Shtesë » Lajme
Reagim i Shoqatës “Trojet e Arbrit”
E diele, 10.02.2013, 07:00 PM
Reagim i Shoqatës “Trojet e Arbrit” për heqjen e lapidarit të dëshmorëve nga sheshi i Preshevës.
Serbia të pranojë realitetin se Lugina e Preshevës është pjesë e Trojeve të Arbrit, jo koloni, por fqinja e saj.
Shoqata
“Trojet e Arbrit” dënon heqjen e lapidarit të lirisë nga sheshi i Preshevës, si
një atak i Serbisë ndaj qenies sonë kombëtare, që përbën provën e radhës të
ushtrimit të dhunës e të terrorit në këtë pjese të dhembshme të kombit tonë.
Serbia
vazhdon me politikën ekspansioniste edhe pas formimit të principatës së saj, me
ndihmën e Rusisë dhe Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe me mbështetjen e tyre
zaptoi Sanxhakun e Nishit, i banuar kryesisht me shqiptarë, të cilin me hekur e
zjarr e ktheu në tokë serbe. Politika e saj ekspansioniste kulmoi më 1912, kur
pushtoi Vilajetin e Kosovës, në kuadër të të cilit ishte edhe Lugina e Preshevës
si dhe Vilajetin e Manastirit. Mirëpo, këtë herë ajo ndeshi në qëndresën e
fortë të shqiptarëve të këtyre trojeve, me gjithë shpërnguljet dhe kolonizimin
e tyre.
Edhe
akti barbar i saj i fundit dëshmon qartë se Serbia nuk po heq dorë nga pjesa e
mbetur e Projektit të saj famëkeq shovinist. Edhe përkundër leksionit që mori
ajo nga popujt e pushtuar në ish-Jugosllavi, kur ata dhe Kosova fituan lirinë
falë edhe ndihmesës së forcave të NATO-s me SHBA-në në krye. Më pas, Serbia
gjithë energjinë e përqendroi për copëtimin e Kosovës së sotme dhe çrrënjosjen
e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. Ajo nuk po heq dorë nga logjika e
pushtuesit sipas maksimës të saj absurde se ”Serbi është deri atje ku ka qoftë
edhe një serb, duke iu referuar historisë së saj të sajuar dhe injoron faktin
se populli serb është ardhacak e pushtues në trojet arbërore.
Lugina
e Preshevës dhe Trojet Lindore mbrojtën qenien e tyre kombëtare, edhe gjatë
Luftës së Dytë Botërore, kur u përballën trimërisht me forcat shumëfish më të
mëdha ushtarake komuniste serbe, bullgare e maqedonase në vjeshtë të vitit 1944
që nga Shkupi deri në Bujanoc e Kitkë, në një luftë ballësore, e cila përbën
epopenë e rrallë në historinë e popullit tonë. Luftëtarët trima të Luginës
sfiduan ushtrinë serbe edhe në Luftën e UÇPMB-në në vitin 2000, kur dëshmuan me
gjakun e tyre se kjo pjesë e Trojeve të Arbrit nuk e duron robërinë e huaj.
Këtë qëndresë e ka simbolizuar Lapidari i hequr përdhunisht që lëndon rëndë
ndjenjat e çdo shqiptari, kudo që gjendet ai. Preshevarët duhet të krenohen me
të kaluarën e tyre, ata janë fitues moralë, ata e meritojnë ta gëzojnë lirinë e
ëndërruar.
Shoqata
jonë kërkon nga qeveria e Serbisë që sa më parë të demilitarizojë Luginën e
Preshevës, si një parakusht të lirisë individuale dhe kolektive, të hiqet dorë
nga persekutimet, përndjekjet dhe të gjitha llojet e shtetit policor. Garantues
dhe mbikëqyrës të zbatimit të saj të jenë SHBA-të, BE-ja dhe Shqipëria. Ky
është parakushti për krijimin e stabilitetit dhe të sigurisë së njerëzve atje.
Kërkojmë
nga Shqipëria, Kosova dhe subjekti politik i Luginës së Preshevës të angazhohen
për zbatimin e reciprocitetit të drejtave të shqiptarëve në Luginë të
Preshevës, sikurse për serbët në Kosovë. Kjo do të thoshte që Lugina të njohë
një zhvillim ekonomik dhe siguri sociale sikurse regjionet tjera në Serbi, t’u
garantohet shqiptarëve e drejta arsimimit në gjuhën shqipe, përfshirë edhe
arsimimin sipëror, duke hapur urgjentisht disa fakultete në Preshevë e Bujanoc,
si bërthama të Universitetit të ardhshëm. Njëkohësisht shqiptarëve në Luginë
t’u njihet e drejta e zhvillimit kulturor, përfshirë Bibliotekën
Kombëtare,Teatrin kombëtar, mediet etj.
Shoqata
jonë kërkon edhe një herë nga Qeveria e Kosovës, Qeveria e Shqipërisë,
qeveritarët shqiptarë në Maqedoni dhe nga subjektet politike në Luginë të
Preshevës, që të insistojnë për zbatimin e reciprocitetit për tekstet e
historisë, gjuhës shqipe, muzikës e gjeografisë për nxënësit shqiptarë në
Maqedoni, Luginë të Preshevës, sikurse e gëzojnë këtë të drejtë nxënësit serbë
në Kosovë dhe ata maqedonas në Shqipëri.
Shoqata
jonë kërkon nga qeveria e Kosovës t’ua lehtësojë qarkullimin e lirë shqiptarëve
të Luginës në Kosovë, të heqë kartelat e gjelbra për vozitësit e Luginës. Këtë
e ka obligim moral e kombëtar.
Subjekti politik i Luginës duhet të qëndrojë në nivelin e detyrës, sepse ka vullnetin e zgjedhësve, të ruajë unitetin e të flasë me një gjuhë, te mos bjerë pre e intrigave të huaja. Këtë e kanë detyrë nga dëshmorët e kombit, të gjithë të rënët për liri.
Shoqata
“Trojet e Arbrit”, Prishtinë.
Prof.
Dr. Muhamet Shatri, kryetar dhe koordinator për Kosovë,
Mr.Nue
Oroshi,nënkryetar dhe koordinator për Evropën Perëndimore
Prof.
Dr. Ramiz Abdyli, koordinator për Trojet Lindore,
Mentor
Quku, koordinator për Shqipëri,
Tomë
Mrijaj, koordinator për Amerikën Veriore