Mendime
Driton Tali: Dallimi mes Garashaninint dhe Daçiqit
E shtune, 26.01.2013, 06:52 PM
Çka e
dallon Ilija Garashaninin nga Daçiqi (Nikoliqi…)
Nga Driton Tali
"Unë
nuk besoj se veteranët e al-Qaedas pyeten në Shtetet e Bashkuara apo ata që
kanë bërë akte terroriste në Londër e Madrid, nëse duan të vendosin monument”,
deklaroi Daçiqi pasi që ambasadat amerikane dhe britanike në Beograd shprehën
keqardhje për vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Serbisë për ta hequr
monumentin e UÇPMB-së në Preshevë.
Ju dukë
pak kjo, dhe vazhdoi me “nuk ka negociata me terroristët... me ata që lëvdojnë
terrorizmin nuk mund të negociohet”. Dhe e përfundoi me “nëse ne nuk kemi
treguar tolerancë të mjaftueshme, atëherë unë nuk e di se kush”. Dhe kur i
lexon këto marrëzira menjëherë të bie ndërmend “toleranca e Serbisë” jo vetëm e
këtyre viteve të fundit si Vukovari, Srebrenica, Prekazi, Reçaku, Qyshku…, por
të gjitha “tolerancat” në këto 150 vjetët e fundit.
Andaj,
pos dukjes nga jashtë (fiziku) dhe disa nuancave tjera në karakterin e tyre, në
esencë liderët serbë nuk dallojnë fare. Bile Garashanini dhe Daçiqi edhe
karrierën politike e patën të ngjashme: të dy njëherë ishin ministra të Punëve
të Brendshme (Garashanini 1844 – 1852 kurse Daçiqi 2008-2012) dhe që të dy
ishin (është) kryeministra (Garashanini 1861 – 1867).
Dallim
mbase mund të quhet fakti se Garashanini me veprën e tij “Naçertanje” (1848) e
formësoi “nacionalizmin serb” (në realitet racizmin serbë!), e cila u bë
program shtetëror menjëherë. Bile fakti se “Naçertanje” u mbajt si program
sekret deri në vitin 1906, e pastaj edhe si program publik nacional, pa marrë
parasysh se kush e udhëhiqte qeverinë apo cila familje mbretërore mbante fronin
(obrenoviçët apo karagjorgjeviqët) në realitet edhe më shumë e veçon.
Me fjalë
tjera Garashanini u bë ideologu dhe inspiruesi jo vetëm i Daçiqit e Nikolqit
(dhe opozitarëve tjerë të tashëm) por edhe i Vladan Gjorgjeviqit, Jovan
Cvijiqit, Stevan Moljeviqit, Vasa Çubriloviqit e akademikëve dhe intelektualëve
tjerë serbë, qofshin ata anëtarë të Akademisë së Shkencave (SANU) apo të “Klubi
i shkrimtarëve” (restorantit në rrugën “Francuska
Prandaj,
kur i përcjellim ato që ndodhin jo vetëm me Luginën e Preshevës, por edhe me
trazirat në komunat veriore të Kosovës apo me rinegociatat mes përfaqësuesve të
Kosovës dhe Serbisë (me sihariqin e fundit “autonomi për Kosovën dhe autonomi
për serbët në Kosovë”) , gjithmonë duhet pasur parasysh (atë që sociologët e
quajnë) “modeli kulturor”, i cili u kultivua në Serbi këto 200 vitet e fundit.
“Modeli kulturor” d.m.th., sistemi i vlerave, tradita, botëkuptimet, mënyra se
si u rritën fëmijët (çfarë ninulle ju kënduan nënat e tyre), çfarë përralla ju
treguan gjyshërit, mënyra se si u edukuan, se si u shkolluan gjenerata të tëra.
Andaj “modeli kulturor” i shoqërisë serbe bëri që Serbia të fillojë gjenocidin
e fundit e jo vetëm politika e Milosheviqit. Sepse individi pa përkrahjen e
masës është e pa mundur të ndërmarrë aso projektesh.
Këtë
shumë mire e argumenton politologu dhe sociologu i njohur amerikan Goldhagen
(D. J) në veprën e tij (tashmë të famshme) “Ekzekutuesit (xhelatët) e
vullnetshëm të Hitlerit”. Ku argumentonte se ‘“arsyeja pse qytetarët e zakontë
gjermanë morën pjesë me vetëdëshirë (ashtu siç e titulloi librin ‘Ekzekutuesit
e vullnetshëm…) në holakaustë kundër hebrenjve ishte fakti se ‘antisemitizmi
eleminues’ ishte pjesë formuese e identitetit nacional gjermanë. Ky
antisemitizëm në Gjermani ishte i veçantë dhe nuk u zhvillua vetëm në kohën e
Hitlerit por shumë e shumë vite përpara tij. Prandaj, gjermanët e rëndomtë ishin
në gjendje që me vetëdëshirë e vullnet t’i vrasin hebrenjtë, siç e ilustron me
shembullin e ‘Batalionit të Policisë Rezerve
Ngjashëm
është edhe me Serbinë ku u kultivua “antishqiptarizmi eliminues” në vazhdimësi.
Bie fjala pse edhe çetnikët edhe komunistët serb bënë krime ndaj shqiptarëve në
ish-Jugosllavi edhe pse ata në Serbi e luftuan njëri tjetrin? Apo pse radikalët
dhe socialistët (të cilët nga definicioni duhet të jenë të ndryshëm), ndaj
Kosovës nuk kanë kurrfarë dallimi. Apo pse “demokrati” Zoran Gjingjiq (i cili
për këshilltarë e pati Dobrica Qosiqin), në vitin 1989, në “Klubin e
shkrimtarëve” (Francuska 7) kur mbajti fjalimin e tij “Milosheviqin e pati
krahasuar me Napoleonin në kali të bardhë i cili do ta shkatërrojë Jugosllavinë
feudale dhe do të sjellë demokracinë”.
Përgjigja
pra është te fakti se gjenerata të tëra janë të edukuara në të njëjtën frymë.
Po t’i marrim dhe lexojmë të gjitha programet nacionale serbe si: “Naçertanje”
të Garashaninit; apo “Serbia Homogjene - Mbi shtetin tonë dhe kufijtë e tij” të
Stevan Moljeviqit (këshilltari i Drazha Mihajloviqit); “Problemi i pakicave në
Jugosllavinë e re” të Vasa Çubrilloviqit; ose “Memorandumin e Akademisë së
Shkencave të Serbisë”, do të shohim se ato në esencë janë të njëjta: të gjitha
si zgjidhje predikojnë “ gjenocidin dhe pastrimin etnikë”.
Por edhe
strategjinë implementuese e kanë “kopie indigo”. Sa për hire të argumentit të
marrim si ilustrim rebelimin serb në Vojvodinë me 1848, kur serbet kërkonin
autonomi për Vojvodinën nga Austro-Hungaria për t’u mbrojtur nga “Policia
Magyari” të hungarezëve. Garashanini në atë kohë, si ministër i Punëve të
Brendshme shkruante se “vëllezërit tanë serbë të Vojvodinës presin ndihmë nga
ne për ta mposhtur armikun e tyre tradicional. Ne nuk mundemi të qëndrojmë pasivë
… Por, për shkak të situatës politike (lexo: në Evropë) në nuk mundemi t’iu
ndihmojmë atyre drejtpërsëdrejti publikisht, e vetmja mënyrë na mbetet që t’iu
ndihmojmë atyre në mënyrë sekrete”. Për këtë arsye u organizuan “vullnetarët”
të cilët të shumtën ishin pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe, që futeshin
në Vojvodinë në grupe të vogla. Armatimin, logjistikën dhe financat iu
siguronte shteti i Serbisë. Në kulmin e rebelimit ishin mbi 8.000 “vullnetarë”
serbë që luftonin për “çlirimin” e Vojvodinës.
Sigurisht se ky skenar lexuesit i duket familjar sepse është i njëjti që përdoret në Kosovë sot e kësaj dite. Zaten ky skenar u përdor edhe në vitet 1990-ta, gjithandej luftërave në vendet e ish-Jugosllavisë. Sigurisht se gjeneratave të pjekura iu kujtohen serbët e Kninit, të cilët bënin roje me armë “Thomson”. Ju kujtohet se si propaganda serbe nëpërmes “medies së verdhë” i arsyetonte ato si “armë të vjetra të cilët fshatarët i kanë ruajtur nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ato tashti i kanë nxjerrë për ta ruajtur veten nga rreziku ustash”. E në realitet sipas informatave tashti të dala në publik ato ishin Thomson-kat, të cilat UDB i kishte shpërndarë atje (rreth 4000 armë me 8 milionë plumba).