E enjte, 01.05.2025, 10:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Në pëllëmbët e duarve të tua

E diele, 07.04.2013, 06:03 PM


NË PAFAJËSINË E TYRE,

ZOGJTË TË LUTEN QË ETJEN TA SHUAJNË

NË PËLLËMBËT E DUARVE TUA

Nga vëllimi me poema: “POEMË PËR SYTË ME DIEJ TË SHQIPËRISË”

Nga Xhemail Peci

Hëna prehet mbi Ballin Tënd. Sonata e Hënës bie mbi atë Ballë që ngjallë mall të valë e ku si një zjarr: Dielli mezi pret dritën, që mbi atë Ballë prapë të dalë. Gjumi i Butë Sytë t’i Puthë, e Hëna ecën e vetmuar, se yjet ua ka falur Kurorave të Qerpikëve që si degët e lajthive u bëjnë hije Mollëzave të Faqeve. Qetësi e natës pipëtinë, e mbi parmakët e dritareve, në xhamat e tyre, ca grumbuj zogjësh e ca tufëza pëllumbash, kokat e tyre të vockëla tundin në përgjërim, e kanarinat që zërin e shuajnë me heshtje, e presin mëngjesin të zbardhë. Nëpër perdet e dritareve vallëzon Hije e Engjëjve, si e atyre që shoqëronin Egar Alan Poe-në, tek shkruante një mesnate të trazuar, ne mes librash i thërmuar, për: “Vajz’n e hollë dhe rrëzorë, që i thonin Engjëjt: Leonorë!”

Sodisin pamjen që dehë me butësinë e vet. Një pamje që u ngjallë mall e dhembje e mëshirë e përgjërime e lutje si të lotëve me lule! Edhe Sonata e Hënës përmbi Ballin Tënd, edhe cepat e yjeve përmbi Qepallat, edhe kokat e vockëla të zogjve, edhe tufëzat e pëllumbave, edhe kanarinat, sa gëlojnë po aq gëzojnë në gjakimin e tyre, që të bëjnë të ditur praninë e vet! Po nata është e thellë, heshtja gjithandej. Një lëvizje e tyre e vockël a qoftë edhe vetëm një zë, do të zgjonte nga Gjumi i Butë që ëndrrat përkundë si një kaike. Edhe ata sikur e parandjejnë se mund të kesh ardhur nga një udhëtim i gjatë! Po ciladoqoftë, nuk kanë zemër, as shpirt nuk kanë të të zgjojnë nga Gjumi! Në vend të kësaj, sodisin pamjen që kanë përpara: Ballin - si Balli i Laurës i larë në ar, e që në Frymëzimet e Pafajshme Petarkës i fali kurora dafinash e qëndisur e pat në lar; sodisin Hijet e Ayre Qepallave që u ngjajnë agrumeve e ullinjve, Flokët ngjyrë Gështenje që bien mbi Supet e Bardha; sodisin Nurin e Hënës që bie përmbi Fytyrë, e në Mollëzat e Faqeve sodisin Puhinë e Butë të Aromës së Manushaqeve, Butësinë e Duarve të Buta, Magjinë e Gishtërinjve të Hollë të agimeve që zbardhëllojnë nga nata e që shëmbëllen me Flokët e gjata…

Në parmakët e dritareve, në xhamat e tyre, në orët e një mesnate të vonë e të një mengjesi të hershëm. Sodisin dhe presin. Uritur për ca troha buke. Më shumë etur për ca pika uji. Sodisin dhe presin. Derisa të dalë mëngjesi, derisa dita të nisë nga drita, derisa Hëna të mbledhë yjet, derisa të tretet nata, e edhe pse digjen nga etja, nuk ua thotë zemra që nga Gjumi i Butë të të zgjojnë.

E kur ikën nata, kur tretet pelerinë e saj, kur Hëna i mbledhë yjet, kur zbradhë drita e nisë dita, kur hapen Qepallat e Syve e tok me ta edhe horizontet, ngadalë dhe qetë e mbledhur tok si fletë – fletë, tek presin të hapet diritarja, të vijnë mes aq lutjeve dhe përgjërimeve, sa me qetësinë dhe butësinë e tyre, sikur duanë të përpijnë gjithë pafajësinë.

Të vijnë e aq shtruar, dhe po aq Pafajshëm Përgjëruar, Të Luten që Etjen ta Shuajnë në Pëllëmbët e Duarve Tua! Fillimisht, Të Luten me zëra të pakët e me zëra të vakët, sikur kanë drojë se mos në zërat e tyre qoftë edhe Pafajësia mund t’ju lëndojë, ndaj dhe aq butësisht fillojnë dhe: cicërrojnë! E me cicërrimat e tyre, Të Luten: Etjen ta Shuajnë në Pëllëmbët e Duarve Tua! Të Luten, me cicërrimat e tyre të pafajshme, t’i bësh bashkë Pëllëmbët e Duarve Tua: Më të Bardhat, Më të Butat, Më të Shenjtat, e t’i Lësh Pikat e Shiut të bien në To, të bien derisa të shterren në Dhembejn dhe Përgjërimin e Tyre, të bien derisa të Shuajnë Etjen në Pëllëmbët e Duarve Tua – ashtu siç shuajnë etjen dhe Yjet në Krojet e Syve Tu; të bien derisa të Shuajnë Etjen në Pëllëmbët e Duarve Tua, Etjen që s’thuhet, Mallin që s’shkruhet: TË LUTEN!

TË LUTEN, MADJE AQ SHUMË TË LUTEN SA PO AQ PAFAJËSISHT PËRGJUNJEN; VETËM EDHE NJË HERË T’I LËSH TË PIJNË PIKAT E SHIUT QË BIEN SI LOT PREJ QIELLIT! TË LUTEN, DERISA T’U TRETET ZËRI, AQ SHUMË TË LUTEN, NË PAFAJËSINË E ZËRAVE, NË PAFAJËSINË E CICËRRIMAVE TË TYRE!

Të Luten, sepse edhe ata e dinë Butësinë e Zemrës, e njohin Rrahjen e Saj dhe Tik-Takun që ngjanë me Pafajësinë e Etjes së Tyre! E dinë, ashtu siç e dinë edhe shkallët, teatrot, sheshet, bulveardet, studiot… Ritmin e Ecjes e Ritmin e Zërit. Edhe ata duan t’i flasin Qiellit në Zërat që i ngjajnë Zërit në Mikrofon! Edhe ata e dinë se: nuk janë Duar Ato që e mbajnë Mikrofonin, po: LULE E FLETË ËNGJËJSH JANË….

E kur shuajnë Etjen e Tyre në Pëllëmbët e Duarve Tua më Të Bardhat, Më të Butat, Më të Shenjat, u kthehen sërish Zërat që u humbën në LUTJET, e me Cicërrimat e Zërave të Tyre, para së ikin: Puthin Duart e Tua më Të Bardhat, Më Të Butat, Më të Shenjtat, ku Etjen t’u Lutën ta Shuajnë…

E në Cicërrimat e Tyre të Pafajshme, ngjiten Kaltërsive të Qiellit, duke kënduar në meloditë e magjisë së zërave: Zemërmira Ti! Zemërbardha Ti!…Kaltërsive të Qiellit e Mëshirës Hyjnore u thonë se Etjen e Shuanë në Pëllëmbët e Duarve Tua, e Bardhësia e Duarve ngjet me Bardhësinë e Zemrës, me Bardhësinë e Engjëjve që Portat e Parajsës Hapin me Fletët e Tyre - si me Pëllëmbët e Duarve Tua, ku në Pafajësinë e Vet, Zogjtë e Shuajnë Etjen që s’thuhet, Mallin që s’shkruhet – si në Përgjërimin e Pafundshëm:

NA LERË TË PIMË UJË NË PËLLËMBËT E DUARVE TUA, QOFTË VETËM EDHE NJË HERË! ... ZEMËRMIRA TI! ZEMËRBARDHA TI!...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx