E premte, 13.12.2024, 08:33 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Fjala e deputetit Agim Kuleta në Kuvend

E merkure, 06.02.2013, 06:48 PM


I nderuari Kryetar i Kuvendit,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Sot Kryeministri na njoftoi për rrjedhën e bisedimeve të 17 janarit dhe rezultatet e këtyre bisedimeve. Këto rezultate ai i vlerësoi si suksese. Në qoftë se nuk nxitojmë të japim një gjykim të ngutshëm, atëherë mund të vijmë deri te një përfundim që kryeministri në një rast mund të ketë të drejtë. Por vetëm në një rast. Ky vlerësim është i drejtë vetëm po qe se shihet në raport me atë që është synim i Qeverisë së Kosovës, por jo edhe në raport me atë që është interes nacional yni.

Pra, këtu problemi nuk qëndron te vlerësimi i rezultateve të bisedimeve në vetvete, por te synimi që mëtohet të arrihet me këto bisedime. Dhe kur jemi te synimi i qeverisë, e them me keqardhje të madhe se kemi te bëjmë me një ambicie shumë të varfër politike. Dhe kjo varfëri rrjedh nga mungesa e theksuar e kreativitetit për të prodhuar ide, mungesa e theksuar e vullnetit për t’i tejkaluar disa korniza pamundësie të projektuara në kokën e tyre dhe mungesa e ndjenjës së lidershipit dhe partneritetit në raport me faktorët tjerë të përfshirë në këto zhvillime.

Pra, esenca e problemit me këto bisedime dhe këtë qeveri në raport me to, ka të bëjë me mospërcaktimin e drejtë të interesit tonë kombëtar. Pikërisht ky është momenti ku bëhet gabimi fillestar, i cili pastaj tërheq pas vetes pasoja të njëpasnjëshme. Qeveria e Kosovës ende pa hyrë në bisedime politike, ku kompromiset me të tjerët janë ta pashmangshme, ka bërë kompromis me veten. Pra, nuk e ka shtruar problemin ashtu siç është në të vërtetë dhe kërkesat t’i ketë në përputhje me interesat tona nacionale, por ka hyrë në bisedime duke u bazuar në një dokument, i cili në vetvete përbën kompromis.

Në qoftë se Pakon e Ahtisaarit Kosova e ka pranuar si kompromis që është dashur të bëhet për shkak të pavarësisë së saj, atëherë atë edhe nuk duhet trajtuar ndryshe, veçse si kompromis. Duke u nisur nga kjo, ai nuk duhet të trajtohet si dokument i përhershëm, sepse në këtë mënyrë e mbajmë peng në politikë evoluimin e natyrshëm të rrethanave, i cili në realitet tashmë ka ndodhur e po ndodh çdo ditë. Këto bisedime përbëjnë një rast të jashtëzakonshëm, e i cili nuk po shfrytëzohet,  për t’i afruar popujt tanë më afër një perspektive më të mirë, përmes një marrëveshjeje të re shqiptaro-serbe, e cila do ta zgjidhte vërtet problemin dhe rrjedhimisht do t’i zhvlerësonte kufizimet absurde të Pakos së Ahtisaarit, e që do të nënkuptonte një Kosovë vërtet sovrane.

Po çka në fakt e përbën interesin tonë nacional në këtë moment?

Bërja e Republikës së Kosovës shtet sovran, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Dhe këtu duket sikur ekziston një konsensus i përgjithshëm, të paktën në diskursin politik. Por kjo, edhe pse përbën thelbin e çështjes, nuk është vetë çështja. Çështja përbëhet edhe prej mënyrës se si mendohet të arrihet kjo. Dhe pikërisht këtu bëhet gabimi, që e vë në dyshim edhe qëllimin. Kjo nuk mund të arrihet ashtu siç synohet nga Qeveria e Kosovës: përmes përjetësimit të kufizimeve kushtetuese të cilat e pamundësojnë sovranitetin. Përkundrazi, kjo mund të arrihet vetëm përmes eliminimit të tyre. Projektimi i mëtutjeshëm i zgjidhjeve brenda Pakos së Ahtisaarit nuk prodhon rezultate që e forcojnë sovranitetin, por që i konservojnë kufizimet.

Lëvizja për Bashkim që në vitin 2010 ka dalë me platformë përmes së cilës çështjen shqiptaro-serbe e ka trajtuar si çështje politike e cila mund të zgjidhet vetëm përmes bisedimeve politike. Gjithashtu kemi insistuar që tërë angazhimi ynë të orientohet në përgatitjen sa më të mirë për këto bisedime, duke hartuar një platformë që do të miratohej në këtë Kuvend, dhe e cila do të përbënte një konsensus të të gjitha forcave politike shqiptare në përcaktimin e interesit nacional të shqiptarëve. Gjithashtu kemi konsideruar se këto bisedime do të duhej të ndërtoheshin mbi parimin e reciprocitetit midis tri komunave të banuara me serbë në veri të Kosovës dhe tri komunave të banuara me shqiptarë në Kosovën Lindore.

Kushdo që flet në emër të së drejtës, kushdo që flet në emër të barazisë, kushdo që flet në emër të standardeve universale dhe në të njëjtën kohë e mohon drejtësinë e këtij parimi, pra për t’u trajtuar njësoj, ai thjesht gënjen në emër të drejtësisë; ai thjesht mashtron në emër të barazisë; ai thjesht manipulon në emër të standardeve universale.

Të nderuar deputetë,

Rezultatet si këto të bisedimeve të fundit nuk sjellin zgjidhje të problemit. Rezultatet e tilla sjellin konservim të tij. Ky, në fakt, është edhe qëllimi i këtyre bisedimeve. Kjo është arsyeja pse nuk flitet për zgjidhje të problemeve, por për normalizim të raporteve. Ndërkohë që nevojë jona e menjëhershme është pikërisht zgjidhja e problemeve. Normalizimi i raporteve, pastaj, do të ishte rrjedhojë logjike e situatës së re.

Lëvizja për Bashkim e bën edhe një herë të qartë pozicionin e saj në favor të bisedimeve politike, por jo për bisedime të tilla sipërfaqësore që mbulojnë probleme, po për bisedime përmbajtjesore që i zgjidhin ato.

Faleminderit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora