| E hene, 08.04.2013, 06:44 PM |
Mbi lirikën e Basir Bushkashit
Nga Vasil Premçi
Nëse një ditë do të përpilohet harta e poetike
e dy shekujve të fundit, nëpërmjet krijimtarisë së tij letrare, Basir Bushkashi ka mundur të rreshtojë
vendlindjne e tij, Matin, në radhën e qyteteve me emër, si një trevë ku rritet
e kultivohet me sukses bima nazike e poezisë. Në harkun kohor të 4o viteve, gjatë rrugëtimit
në udhën e poezisë, Basir
Bushkashi vjen me një numër trofesh në fushën e poezisë, me vëllimet: Kur nisim
udhët, 1986, Ditët duan këngë, 1993, Meloditë e syve, 1997, Përtej është
qielli, i 2000, Shpirti i drurëve, 2002, Përmbledhja me poezi të zgjedhura “Mimozat e kujtimeve” botuar në vitin 2009 dhe “Vërshimet e blerta” botuar në muajin e parë të vitit 2013.
Misterit të lindjes së njeriut i shtohet
edhe dukuria e nisjes së krijimtarisë letrare nga poezia dhe i kalimit pastaj,
si një fenomen krejt i natyrshëm, drejt prozës. Ndoshta
prandaj dhe qarkullon mendimi se poetët
bëjnë vetëvrasje kur fillojnë të shkruajnë prozë. Por si shpjegohet që shumica e shkrimtarëve më
të mirë në botë e nisin udhën e tyre letrare
me poezi? Mos vallë kapërcimi në
prozë shpjegohet me “thyerjen e gjunjëve” të tyre, me tharjen e shpirit, me
shterimin e ngadaltë sëbashku me pleqërinë, me mpiksjen e llavës së vullkanit
rinor të ndjenjave? Apo mos vallë
grumbullimi i një përvoje të madhe letrare nuk mund të shprehet (apo nuk të derdhet) më nëpërmjet vargut
poetik? Ndoshta qëndron e para, ndoshta e dyta, por ndoshta as njëra dhe as
tjetra, si një portë që do të ngacmojë
gjithmonë mendimin dhe kurreshtjen e studiuesve dhe të shkrimtarëve. Më
ka qëlluar të lexoj mendimin cinik e përtallës të një kritiku rus për poetët,
sipas të cilit, “poezi bëjnë të gjithë
djemtë dhe vajzat 17-20 vjeçarë, poetët e vërtetë krijojnë poezi deri në moshën
30-35 vjeç, ndëresa ata që shkruajnë poezi mbi moshën 50 vjeçare kanë rrjedhur
nga trutë”. Por, menjëherë do të pyesja: Nëse do të ishte kështu, ku do ta
linin babain e poezisë dhe të vetë
letërsisë, Homerin, Anakreontin, Xhelaudin Rumin, Geten, lirikun më të
madh të botës, i cili edhe në moshën 82 vjeçare krijoi poezi për dashurinë? Po
poetët tanë, Poradecin, Ali Asllanin, Agollin, Pano Taçin, etj, etj? Përballë
këtyre emrave, çdo poeti 25 vjeçar do t’i rridhnin djersët nga sikleti. Ndoshta
çelsi i kuptimit të këtij misteri gjendet në faktin se poeti jeton përherë
moshën e rinisë… E pra, poeti Basir
Bushkashi i ka kaluar të gjashtëdhjetat dhe, si të përjetonte një “Perpetuum
mobile”, gëzon gjallërinë dhe freskinë e moshës që të mban në hullitë e
krijimit të poezisë. Duke shfletuar
vëllimin “Vërshime të blerta”, në të cilat spikasin lirikat më të fundit të
tij, do të thosha se, Basiri duket sikur ecën në të kundërtën e rrjedhës së
kohës; sepse sa më shumë vite ikin, aq më shumë vend zë lirizmi në krijimtarinë
e tij. Me sa duket, jo më kot Fridrih Niçe pati vënë në dukje faktin
se “Artisti gjithë jetën mbetet një
fëmijë ose një djalosh i njomë të cilin e përtrijnë instinktet e artit. Detyra
e tij është ta bëjë njerëzimin fëminor. Mendimet në vargje poeti i vendos mbi
rrotën e ritmit, sepse zakonisht ata nuk ecin dot me këmbët e tyre.
Nëse
Mihal Bahtin, ka vënë në dukje për romanin se kjo gjini letrare “…të
kujton lëvizjet tektonike, formën e tokës në krijim e sipër…” unë, do të
nënvizoja se poezia, si një lëndë e kondensuar artistike, qëndron në krye të
këtij procesi magjik. Poezitë e vëllimit “Vërshime të blerta” i zbulojnë
lexuesit njërin prej burimeve që
ushqejnë me freski dhe lëng jete vargjet e tij; dashurinë për vendlindjen.
Ndaj mund të themi pa frikë se oazi që
ushqen frymëzimin e lirizmit B.Bushkashit, mbetet natyra e mrekullueshme e
luginës së Matiti, vendit ku ai erdhi në jetë dhe pa për herë të parë dritën e
diellit. Ju ka rastisur ndonjëherë të përgjoni
mërmërimat e valëve te lumit të vendlindjes Basirit, Lusës, vegimet e tij farfuritëse si ujëvarë floriri,
që të verbojnë vështrimin si të gjendesh përballë një bukurie hyjnore,
rrebelimin e tij, në vjeshtë, kur del
nga shtrati, puhizat dhe rrymat e ajrit, që si një orkestër hedhin në
një vallëzim të çmendur barërat e fushave të Zenishtit, valëzimin e grunjarave
të pjekur, si floknaja e një vajze të dashuruar që ngutet për të shkuar në
takimin e parë, shushurimën e ëmbël të gjetheve dhe gjelbërimin e pyjeve të
Masdejës, dëborën e dimrit që
zbardhëllon atje tej, lojën magjike të diellit, që nxjerr syrin nga mali i
Masdejes dhe shihet në pasqyrën e
liqenit të Ulzës, bukurinë e gruas dhe atë të Njeriut në përgjithësi?
Shkurt, oh, por sa shkurt na lejohet?! të gjitha dukuritë e përjetshme të
natyrës që lartësojnë shpirtin e pangopur të poetit. Poezitë e shkurtëra, por me një strukurë të
ngjeshur e sintetike të vëllimit poetik
“Vërshimet e gjelbërta”, të japing
ndjesinë sikur ke prekur me
mollzat e gishtrinjve krahët e një fluture të brishtë... Por njëherësh
ato të lënë edhe shijen e leximit, fund e krye, të një poeme të vetme lirike… Por ngado të
fluturojë poeti, në hapësirat e pafundme
të botës reale, apo në atë të ireales, nuk mund t’i shmanget konceptit të Bukurisë, oksigjenit që frymon
vargjet e poetike. Vetëm nëpërmjet kësaj “leve Arkimedi”, ai nis e lëviz
botën e vet të mbushur me ëndrra e frymëzime fantastike, për të na zbuluar
pamjet e pakapshme që i sheh vetëm ai, atë botë që nis pastaj dhe e ndërton varg pas vargu e
faqe pas faqeje. Në një farë mënyre, ndaj dhe poeti mbetet një krijesë
njerëzore e pangopur kurrë me bukuri.
Nëse dëshirojmë të
ndalemi sadopak tek mjeshtëria letrare apo stili poetik, do të dëshironin të
sillnim në vemendjen e lexuesit dëshirën e Floberit: “Ajo që dua të shkruaj,
është njëfarë libri që nuk flet për asgjë, libër që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do të qëndronte vetëm
me fuqinë e brendshme të stilit, sikurse toka që qëndron pezull dhe s’e
mban asgjë”.
Gjatë ndërtimit të
vargjeve dhe kështu, varg pas vargu, të të gjithë vëllimit poetik, poeti përmbush rolin e një ekipi projektimi,
në të cilin nuk mungon arkitekti i kësaj
ndërtese të bukur, as inxhinieri i
kalkulimit të qëndrueshmërisë së
objektit dhe çdo elementi mbajtës, i armaturës, i dritareve, i shkallëve,
ballkoneve, oxhakut, dhomës së ndenjëjes dhe të çdo hapësire tjetër me
hollësitë më të imta. Duke mbajtur nën fre, gjithmonë ritmin dhe metrikën. Me
sa duket, përllogaritja e ndërtesave të
banimit dhe “ndërtimi” i një poezie kanë
një ngjashmëri të çuditshme…
Poezia e shkurtër ka
më shumë flakë e ndriçim dhe autori i saj ka më shumë mundësi ta mbajë atë të
ndezur në mendjen e lexuesit me gatimin dhe marinimin e saj plot erëza e nota mbresëlënëse. Në fund të fundit, ajo
ruan më shumë nga të gjitha të tjerat, unitetin- tërësinë e efekteve apo
mbresave.
Vëllimi me poezi
“Vërshimet e gjelbëra”, është ndërtuar me poezi të shkurtëra e nervalgjike.
Duke qenë një tipar karakteristik i
këtij vëllimi, kujtojmë këshillën e lirikut të madh rus, Sergei Esenini, kur
shprehej:
“Blloku
më mësoi si të shkruaja vjersha lirike, kur u njoha në Petërburg dhe i lexova
vargjet e mia të hershme. Një vjershë lirike nuk duhet të jetë tepër e gjatë,- më tha Blloku.- Gjatësia
ideale e një vjershe lirike është 20 radhë”.
Por,
duke njohur mjaft poezi nga autorë të tjerë lirikë, si bie fjala “Korbin” me
108 vargje ose “Anabel Li” mbi 40
vargje, të poetit të
famshëm amerikan Edgar Allen Poe, del se përvojat
janë të ndryshme dhe siç çdo gjë tjetër edhe ky gjykim i Eseninit mbetet
relativ.
Duke folur mbi poezinë
e bukur, Poe shprehet:
“Përzgjatja e një
poemë duhet të jetë e tillë që të ketë
lidhje matematikore me vlerat e
saj - me fjalë të tjera, me shkallën
e efektit të vërtetë poetik që
ajo është e zonja të përçojë. Nga ana tjetër, shkurtësia duhet të jetë
në përpjestim të drejtë me fuqinë e efektit të synuar, por me një kusht;
lipset absolutisht një masë e caktuar
zgjatjeje për të prodhuar
çfarëdo lloj efekti poetik”. 1Edgar
Allen Poe, “Poezi dhe Ese”, faqe 84
Në esenë “ Filozofia e
Kompozimit” ai shpjegon se një poezi duhet të jetë aq e shkurtër dhe e gjatë sa
të ruajë “unitetin mbresëlënës”,
efektet, tonet, refrenin, pastaj, elementin kyç; strukturën mbi të cilën do të lartësohet ngrehina poetike. Poeti duhet të zgjojë te lexuesi atë emocion
që përjeton vetë ai. Këtu qëndron edhe
thelbi i poezisë. Këtu kërkohen metoda,
“mjete e vegla pune” të brishta dhe të imta, madje edhe të padukshme, sigurisht edhe tinguj që
prodhojnë vargje të dëgjueshme prej
lexuesit. Këtij arsenali ose mjeshtërie i përkasin edhe intuita, qasja
intelegjente apo intuitive e poetit, vigjilienca ndaj temave dhe subjekteve që
sjell në vëmendjen e tij poetike.
Dueli dhe sfida për dashurinë, si në poezinë “Pas ndeshjes”, mbeten një prej temave më të bukura të poezisë së Bushkashit, sepse janë gatuar me lëndën që ngjiz vetë jetën e shoqërisë njerëzore. Veçanërisht, kur nëpërmjet disa skenave tragjiko-idilike, përcillen te lexuesi mesazhe të thella vlerash dhe virtytesh. Poeti na shkëput nga bota reale, duke iu dorëzuar imagjinatës së pafre. Impulsi i poetit, drejt atij ose këtij subjekti, dëshmojnë përpjekjen e një krijuesi që ndez flakën e pashuar të frymëzimit qysh me shkreptimën e prekjes së parë. Në këtë poezi vihen në një harmoni të këndshme si brendia, ashtu edhe efektet e papritura dhe imagjinare të saj.
“Dy deshë, mes deleve, në lëndinë
U ndeshën keqas për dashurinë...
Qe ndeshje e egër
E përgjakur
Sa njëri brirët theu,
Pikëlluar një dele
I lëpiu plagët
Se atë pëlqeu...”
(Pas ndeshjes)
Mjaft prej poezive të
Basir Bushkashit mbeten në kujtesën e
lexuesit, sepse nuk janë pjellë e fantazisë së poetit që shkaktojnë vetëm një fërshëllimë nëpër erë. Duke qenë se
në tërësinë e tyre karakterizohen nga një ndjenjë pjekurie e sinqeriteti që
depërton në shpirt, ato përcjellin një ngarkesë dhe energji të këndshme te lexuesi.
Për hir të asaj që unë
i besoj unitetit të universit shpirtëror e material, duhet të bëj një kapërcim,
duke provuar të dal vullnetarisht jashtë
temës ose binarev të trenit, ndoshta jo e
fundit, në shpërfaqjen e këtyre mendimeve.
Përse amvisat e
shuajnë mishin me verë? Sado që përgjigjet janë
të shumta dhe të ndryshme, nuk kanë mundur t’ia gjejnë asnjëherë fundin.
Një palë shprehen: ”Për t’ia tretur dhjamin e yndyrën e tëpërt”, të tjerë,”Për
ta zierë mishin më mirë”, ca të tjerë “Për t’i dhënë një shije të veçantë”. Le
t’i hedhim një vështrim poetik këtij procesi. Cili mund të më kundërshtojë tani
që unë zbuloj këtu përdorimin e një alkimie të përkryer poetike? Pa mendoni
drurin që digjet në sobë; a nuk çliron
vallë ai energjinë diellore që ka marrë atje në fushë çdo ditë dhe, një ditë,
ashtu sikundër edhe ne, përfundon marrshimin e tij në flakën e furrës? Atëherë,
nuk kam të drejtë të abstragoj se,
dëshira e amvisës që shuan mishin me verë, mishëron në thelb idenë se nga
“martesa” me verën, këtë bijë nazike e lozonjare të rrushit, mishi përmirëson
“racën” e vet duke përftuar një sqimë e klas më të lartë?
Sado i pudrosur dhe i
nomatisur me lajle e lule mund të vishet, askush nuk mund t’i bishtnojë faktit
se objekti i poezisë mbetet
e vërteta. Kështu, mesazhi që shpërfaqet në vargjet e vëllimit poetik,
duke kalëruar mbi pegasin e së vërtetës, i paraqet lexuesit vlerën veprës.
Përse ngashërehemi kur
dëgjojmë një melodi prekëse, por edhe
një poezi të bukur? Përse mahnitemi përballë një peizazhi të bukur?
Sigurisht, për të gjitha këto nuk ka përgjigje matematikore. Guxojmë të themi
se, ndoshta është brenda nesh dhimbja e shuarjes së dëshirës së përjetësisë, që
zë e shkrihet si një ortek dëbore përballë rrezeve të diellit ose nis e
dorëzohet kundër dëshirës sonë subjektive, ndjenja e pavdekësisë dhe e përjetimit të së pamundurës…Jo më kot thonë
se vetëm të çmendurit kanë privilegjin të jenë poetë të vërtetë!
Kundrimi i së
bukurës realizon kënaqësinë e shpirtit.
Por ritmi, përkundja si mbi valë, i vjetër sa qumështi i nënës që të mëkon sapo përshëndet këtë botë me klithjen e parë, janë shkallët që të çojnë tek e bukura. Sa shumë i pranishëm është ai në artet e tjera dhe sa i rrallë në vargjet poetike! Vargjet e poezisë “Mund” përshkohen nga një kadencë dhe përkundje poetike.
“…………………………
Të merresh me hienat
Mund të bëhesh dhe hijenë...
Të merresh me balenat
Mund të bëhesh dhe balenë...
Të merresh me kërmijtë
Mund të bëhesh dhe kërmill...
Të merresh me
bilbilat
Mund të bëhesh dhe bilbil...
Të merresh me
urithët
Mund të bëhesh dhe urith...
Të merresh me iriqët
Mund të bëhesh dhe iriq...
Të merresh me çakejtë
Mund të bëhesh dhe çakall...
Të merresh me luanët
Mund të bëhesh dhe luan… “
(Mund)
Sigurisht, asnjë poezi
e mirë nuk mund të dalë nga një shpirt vëzhgues i përciptë. Shndërrimi në poezi i frymëzimeve nga pamjet piktoreske të natyrës, i pyjeve, i maleve, i
vreshtave dhe lumenjëve të Matit ku jeton autori, të nxit të përjetosh episodin
biblik të daljes së gruas prej një brinje të Adamit. Autori ka provuar të
ndërtojë struktura të ndryshme poezish, si vargun e rregullt, vargun e lirë,
por ndonjëherë edhe distikun.
Duke folur për magjinë e frymëzimit letrar Balzaku
ndihej si të kishte kryer ca udhëtime të mrekullueshme, hipur mbi një fjalë në
thellësitë e së kaluarës, njëlloj si ai insekti që lundron në rrjedhën e lumit
mbi një fije bari.
Duke përfunduar shpërfaqjen e disa mendimeve për vëllimin poetik të Basir Bushkashi “Vërshime të blerta”, do të nënvizonim se, përjetimet lirike edhe me kalimin e kohës, njësoj si ajo vera e mirë, i sjellin para syve lexuesit blerimin jetdhënës dhe dashurinë për jetën.