E diele, 28.04.2024, 07:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Nebi Dragoti: Poeti Faslli Haliti

E marte, 09.04.2013, 07:00 PM


KRITIKË

FASLLI HALITI KOMANDANT I DETASHMENTIT TË VET POETIK

NGA NEBI DRAGOTI

Që në fillimet e veta poeti Faslli Haliti ka profilizuar individualitetin e tij të spikatur prej krijuesi në fushën e një poezie që shkrihet e bëhet një me natyrën duke gërshetuar në vetëvete shqetësimet, hallet, dertet, baticat dhe zbaticat e jetës njerëzore.Krijimtaria e tij, në tërësi,  i ngjan një deti të thellë e të gjërë, të qetë e të dallgëzuar plot figura stilistike si veshje e bukur e mendimit të bukur poetik.Në to ka një kolorit e ritëm jete, që e bëjnë joshës.Detajet poetike të Halitit janë të gjetura e njëkohësisht të situra që të rrëmbejnë në lexim dhe rilexim.Faslliu me heronjtë e vjershave jeton i thjeshtë duke u treguar tepër modest:”Eja, fshesar, /jemi kolegë-/ndize një cigar” sepse…”Fshij plehra dhe unë me këngën time”.Në një tjetër poezi, del shpirti i vërtetë punëtor, tregon devizën e tij të jetës:”Në vjershat e mia ja-/si juve po hap edhe unë/vija kulluese, kanale…”.Këto citime janë shkëputur nga volumi”Sot” ku autori në konkursin kombëtar të letërsisë, në vitin 1969, është fitues i çmimit të tretë.Krijimtaria e tij filloi si një vijë uji, u bë rrëke, , përrua u bë,  dhe tani ngjan me një lumë që i shërben njeriut për ujitje e hidrocentrale për trurin e njeriut në kuptimin figurativ.Poeti Haliti është i pabinduri, i persekutuari i socializmit në vitet1973-1983, kur sistemi politik i kohës e detyroi të punojë në prodhim për t’u riedukuar ideollogjikisht siç e kërkonte regjimi.Por për Faslli Halitin kjo qe vërtet qesharake sepse shpirti i tij kërkonte hapsira të lira fluturimi në qiellin e poezisë shqipe.Dhe këta qiejë Realizmi Socialist, për të arritur objektivat e veta, i ngushtonte, gjersa poeti të bëhej një bard i thjeshtë partiak në mënyrën më servile në rrokjen e motiveve që hidhte në letër.Në pikëpamjen e vet prej poeti, Haliti ruan konstanten edhe sot në sistemin demokratik, ku në krijimtarinë e kultivuar ka heronjë me një gamë idesh vërtetë  pluraliste, ka motive të habitshme të trajtuar në prizmin psikollogjik në përshtatshmëri me motivet e jetës së gjallë njerëzore.Si i tillë kjo krijimtari është e pëlqyeshme dhe gjen vend hera-herës të botohet në faqet e shtypit të përditshëm të kohës, spse ka freski idesh, , sepse ka dhe një “Unë” social lëndor të kënaqshëm që nuk e gjen tek autor të tjerë.POETI, NË ASPEKTIN POLITIK, BËHET POZITË PËR POEZINË E TIJ…BËHET OPOZITË E QEVERISË, KUR  SHOQËRIA KA PROBLEME…BËHET DHE OPONENCË POTENCIALE E VETËVETES NË GJIRIN E SHOQËRISË PËR PROGRES SHOQËROR.Kjo është deviza e poetit në kohën dhe shoqërinë,  kur dhe ku jeton.Jashtë këtij kuadri krijimtaria e çdo poeti del e pavlerë, nuk ka efektivitet, mbetet si njeriu pa moral.Kështu pra, ”Populli/i gëzohet progresit, /I gëzohet çdo përparimi, /por s’i sheh dot pushtetarët/që lahen si mbretrit në vaskat e floririt”.Faslli Haliti ka sensin e të qënurit tendencioz në kapjen dhe trajtimin e temës edhe sociale , edhe politike.Kjo e bën sot të veçantë në lidhje me krijuesit e tjerë.Ai ka guximin duke bërë goditjen e duhur në atë që stonon dhe ndalon apo ngadalëson ecjen përpara.Ai godet fort dhe sakt me vargun satirik:”Ligji/është se qeni/s’e ha të zotin./Qentë po hanë popullin”.Kjo shprehje, në madhështinë e vet ka një të vërtetë mjaftë të hidhur,  ku politikanët duhet të nxjerrin mësim..Ky meditacion real të rrënqeth gjithë trupin.Këtu edhe pse kemi të bëjmë me figurën e metaforës,  idea domethënëse është tepër  e qartë dhe të jep kurajo për të fituar mbi shkaktarët që japin këtë pasojë.Është plotësisht e justifikueshme shprehja vlerësuese që jap:Faslli Haliti është poet i popullit të vet.Këtë edukatë të krijimtarisë, këtë pathos profili poetik e ka vetëushqyer me ndërgjegje të plotë, sepse ai nuk pajtohet të qëndrojë indiferent ndaj fenomeneve negative në këtë botë të trzuar dhe”…Të dëgjojë të qarat tragjike  të zogjve, /dhe të  mos të t’i thyeja krahët ty, skifter!”Faslliu është poeti që nuk tutet dhe sulmon pa dorashka, direkt:”Ne/ themi//Enveri/ na bëri me diplloma, /ju na hiqni dipllomat”.Ai ka gjykim të pagabuar realisti duke trajtuar këto tema të karakterit politik me një llogjikë të shëndosh prej filozofi dhe si i tillë meriton të quhet:Komandant i detashmentit të vet poetik.Ai e ka të qartë misionin që ka poeti në jetë si “udhëheqës i popullit dhe njëkohësisht si shërbëtor i tij”siç shprehet dhe Majakovski.Në krijimtarinë e tij ka përplasje, debate, humbje,  triumfe mendimesh.E gjitha kjo arrin në pohimin që bën:”…Kurse sytë e mi kanë xhepa./Dhe zhepat i kanë si bosat më të mëdhenj./Ata edhe shohin edhe blejnë…” .Ka raste(është detyra e kritikut të shprehet), kur poeti merr fantazinë e tij për dore dhe kërkon kot i sforcuar si nëpër xhungla të errëta tema, gjoja interesante, por që marrin një proçedurë llogjike të gabuar, kur hidhen në letër.Ky fenomen, negativ për letërsinë e shëndosh, , duket tek-tuk tek ndonjë krijim në volumin “Mbrapsht”, (kur gjërat thuhen mbrapsht…për humor shoqëror)…Vlen të përmendet se, në të shkruar, duhet përdorur kandari i llogjikës dhe për të mos e lënë mendimin jetim mjafton ilustrimi dhe shoqërimi me vargjet:”Kafshët ecin me dy këmbë/njerëzit me katër/kafshët bisedojnë/njerëzit ulërijnë, blegërijnë, pëllasin”.Ose “Pemët/i bëri peshq me luspa/peshqit i bëri pemë me gjethe/Rrënjët i bëri degë”.Nuk kuptohet se çfarë dhe si shkruhet kështu!E shoh të udhës që të mos i futem një analize kritike për sqarim të mendimit që shpreha, pasi këtë fenomen e kam cekur edhe në shkrime të tjera, kur është konstatuar tek ndonjë autor tjetër.Semantika e vargut ka normën dhe etikën e vet, ka moralin dhe jep mesazhe për njeriun.Pra, kjo, nuk është vetëm për Faslliun, por për këdo, do të ishte mirë të bëhet vetëkontrolli llogjik i shprehjes kuptimore i vargut apo vjershës në tërësi.E, megjithatë, kjo nuk ia ul  aspak meritën si poet.Ka një varg të zhdërvjelltë herë monokolonë e herë të përzierë me vargje të llojeve të ndryshëm metrik.Me sa duket kjo i jep dorë të shprehet gjithë finesë në mendimet e lira poetike pa shfaqur as më të voglin shtirje.Ai ka sarkazmën, ka humorin, por ka edhe satirën vrastare nëpër vargje:”Deputete e bukur, /mos u shëmto./Zbukurohu/ne të duam të pastër./Nuk të duam të pasur”.Këtë poet ta krahasoj me Majakovskin futurist?!...Jo, nuk mund ta bëj këtë, sepse Faslli Haliti ka profil të butë prej artisti, është tepër i lidhur me kohën, krijon një melodi tërheqëse me vargun , me poezinë.Ai ka profil azhurnimi, që lidhet shumë ngusht me jetën dhe artin e tij, ka tematikë reale, konkrete dhe nuk është aspak patetik i shtirur prej fodulli.Tek qënia e tij si krijues dhe si njeri është modestia dhe shpirti luftarak për t’i dhënë shoqërisë poezinë e shëndosh.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora