Kulturë
Puntorie Ziba: Kanibali
E premte, 01.02.2013, 06:05 PM
 Puntorie Ziba
Puntorie Ziba
Kanibali
Nata shtrin flatrat e zisë së thellë 
terri futet dhomë më dhomë,
frika nga vdekja ia pi shpirtin
si me kupë
kanibalit bjerrës,
kurse ai, 
mes zogorie ujqish
nis e çaravesh 
surratin e imazhit tim.
Me xhelozi 
shikon fytyrën time prej zogu
dhe mbyll kapakët
ndjell gjumë,
ndjell e ndjell
gjumi nuk i vjen,
nervi i tij ters
pëson metamorfozë, 
ai hap dhëmballët prej kanibali
nis e më shkul mishtë
e më përbin
unë fluturoj hareshëm
me kal meiti
lart mbi shtat qiej të qetë
si deti pa dallgë,
ai përsëri më ndjek;
pasi nuk më zë
nis e pështyn
thonjtë e imazhit tim
pështyn
e pështyn,
qull e bën 
surratin e tij prej kafshe.
Unë, përpëlitem të fluturoj mbi re
n’majë të qiellit bëhem pirg,
ai zgjat gishtërinjtë
mrrol vetullat
huazon rrufetë 
nis e më rrjep
më djeg,
jargë lëshon
kur imagjinon
mishrat e copëzuara 
të imazhit tim 
në bark zogorish.
Ah, nëne moj nëne!
Çka e gjeti imazhin tim, 
nga truri prej balte
asnjë copëz epiderme
prej tyli të mëndafshtë
në figurën e kolme 
nuk më lë. 
Dhe ai, 
me sy kuqërr 
ndërsen urrejtjen
ndaj qenies time 
që nuk e arrin
dhe gjumi s’e ze
e ëndrra s’e prek
në divane
ferrash e dëllinjash
duke u çjerrë:
Do ta përbij 
qenien apo imazhin
qenien apo imazhin,
qenien apo imazhin !?
Dhe nis e cof nga mnera
nga pak,
e ngadalë 
ky njeri i ujkëzuar
mes zogorish
derrash të egër.

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










