikon

Diku tej përtejmes

Mallin e përgjumur të atdheut

--------------

 

BALADA E FUNDOSUR

 

 

Si ngordhja e peshqve

Dremisim hijet e lakuara

Brenda përbrenda perlave

Të trishtimit ëndërrojnë

Varkat e fundosura

 

Ecim kokulur

Ose kokë lartë

Deri te moli i pritjeve

Hënëzat e pagjumë

U përngjajnë petaleve

 

Më tutje

Te hukama e furtunës

Dëgjohen përmbytjet

E zërave

Ose ringjalljet e varkave

Kanë filluar të zbehen

 

Sido që të jetë

Nga syprina e lotit

Erërat nxjerrin

Fundin një balade

Të fundosur te dhimbjet

--------------------

Cikli eshte pjese e librit poetik “FËRFËRIMË GJETHESH” , 2013.

 

-Per ZSh-ne, nga Z. Lushaj- 7 prill 2013-



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora