E enjte, 10.10.2024, 09:14 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Çgroposja e thesareve të fjalës

E shtune, 06.04.2013, 12:23 PM


Çgroposja e thesareve të fjalës së shkruar.

…mahnitje …mbi gazetën “Demokratia” të viteve 25-39

Nga Timo Mërkuri

mahnitje…mahnitje.Kjo është ndjenja që më shoqëroi gjatë gjithë kohës së hulumtimit të gazetës “Demokratia”…

Me këto fjalë e fillon  Odise Kote pasthënien e tij librit të tij studimor “Demokratia”, shkollë e gazetarisë shqiptare”., botuar në këtë fillimprilli nga Shtëpia Botuese “Milosao” në Sarandë, pa e ditur se do ishte pikërisht kjo ndjenjë që më shoqëroi edhe mua, gjatë gjithë leximit të këtij libri.

Më saktë, një lexim plot kureshtje, si të isha duke lexuar poshtëshënimet e thesareve të zbuluara  nëpër rrënoja dhe të ekspozuara në pavionet e një muzeumi, poshtëshënime të tipit….Kjo monedhë floriri është e kohës…, këtë kurorë floriri e ka mbajtur në kokë mbreti x…, me këtë shpatë, të larë me flori, ka luftuar  heroi  x….

…kureshtje që shumë shpejt u shndrua në admirim me këto poshtëshënime.

Veçse këto poshtëshënime  nuk flasin për emra e vepra mbretërish e princash, kalorës a shpatëtarësh, por me emra të dëgjuar  në jetën tonë, të anatemuar në rininë tonë dhe të flakur në haresë në kohën tonë. Emra, që të rrëshqasin si mornica në shpinë të kujtesës. Emra, që ndal hapin kur i dëgjon të pëshpëriten diku…Branko Merxhani, Safet Butka, Javer Rushiti, Nebil Çika, Petro Marko, Avni Rustemi, Sterjo Spasse, Ismet Toto e Lumo Skëndo,Tajar Zavalani e Eqerem Çabej, Musine Kokalari e Ramiz Harxhi…

Sa shumnë emra të mëdhenj të mbledhur në një gazetë të vogël (për nga  tirazhi dhe formati) që rezatonin dritën intelektuale mbi vendin tim.

Sa shumë yje të mbledhur në Gjirokastër, që lëshonin dritën e tyre jo vetëm në këtë qytet.

Është pikërisht drita e tyre mbi qytet, që …e drejtoi jetën e qytetit drejt të shkruarit…

Kjo është arsyeja që gjithë Shqipëria shikonte nga Gjirokastra, ku ndrinin këto yje, se Gjirokastra vetë shikonte nga Europa…

Odise Kote qëmton e rrëmon nëpër ato fletë gazetash të zverdhura nga koha, të mbuluara nga pluhuri i indiferencës së kohës, të grisura e zhubrosura deri në prag të asgjësimit. Qëmton e rrëmon me qetësi, me dashuri, si arkeologët e apasionuar nëpër rrënoja qytetesh antike, shkatëruar nga zjarri i hordhive armike, duke aplikuar kështu një arkeologji të re, arkeologjinë e fjalës së shkruar. Fshin pluhurin dhe nxjer në dritë thesare, bashkon copat e grisura të gazetave si pjesë të mermerta të statujave  të thyera gjatë rrëzimit. Dhe na i çfaq , ashtu siç kanë qënë, madhështorë e të thjeshtë.

Ja, shikojeni. Kjo statujë mermeri, e thyer dhe e copëzuar, por gjithsesi impozante është  statuja e Branko Merxhanit. Lexoni poshtëshënimin në të…

Lindëm në errësirë, por kërkojmë dritën

Ah, po  ky nuk është poshtëshënim monumenti. Këto fjalë monumentale i shkruante në vitet 29 gazetari i “Demokratia”,  Branko Merxhani, çami ortodoks, që në Shqipëri nuk kishte as fis, as pasuri, por kishte vetëm Atdheun.

Ai që do të sillte filozofitë europiane për ti vendosur si gurthemeli të Neo-Shqiptarizmës së tij dhe që shkruante …Rroj me ëndrën e një vendi, njerëzit e të cilëit janë më parë të tij se sa të vetës së tyre (fq 201).

Lexon shkrime të tilla, rrënqethesh e pyet veten... Ka patur vendi ynë  diejmëndje të tilla dhe ç’gjëmë qe ajo që ra mbi këtë dritë, duke na lënë nëpër errësirë mote e mote me rradhë, duke gëricur natën me dritën e bishtukut.

Kisha dëgjuar për Branko Merxhanin qysh në rini, por s’kisha lexuar gjë prej tij. Ose më saktë, kisha lexuar vetëm një farë ironizimi që u bënte teorive të tij diktatori.  Por kjo s’mjaftontë për të krijuar një portret. Ato shënime mjaftonin vetëm sa për të përbaltur një portret të gdhendur në një  bazoreliev dhe për të na e treguar neve, se gjasme, ai paskësh qënë portret i pisët.

Por mjaftonte që të fshihej pak balta e hedhur mbi të, për të dalur e për tu verbuar nga ndriçimi i argjentë i portretit të atdhetarit mendjendritur e zemërmadh.

Atdhetari, që jetën dhe dijen e tij e vuri si gurthemeli në shkallaren ku do ngjitej atdheu, në një kohë që pushtetarët e mëpasëm, do shtronin atdheun si gurkalldrëmi, ku  pretendonin, të ecte lavdia e tyre.

…Duke ecur nëpër faqet e këtij libri studimor, të duket se ecën nëpër gërmadhat e posa zbuluara të një qytetërimi, të mbuluar nga haresa e kohës.

Ja statujat e mermerta, me ndonjë dorë a këmbë të thyer  gjatë rrëzimit të tyre nga piedestali, ja dekretet  dritëshumë “të zonjërisë” dhe “të kapellës allafrënga” gdhëndur në kulturën qytetare, si dëshmi e orientimit europian të këtij qyteti…me minaretë e tij mesjetare.

Ja një dëshmi e një demokracie, që do ta kenë zili brezat e ardhshëm dhe vende me më shumë përvojë demokratike…. Kundër Bajos? Gabon tepër zoti Bajo (Topulli) duke pandehur se ne jemi kundër personit të tij….Ne nuk kemi gjë me personin e z Bajo, thamë dhe e përsërisim se si person e nderojme tepër. Po kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta kritikojmë si  kryetar bashkie….”

…Ja një…reklamë ,si një qyp mbushur me flori informativ e një Agjensie detare…Jepen oraret e linjave të trageteve që lëvizin nga Porti I Sarandës drejt destinacioneve të ndryshme Korfuz, Pire, Patra, Brindizi, Stamboll (?), Suedi (?), Francë(?) e Gjermani(?). Për informata më të çkoqitura drejtohuni n’axhensinë tonë në Sarandë…

E pra, unë kam lindur e jam ritur në Sarandë dhe nuk e kam ditur se  qyteti im kishte linja të tilla detare në vitin 1929, linja detare që nuk i ka as sot.

Te kjo gazetë gjeta perla të ralla informacioni  për Neço Mukon e grupin e tij famoz, informacione që politika  ishte përpjekur ti mohonte dhe ti kalonte në haresë, pa llogaritur dëmin e  madh që i sillte kulturës dhe historisë së kulturës kombëtare.

Apo mos doni të lexojmë  të botuara te “Demokratia” kryeveprat e letërsisë botërore të Shekspirit e Tolstoit, Khajamit e Dante Aligerit, Petrarkës, Tassos, Hygoit, e deri te Esenini e D’Anunco…

Këto monumente të të shkruarit kanë qënë ngritur nga viganë, por liliputët e kohës, duke i goditur më kazmën e mohimit, i rrëzuan nga piedestalet, për të ngritur në vend të tyre mediokritetin politiko-ideollogjik. Ato mbetën aty, nënë gërmadha, mbuluar nga pluhuri i haresës, në pritje që dikush ti çgroposte e ti nxirte në dritë.

Këtë mission  çgroposjeje e ndërmori, me plot sukses Odise Kote, duke ngritur nga  harimi monumentet e viganëve të kulturës dhe gazetarisë shqiptare.

Dhe ne, duke ecur nëpër faqet e këtij libri, si nëpër sallat plot eksponante të një muzeu, admirojmë punën e djeshmë të  viganëve, hieja e të cilëve mbulon meskinitetin dhe formalitetin e gazetarisë së sotme, duke na treguar shtigjet e së ardhmes dinjitoze, drejt të cilës do ecim .

…edhe duke pëshpëritur me vete  një falnderim për shkrimtarin Odise Kote.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora