Shtesë » Lajme
Intelektualët: Thirrje z. Sali Berisha
E marte, 08.01.2013, 07:54 PM
THIRRJE Z. SALI BERISHA PER VLERESIM OBJEKTIV TE F. NOLIT, L. GURAKUQIT, F. KONICES, etj
I nderuar
z. Sali Berisha, Kryeminstër i sotëm i Shqipërisë, në fjalën tuaj që mbajtët në
përurimin e përmendores së Ahmet Zogut të I, ish Mbretit të Shqipërisë, ju i
quajtët kundërshtarët e tij të vitit 1924, “nje grusht aventurierësh që
organizuan kundër tij grushtin e shtetit”.
Ju duhet
ta dini fort mirë se Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, Padre Gjergj Fishta, Stavro
Vinjau, Shefqet Korca, Bajram Curri me shokë, që vepronin në atdhe dhe Faik
Konica me shokë që vepronin në SHBA, etj, etj, të cilët në vitin 1924 ishin
kundërshtarë të Ahmet Zogut e të Xhafer Ypit me shokë, nuk ishin aspak
aventurierë, por atdhetarë idealistë që luftonin për evropianizimin e
Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Me shprehjen tuaj të pakontrolluar ju keni
fyer idealistët më të mirë të kombit tonë dhe ndjenjat atdhetare të shumicës së
popullit shqiptar. Ju ia keni bërë qefin vetëm armiqve të Shqipërisë, atyre që
kanë hedhur dhe hedhin baltë mbi vlerat tona qytetare, politike, morale,
atdhetare, kulturore, etj.
Ju duhet
t'i kërkoni të falur publike popullit shqiptar për këtë fyerje të rëndë.
Vetë
Ahmet Zogu, i cili ka merita për mëkëmbjen e shtetit shqiptar, nuk i quajti
kurrë aventurierë këta kundërshtarë, por edhe pasi i mundi me ndihmën e
qeverisë jugosllave, duke ua njohur meritat, u kërkoi bashkëpunim. Dhe ata që
ishin gjallë pas mesit të vitit 1925 e mbështetën dhe ai i mbështeti.
Figurat e
politikanëve shqiptarë të të gjitha kohëve duhen parë me dritë hijet e tyre,
dhe vitet 1923-1925 nuk janë vite të shkëlqimit të A. Zogut...
Ne që ju
këshillojmë të kërkoni të falur për gabimin e bërë e duam objektivitetin
shkencor dhe korrektesën politike më shumë, se ata që mbajnë gojën mbyllur, ose
duartrokasin edhe kur gabohet rëndë.
Ilia S.
Karanxha, studjues, Itali.
Lek
Pervizi, i përndjekur, botues i rev. Kuq e Zi, Belgjikë.
Naser
Aliu (Lis Bukuroca), analist, Gjermani.
Natasha
Lako, poete, ish-deputete e PD-së në legjislaturën e parë.
Naum
Prifti, shkrimtar, USA.
Pëllumb
Kulla, shkrimtar, analist, USA.
Thanas L.
Gjika, studjues, USA.
Vasil
QESARI, France Télévisions, France
Raimonda
MOISIU, Shkrimtare e Publiciste, SHBA