Kulturë
Odise Kote: Lefter Çipa, kalorës i krijimit letrar
E marte, 09.04.2013, 07:41 PM
Lefter Cipa,
kalorës i lirë i krijimit letrar.
Fjala e mbajtur me rastin e dhenies Lefter Çipës titullit Qytetar Nderi ne Gjirokaster
Nga Odise Kote
I lindur jo rastësisht në Pilur, Ballkon i bregut por dhe i muzave e zotave të Këngës, vend rrëfenjash e ngjarjesh të motmotshme, me komunikime misterioze me perënditë, ëngjëjt, zanat, vajzat e valëve e mitet e lashta, Lefter Cipa është talenti i shquar që ka dalë nga kjo trevë - mitër e këngës e poezisë së shqetësuar të kombit.
Në poezi, poetët vijnë nga dy edukime estetike : prej folklorit dhe librit. Lefter Cipa i përket të parës. Kaq e vërtetë është kjo sa të vjen të besosh se kënga e mocme e popullit (tekst + këndim) është në përbërje të monekulës së tij ashtu sic një nga elementët e tabelës së Mendelejevit. Prej një kohe të gjatë ai është krijues i këngëve ndoshta më të arrira të isopolifonisë labe.
Por nëse raca e rapsodëve që ai zgjodhi fillimisht me dashuri t’i përkasë mbeti rob i fatit të parashkruar, Lefter Cipa e kapërceu këtë fat. Ai guxoi të hynte në plejadën e të mëdhenjve që dëshirojnë sfidën e vargut e të poezisë. Pikërisht ky kapërcim ylberik, e bën L.Cipën një fenomen të vecantë letrar të poezisë shqipe.
Lefter Cipa është nga të pakët kalorës të lirë të Urdhërit të krijuesve që si askush tjetër, hyn e del sa në vargun popullor e rapsodik aq dhe në vargun fin, të latuar e strukturor të një poezie moderne. Këtë liri ai e bart me vete sepse asnjëherë nuk është pajtuar me zërat që shpallin se Koha e Këngës Popullore ka mbaruar, se Kënga e humbi vlerësimin parimor të saj.
Këto kërcime të hijshme sa nga
rapsodia tek krijimi modern, janë thuajse ato kapricio që të kujtojnë kangjelet
e De Radës, poezi e këngë njëherësh. Lefter Cipa me mbi gjysëm shekulli sprovë
poezie, ja ka dalë më së miri të na japë kumtin : - se as heroizmi, as parodia e realitetit, as
marrëzia e pushtetit, asgjë tjetër vec Dashurisë nuk ka vlerë në këtë jetë.
Dashuria është Krishti, Kulti individual, kulti i jetës.
Dashnor i përjetshëm, Lefter Cipa është djaloshi- poet, që herë ngjan si kapedan deti, herë si suljot, si levend bregdeti, herë i një anakreont. Në strukturën poetike të L.Cipës gjen edhe Adamin dhe Evën, Aliun dhe Vasiliqinë, gjen miken e Cajupit, motrën e Lasgushit, vajzën e valëve, perëndinë e Naimit, detin e Fatos Arapit, lumin e Ali Podrimjes.
Ajo që e përcakton më së miri
poezinë e L.Cipës është gjendja poetike. Nuk ka asnjë krijim pa gjendje dhe ky
akt – na jep të drejtën e plotë të shpallim botërisht se : Lefter Cipa nuk
është poeti që mund të shpiket, por ai ka lindur poet dhe i tillë do të vdesë !
Lefter Cipa i ka dhënë një
pasuri të jashtëzakonshme poetike Shqipërisë. Me Lefter Cipën poezia shqipe
mund të mburrret sot e njëmijë vjet më pas.
Është e pamundur që në pak
fjalë modeste të përmbledh gjithë poezinë e L.Cipës por dua të theksoj se :
Poezia e L.Cipës është poezi
me valencë vargesh antologjike :
Tre vëllezrit Frashëri/ sa për
tre Tomorë apo Mer një grusht nga kjo tokë/ pika gjaku do kullojë/ luftën e
madhe tregon.
Poezia e L.Cipës është një
poezi e tjetërllolljtë – ajo është poezi e detit dhe e hapësirës sipas frymës së Levit,
që është era e perëndimit, e kulturës dhe traditës perëndimore për të gjithë
vendet që lag deti, e që mbart konceptet estetike të mendjeve të hapura.
Poezi e L.Cipës është poezia e
lirisë. Rrallë
gjen në poezinë shqipe të 50 viteve të fundit poezi që ta ketë në substancë të
saj koncepte dhe hapësirë lirie kaq me
tepri aq sa gjendet në poezinë e L.Cipës.
Poezi e L.Cipës është poezi e
miteve që
bëjnë jetën e kohës moderne. Tek poezia e tij mitet janë personazhe, gjendje e
fabula të sendërtuara me ngjarjet e përditshmërisë.
Poezi e Lefter Cipës është
poezi e strukturës dhe shenjave gjuhësore
Nëse nga pikëpamja okulare, poezitë e Cipës të kujtojnë mozaikët paleokristiane të Antikitetit të Vonë, plot peisazhe baritore, det, sjellje e gjeste fisnikësh, nga pikëpamja e sonoritetit ato janë plot harmoni, butësi e qashtërsi shqiptare.
“ Lefter Cipa është një poet i
lindur dhe jo një poet i bërë. Eshtë shumë e vështirë ta përkufizosh në një
formulë këtë gjë”.
Poezia e L.Cipës është ka një
kod dhe një apel simbolesh e nënkuptimesh. Në poezinë e tij, është një finesë
tepër e hollë, një delikatesë e brendshme që të habit.
Lefter Cipa është sot i
vetmi poet lirik i mbetur gjallë. Poezia e tij – është bota shqiptare.
Lefter Cipa ngjan sa me De Radën aq dhe me
Lasgushin, sa me Naimin aq dhe me Ali Asllanin,sa me Asdrenin aq dhe me
Cajupin, e ky përngjasim të vjen i tillë në mendje për shkak të bukurisë
metaforike, tingullit të gjallë dhe melodisë që të mbetet në shpirt.
Lefter Cipa zgjodhi poezinë që
sjell lëndë prej realitetit.
Unë besoj thellësisht, se
vargjet e tij të ndërtuara mrekullisht me arkitekturë muzike e ndjenje, shquhen
për ngrohtësi e jetë dhe i përshkon një frymë e qetë dhe e rregullt, ku
rregullsia dhe qetësia dallohen qartësisht. Ajo është procedim letrar i
ndërtuar mbi mijëra e miliona struktura gjuhësore e kuptimore, natyrshëm si
mënyrë të organizimit gjuhësor, që u shërben qëllimeve të posacme estetike e
letrare.
Sepse poezia e tij është
autonome.
Poezia e Lefter Cipës, është
poezi unikale në llojin e poezisë, që përjeton në mënyrë moderne thelbin
individual të njeriut larg përditshmërisë. Poezia e tij del nga portat e
këngës, nga substanca e jetës. Ai ishte poeti me një aparat ndjesish të
pazakonta, ai di të krijojë një poezi te pazakontë. Lefter Cipa është poeti që gjithë modelimin e tij poetik e
përsosi vetëm në lidhje me teknikat poetike, të huazuara fillimisht prej
Këngës, e më pas, duke krijuar një
origjinalitet unikal në gjithë letërsinë shqipe.
Ai arriti të krijojë hapësirën e lirisë së poetit me poezinë dhe të lexuesit me poezinë.
Gjuha poetike e L.Cipës ka qenë besnike dhe konseguente vetëm në atë substancë që quhet poezi e kulluar. Prej këngëve të Bregut e të krejt Shqipërisë, Lefter Cipa rimerr në vetvete shtresëzime të ndryshme gjuhësore për ti shndëruar më pas në gjuhë të përbashkët, gjuhë letrare, gjuhë teknike e kështu me radhë, duke nxjerrë në pah, në shtresëzime të mëtejshme gjuhën poetike, për të mbërritur pastaj deri tek lexuesit që e duan fort poezinë.
L.Cipa pruri në poezinë shqipe, e kjo duhet thënë qartazi, vetëm veten e tij – poetin që ruajti të paprekur genin poetik, të vetëlindurin, të vetëbërin, arketipin e harruar dhe zgjatimin lirik në kohë të De Radës, Serembes, Naimit, Neco Himariotit, Lasgushit, Fatos Arapit, D.Agollit, A.Podrimjes etj. L.Cipa është Princ i kësaj aradhe të ndritur poetike që me materie të gjallë gatoi ëndrra të pandërlikuara edhe kur realiteti ishte kundër tij.
L.Cipa është poeti i strukturave të përkora, të holla në qendrueshmërinë e tyre, si filigrana poetike, një poezi e latuar aq sa duhet, e gjallë e lojcake, drithëruese dhe plot naze virgjëreshash, shpërthyese si pasionet e adoleshentes në prillmaj, e shumëkuptimtë, thellësisht e përvecme që e bën atë një artist të përhershëm. Në këtë marrëdhënie të shpirtit njerëzor me artin, ka lindur vlera e pavdekësisë.
Në kishën e fjalës të L.Cipës, është një dritë altari. Ai di sekretin e dashurisë. Lirika për të, është si një fe estetike. Poezinë e L.Cipës e bën të barabartë me etërit e tij letrarë harmonia e rrallë e torturuese midis asaj që jeton dhe asaj që shkruan, por sidomos e më tepër, të gjurmës të thellë që ajo po lë ndër ne.
Gjatë shkrimit të këtyre opinioneve modeste, një
pyetje torturuese më mundonte: Si do të jetë Mardhënia e Poezisë së Lefter
Cipës me Urbanizimin e Globalizimin?
Sepse më kujtohet parreshtur
Pol Elyar kur thoshte “Le ta pyesim nëse ai luftoi, para se bota ta mundt’te”.
Prirem të them se poezia e Lefter Cipës do të jetë e përjetshme, e pamundur prej digitalizmit e urbanizimit. Do të jetë e pandryshuar. E pëlqyer dhe e dashur për të gjithë. Kohët do ta provojnë!
Dy fjalë për Raportin e
L.Cipës me Gjirokastrën.
Lefter Cipa nëse do ta shprehnim si do donte ai, është një nga kapedanët e mëdhenj të Iso-polifonisë labe. Si i tillë nuk kishte si të mos e vinte në Gjirokastër, në Festivalet Folklorike. Mardhënia me Këngën, por më pas edhe me poezinë në fakt janë shkaku edhe i një mardhëniejeje mbretërore me Gjirokastrën, qytetin që vec Këngës ka Perëndi të saj Shkrimtarësinë. Ndaj Gjirokastra e pranoi si birin e vet Lefter Cipën, ndaj sot e nderon sot me titullin e lartë. Dhe një qytet që nderon Poezinë e Këngën është sigurisht një qytet që jep shenjën e qartë të Europianizimit.