E shtune, 27.04.2024, 11:24 PM (GMT+1)

Mendime

Avdi Gjata: Mungesa e profesionalizmit politik

E hene, 28.01.2013, 07:33 PM


Mungesa e profesionalizmit politik e ngritjes ideore dhe armatimit të nevojshëm, dëmtuan Lëvizjen shqiptare gjatë historisë

Nga Mr. Avdi Gjata, Kosovë

Nga përfundimi i luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht pas demonstratave të viteve  1981-90,  rinia, studentët e punëtorët  e kësaj periudhe të lavdishme të Kosovës, ishin rreshtuar pas Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ashtu sikurse bleta, që është e lidhur pas nektarit të luleve të çelura në pranverë. Ky vrull revolucionar, ishte, natyrisht, jo vetëm për krijimin e Republikës së Kosovës në Jugosllavi, si teori, po në të vërtetë ishte edhe si një përgjigjeje për të shkuar në luftë kundër armikut shekullor serb. Kjo, rini shqiptare apo këta luftëtar të rinj, shkonin pa ngurruar në demonstrata, protesta e në luftë, me një përgatitje të ulët, ideore dhe me një armatim jashtëzakonisht primitiv e të demoduar për kohën. Në pjesën më të madhe të rasteve, nuk kishin, asnjë armatim të nevojshëm dhe asnjë përgatitje profesionale. Ata, shkonin në demonstrata, duarthatë, si, kur shkonin për të luajtur futboll, por, tërësisht të bindur se ndeshjen do ta fitojnë me çdo kusht. Ata, shkonin në beteja të njëpasnjëshme, pa pasur ndonjë lidhje të rëndësishme me militantët e vjetër të lëvizjes, pasi pjesa më e madhe e tyre, ishin burgosur apo ishin detyruar të emigrojnë në shtetet tjera.. Ata, nuk kishin edhe asnjë lidhje me qeveritë e shteteve tjera, me asnjë qendër të rëndësishme politike, pasi që udhëheqja krahinore e asaj kohe, ishte diferencuar dhe nuk kishte qasje të  drejtë për drejtë me rininë e studentët  revolucionar. Ata, nuk kishin asnjë lidhjeje me sektorët e ndryshëm të institucioneve të krahinës, me institucionet komunale dhe me asnjë organ ushtarak dhe policor, ekzistues të Kosovës. Ata, nuk kishin pasur edhe asnjë plan të mirëfilltë e sistematik të punës, për një kohë apo periudhë, pak a shumë më të gjatë, sesa për një demonstratë një, dy apo tri ditësh, me rastin e një vjetorit apo ndonjë feste të rëndësishme kombëtare.

Nga, kjo formë dhe mënyrë e punës atdhetare, rrethi i studentëve dhe i një numri të vogël intelektualësh, arriti të vendos lidhje dhe t’i përvishet punës sistematike dhe organizative atdhetare. Anëtarët e lëvizjes dhe rrethi, arritën të fillojnë dhe të zhvillojnë një propagandë dhe agjitacion dita ditës më të gjerë dhe më të fuqishëm. Ajo, me veprimtarinë e vet, arriti që të ngjallë simpatinë e shtresave të gjëra të punëtorëve, simpatinë e një pjese të shoqërisë më të kulturuar e cila filloi t’i ndihmoj herë pas here edhe me të mira të tjera materiale. Me punën dhe angazhimin e saj, ajo arriti të venë në dispozicion të ‘Lëvizjes Atdhetare’ grupe të reja të rinjsh. Nga, ky angazhim i drejtë, dita ditës, shtohej edhe prestigji i ‘Lëvizjes Kombëtare’, ku arritën t’i zgjerojnë kufijtë e veprimtarisë së tyre. Përveç kësaj mënyre të zgjerimit, fryma revolucionare shtrihej edhe spontanisht pasi që dëshira e madhe për krijimin e republikës së Kosovës dhe veçanërisht e Bashkimit Kombëtar Shqiptar’ ishte bërë ushqim kryesor i jetës së çdo qytetari.. Të gjitha grupet atdhetare që punonin nëpër rrethet e ndryshme të vendit, shpesh, zbuloheshin e dënoheshin me vite të tëra burgu, nga organet policore e shtetërore të Jugosllavisë së Titos. Anëtarët e këtyre grupeve, mbanin marrëdhënie me studentët tjerë, me punëtorët e rinin shkollore, përgatisnin dhe botonin materiale të nevojshme si: trakte, afishe, komunikata, parulla, thirrje etj, si ( Trakti kundër tradhtisë, Komunikatë Nr,1, 2, 5, 8, 10),  Kosova Republikë, Brohoritje:’ Bashkim, Unitet etj.). Ata, arrinin të vendosin lidhje edhe me grupet tjera atdhetare që nuk njiheshin deri atëherë. Botonin revista, gazeta e libra ilegalisht, si brenda ashtu edhe jashtë Jugosllavisë Socialiste, siç ishin: ( Lajmëtari i Lirisë, Zëri i Kosovës, Bashkimi, Kosova, Zgjimi), etj. Përpiqeshin të gjejnë dhe sigurojnë literaturën e nevojshme të asaj kohe, të cilat i përgjigjeshin e përshtateshin më së miri idesë e punës së tyre. Fillonin të flisnin e organizonin demonstrata për ditën e caktuar nga organizatorët e grupit të krijuar vullnetarisht nga vetë ata. E më në fund, pas  dhjetë viteve, arritën të kalojnë në veprime të hapëta ushtarake gjatë viteve 1990-2000. Zakonisht, këto veprime luftarake me të filluar, jo rrallë, sillnin me vete dobësi që shpeshherë edhe  dobësoheshin tej mase, shuheshin ose falimentonin plotësisht. Këto dështime, jo të rralla, vinin pikërisht si rezultat i mungesës së një plani sistematik të studiuar e përgatitur mirë e në hollësi që më parë, për një luftë të gjatë dhe të ashpër. Andaj, tërë kjo veprimtari, ishte më tepër vetëm një zhvillim tradicional që bëhej në rrethe dhe në qytete të ndonjë krahine të Kosovës. Organet shtetërore ushtarake dhe policore të Jugosllavisë të ndihmuar edhe nga një numër i madh  i kolaboracionistëve shqiptar, organizatorët i zbulonin me lehtësi, pasi policia, pothuajse gjithmonë i njihte militantët kryesor të lëvizjes në ato vende, pasi ata me kohë ishin regjistruar në bankat e shkollës si militant, të ndihmuar edhe nga  mësimdhënësit e tyre. Ata e prisnin vetëm çastin dhe momentin më të përshtatshëm për t’i kapur, duke i lënë me qëllim që rrethi  të zgjerohej, në mënyrë që sigurimi shtetëror të kishte, alibi për të pasur mundësi që të merr masa dhune ndaj popullsisë shqiptare. Ata, gjithmonë lenin jashtë dënimeve, disa persona të tyre, për të vazhduar punën ‘patriotike’ që të futen brenda lëvizjes, me të vetmin qëllim që të kishin mundësi, ta kontrollonin aktivitetin përbrenda organizatës. Edhe përkundër, kësaj kontrolle shtetërore, lëvizja, asnjëherë nuk u paralizua plotësisht dhe është për tu çuditur për gjallërinë e saj,  e cila zgjerohej, rritej dhe korrte fitore, edhe pse ata që luftonin, nuk ishin mjaftë të përgatitur për veprime të tilla. Me fillimin e veprimeve serioze luftarake të cilat filluan gjatë vitit 1996-97, të metat e saj ushtarake, filluan të ndihen qysh në ditët e para,  të cilat vazhduan të rriten e ndihen, gjatë gjithë luftës çlirimtare. Këto të meta të paraqitura në ditët e para të luftës, ishin rezultat i ‘çelikosjes dhe fisnikërimit’ të periudhës së ashtuquajtur, periudhë e ‘ideve paqësore’ të themeluar, (sigurisht) nga ndonjë shërbim i huaj nëntokësor, i nxjerrë në sipërfaqe nga mesia (shpëtimtari ynë), Dr. I. Rugova në vitet e 90-ta, për të penguar rrugën e konsolidimin e forcës ushtarake të popullit.  Ky, boshllëk organizativ u plotësua kur aeroplanët e NATO-së filluan bombardimin e makinerisë ushtarake të Serbisë. Trendi i keqësimit të situatës politike dhe ekonomike, vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës dhe largimit të ushtrisë serbe nga Kosova.

Kjo situatë dhe kjo gjendje e rëndë, ka arritur deri në këtë shkallë, për shkak të mungesës së vendosmërisë nga ana e masës së gjerë popullore. Studentët, rinia e punëtorët,  kanë filluar të ushqehen me një mosbesim ndaj inteligjencies, udhëheqjes shtetërore si edhe prijësve të luftës. Ata kanë filluar, të largohen nga ata, duke deklaruar se ne nuk jemi të aftë, nuk mundemi dhe  nuk dimë t’i mendojmë e menaxhojmë punët thellë. Për këtë arsye e për këtë qëllim, ata, bëhen shkak i dështimeve tona të njëpasnjëshme.

Kjo, frymë e dështimeve tona, është rezultat i primitivizmit të trashëguar historik nga robëria e gjatë shekullore dhe mungesa e dijes së mjaftueshme për të realizuar qëllimin imediat historik të Rilindjes Kombëtare.  E qëllimi  i vetëm  i shenjtë është Bashkimi Kombëtar. Këtë e dëshmon më së miri edhe thënia e Vaso Pashës: Leni kish e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora