E diele, 28.04.2024, 03:04 AM (GMT+1)

Mendime

Ismet Hajrullahu: Reagim ndaj shkrimit të Robellit

E diele, 20.01.2013, 08:59 PM


Një shkrim që i fyen ndjenjat atdhetare të shqiptarëve, reagim ndaj artikullit : “Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!”, të Enver Robellit

Nga Ismet Hajrullahu

Edhe pse në thellësi të vetës time kam ndjenjën që nuk duhet të shpenzoj kohë dhe energji me lajthitjet e Enver Robellit dhe të sivllëzërve të tij, shkrimi i që ai ka publikuar në të përditshmen “Koha Ditore” të datës 15 janar 2013 i titulluar “Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!” më shtyri që të paraqes opinionin tim për çështjet që ky pretendon se i ka ngritur.

Me siguri nuk do të reagoja sikur Robelli të kishte ngritur realisht vetëm shqetësimet që ka për pasojat e “Piramidave të 1997-s”, Gërdecin, apo edhe “korrupsionin” e Ilir Metës. Madje deri këtu do ta kisha mbështetur dhe inkurajuar këdo që do shkruante për këto fenomene, pasi ngjarje të tilla, sidomos ato të vitit 1997, e çuan shtetin shqiptar në kolaps dhe në shkatërrim të plot të institucioneve të tij. Mirëpo, Robellit i fle lepuri gjetiu! Ne te vërtetë, atë nuk e shqetësojnë edhe aq shumë çështjet e ngritura në shkrimin e tij, por atë e shqetëson ndjenja njerëzore e dashurisë ndaj atdheut që ai e konsideron si diçka demode dhe primitive.

Robelli e di mirë se kosovarët, labët, mirditorët apo çamët nuk kontribuan dhe sakrifikuan për Shqipërinë e sotme prej 28 mijë kilometrave katrorë, por ata e shpallën Pavarësinë e Shqipërisë për katër vilajetet që e përbënin atë. Përkundër shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912, Shqipëria Natyrale nuk është bërë deri më sot, jo për fajin e këtyre patriotëve me “opinga”, siç i quan ai, por si rezultat i pushtimit të egër sllavo-grek dhe puthadorëve e kuislingëve të Beogradit dhe Athinës.

Robelli shpreh keqardhje per mos dënimin e “krimeve” të UÇK-së, krime këto që i sheh vetëm ai dhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte, ndërkohë që nuk shpreh keqardhje për krimet e përmasave gjenocidale të bëra nga forcat ushtarake e paramilitare serbe, të ndihmuara edhe nga kallauzët shqipfolës.

I rikujtojmë Robellit se gjatë luftës së fundshekullit XX për Kosovën, janë vrarë mbi 15 mijë shqiptarë, më shumë se 90 për qind të të cilëve ishin të paarmatosur, gra, fëmijë e pleq. Gjatë kësaj kohe janë përdhunuar më se 20.000 femra shqiptare dhe janë zhdukur më se 3.000 shqiptarë, dhe për më tepër fatet e hidhura asnjeher nuk përshkruhen e nuk shprehen thjesht te shifrat. Këto krime serbe, të cilat detyruan të ndërhyjë Aleanca Veriatlantike, do të duhej ta shqetësonin Robellin, e jo krimet imagjinare të Karla Del Pontes, që mundohet ta barazojë kriminelin me viktimën. Nëse këto krime Robelli nuk është i gatshëm t’i dënojë, atëherë të paktën do të duhej që në përputhje me frymën e Rezolutës së Bashkimit Evropian (që dënon krimet e komunizmit), të dënonte krimet e bëra në Kosovë nga komunistët titistë jugosllavë.

Siç dihet tanimë nga të gjithë, përveç Robellit , krijimi i UÇK-së, është vepër e popullit shqiptar të Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, dhe e luftës së tij shekullore për çlirim nga sundimi serbosllav. Ndaj, UÇK-ja brenda vetes bart kontributin e një numri personalitetesh intelektuale, në radhë të parë kombëtare të kohës, por edhe të gjeneratave të mëparshme të historisë së luftës për çlirim dhe vetëvendosje deri në bashkim kombëtar. Endrrat, përpjekjet dhe luftën e këtyre bartësve të frymës së Rilindjes Kombëtare, Robelli i gjykon dhe për ironi i sheh edhe si primitivë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës me luftën e saj të drejtë, e realizoi ëndrrën e saj shekullore të çlirimit nga Serbia. Krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, nëntë vjet pas mbarimit të luftës çlirimtare, bëri edhe një hap përpara për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Evropën Juglindore. Me këtë akt të themelimit dhe të njohjes së shtetit të Kosovës, pjesërisht mori fund precedenti i përgjysmimit territorial të trojeve etnike shqiptare. Kështu, historia shtetformuese e shqiptarëve hyri në një epokë të re më shpresëdhënëse për zgjidhjen e çështjes së kombit shqiptar sipas parimit “një Komb – një Shtet”, parim ky që atdheu i zonjës Merkel, të cilën Robelli e ka personazh në shkrimin e tij, u realizua në vitin 1990, pas 45 vjet ndarjeje të dhunshme të shtetit gjerman. Pikërisht ky bashkim ia ka dhënë fuqinë Gjermanisë që të jetë bartëse e vendimeve të rëndësishme në Evropë.

Pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt 2008 ishte një kompromis i madh. Dhe, për Robellin detyrohem ta shpjegoj se pikërisht “kompromis” me pavarësinë do të thotë heqja dorë nga bashkimi kombëtar. Por kjo nuk do të thotë që shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera etnike, Robelli dhe sojsorollopët tij, mund t’ua ndalojnë shqiptarëve angazhimin më se të ligjshëm për bashkimin e shtetit shqiptar.

Me shkrimin e tij “Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!”, Robelli mundohet të tërheqë vëmendjen nga problemet dhe shqetësimet që kanë shqiptarët në gjithë hapësirën etnike për situatën që mbretëron në veri të Kosovës, në Maqedoni dhe tash së fundi në Luginën e Preshevës. Ai duhet ta ketë të qartë se shteti i Shqipërisë me idenë e bashkimit kombëtar, nuk paraqet rrezik për Gadishullin e Ilirik, pasi realizimi i saj, që ishte vizioni i Rilindësve tanë, e atyre që ranë për lirinë e Kosovës dhe që njëkohësisht është e sanksionuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, do të kontribuonte në krijimin e stabilitetit dhe prosperitetit ekonomiko – kulturor të Gadishullit Ilirik dhe Evropës.

Sa i përket konstatimit të Robellit se Shqipëria nuk ka bërë asgjë për Kosovën, kjo jo vetëm se nuk qëndron, por është një konstatim i paskrupullt e tendencioz. Shteti shqiptar edhe në Kohën e Zogut kur ishte shumë i brishtë, kujdesej që edhe me ato pak fonde që kishte, ta ndihmonte arsimimin e shqiptarëve të Kosovës. Sa për ilustrim ta përmendim rastin e akademik Idriz Ajetit, i cili është shkolluar me bursë të ndarë nga shteti i Shqipërisë. Ndërsa Enver Hoxha, në vazhdimësi e ka shprehur dhe mbështetur domosdoshmërinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ndonëse konjukturat e kohës dhe raporti i forcave nuk lejonin veprime më të dukshme. Rikujtojmë këtu letrën drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik të datës 2 shtator 1949, në të cilën Enver Hoxha shprehet hapur se shqiptarëve të Kosovës u është bërë padrejtësi e madhe duke u shkëputur nga Shqipëria. Për këtë qëndrim të Enver Hoxhës ndaj çështjes së Kosovës, flet edhe studiuesi Jon Holiday, i cili në monografinë e tij për Enver Hoxhën, thotë se Enveri fshihte nacionalizmin e tij të shquar të veshur me petkun marksist. “Në të vërtetë që nga koha e lidhjes me Bashkimin Sovjetik në vitin 1949 e deri në vitin 1953, kur do të vdes Stalini, Enver Hoxha kishte kërkuar edhe ndërhyrje të hapur ushtarake kundër Jugosllavisë”. Këtë gatishmëri për bashkimin e shtetit shqiptar të Enver Hoxhës e pasqyron më së miri edhe Plani Sekret i vitit 1980, për çlirimin e Kosovës, nën emrin e koduar “Shpërthimi”, i pohuar nga vetë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare të asaj kohe, Veli Llakaj, i cili edhe vetë kishte qenë një nga autorët e hartimit të atij plani.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë flet që në preambulën e saj “për aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar.” Gjithashtu, përveç preambulës ekziston edhe paragrafi 1 i Nenit 8 të Kushtetutës i cili thotë se “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.” Me fjalë të tjera jo vetëm që qeveritë e Republikës së Shqipërisë duhet të punojnë për realizimin e aspiratës së shprehur në preambulë, por kanë edhe një detyrim taksativ për të mbrojtur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve. Për këtë arsye, Robelli dhe ata që qëndrojnë pas tij, nuk mund t’i privojnë sot qeveritë e Republikës së Shqipërisë nga e drejta e ligjshme që të angazhohen në realizimin e aspiratës Kushtetuese për bashkim kombëtar dhe në zbatimin e detyrimit Kushtetues për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Kush nuk ndjehen si pjesë e popullit shqiptar nuk kanë pse të shqetësohen sepse ata nuk janë subjekte të kësaj aspirate dhe detyrimi kushtetues. Le të ndjehen ata si pjesë e nostalgjikëve jugosllavë (ose thjesht si popull jugosllav) të vjetër dhe të rinj që vazhdojnë të angazhohen për idealin e ruajtjes se krijesës monstrume të quajtur Jugosllavi.

Pa dashje këtu më ra ndërmend një udhëpërshkrim i Robellit pak vite më parë, kur ai kishte vizituar Sarandën. Për çudi, ai atje kishte parë vetëm zi e më zi. Vetëm gjëra të zeza kishte vërejtur, madje që nga kamerieri – njeri, e deri te natyra që e ka falë Zoti. Por, vetëm pak muaj pas këtij shkrimi, Robelli i kthehej një udhëpërshkrimi tjetër, atë dikur nëpër Jugosllavi. Eh sa me ëndje e përshkruante atë udhëtim dhe, në ndaljet e trenit nëpër stacione ai krijonte një idil. Kjo tregon për mallëngjimin jugosllav dhe mosdurimin shqiptar. Por, ky fenomen është i studiuar shumë kohë më parë (që më 1978). Për t'u zbërthyer kompleksi dhe paragjykimi i gatuar nga e kaluara jugosllave, ia kujtoj studiuesin e madh të Universitetit të Kolumbias, Edward Said, teoricien dhe kritik i post-kolonializmit. Ai shpjegon qartë (në veprën e tij monumentale Orientalizmi) se si madje çdo studiues i huaj (evropian apo angloamerikan) kur shkon për kërkime në vendet që dikur i kanë pasur koloni, ai gjithçka sheh zi dhe me paragjykime, gjykon i nxitur nga shpirti kolonizator, kërkon argumente ‘të zeza’ empirike.

Por, uroj që antipatia Shqipëri e Robellit të mos i jetë kthyer në mision, sepse në një shtet me shqiptarë të bashkuar gjithçka rritet: stabiliteti, fuqia ekonomike, cilësia e jetës, konkurrenca politike, ajo intelektuale dhe e gazetarëve. Por, ç’e do Robelli një konkurrencë të tillë që t'ia tejkalojë psh, një kuksian, burrelas , skrapali apo kolonjar? Kështu më mirë logjika e provincialit. Mbase arsyeja tjetër është të qenit në modë që të jesh kundër, kur të gjithë janë pro, madje-madje, ta emërtosh tirani politikën e kryeqytetit shqiptar!

Përfundimisht, duke iu kthyer edhe një herë mendimit të parmë, se a ja vlen të merrem me mendësinë dhe shpirtin e një të skllavëruari , atëherë jam i mendimit që ia vlen t’i çlirosh, pasi ata nuk e njohin dhe tremben nga liria dhe bashkimi i shtetit shqiptar. Mirëpo, as Robelli e as ata pas tij, nuk duhet të kenë frikë, pasi realizimi i vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës për bashkim, i deklaruar edhe në Konferencën e Bujanit paçka i tradhtuar në Konferencën e Prizrenit, çliron dhe emancipon edhe atë më të vuajturin dhe më të tremburin.

E drejta e anatemuar per bashkimin e shtetit shqiptar është ngecje, në mos edhe kthim prapa, një kohë kur të gjithë të tjerët ecin përpara.

Dhe krejt në fund dua ta mbyll shkrimin me thënien Konicës së madh: “ Shqipëria do të bëhet për inat të shqiptarëve”.

(Ky reagim i është dërguar te përditshmes “Koha Ditore” me dt. 16.1.2013, ku edhe është botuar artikulli i Enver Robellit, por redaksia e gazetës pa ndonjë shpjegim nuk e ka botuar).

__________

Nuk është e largët koha kur fronteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu kishin bashkuar edhe disa oficerë të lartë nga Shqipëria, të cilët së bashku me trimat e trimëreshat e UÇK-së luftuan ballë për ballë kundër forcave armike serbe në frontet e luftës, në Drenicë, Dukagjin, Pashtrik, Neredime e në Llap. Në mesin e atyre, qysh prej vjeshtës së vitit 1998 e deri në mbarimin e luftës më 1999 ishte edhe koloneli i Ushtrisë së Shqipërisë, Bardhyl Tahiri, i cili nuk pranoi vetëm të stërviste vullnetarët e lirisë në kazermat e Shqipërisë, ku ishte caktuar fillimisht, por me një grup oficerësh dhe me një pjesë të kreut të luftës, hyri për të luftuar në Kosovë.

Përveç Tahir Sinanit, më vonë dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në frontet e luftës u dalluan edhe kolonel, Bardhyl Tahiri, në Shtabin e Operativës, kolonel, Dilaver Goxhai, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, ndërsa oficeri, Adem Shehu në Zonën Operative të Llapit. Fryma mobilizuese që sollën në mesin e luftëtarëve të lirisë, angazhimi i këtyre dhe oficerëve të tjerë nga Shqipëria ishte shumë i mirëseardhur në kalitjen e moralit dhe forcimit të besimit në fitore, përveç punëve me përgjegjësi, që kanë kryer gjatë luftës këta ushtarakë të lartë nga Shqipëria.

Për dallim nga oficerët e tjerë të Shqipërisë, që u angazhuan me detyrë ushtarake, zyrtare në Divizionin e Kukësit e gjithandej në Shqipëri, të cilët po ashtu u angazhuan në segmente të ndryshme të luftës, prania e këtyre oficerëve në luftën tonë çlirimtare, brenda territorit të Kosovës i kishte dhënë shtytje besimit për fitore, meqë po krijohej bindja se në një segment të rëndësishëm organizativo-ushtarak ishte inkuadruar edhe vetë Shqipëria, e cila edhe botërisht e kishte mbështetur luftën e drejtë të UÇK-së.

Me mbarimin e luftës dhe fitores mbi forcat policore e ushtarake serbe, në qershor të vitit 1999, fati i këtyre oficerëve ashtu sikur edhe i shumë luftëtarëve të përkushtuar të lirisë, u la në mëshirë të kohës. Me pretekstin se ishin qytetarë të Shqipërisë, sipas udhëzimeve të “miqve” tanë në UNMIK, oficerëve nga Shqipëria, të cilët kishin luftuar në Kosovë iu pamundësua angazhimi në TMK dhe në organizimin politik të pas luftës. Ata mbeten pa punë. Disa prej tyre madje u shpallen edhe dezertorë, nga një segment i ushtrisë, meqë kishin ikur nga armata e Shqipërisë dhe iu kishin bashkuar radhëve të UÇK-së. Pati në mesin e tyre edhe oficerë që u dënuan me burg për shkak të këtij “dezertimi” ashtu sikur ishte rasti i oficerit, Dritan Goxhai. Pati edhe etiketime të pamoralshme të shpifarakëve të ndryshëm, këndej e andej, të cilët përhapnin gënjeshtra pa pikë turpi se këta oficerë paskëshin qenë “mercenarë”, për shkak se familjet e tyre në Shqipëri, gjatë kohës sa kishte zgjatur lufta në Kosovë, paskëshin marrë të holla në vlerë, 200 apo 300 euro të sotme. Ata që shpifin kështu, me paratë e fondit “Vendlindja thërret” kanë ndërtuar banesa pesë e shumëkatëshe dhe udhëheqin me sukses firma të mëdha përfitimi jo vetëm në Prishtinë, por edhe në disa qytete të Shqipërisë. Të tillët nuk begenisin madje as edhe të flasin me Bardhyl Tahirin dhe me veteranët e mbetur në mëshirë të kohës.

Injorimi, që iu bë këtyre oficerëve, nga shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës, shënon një damkë të zezë, jo edhe aq të izoluar të historisë sonë të pas luftës, meqë për shumë kohë asnjëri prej këtyre ushtarakëve nuk gjeti punë, në Kosovë, as në Shqipëri, edhe pse me vjet të tëra u mbajtën me premtime, sidomos nga shokët e tyre në Kosovë. Ndërkohë, për ta mbajtur familjen, disa nga këta oficerë u detyruan të punojnë punë të rënda fizike, punë në roje objektesh, shërbyes nëpër hotele, ngarkim shkarkim në transport etj. Pas shumë vite të sorollatjes, pak vjet para pensionimit e pranuan në Akademi, Dilaver Goxhajn. U angazhua me një punë edhe Adem Shehu, ndërsa Bardhyl Tahiri qysh prej mbarimit të luftës nuk gjeti dot asnjë punë për të qenë, nga e cila mund ta mbante familjen. Ai merr pensionin e ulët të oficerit të liruar dhe aktualisht kërkon punë, çfarëdo pune qoftë edhe roje nate a dite, apo edhe punë fizike, meqë me 100 eurot e pensionit nuk mbulon dot as shpenzimet elementare për jetë.

Kolonel, Bardhyl Tahiri, i buzëqeshur nga natyra, i dashur dhe i afërt me shokët e bashkëluftëtarët, vjen shpeshherë në Kosovë, me shpresë mos do të gjejë ndokund ndonjë punë. Sa herë vjen i merr në telefon shokët e dikurshëm, tani “shefa”, me qëllim për t’ i takuar, për të pirë me ta ndokund ndonjë kafe, për t’ u çmallur tekefundit dhe për t’ i njoftuar me gjendjen e rëndë sociale të tij e të shumë veteranëve. Por nuk i kontakton dot, meqë “shefat” kanë nga dy e më shumë telefona, të cilët i ndërrojnë orë e çast dhe nuk i përgjigjen. Takon pastaj ndonjë shofer apo truproje të tyre, dhe iu lutet që t’ i caktojnë një takim me ish-shokët, por as kjo nuk shkrep, sepse “shefat” kanë aq shumë “punë e angazhim” për fatin e Kosovës”, sa e kanë të pamundur të ndajnë qoftë edhe pesë minuta për të biseduar me kolonelin, Bardhyl Tahiri. Ka ndodhur që njërin nga krye-shefat kurrë nuk e ka takuar, as edhe pas shumë e shumë përpjekjeve. Ka ndodhur që është takuar me ndonjë këshilltar të ndonjë “shefi” dhe ky i ka premtuar se sapo të vijë herën tjetër, patjetër do t’ i organizojë një takim. Herën tjetër ai nuk i hap as telefonin. Ka ndodhur, që ndonjërin prej tyre ta takojë ballë për ballë, në dalje të Pallatit të Qeverisë apo të Kuvendit të Kosovës, por ish shoku i luftës ka qenë aq shumë duke nxituar sa mezi ia ka dhënë dorën, duke i premtuar se pas pak do të kthehet dhe do të takohet. Por nuk është parë as është takuar më me të. Ka ndodhur madje që njëri prej shokëve të Shtabit të luftës, ta pranojë në zyrën e tij, por mezi e kishte njohur, meqë nuk ishin parë qysh prej përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në të cilën ka marrë pjesë edhe koloneli, të cilit nuk ia çelin derën ata me të cilët kishte ndarë çastet më të rënda dhe më të rrezikshme të jetës.

Bardhyl Tahiri është optimist nga natyra, madje edhe i vetëdijshëm se askush nuk i ka borxh për t’ia gjetur një punë. Ai, borxhin që konsideronte se e kishte ndaj Kosovës e lau me faqe të bardhë. Por, po ashtu është i ndërgjegjshëm se me pak vullnet e mirëkuptim, të shokëve të tij, me të cilët kishte ndarë kafshatën e bukës gjatë luftës, mund të gjendet ndonjë punë, meqë kolonel Bardhyli ka shumë me tepër meritë për çlirimin e Kosovës, sesa të gjithë ata oficerë të APJ-së nga Kosova e trevat e tjera shqiptare, të cilët gjatë tërë kohës së luftës , së bashku me familjet e tyre qëndruan gjithandej nëpër Evropë, ku jetuan me paratë e fondit të Tre-përqindëshit. Ata pas luftës erdhën “fitimtarë” në Kosovë dhe zunë poste me rëndësi në të gjitha institucionet. Ka shumë më tepër meritë se disa anëtarë të Shtabit, të cilët tërë kohën e luftës kanë qëndruar në Tiranë e gjithandej nëpër Shqipëri, ndërsa Bardhyli gjatë tërë kohës ka qenë në frontin e luftimeve.

Bardhyli nuk dorëzohet. Ai ka shumë shokë si vetë në Kosovë, të cilët po ashtu jetojnë në kushte minimale ekzistenciale. I viziton ata dhe në mesin e tyre gjen mirëpritjen vëllazërore. Ata i bëjnë vend, e dëgjojnë duke evokuar sa e sa kujtime të luftës, sidomos rrëfime të kohës së luftës në Drenicë, pas intervenimit të NATO-s, në mars të vitit 1999, kur serbët kishin filluar masakrimin masiv të shqiptarëve. E dëgjojnë duke rrëfyer ngjarje e ndodhi, kurdoherë buzëqeshur, kurdoherë i disponuar, sepse më në fund Kosova është pavarësuar dhe shqiptarët në Ballkan, edhe pse të ndarë në pesë shtete, jetojnë më mirë sesa kanë jetuar në të kaluarën.

Dhe, Bardhyli pret ditë më të bardha, ashtu sikur pjesa dërrmuese e veteranëve të UÇK-së. Pret që të takojë ndonjërin nga shefat e shumtë, të paktën t’ ia qajë hallin, të vetin dhe të bashkëluftëtarëve, por ata, shokët e kohës së luftës, disa prej kanë hipur shumë lart dhe nuk i arrin më, nuk ua dëgjon as zërin përmes telefonit. Tekefundit, ata i sheh për çdo mbrëmje, në emisionet e TV-ve të shumta të Kosovës e të Shqipërisë. Kështu e ka jeta. Thonë se luftën e bëjnë idealistët, ndërsa maskarenjtë e shfrytëzojnë fitoren për vete. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë, derisa nuk mendojmë dhe nuk besojmë se mund ta kthejmë e ta bëjmë ndryshe...

Pas tri ditë qëndrimi te shokët e luftës në Kosovë, Bardhyli niset shpresëhumbur për në Tiranë. Edhe atje do të vazhdojë avazi i kërkimit të punës, herë në një qytet, herë në tjetrin. Edhe atje “shefat” kanë hallet e tyre, të pasurisë së tyre, të zgjedhjeve që po afrohen, të garës, të premtimeve për punë dhe për një jetë më të mirë...

19. 1. 2013.

A. Qeriqi: Politikanët e “Dolinës” dhe çështja e Kosovës Lindore

Sintagma serbe, “Preshevska Dolina”, që nënkupton tri komunat në lindje të Kosovës, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, tashmë është bërë pjesë e deklaratave të të gjithë politikanëve shqiptarë të kësaj pjese të Kosovës, ende të mbetur nën robërinë e Serbisë. Emërtimi historik, Kosova Lindore, i specifikuar sidomos nga dr. Muhamet Pirraku në monografinë e tij, “Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore”, i pasuar edhe nga rinia militante e kësaj pjese përbërëse të trojeve etnike të Shqipërisë, tashmë ka krijuar një ndarje edhe në qasjen politike të çështjes së pazgjidhur të këtyre tri komunave shqiptare.

Në kohën e luftës së UÇPMB-së, në fund të vitit 2000, një analist rus i emisionit të Radio-Moskës në gjuhën serbe, kërkonte që me të gjitha format e mundshme të përjashtohej termi “Kosovë Lindore”, me qëllim për të mos lejuar madje as edhe gjuhësisht paragjykimin se kjo pjesë i ka takuar dikur Kosovës. Analisti bënte thirrje se tri komunat të përkufizoheshin si pjesë të Luginës së Preshevës, edhe pse fshatrat e komunës së Medevegjës dhe të Bujanovcit shtrihen shumë larg nga Presheva.

Shumica dërrmuese e medieve shqiptare dhe të gjithë politikanët tanë pa dallim, madje edhe ata që angazhohen politikisht për zgjidhjen e çështjes së tri komunave shqiptare në Lindje, përdorin sintagmën serbe, “Preshevska Dolina” përkthyer në gjuhën shqipe si “Lugina e Preshevës”, edhe pse Lugina e Preshevës nuk përfshin Bujanocin as Medvegjën madje nuk përfshin as edhe një të pestën e territorit gjeografik, ku shtrihen këto tri komuna denbabaden shqiptare. Po ashtu dihet botërisht se këto tri komuna, Jugosllavia e kohës së Rankoviqit, qysh në vitin 1956 ia kishte amputuar Kosovës, e cila ishte shpallur krahinë autonome në kuadër të Serbisë.

Politikanët shqiptarë të “Dolinës”, në vazhdimësi i kanë ikur termit, “Kosovë Lindore” sepse Serbia shfaq një averzion të pakëndshëm ndaj këtij emërtimi dhe nuk e kanë parë të arsyeshme që për një diçka të tillë, sipas tyre pa asnjë peshë, të japin shkas për t’ u kritikuar nga Beogradi, i cili madje shqiptarëve të kësaj ane u ka siguruar edhe vendin e një deputeti të përjetshëm në Kuvendin e Serbisë, qysh nga koha e Titos dhe Rankoviqit.

Insistimi i shqiptarëve militantë në përdorimin e termit, Kosova Lindore nuk është vetëm qasje politike, por edhe historike e gjeografike. Në analogji me këtë term ne përdorim sintagmën, Kosova e Veriut, e cila nënkupton komunat në veri të vendit, të cilat qysh prej qershorit të vitit 1999 i ka aneksuar Serbia dhe vazhdon t’ i mbajë nën okupim, pavarësisht se qeveritarët tanë tërë pompozitet dërdëllisin se Qeveria e Kosovës e ka shtirë autoritetin në çdo metër katrorë të vendit.

Emërtimi, “Preshevska Dolina’, i pranuar nga shumica e politikanëve shqiptarë, nuk bëhet nga mos dija, apo nga rutina e përditshmërisë gjuhësore, por thjesht spikatet me qëllim për të krijuar bindjen, se atje diku në lindje përtej kufirit të Kosovës ekziston një rajon që quhet Lugina e Preshevës, ashtu sikur Lugina e Muqivercit apo lugina e çdo fshati malor.

Dallimi mes emërtimit “Kosova Lindore” apo tri komunat e Kosovës Lindore me emërtimin zyrtar serb, Lugina e Preshevës, në radhë të parë ka peshë politike, historike dhe gjeografike. Andaj është e pafalshme që ta përdorim përkthimin zyrtar serb, ashtu sikur është edhe më e pafalshme, që afër 14 vjet pas luftës në Kosovë dhe pas dëbimit të forcave okupatore serbe nga vendi ynë, politikanët tanë dhe shumica e medieve ende të përdorin trajtat sllave si: Podujevo, Suvareka, Istog, Obiliq, Novobërdo, Kamenica e Kosovës e të tjera.

Shumica e politikanëve të ”Luginës së Preshevës”, duket se janë pajtuar me realitetin ekzistues, të cilin e ka vendosur me dhunë Serbia, andaj edhe janë zbehur kërkesat për bashkim me Kosovën, edhe pse në vitin 1992, shqiptarët e kësaj ane përmes një Referendumi janë përcaktuar që Medvegja, Bujanoci dhe Presheva t’i bashkohen Kosovës. Në vend të insistimit në Referendum, në kërkesën e ligjshme dhe të natyrshme të shqiptarëve shumicë të këtyre trojeve për ribashkim me Kosovën, politikanët shqiptarë jo vetëm të “Dolinës” por edhe të Kosovës e Shqipërisë, në fjalorin e tyre të matur dhe të balancuar politik, të gjithë pa dallim, përdorin termin, “Lugina e Preshevës”. Natyrisht se shqiptarët e atyre tri komunave nuk kanë mundësi që vetë ta bëjnë realitetet këtë aspiratë nëse Tirana dhe Prishtina nuk e mbështesin edhe me punë aspiratën e ligjshme për bashkim me Kosovën, ashtu sikur e mbështesin me parulla politike, gjithnjë e më demagogjike.

Mbase dikujt do t’ i duket se nuk qon peshë çështja e emërtimit në këtë mes, kur situata në Preshevë e më gjerë përditë po bëhet edhe më dramatike, por duhet pasur para sysh edhe faktin se kudo në botë emërtimi përcakton formën, përmbajtjen, brendinë, në këtë rast edhe historinë e gjeografinë tonë kombëtare.

Serbët vazhdojnë që vendin tonë ta quajnë, “Kosovo i Metohija” dhe këtë sintagmë e përfillin të gjitha mediet e politikanët e Serbisë, ashtu sikur dikur e kanë përfillur shpirtshiturit e shqipfolësit e Krahinës autonome Socialiste të Kosovës e Metohisë.

Mendësia miope politike, e shprehur me gojën e politikanëve të “Dolinës” se nuk duhet ta kopjojmë Serbinë dhe nuk duhet t’ i përgjigjem me dhunë dhunës së mundshme nga Daçiqi, është pjellë e fatkeqësisë tonë historike, e vasalitetit të lindur e të trashëguar nëpër shekujt e gjatë të robërisë.

Lapidari i UÇPMB-së, në Preshevë do të ruhet me çdo kusht, madje edhe me kundërvënie, madje edhe me masa reciprociteti në tërë Kosovën, ku ngrenë kokë pllakat përkujtimore të shqiptarë-vrasësve serbë.

Nëse, në rastin e shkatërrimit të lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, shkatërrohen më shumë se dhjetë monumente serbe në Kosov, ashtu sikur në vitin 2004, atëherë zëdhënësi i gjallë i Milosheviqit të vdekur, Ivica Daçiq do të zgjohet nga jermia jetësore e para 14 viteve dhe do të kuptojë se nuk mund të ngjallet më Milosheviqi, as edhe me bekimin e 10 mijë popave e popadicave serbe.

Kosova Lindore do të qëndrojë para kësaj sfide dhe kjo çështje dashur pa dashur do të bëhet pjesë e dialogut lidhur me statusin e ardhshëm në marrëdhëniet me Serbinë. Nëse BE-ja vendos autonomi për veriun e Kosovës, dhe kjo me siguri se do të ndodh, atëherë edhe Kosova Lindore duhet dhe patjetër ta ketë autonominë e vetë substanciale. Në të kundërtën nuk mund të garantojë askush sigurinë në rajon, tashmë të brishtë dhe me paralajmërime për konflikte nga ana e Beogradit zyrtar.

10. 1. 2013

 

Ahmet Qeriqi: Mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë tregon mungesën e ndërgjegjes dhe njerëzisë

Aktualisht politika shqiptare në tri qendrat e saj në Tiranë, Prishtinë e në Shkup karakterizohet me shumë ngjashmëri dhe më së miri i akordon asaj fjalës së urtë që thotë: “Bëmë baba, të të ngjaj”. Edhe pse politikanët tanë jetojnë në tri shtete të njohura ndërkombëtarisht, të tria të cunguara e invalide në shumë pikëpamje, ata kanë të përbashkët mënyrën e “kulturën” e qeverisjes dhe kapjes fort pas pushtetit. Aq shumë e duan pushtetin këta të “zgjedhurit tanë” sa më me dëshirë ta japin kokën, sesa postin. Në këtë aspekt, burrështetasit tanë të sotëm, në njëfarë mënyre përngjajnë me mbretërit arabë, me fallahet e Egjiptit dhe asadët e Sirisë, të cilët të ngjizur me pushtetin si mishi me thoin, nuk shqiten për së gjalli nga posti, sepse thellë në qeniet e tyre besojnë se janë të vetmit që i duhen popullit, sepse mendojnë se populli është krijuar dhe rron vetëm që ata ta sundojnë, sepse mendojnë se ditën kur ata bien nga pushteti ndodh kataklizma, sikur ajo që kishte paralajmëruar populli kanibal i Mayave.

Mungesa e përgjegjësisë së shumicës së politikanëve shqiptarë mbase mund të shpjegohet me rrojtjen dhe trashëgiminë e gjatë të shqiptarëve në feudalizëm, në krahina e bajraqe në 12 fise e në shumë klane. Mbase, pikërisht për këtë edhe kemi një politikë tipike feudale, të mbylljes në bastione, në 100 e më shumë parti, në 500 e më shumë klane marionete, që sillen rreth strumbullarit të pushtetit dhe nuk ka forcë që i largon.

Këta politikanët tanë për nga fanatizmi që kanë për rrëmbimin e pushtetit i përngjajnë Lakademonit antik, luftëtarit grek që kishte kapur me dorë anijen persiane dhe nuk e lëshonte, derisa ata ia prenë dorën. Pastaj ai e kapi me dorën tjetër. Ata ia prenë edhe atë. Lakademoni e kapi anijen me dhëmbë, derisa persianët ia prenë edhe kokën. Por, politikanët tanë në Tiranë, Prishtinë e në Shkup, përkushtimin e tillë lakademonian e shprehin në luftë për ta rrëmbyer pushtetin dhe për ta mbajtur atë sa më gjatë që të jetë e mundshme, deri edhe në vdekje dhe kurrsesi për ta mbrojtur interesin e kombit e atdheut të ndarë në pesë pjesë.

Ky krahasim në dukje cinik dhe injorues, në vetvete ka shumëçka që i akordon pasionit të çmendur të politikanëve tanë për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, sa më gjatë që të jetë e mundur, edhe atëherë kur bëjnë gabime të rënda, kur vjedhin dhe kur bëjnë keqpërdorime, abuzime dhe skandale të neveritshme.

Politikanët tanë, në tri qendrat e politikë-bërjes vasale shqiptare, duket se nuk e kanë të instaluar në qenien e tyre motivin e dhënies së përgjegjësisë, i cili në botën e kulturuar e të emancipuar shprehet me kërkim-falje dhe pasohet me dorëheqjen e përjetshme nga institucionet, nëse konsiderohet se shkelja e tillë ka pasur pasoja të dënueshme, politike e morale. Edhe kur ndodh që ndonjë politikan feudal të detyrohet të kërkojë falje për abuzime, ai mendon se me kërkim falje e ka kryer detyrën dhe as që i shkon mendja të ofrojë edhe dorëheqje, si akt moral që buron nga ndërgjegjja e njerëzia.

Kjo mënyrë e kuptimit dhe e zbatimit të politikës, kjo metodë e mbetjes me çdo kusht në pushtet edhe kur shkelmohen të gjitha vlerat e kodeksit moral e njerëzor, është sa e neveritshme aq edhe e tmerrshme. Instalimi i një mendësie të tillë qeverisjeje makiaveliste në kreun e politikës dhe të institucioneve tona është i kobshëm dhe tepër i rrezikshëm për të ardhmen e vendit dhe të kombit. Mjerisht, kjo mënyrë e qeverisjes po legalizohet, duke shkelur me të dyja këmbët vlerat e demokracisë dhe vlerat universale të njerëzisë.

Të tillë janë shumica dërrmuese e politikanëve tanë.

Ky soj i politikanëve janë të verbëruar me sindromën e pushtetit. Janë si ai zogu që e sheh kokrrën e melit në kurth, por nuk e sheh kurthin dhe ngel në të. Shpeshherë veprojnë si struci. Kundër njëri tjetrit, kreshpërohen dhe ndërsehen si ujku, ndërsa ndaj të huajve sillen sikur viktima para xhelatit. Qeshin, kur duhet qarë dhe qajnë kur duhet qeshur. I shajnë nënë e babë njëri tjetrit dhe arsyetohen se të sharat e tilla janë biseda miqsh, janë pjesë e “kulturës dhe emancipimit” të tyre kombëtar e njerëzor. I shajnë deputetët në Kuvend, madje u shajnë edhe gratë e motrat dhe natyrisht se kurrë nuk kërkojnë falje, përkundrazi bëjnë përpjekje t’ i zhdukin edhe fizikisht, ashtu sikur në shumë raste edhe i kanë zhdukur pa shenj e doke. Nuk na ka rënë të dëgjojmë asnjë ministër apo deputet shqiptar që të jetë shprehur aq i ashpër kundër ndonjë zyrtari grek, serb apo sllavomaqedon, as në rastet kur ata injorojnë, përbuzin e përdhosin madje edhe kombin shqiptar.

Të tillë janë sot politikanët shqiptarë. Mbase të tillë më duken vetëm mua dhe disave si unë, që kemi qenë e kemi ngelur në shënjestër të tyre, vetëm sepse shprehim lirshëm mendimet e bindjet tona, duke u mbështetur në fakte e argumente.

Mjerisht, politikanët e sojit tjetër, të njerëzishëm, të përgjegjshëm, të emancipuar nga pikëpamja njerëzore e politike nuk po duken në horizont. Mbase unë jam miop dhe nuk po i shoh. Të njerëzishëm dhe përgjegjshëm ata paraqiten para opinionit derisa janë në opozitë dhe derisa e kapin pushtetin, pastaj fillon avazi i vjetër.

S’ më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem për një çast me vargjet e Ndre Mjedës së Madh.

Bylbyl ky shekull

Or e çast ndërrohet,

Binë poshtë të naltit

Dhe i vogli qohet.

Po e keqja e këtij konstatimi të Mjedës ndodh me faktin se kur ngrihet i vogli, përnjëherë bëhet i madh dhe nuk çan kokën, as për Zot se lerë më për të tjerat, sepse qysh moti është edukuar me bindjen se bota dhe historia fillon prej ditës kur ai e merr pushtetin. Dhe i tilli, vepron sipas bindjes internacionaliste edhe pse na paraqitet si antikomunist i përbetuar. Ai na premton se po ta marrë pushtetin

“Botën mizore do ta shkatërrojë

Që nga themeli e paskëtaj

Për veten e vetë do ta ndërtojë

Botën e re në vend të saj”.

Dhe, kjo bota jonë e mjerë shqiptare, e ndarë në pesë pjesë nga jashtë dhe në 50 pjesë nga brenda, vazhdon të jetë invalide. E tillë do të jetë derisa këto pesë pjesët të bëhen një dhe shqiptarët të bëhen faktor i njësuar, kulturor, ekonomik, ushtarak e politik, në rajon dhe në Evropë ashtu sikur kombet e tjera, pjesëtarët e të cilëve jetojnë tok në një shtet. Deri atëherë do të vazhdojmë të gjallojmë me zorrët nëpër këmbë, duke ngritur gurin përpjetë e duke e rrokullisur teposhtë, ashtu si Sizifi i moçëm.

15. 1. 2013?



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora