| E hene, 28.01.2013, 07:33 PM |
Mungesa e profesionalizmit politik e ngritjes ideore dhe armatimit të nevojshëm, dëmtuan Lëvizjen shqiptare gjatë historisë
Nga Mr. Avdi Gjata, Kosovë
Nga
përfundimi i luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht pas demonstratave të
viteve 1981-90, rinia, studentët e punëtorët e kësaj periudhe të lavdishme të Kosovës,
ishin rreshtuar pas Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ashtu sikurse
bleta, që është e lidhur pas nektarit të luleve të çelura në pranverë. Ky vrull
revolucionar, ishte, natyrisht, jo vetëm për krijimin e Republikës së Kosovës
në Jugosllavi, si teori, po në të vërtetë ishte edhe si një përgjigjeje për të
shkuar në luftë kundër armikut shekullor serb. Kjo, rini shqiptare apo këta
luftëtar të rinj, shkonin pa ngurruar në demonstrata, protesta e në luftë, me
një përgatitje të ulët, ideore dhe me një armatim jashtëzakonisht primitiv e të
demoduar për kohën. Në pjesën më të madhe të rasteve, nuk kishin, asnjë armatim
të nevojshëm dhe asnjë përgatitje profesionale. Ata, shkonin në demonstrata, duarthatë,
si, kur shkonin për të luajtur futboll, por, tërësisht të bindur se ndeshjen do
ta fitojnë me çdo kusht. Ata, shkonin në beteja të njëpasnjëshme, pa pasur
ndonjë lidhje të rëndësishme me militantët e vjetër të lëvizjes, pasi pjesa më
e madhe e tyre, ishin burgosur apo ishin detyruar të emigrojnë në shtetet
tjera.. Ata, nuk kishin edhe asnjë lidhje me qeveritë e shteteve tjera, me
asnjë qendër të rëndësishme politike, pasi që udhëheqja krahinore e asaj kohe,
ishte diferencuar dhe nuk kishte qasje të drejtë për drejtë me rininë e studentët revolucionar. Ata, nuk kishin asnjë lidhjeje
me sektorët e ndryshëm të institucioneve të krahinës, me institucionet komunale
dhe me asnjë organ ushtarak dhe policor, ekzistues të Kosovës. Ata, nuk kishin
pasur edhe asnjë plan të mirëfilltë e sistematik të punës, për një kohë apo
periudhë, pak a shumë më të gjatë, sesa për një demonstratë një, dy apo tri
ditësh, me rastin e një vjetorit apo ndonjë feste të rëndësishme kombëtare.
Nga, kjo
formë dhe mënyrë e punës atdhetare, rrethi i studentëve dhe i një numri të
vogël intelektualësh, arriti të vendos lidhje dhe t’i përvishet punës
sistematike dhe organizative atdhetare. Anëtarët e lëvizjes dhe rrethi, arritën
të fillojnë dhe të zhvillojnë një propagandë dhe agjitacion dita ditës më të
gjerë dhe më të fuqishëm. Ajo, me veprimtarinë e vet, arriti që të ngjallë
simpatinë e shtresave të gjëra të punëtorëve, simpatinë e një pjese të
shoqërisë më të kulturuar e cila filloi t’i ndihmoj herë pas here edhe me të
mira të tjera materiale. Me punën dhe angazhimin e saj, ajo arriti të venë në
dispozicion të ‘Lëvizjes Atdhetare’ grupe të reja të rinjsh. Nga, ky angazhim i
drejtë, dita ditës, shtohej edhe prestigji i ‘Lëvizjes Kombëtare’, ku arritën
t’i zgjerojnë kufijtë e veprimtarisë së tyre. Përveç kësaj mënyre të zgjerimit,
fryma revolucionare shtrihej edhe spontanisht pasi që dëshira e madhe për
krijimin e republikës së Kosovës dhe veçanërisht e Bashkimit Kombëtar Shqiptar’
ishte bërë ushqim kryesor i jetës së çdo qytetari.. Të gjitha grupet atdhetare
që punonin nëpër rrethet e ndryshme të vendit, shpesh, zbuloheshin e dënoheshin
me vite të tëra burgu, nga organet policore e shtetërore të Jugosllavisë së
Titos. Anëtarët e këtyre grupeve, mbanin marrëdhënie me studentët tjerë, me punëtorët
e rinin shkollore, përgatisnin dhe botonin materiale të nevojshme si: trakte,
afishe, komunikata, parulla, thirrje etj, si ( Trakti kundër tradhtisë,
Komunikatë Nr,1, 2, 5, 8, 10), Kosova
Republikë, Brohoritje:’ Bashkim, Unitet etj.). Ata, arrinin të vendosin lidhje
edhe me grupet tjera atdhetare që nuk njiheshin deri atëherë. Botonin revista,
gazeta e libra ilegalisht, si brenda ashtu edhe jashtë Jugosllavisë Socialiste,
siç ishin: ( Lajmëtari i Lirisë, Zëri i Kosovës, Bashkimi, Kosova, Zgjimi), etj.
Përpiqeshin të gjejnë dhe sigurojnë literaturën e nevojshme të asaj kohe, të
cilat i përgjigjeshin e përshtateshin më së miri idesë e punës së tyre.
Fillonin të flisnin e organizonin demonstrata për ditën e caktuar nga
organizatorët e grupit të krijuar vullnetarisht nga vetë ata. E më në fund,
pas dhjetë viteve, arritën të kalojnë në
veprime të hapëta ushtarake gjatë viteve 1990-2000. Zakonisht, këto veprime
luftarake me të filluar, jo rrallë, sillnin me vete dobësi që shpeshherë
edhe dobësoheshin tej mase, shuheshin
ose falimentonin plotësisht. Këto dështime, jo të rralla, vinin pikërisht si
rezultat i mungesës së një plani sistematik të studiuar e përgatitur mirë e në
hollësi që më parë, për një luftë të gjatë dhe të ashpër. Andaj, tërë kjo
veprimtari, ishte më tepër vetëm një zhvillim tradicional që bëhej në rrethe
dhe në qytete të ndonjë krahine të Kosovës. Organet shtetërore ushtarake dhe
policore të Jugosllavisë të ndihmuar edhe nga një numër i madh i kolaboracionistëve shqiptar, organizatorët
i zbulonin me lehtësi, pasi policia, pothuajse gjithmonë i njihte militantët
kryesor të lëvizjes në ato vende, pasi ata me kohë ishin regjistruar në bankat
e shkollës si militant, të ndihmuar edhe nga
mësimdhënësit e tyre. Ata e prisnin vetëm çastin dhe momentin më të
përshtatshëm për t’i kapur, duke i lënë me qëllim që rrethi të zgjerohej, në mënyrë që sigurimi shtetëror
të kishte, alibi për të pasur mundësi që të merr masa dhune ndaj popullsisë
shqiptare. Ata, gjithmonë lenin jashtë dënimeve, disa persona të tyre, për të
vazhduar punën ‘patriotike’ që të futen brenda lëvizjes, me të vetmin
qëllim që të kishin mundësi, ta kontrollonin aktivitetin përbrenda organizatës.
Edhe përkundër, kësaj kontrolle shtetërore, lëvizja, asnjëherë nuk u paralizua
plotësisht dhe është për tu çuditur për gjallërinë e saj, e cila zgjerohej, rritej dhe korrte fitore,
edhe pse ata që luftonin, nuk ishin mjaftë të përgatitur për veprime të tilla.
Me fillimin e veprimeve serioze luftarake të cilat filluan gjatë vitit 1996-97,
të metat e saj ushtarake, filluan të ndihen qysh në ditët e para, të cilat vazhduan të rriten e ndihen, gjatë
gjithë luftës çlirimtare. Këto të meta të paraqitura në ditët e para të luftës,
ishin rezultat i ‘çelikosjes dhe fisnikërimit’ të periudhës së ashtuquajtur,
periudhë e ‘ideve paqësore’ të themeluar, (sigurisht) nga ndonjë shërbim
i huaj nëntokësor, i nxjerrë në sipërfaqe nga mesia (shpëtimtari ynë),
Dr. I. Rugova në vitet e 90-ta, për të penguar rrugën e konsolidimin e forcës
ushtarake të popullit. Ky, boshllëk
organizativ u plotësua kur aeroplanët e NATO-së filluan bombardimin e
makinerisë ushtarake të Serbisë. Trendi i keqësimit të situatës politike dhe
ekonomike, vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës dhe largimit të ushtrisë
serbe nga Kosova.
Kjo
situatë dhe kjo gjendje e rëndë, ka arritur deri në këtë shkallë, për shkak të
mungesës së vendosmërisë nga ana e masës së gjerë popullore. Studentët, rinia e
punëtorët, kanë filluar të ushqehen me
një mosbesim ndaj inteligjencies, udhëheqjes shtetërore si edhe prijësve të
luftës. Ata kanë filluar, të largohen nga ata, duke deklaruar se ne nuk jemi të
aftë, nuk mundemi dhe nuk dimë t’i
mendojmë e menaxhojmë punët thellë. Për këtë arsye e për këtë qëllim, ata, bëhen
shkak i dështimeve tona të njëpasnjëshme.
Kjo, frymë e dështimeve tona, është rezultat i primitivizmit të trashëguar historik nga robëria e gjatë shekullore dhe mungesa e dijes së mjaftueshme për të realizuar qëllimin imediat historik të Rilindjes Kombëtare. E qëllimi i vetëm i shenjtë është Bashkimi Kombëtar. Këtë e dëshmon më së miri edhe thënia e Vaso Pashës: Leni kish e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria.