E hene, 29.04.2024, 06:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Vasil Premçi: Mbi lirikën e Basir Bushkashit

E hene, 08.04.2013, 06:44 PM


Mbi lirikën e Basir Bushkashit

Nga Vasil Premçi

Nëse një ditë do të përpilohet harta e poetike e  dy shekujve të fundit, nëpërmjet  krijimtarisë së tij letrare,  Basir Bushkashi ka mundur të rreshtojë vendlindjne e tij, Matin, në radhën e qyteteve me emër, si një trevë ku rritet e kultivohet me sukses bima nazike e poezisë. Në harkun kohor të  4o viteve, gjatë  rrugëtimit  në udhën  e poezisë, Basir Bushkashi vjen me një numër trofesh në fushën e poezisë, me vëllimet: Kur nisim udhët, 1986, Ditët duan këngë, 1993, Meloditë e syve, 1997, Përtej është qielli, i 2000, Shpirti i drurëve, 2002, Përmbledhja me poezi të zgjedhura  “Mimozat e kujtimeve” botuar në vitin  2009 dhe “Vërshimet e blerta” botuar në  muajin e parë të vitit  2013.

Misterit të lindjes së njeriut i shtohet edhe dukuria e nisjes së krijimtarisë letrare nga poezia dhe i kalimit pastaj, si një fenomen krejt i natyrshëm, drejt prozës. Ndoshta prandaj dhe  qarkullon mendimi se poetët bëjnë vetëvrasje kur fillojnë të shkruajnë prozë.  Por si shpjegohet që shumica e shkrimtarëve më të mirë në botë e nisin udhën e tyre letrare  me poezi?  Mos vallë kapërcimi në prozë shpjegohet me “thyerjen e gjunjëve” të tyre, me tharjen e shpirit, me shterimin e ngadaltë sëbashku me pleqërinë, me mpiksjen e llavës së vullkanit rinor të  ndjenjave? Apo mos vallë grumbullimi i një përvoje të madhe letrare nuk mund të shprehet  (apo nuk të derdhet) më nëpërmjet vargut poetik? Ndoshta qëndron e para, ndoshta e dyta, por ndoshta as njëra dhe as tjetra, si një portë që do të  ngacmojë gjithmonë mendimin dhe kurreshtjen e studiuesve dhe të shkrimtarëve. Më ka qëlluar të lexoj mendimin cinik e përtallës të një kritiku rus për poetët, sipas të cilit, “poezi  bëjnë të gjithë djemtë dhe vajzat 17-20 vjeçarë, poetët e vërtetë krijojnë poezi deri në moshën 30-35 vjeç, ndëresa ata që shkruajnë poezi mbi moshën 50 vjeçare kanë rrjedhur nga trutë”. Por, menjëherë do të pyesja: Nëse do të ishte kështu, ku do ta linin babain e poezisë dhe të vetë  letërsisë, Homerin, Anakreontin, Xhelaudin Rumin, Geten, lirikun më të madh të botës, i cili edhe në moshën 82 vjeçare krijoi poezi për dashurinë? Po poetët tanë, Poradecin, Ali Asllanin, Agollin, Pano Taçin, etj, etj? Përballë këtyre emrave, çdo poeti 25 vjeçar do t’i rridhnin djersët nga sikleti. Ndoshta çelsi i kuptimit të këtij misteri gjendet në faktin se poeti jeton përherë moshën e rinisë…  E pra, poeti Basir Bushkashi i ka kaluar të gjashtëdhjetat dhe, si të përjetonte  një “Perpetuum mobile”, gëzon gjallërinë dhe freskinë e moshës që të mban në hullitë e krijimit të poezisë.  Duke shfletuar vëllimin “Vërshime të blerta”, në të cilat spikasin lirikat më të fundit të tij, do të thosha se, Basiri duket sikur ecën në të kundërtën e rrjedhës së kohës; sepse sa më shumë vite ikin, aq më shumë vend zë lirizmi në krijimtarinë e tij. Me sa duket, jo më kot  Fridrih Niçe pati vënë në dukje faktin se  “Artisti gjithë jetën mbetet një fëmijë ose një djalosh i njomë të cilin e përtrijnë instinktet e artit. Detyra e tij është ta bëjë njerëzimin fëminor. Mendimet në vargje poeti i vendos mbi rrotën e ritmit, sepse zakonisht ata nuk ecin dot me këmbët e tyre.

Nëse  Mihal Bahtin, ka vënë në dukje për romanin se kjo gjini letrare “…të kujton lëvizjet tektonike, formën e tokës në krijim e sipër…” unë, do të nënvizoja se poezia, si një lëndë e kondensuar artistike, qëndron në krye të këtij procesi magjik. Poezitë e vëllimit “Vërshime të blerta” i zbulojnë lexuesit njërin  prej burimeve që ushqejnë me freski dhe lëng jete vargjet e tij; dashurinë për vendlindjen. Ndaj  mund të themi pa frikë se oazi që ushqen frymëzimin e lirizmit B.Bushkashit, mbetet natyra e mrekullueshme e luginës së Matiti, vendit ku ai erdhi në jetë dhe pa për herë të parë dritën e diellit. Ju ka rastisur ndonjëherë të përgjoni  mërmërimat e valëve te lumit të vendlindjes Basirit, Lusës,  vegimet e tij farfuritëse si ujëvarë floriri, që të verbojnë vështrimin si të gjendesh përballë një bukurie hyjnore, rrebelimin e tij, në vjeshtë, kur del  nga shtrati, puhizat dhe rrymat e ajrit, që si një orkestër hedhin në një vallëzim të çmendur barërat e fushave të Zenishtit, valëzimin e grunjarave të pjekur, si floknaja e një vajze të dashuruar që ngutet për të shkuar në takimin e parë, shushurimën e ëmbël të gjetheve dhe gjelbërimin e pyjeve të Masdejës, dëborën e dimrit  që zbardhëllon atje tej, lojën magjike të diellit, që nxjerr syrin nga mali i Masdejes dhe shihet në pasqyrën e  liqenit të Ulzës, bukurinë e gruas dhe atë të Njeriut në përgjithësi? Shkurt, oh, por sa shkurt na lejohet?! të gjitha dukuritë e përjetshme të natyrës që lartësojnë shpirtin e pangopur të poetit.   Poezitë e shkurtëra, por me një strukurë të ngjeshur e sintetike  të vëllimit poetik “Vërshimet e gjelbërta”, të japing  ndjesinë sikur ke  prekur me mollzat e gishtrinjve krahët e një fluture të brishtë...  Por njëherësh  ato të lënë edhe shijen e leximit, fund e krye,  të një poeme të vetme lirike… Por ngado të fluturojë poeti, në hapësirat  e pafundme të botës reale, apo në atë të ireales, nuk mund t’i shmanget  konceptit të Bukurisë, oksigjenit  që frymon  vargjet e poetike. Vetëm nëpërmjet kësaj “leve Arkimedi”, ai nis e lëviz botën e vet të mbushur me ëndrra e frymëzime fantastike, për të na zbuluar pamjet e pakapshme që i sheh vetëm ai, atë botë që  nis pastaj dhe e ndërton varg pas vargu e faqe pas faqeje. Në një farë mënyre, ndaj dhe poeti mbetet një krijesë njerëzore e pangopur kurrë  me bukuri.

Nëse dëshirojmë të ndalemi sadopak tek mjeshtëria letrare apo stili poetik, do të dëshironin të sillnim në vemendjen e lexuesit dëshirën e Floberit: “Ajo që dua të shkruaj, është njëfarë libri që nuk flet për asgjë, libër që nuk ka asnjë  lidhje me realitetin  e jashtëm, libër që do të qëndronte  vetëm  me fuqinë e brendshme të stilit, sikurse toka që qëndron pezull dhe s’e mban asgjë”.

Gjatë ndërtimit të vargjeve dhe kështu, varg pas vargu, të të gjithë vëllimit poetik,  poeti përmbush rolin e një ekipi projektimi, në të cilin  nuk mungon arkitekti i kësaj ndërtese të bukur, as inxhinieri i  kalkulimit të  qëndrueshmërisë së objektit dhe çdo elementi mbajtës, i armaturës, i dritareve, i shkallëve, ballkoneve, oxhakut, dhomës së ndenjëjes dhe të çdo hapësire tjetër me hollësitë më të imta. Duke mbajtur nën fre, gjithmonë ritmin dhe metrikën. Me sa duket,  përllogaritja e ndërtesave të banimit dhe “ndërtimi” i një  poezie kanë një ngjashmëri të çuditshme…

Poezia e shkurtër ka më shumë flakë e ndriçim dhe autori i saj ka më shumë mundësi ta mbajë atë të ndezur në mendjen e lexuesit me gatimin dhe marinimin e saj plot erëza e  nota mbresëlënëse. Në fund të fundit, ajo ruan më shumë nga të gjitha të tjerat, unitetin- tërësinë e efekteve apo mbresave.

Vëllimi me poezi “Vërshimet e gjelbëra”, është ndërtuar me poezi të shkurtëra e nervalgjike. Duke qenë një tipar karakteristik  i këtij vëllimi, kujtojmë këshillën e lirikut të madh rus, Sergei Esenini, kur shprehej:

“Blloku më mësoi si të shkruaja vjersha lirike, kur u njoha në Petërburg dhe i lexova vargjet e mia të hershme. Një vjershë lirike nuk duhet të jetë tepër e  gjatë,- më tha Blloku.- Gjatësia ideale e një vjershe lirike është 20 radhë”.

Por, duke njohur mjaft poezi nga autorë të tjerë lirikë, si bie fjala “Korbin” me 108 vargje ose  “Anabel Li” mbi 40 vargje, të poetit të  famshëm amerikan Edgar Allen Poe, del se përvojat  janë të ndryshme dhe siç çdo gjë tjetër edhe ky gjykim i Eseninit mbetet relativ.

Duke folur mbi poezinë e bukur, Poe shprehet:

“Përzgjatja  e një  poemë  duhet të jetë e tillë  që të ketë  lidhje matematikore  me vlerat e saj - me fjalë  të tjera,  me shkallën  e efektit  të vërtetë poetik që ajo është e zonja të përçojë. Nga ana tjetër, shkurtësia duhet  të jetë  në përpjestim  të drejtë me  fuqinë e efektit të synuar, por me një kusht; lipset  absolutisht një masë  e caktuar  zgjatjeje për të prodhuar  çfarëdo  lloj efekti poetik”. 1Edgar Allen Poe, “Poezi dhe Ese”, faqe 84

Në esenë “ Filozofia e Kompozimit” ai shpjegon se një poezi duhet të jetë aq e shkurtër dhe e gjatë sa të ruajë  “unitetin mbresëlënës”, efektet, tonet, refrenin, pastaj, elementin kyç;  strukturën mbi të cilën  do të lartësohet  ngrehina poetike.  Poeti duhet të zgjojë te lexuesi atë emocion që përjeton  vetë ai. Këtu qëndron edhe thelbi i poezisë.  Këtu kërkohen metoda, “mjete e vegla pune” të brishta dhe të imta, madje  edhe të padukshme, sigurisht edhe tinguj që prodhojnë vargje të   dëgjueshme prej lexuesit. Këtij arsenali ose mjeshtërie i përkasin edhe intuita, qasja intelegjente apo intuitive e poetit, vigjilienca ndaj temave dhe subjekteve që sjell në vëmendjen e tij poetike.

Dueli dhe sfida për dashurinë, si në poezinë  “Pas ndeshjes”, mbeten një prej temave më të bukura të poezisë së Bushkashit, sepse janë gatuar me lëndën që ngjiz vetë jetën e shoqërisë njerëzore. Veçanërisht, kur nëpërmjet disa skenave tragjiko-idilike, përcillen te lexuesi mesazhe të thella vlerash dhe virtytesh. Poeti na shkëput nga bota reale, duke iu dorëzuar imagjinatës së pafre. Impulsi i poetit,  drejt atij ose këtij subjekti, dëshmojnë përpjekjen e një krijuesi    ndez flakën e pashuar të frymëzimit qysh me shkreptimën e prekjes së  parë. Në këtë poezi vihen  në një harmoni  të këndshme si  brendia, ashtu  edhe efektet e papritura dhe imagjinare të saj.

“Dy deshë, mes deleve, në lëndinë

U ndeshën keqas për dashurinë...

Qe ndeshje e egër

E përgjakur

Sa njëri brirët theu,

Pikëlluar një dele

I lëpiu plagët

Se atë pëlqeu...”

(Pas ndeshjes)

Mjaft prej poezive të Basir Bushkashit  mbeten në kujtesën e lexuesit, sepse nuk janë pjellë e fantazisë së poetit që shkaktojnë  vetëm një fërshëllimë nëpër erë. Duke qenë se në tërësinë e tyre karakterizohen nga një ndjenjë pjekurie e sinqeriteti që depërton në shpirt, ato përcjellin një ngarkesë dhe energji  të këndshme te lexuesi.

Për hir të asaj që unë i besoj unitetit të universit shpirtëror e material, duhet të bëj një kapërcim, duke provuar të dal  vullnetarisht jashtë temës ose binarev të trenit, ndoshta jo e  fundit, në shpërfaqjen e këtyre mendimeve.

Përse amvisat e shuajnë mishin me verë? Sado që përgjigjet janë  të shumta dhe të ndryshme, nuk kanë mundur t’ia gjejnë asnjëherë fundin. Një palë shprehen: ”Për t’ia tretur dhjamin e yndyrën e tëpërt”, të tjerë,”Për ta zierë mishin më mirë”, ca të tjerë “Për t’i dhënë një shije të veçantë”. Le t’i hedhim një vështrim poetik këtij procesi. Cili mund të më kundërshtojë tani që unë zbuloj këtu përdorimin e një alkimie të përkryer poetike? Pa mendoni drurin që digjet në sobë; a nuk  çliron vallë ai energjinë diellore që ka marrë atje në fushë çdo ditë dhe, një ditë, ashtu sikundër edhe ne, përfundon marrshimin e tij në flakën e furrës? Atëherë, nuk kam të drejtë  të abstragoj se, dëshira e amvisës që  shuan mishin  me verë, mishëron në thelb idenë se nga “martesa” me verën, këtë bijë nazike e lozonjare të rrushit, mishi përmirëson “racën” e vet duke përftuar një sqimë e klas më të lartë?

Sado i pudrosur dhe i nomatisur me lajle e lule mund të vishet, askush nuk mund t’i bishtnojë faktit se objekti    i poezisë  mbetet  e vërteta. Kështu, mesazhi që shpërfaqet në vargjet e vëllimit poetik, duke kalëruar mbi pegasin e së vërtetës, i paraqet lexuesit vlerën  veprës.

Përse ngashërehemi kur dëgjojmë një melodi prekëse, por edhe  një poezi të bukur? Përse mahnitemi përballë një peizazhi të bukur? Sigurisht, për të gjitha këto nuk ka përgjigje matematikore. Guxojmë të themi se, ndoshta është brenda nesh dhimbja e shuarjes së dëshirës së përjetësisë, që zë e shkrihet si një ortek dëbore përballë rrezeve të diellit ose nis e dorëzohet kundër dëshirës sonë subjektive, ndjenja e pavdekësisë dhe  e përjetimit të së pamundurës…Jo më kot thonë se vetëm të çmendurit kanë privilegjin të jenë poetë të vërtetë!

Kundrimi i së bukurës  realizon kënaqësinë e shpirtit.

Por ritmi, përkundja si mbi valë, i vjetër sa qumështi i nënës që të mëkon sapo përshëndet këtë botë me klithjen e parë, janë  shkallët që të çojnë tek e bukura. Sa shumë i pranishëm është ai  në artet e tjera dhe sa i rrallë në vargjet poetike! Vargjet e poezisë “Mund” përshkohen nga një kadencë dhe përkundje poetike.

“…………………………

Të merresh me hienat

Mund të bëhesh dhe hijenë...

Të merresh me balenat

 

Mund të bëhesh dhe balenë...

Të merresh me kërmijtë

Mund të bëhesh dhe kërmill...

Të merresh me  bilbilat

Mund të bëhesh dhe bilbil...

Të merresh me  urithët

Mund të bëhesh dhe urith...

Të merresh me iriqët

Mund të bëhesh dhe iriq...

Të merresh me çakejtë

Mund të bëhesh dhe çakall...

Të merresh me luanët

Mund të bëhesh dhe luan… “

(Mund)

Sigurisht, asnjë poezi e mirë nuk mund të dalë nga një shpirt vëzhgues i përciptë. Shndërrimi  në poezi i frymëzimeve nga  pamjet  piktoreske të natyrës, i pyjeve, i maleve, i vreshtave dhe lumenjëve të Matit ku jeton autori, të nxit të përjetosh episodin biblik të daljes së gruas prej një brinje të Adamit. Autori ka provuar të ndërtojë struktura të ndryshme poezish, si vargun e rregullt, vargun e lirë, por ndonjëherë edhe  distikun.

Duke folur për magjinë e frymëzimit letrar Balzaku ndihej si të kishte kryer ca udhëtime të mrekullueshme, hipur mbi një fjalë në thellësitë e së kaluarës, njëlloj si ai insekti që lundron në rrjedhën e lumit mbi një fije bari.

Duke përfunduar shpërfaqjen e disa mendimeve për vëllimin poetik të Basir Bushkashi “Vërshime të blerta”, do të nënvizonim se, përjetimet lirike  edhe me kalimin e kohës, njësoj si ajo vera e mirë, i sjellin para syve lexuesit blerimin jetdhënës dhe dashurinë për jetën.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora