E shtune, 27.04.2024, 07:05 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Abaz Pllana: Manifestim madhështor në Lyon

E diele, 02.12.2012, 05:00 PM


Një manifestim madhështor në Lyon të Francës për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Nga Abaz Pllana

Sikur në të gjitha trojet shqiptare, ashtu edhe në diasporë ku ka shqiptarë, valët e festës dhe gëzimit përfshinë mërgatën shqiptare të Lyonit të Francës. Të premten më 30 nëntor 2012, me organizimin e Shoqërisë Shqiptare Iliria të Lyonit, u mbajt një mbrëmje festive që ishte njëra ndër festat më të bukura që janë mbajtur ndonjëherë në Francë apo Evropë.

Prezenca e ambasadorit shqiptar në Paris, në mesin e mërgimtarëve shqiptarë të Lyonit rriti edhe më shumë karakterin festiv të kësaj nate. Aq më shumë i dhanë karakter festiv kësaj mbrëmjeje festive edhe prezenca e dy miqve të mëdhenj të shqiptarëve, dy figurave të shquara publike franceze, Jacques Bruyas dhe Denis di Leonardo.

Mbrëmja festive u mbajt në sallën e mrekullueshme që ka një emër të madh, Victor Hugo, që është pjesë e kompleksit të Komunës së Lyon VI. Një skenë shumë e bukur siç mund ta meritojë 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

Pas një mori aktivitetesh të Ambasadorit shqiptar dhe Shoqërisë Shqiptare Iliria gjatë gjithë ditës, duhej të finalizohej me diçka të bukur në mbrëmjen e së premtes. U arrit kjo falë mundit dhe punës së organizatorëve duke mos harruar pa përmendur prezencën mjaft të madhe pjesëmarrësve mërgimtarë, që jetojnë larg vatrave të tyre atërore.

Mbrëmja u hap me hymnin e Flamurit, kurse një përshëndetje nga cilësia e organizatorit të pranishmëve iu drejtua nënkryetarja e Shoqërisë Shqiptare Iliria, zonja Rina Çela. Ajo shpalosi pjesët përbërëse të festës duke prezentuar edhe miqtë dhe të pranishmit e nderit që ishin në sallë.

Në fjalën e tij, zoti Ylljet Aliçkaj, ambasador i Shqipërisë në Francë, përshëndeti punën dhe unitetin e shqiptarëve rreth Shoqërisë Shqiptare Iliria. Ai përshëndeti punën dhe aktivitetin e veprimtarëve të kësaj Shoqërie duke konsideruar si një ndër Shoqëritë më aktive të diasporës. Ambasadori shqiptar foli gjithashtu për të arriturat e Shqipërisë dhe shqiptarëve në 100 vjetët e fundit duke vërë theksin në fitoren e Kosovës ndaj pushtuesit shekullor serb.

Në vazhdim të programit foli edhe kryetarja e Shoqërisë Shqiptare Iliria, zonja Ledia Dema, profesoreshë e Semantikës në Universitetin e Lyonit. Ajo mbajti referatin kryesor për rëndësinë historike të 28 Nêntorit. Dita e flamurit dhe e Pavarësisë marrin kuptim edhe më të madh – tha zonja Dema – kur në të njëjtën ditë shënojmë edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jasharit dhe daljes në skenë të UÇK-së që u ngrit në luftën çlirimtare për çlirimin e Kosovës.

Denis Di Leonardo, konsull nderi i Shqipërisë në Lyon, si çdo herë tjetër ishte në përbërjen e këtij organizimi. Ai foli për punën e madhe që bënin veprimtarët e kësaj Shoqërie për promovimin e kulturës shqiptare në Francë. Ai që kishte qenë një ndër bartësit kryesor të shumë aktiviteteve të natyrës ekonomike mes Francës dhe Shqipërisë, sonte ishte në mbështetje të një prezentimi akoma më të madh të shqiptarëve dhe Shqipërisë në Francë.

Një personalitet i njohur i letrave të gjuhës frënge është padyshim edhe intelektuali i madh francez Jacques Bruyas. Siç ndihej i lumtur në mesin e shqiptarëve në 100 vjetorin e pavarësisë, ai ndihej gjithashtu shumë i lumtur për një mbështetje që po i jepte një populli kaq të vjetër dhe kaq të pasur me virtyte të mëdha. Ai sonte foli edhe Justin Godard, një njeri i politikës franceze që ishte një admirues i madh i shqiptarëve. Ai është në krye të një Asociacioni që mban emrin Justin Godard, të njërit nga miqtë më të njohur të shqiptarëve në Francë.

Pas pjesës së parë të programit, këngët dhe vallet duhej ta plotësonin e ta përmbyllnin sa më mirë këtë mbrëmje festive. Dhe kjo përmbyllje e aktiviteteve për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk do të mund të bëhej më madhështor seç e bënë dy grupet muzikore – Shoqëria Kulturoro-artistike Iliria nga Saint Julieni dhe ansambli i këngëve dhe valleve Rinia nga Gjeneva.

Këngët tradicionale me sharki dhe çifteli kënduar nga Shoqëria Iliria e Saint Julienit nën udhëheqjen e muzikantit tashmë të dëshmuar, Mufail Hazirit, mbushi sallën Victor Hugo me duartrokitje të mëdha. Këngët atdhetare shqipe tundnin me kaq forcë mbi çatinë e kësaj salle sa të vjetër dhe prestigjioze. Repertori i këngëve nga ky grup entuziazmoi fuqishëm zemrat e mërgimtarëve shqiptarë që me aq mall presin të dëgjojnë zërin e çiftelisë.

Një paraqitje solo e artistes Lule Nikaj gjithashtu u prit shumë mirë në këtë përvjetor jubilar. Kënga "More e bukura More" u përcjell me duratrokitje të gjata.

Në fund të programit ishte paraparë koncerti i Ansamblit të këngëve dhe valleve Rinia nga Gjeneva. Një muzikë shumë e pastër shqiptare, me një përgatitje tejet profesionale, me një koreografi madhështore, me kostumet aq të bukura dhe me shije, ngritën në këmbë sallën. Megjithëse reputacionionin e madh të kësaj salle, nuk besoj se shpesh mund të dridhet me kaq forcë çatia e këtij institucioni kulturor. Të rejat dhe të rinjtë e ansamblit Rinia, tundën edhe më fuqishëm zemrat e pjesëmarrësve me prezentimin e tyre madhështor. Iu lumtë këtyre djemve dhe vajzave kaq të mrekullueshëm për punën në kultivimin e kulturës dhe traditave shqiptare. Një mirënjohje të posaçme duhet t’iu bëjmë atyre që punuan dhe punojnë me përgatitjen e këtij ansambli.

Në Lyon të Francës u shënua në mënyrë madhështore 100 vjetori i Pavarësisë. Valët festive vërshuan edhe mërgatën shqiptare. O sa mirë me kenë shqiptar – ishte një thënie që u dëgjua sa e sa herë edhe në festën  e shqiptarëve të Lyonit.

Në fund i entuziazmuar nga një mbrëmje kaq madhështore mund të them edhe njê herë më shumë "Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar".



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora