Mendime
Kudusi Lama: Ngrijeni tytën e armës
E shtune, 26.01.2013, 06:23 PM
Politikanë
shqiptarë ngrijeni tytën e armës
Nga Kudusi Lama
Serbia,
dihet dhe shihet se nuk ka hequr dorë prej cilësimit armiq për shqiptarët. Ajo
vazhdon të ndjekë ndaj shqiptarëve të njëjtën politikë që ka ndjekur Ilia
Graçanini, Pashiqi, Çubriloviçi, Titua, Milosheviçi etj. Dhe është krenare dhe
deklarative në ndjkjen e kësaj politike.
Ndërsa
nga ne qetësi. Sepse politikanët shqiptarë janë shumë të zënë duke kërkuar
armiq ndërmjet njëri tjetrit e nuk kanë mundësi të shikojnë më tej se u është
errësuar shikimi. Rrezja e shikimit të tyre arrinë nga pozita tek opozita, nga
opozita tek pozita. Nga e djathta tek e majta, nga e majta tek e djathta. Më
tej është terr politik. Më tej për ta nuk ka armiq. Më tej me gjithkënd mund të
gjendet fjala. Anipse Serbia nuk don të gjendet fjala, përderisa duan
politikanët tanë 50 përqind është e rregulluar puna.
Të gjithë
e dinë dhe e dimë se Serbia mbetet ajo që ka qënë. Ndërsa politikanët shqiptarë
sapo u mor njoftimi sot për heqjen e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë,
vrapuan kush më parë se tjetri, t’u bëjnë thirrje shqiptarëve në Kosovën
lindore të mos bijen pre e provokimeve serbe. I bëra pyetje vetes: Pse? Por nuk
arrita të gjejë përgjigje. Veçse në mendje më mbeti një pyetje për të gjithë: A
edhe kur të përdhosen dëshmorët këta e quajtkan provokim? Sa çudi.
Unë di se
kur tjetrit i kërkon të ruaj qetësinë duhet ta mbrosh. Kur i ke kthyer krahët,
nuk ke më as të drejtë fjale as të drejtë këshille. I braktisuri e di vetë se
çfarë bën. Realisht në këto momente mua më duket se Kosova lindore është prapa
krahëve të politikës shqiptare në gjithë hapsirën e saj. A nuk e kuptojnë
politikanët shqiptarë se është turp, t’u thuash shqiptarëve vetëm të durojnë,
kur nuk merret përgjegjësi për t’u zgjidhur problemet? Nëse nuk e dinë ua them
unë: Është turp.
Serbia
priti mjaft. Ajo e ndoqi situatën me shumë korrektesë dhe kur pa se askush nuk
u shqetësua, për atë që kishte deklaruar se duhej bërë, ajo bëri atë, që iu duk
më e mirë për interesat e saj në kurriz të shqiptarëve. Ajo nuk ka dhënë asnjë
provë se ka dëshirë t’i respektojë shqiptarët. Ata që pritën të vepronte
ndryshe janë miopë. Unë nuk kam pritur të veprojë ndryshe. Por as nuk më ka
shkuar mendja të besoj se politika shqiptare në gjithë spektrin e saj nuk do të
thotë asnjë fjalë e nuk do të mbajë asnjë qëndrim institucional, për këtë
çështje nderi për të dhe për kombin që ka marrë përgjegjësinë ta udhëheq drejtë
të ardhmes. E ardhme që nuk di cila është kur na përdhunohen edhe dëshmorët në
mes të ditës, nga ai që na i ka vrarë.
Dëshmorët
janë krenaria dhe siguria kombëtare. Ata kanë dhënë për atdheun, atë që kishin
më të shtrenjët – jetën. Ndërsa ne nuk jemi në gjëndje as të mbrojmë kujtimin e
tyre. Sa e turpshme për politikën shqiptare. Sa e turpshme për të gjithë ata që
i thonë vetes shqiptarë. Sa turp më vjen.
Sot
politika shqiptare vajtoi gjithë ditën, duke konstatuar se nuk paska vdekur
politika fashiste e Milosheviçit. Po kurë kanë thënë serbët se ajo politikë ka
vdekur? A duke vajtuar do të shkojmë gjithë jetën? Deri kurë kështu?
Unë e di
se politika legale shqiptare deri sot kurrë nuk u ka thënë shqiptarëve ndaluni
dhe qëndroni fortë përpara armikut. Atë e ka bërë gjithmonë politika ilegale.
Po pse kështu? Kam menduar se ka ardhur tashmë momenti kur duhet t’u thuhet
qëndroni. Kemi dy shtete shqiptare, jemi 7 milion shqiptar të pavarur në
Ballkan, njësoj sa grekët dhe serbët, kemi një spektër politik më masivin në
Ballkan (Ilirikum). Askush nuk ka forca politike sa ne, as serbët, as grekët,
as bullgarët e as të tjerët. Por ky spektër politik është shumë i zënë. Ka
shumë punë, ka shumë telashe, ka shumë armiq brenda vetes. Këta politikanë
masiv kanë mjaft prej atyre, që nuk ua japin dorën e nuk duan t’ua japin dorën,
kanë njëri tjetrin. Ndërsa kur vjen puna për grekët, serbët e të tjerë, nuk ka
gjë, se ata mbajnë qëndrime antishqiptare, vrapojnë t’ua japin dorën e pse jo
të puthen me ta. Kanë shumë punë, se sa herë takohen me ta, lodhen duke mësuar
fjalët e përshëndetjes për t’ua thënë në gjuhën e tyre. Sa e ultë më duket. Ju
them sinqerisht gjithnjë prej të tillëve më ka ardhur turp. Dhe e kam ditur se
edhe kur i lavdrojnë ata të huajtë i përqeshin me sarkazëm sapo të largohen
prej tyre.
Serbia
sot hoqi lapidarin në nder të dëshmorëve në Preshevë. Ajo e bëri testin, mund të vijë e të rrëzojë edhe Skënderbeun në
sheshin “Skënderbej”, se të jetë e sigurtë askush nuk i thotë asgjë, sepse nuk
jemi nga ata që bijem në kurthin e provokimeve ne, jemi të zgjuar, asnjëherë
mos të mendojë Serbia se na e hedh ne, se na lëshon në kurth duke na provokuar.
Jo ne politikisht qëndrojmë jashtë kurtheve, por kombëtarisht mos të mendojë
Serbia se e durojmë shumë. A nuk ia kemi treguar këtë? A e ka harruar atë që e
ka cilësuar vetë “ferri Kosovë”?
Njëkohësisht
dua të sqaroj se me sa kam mësuar, di që gjuha shqipe është gjuhë heroike, jo
gjuhë përkuljesh, si ka mundësi që ne kemi mësuar vetëm ato fjalë që na
përkulin para të tjerëve politikisht? A vërtetë të gjithë jemi prej këtij
malli? Apo mos ka ndonjë rregull që unë nuk e di dhe duhet që për t’u bërë
politikanë, duhet të kesh frikë dhe mund të bësh si i fortë vetëm para
qytetarëve që të kanë vënë t’i udhëheqësh?
Jo, jo,
ne bëjmë politikë. Serbia na kërcënon, ne heshim – bëjmë politikë. Ajo na ze
rrugët, ne kalojmë në rrugë të tjera – bëjmë politikë. Na prishë përmendoret ne
heshim se nuk bijem në kurth – bëjmë politikë. Bllokon 30 përqind të territorit
të Kosovës ne bisedojmë – bëjmë politikë. Na tregon grushtin, ne ikim – bëjmë
politikë. Greqia nuk pranon të bisedojë për Çamërinë, ne nuk bëjmë dot as një
rezolutë parlamentare – bëjmë politikë. E kërkon kufirin në Shkumbin, ne nuk
themi gjë – bëjmë politikë. Kërkon 400 km2 det shqiptar, ne ia japim – bëjmë
politikë. Sllavomaqedonasit na vrasin djemtë – ne buzëqeshim e duartrokasim –
bëjmë politikë. Ç’është kjo politikë? Kujt i sherben politika nëse nuk i
shërben kombit tonë? Pse na duhet kjo llojë politike? A është sukses politik,
vetëm po të mbushim barkun me bukë?
Të bësh
politikë nuk është të mbashë karrigen ngrohtë e t’u shesish mend qytetarëve të
tu, por t’i mbrosh ata e t’u realizosh interesat dhe aspiratat.
Serbët,
sllavomaqedonasit dhe grekët ndërtojnë interesat dhe aspiratat e kombeve të
tyre mbi parcelat e interesave të kombit shqiptar, ndërsa ne nuk guxojmë të
marrim atë që është e jona. Pse duhet të pranojmë të qëndrojmë kaq poshtë? Kush
na detyron? A vërtetë duhet menduar se jemi tjetërsuar? Pse kërkohet me çdo
kusht të vihet në provë ndjenja jonë kombëtare?
Sot
Serbia hoqi lapidarin e dëshmorëve. Po nesër çfarë plani ka, a e dinë
politikanët tanë këtë? Ajo do të vazhdojë të thellojë më tej konfliktin. Ajo do
të kërkojë të marrë edhe më shumë, deri kur t’i thuhet ndal. Por më duket se
politika jonë nuk di t’i thotë ndal askujt, që na cënon atdheun e kombin.
Megjithatë iu siguroj se do t’i thuhet ndal. Kombi ynë ka djem si zana.
Një
lapidar në tokën shqiptare i pengon shumë Serbisë. Nderimi për ata që e çliruan
edhe atë vetë nga diktatura e pengon shumë. Çdo gjë shqiptare i pengon shumë,
sepse ajo ka dhënë prova se i intereson vetëm toka e shqiptarëve pa shqipëtarë
dhe këtë ka luftuar të realizojë me shekuj e do të vazhdojë të kërkojë e
realizojë sa të mundet edhe në të ardhmen.
Prandaj
unë do të kisha dëshirë që politikanët tanë sa harxhojnë gjithë energjitë duke
akuzuar njëri tjetrin, le të mblidhen njëherë e të shikojnë përtej tyre atje ku
thuren intrigat antishqiptare. Le të ndalen njëherë e të mendojnë se nuk janë
pronarë të tokave të shqiptarëve dhe të vetë atyre, por janë të ngarkuar me
detyrë të bëjnë ato punëra që u interesojnë shqiptarëve dhe që janë në interes
të atdheut e kombit. Nuk dua që nesër kur politikanët tanë të jenë qytetarë ta
zakonshëm, t’u vijë turp për punërat që kanë bërë. Ndaj unë dua t’u them të
gjithë politikanëve: merreni pushtetin dhe e gëzofshi. Shfrytëzojeni sa të
mundeni. Por shtetin ndërtojeni për shqiptarët. Kombin forcojeni dhe nderojeni
se i përkisni, sado të mëdhenjë të bëheni, atë nuk e ndryshoni dot. Nëse nesër
do të shikoni prapa greminat që keni lenë mbi fytyrën e kombit, do të jetë e
turpshme për ju, se kombi prap me gjithë anomalitë që i krijoni do ta marrë
veten. Ai ka jetuar e mbijetuar nëpër furtunë edhe në kohët më të errta të
historisë, jo më sot që zhvillimi është ngjitur në stadin më të lartë.
Një tufë
policë të Serbisë bëjnë si të fortë në tokën tonë. Bëjnë një paradë dhe e bëjnë
mirë, për të cilën kombi i tyre i lavdron, sepse politikanët e tyre i kanë
bindur se ata po veprojnë në interes të kombit të tyre. Por realisht atë paradë
do të ishte mirë ta bënin në Beograd, jo në Preshevë. Mirëpo ata kanë marrë një
detyrë, të shkatërrojnë përmendoren e lavdisë kombëtare të një kombi tjetër,
për t’u konsideruar madhështor prej kombit të tyre. Me këtë rast unë dëshiroj
t’u jap edhe atyre mesazhin se: Siç kanë vepruar me përmendoren e dëshmorëve
tanë, ka për të ardhur dita, që do të veprojnë edhe me përmendoret e heronjëve
të tyre. Sepse heronjët i përdhosin vetëm diktaturat. E diktaturat nuk
vlerësojnë kombin por vetëveten. Kështu që ata nuk kanë bërë tjetër sot veçse
kanë investuar në shkatërrimin e kombit të tyre.
Sot të
gjithë flisnin. Por labi thotë: “Si kofini pas të vjelit”. Nuk duhet pritur,
për të parë se ç’po ndodhë. Pritja është vdekje. Kombi jeton çdo ditë. Fytyrën
e ka të kthyer nga ju të nderuar politikanë e shtetarë. Merrni përgjegjësitë që
u takojnë mos vazhdoni pafundësisht të hidhni baltë mbi njëri tjetrin, ju
siguroj se populli e kupton shumë mirë kur e mashtroni. Ngrijeni tytën e armës
mos e mbani në oxhakun tuaj. Qëlloni më larg nëse doni të jeni të nderuar. Mos
u trembëni, edhe sikur dikush t’ua hajë ato 100 kilogramët e mishit të trupit,
nuk bëhet ndonjë hata e madhe, por iu siguroj se askush nuk do t’ua cënojë
vetëm krimbat në varr si gjithë njerëzve të tjerë. Thirrini ndërgjegjes, se
shqiptarët kanë shumë nevojë t’iu shohin si njerëz dinjitoz dhe me guxim e
inisiativë.