Kulturë
Josif Papagjoni: Agnesa sheh “Kaosin e bukur”
E enjte, 04.04.2013, 08:57 PM
Agnesa
sheh “Kaosin e bukur”
Nga Dr. Josif Papagjoni
Agnesa
Muharremi është pedagoge e arteve pamore në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Një vajzë e brishtë, që di të respektojë tjetrin. Një piktore që luan me
ngjyrën. Ajo vjen nga një familje artistësh. Doemos nuk më shtyu ky afinitet që
të shkruaja dy fjalë për Agnesën, përkundrazi arti që ajo bën.
Teksa
shihja ekspozitën e saj të fundit çelur në
Galerinë FAB të Universitetit të Arteve Tiranë, vorbullimin ngjyror që
shfaqet si prirja zotëruese e fantazisë së saj desha ta konotoja përtej
kapriços së një artisteje, pushtuar nga “:demonët” e krijimit. Desha të pikasja
aty edhe diçka nga ontologjia e qenies si kundërshti, veprim, frymë,
transformim, transfigurim, shpërndërrim. Diçka nga krijimi si mesazh. Madje
desha të dalloja siluetën e një mendimi që ngjizej ndërmjet atyre
shpëndërrimeve ngjyrore si dhe të trajtave të shumëfarta prej një bote virtuale
që rrekej të strehohej në pikturat e saj. Dhe e para gjë që më erdhi në mendje
ishte: NGJIZJA. Pse e them këtë? Sepse gjithkah sheh do pluskime flluskash, që
mund t’i marrësh edhe si sy njerëzish (a shpirtrash) që të shohin e të ndjekin
ngado, por edhe si embrione vezësh në çastin e ngjizjes. Mund t’i marrësh edhe
si sythe, pistile lulesh a spore. E kuqja e gjakut, e bardha e farës, bluja
(uji, qielli) ku lind e frymon jeta, janë për mua disa metafora e shenja
piktorike që mendja shkon vetiu, sepse, herë-herë, bash mes tyre ne shikojmë
edhe një fytyrë femre, herë në paqen e saj e herë në trazimin e saj. Pllenimi
dhe shtatëzania e botës dhe e qenies në çastin e krijimit – a është kjo një nga
idetë e piktores?
Them se
po. Porse nuk është vetëm ky dekodimi im. Është së dyti, kozmosi si situatë
shpirtërore. Vërtet që në përplasjen dhe luftën e ngjyrave, Agnesa sheh “Kaosin
e Bukur”. Sytë që thash pak më sipër, shndërrohen tashmë në planetë. Planetë që
shkojnë e vijnë mes luzmës së krijimit kozmik, që fqinjërojnë dhe konfliktuojnë
njëkohësisht. Planetë të bukur, që veçse fantazia piktorike mund t’i krijojë.
Dhe një nebulozë a mjegullnajë pa fund që i rrethon, ashtu si galaktikat nga
pluhuri kozmik. Dhe shira që bien, flukse thërrmiash magnetike që mbështillen e
shpështillen rreth tyre, oqeane, stuhi e tramundana, imazhe fantazmagorike që e
shoqërojnë gjithë këtë spektakël kozmik, dete e ujëra ku ngjizet jeta me qenie
të reja, qiej që hapen a copëtohen në mijëra ngjyra e mijëra përmasa. Gjallimi
i kozmosit, furia dhe shpështjellimi i tij, lëvizja e tij, krijimi dhe
rikrijimi i tij nga vetvetja dhe për vetveten: filozofia e krijimit dhe e
gjallimit – kjo mund të jetë një ide e dytë, qoftë dhe e paartikuluar në mënyrë
racionale, por që ngjan se është bërë pjesë e shqetësimit të piktores. Se ngjet
rëndom në art që ato çka trajtësohen përmes imagjinatës, nisen në kryeherë me
një mendim dhe riformësohen më pas në disa shtresa e nënshtresa duke e
dimensionuar domethënien. Çka po them tashmë është diçka që e vlerëson
ekspozitën e Agnesës dhe jo e kundërta.
E treta
gjë që më la mbresë është loja e ngjyrave. E kuqja, e bardha, bluja dhe e
verdha janë në një përplasje e harmoni me njëra-tjetrën, por hyn aty edhe e
kafta, e murrmja, e zeza, e gjelbra. Ndjeshmëria e piktores ndaj ngjyrës është
e gjitha estetike, ndjehet harmonia. Por assesi s’është diçka e qetë, si
liqenet në muzg me të artën e perëndimit të diellit. Jo. Ka trazim, shqetësim.
Ndjehet kudo lëvizja, shpërthimi. Format janë të çrregullta, veçse në
çrregullsinë e tyre ndërhyn harmonia e ngjyrave dhe e përmasave, e cila na bën
që kaosin ta pëlqejmë dhe perceptojmë si pjesë të rregullsisë së ardhur nga
kohezioni piktorik brenda shijes së Agnesës. Dhe prandaj imagjinata, fantazia
dhe irracionalja nuk shpërfaqen siç jua ka “qejfi”, por përputhur ligjësive të
rrepta të artit, ku idetë, mendimi estetik, madje edhe filozofia infiltrojnë
brenda tyre duke na krijuar atë që veçse arti ka fuqinë ta shpjegojë: BOTËN
TONË.
Atë të mendjes,
atë të trupit, kozmosin krejt...