Mendime
Mihal Gjergji: Siguria kombëtare në kthetrat e egoizmit mediatik
E marte, 21.08.2012, 09:52 PM
SIGURIA
KOMBËTARE NË KTHETRAT E EGOIZMIT
MEDIATIK
NGA MIHAL GJERGJI
Parë
nga jashtë, Shërbimi Informativ Shtetëror duket i frikshëm e plot pushtet.
Sigurisht që, forcën ia jep ligji, sikurse edhe detyrimin për të grumbulluar, përpunuar e përcjellë
informacione konstatuese lidhur me veprimtarinë konkrete apo të mundshme
antiligjore, nga elementë apo grupime të organizuara, të cilat cënojnë
kryesisht sigurinë kombëtare. Po
realisht, a ka premisa për të qënë i
frikshëm ? Më tej akoma: a ndikon veprimi apo mosveprimi i këtij
shërbimi në vendimmarrjet qeveritare dhe suksesin e punëve shtetrore, pristigjin
e vendit dhe integritetin kombëtar?
Doemos që ndikon.
Javët
e fundit, thuajse çdo ditë, është bërë objekt i reagimit të mediave, kryesisht
nga zëra që dalin prej selive të partive të ndryshme politike, Shërbimi
Informativ Shtetëror, dhe asaj që i mëshohet më tepër, shkarkimit të Bahri
Shaqirit. Dosido, mes rreshtave të tyre deklarative apo fjalëve të pathëna,
mund ta lexosh qartazi edhe idenë që hedhin në formën e një ftese: hajde, vëndi yt është në radhët tona.
Drejtuesi i Shërbimit Informativ, sigurisht që është produkt i politikës, por
jo i punësuar i partive, as shërbëtor i bindur i tyre, por i shtetit dhe
interesave kombëtare. Atherë, përse duhet të përpunohet opinioni popullor me
gjëra që s’ia ndryshojnë përditshmërinë? Besoj se publiku s’merr informacionin
e nevojshëm për veprimtarinë apo arritjet e agjensive të informacionit, për
shkak të rujtjes së sekretit, por jo vetëm kaq, më shumë se do gjë, reagimin e
njerëzve e përcakton ana ekonomike dhe premisat për ta ndryshuar atë. Për
rrjedhojë, qytetari, aq më tepër intelektuali, s’mund ta dojë atë që s’e njeh
dhe s’mund ta luftojë atë që s’e urren. Lëvdohet i ikuri (i ikuri dhe i vdekuri
janë njëlloj,-thotë populli,- dhe për të vdekurit s’flitet keq!), ndërsa mbi
emrin e kreut të ri të Shërbimit Informativ, sapo emërohet, nxirren shigjetat
nga arkivat e urrejtjes dhe vendoset në syrin e ciklonit mediatik. Gjithçka i
shikohet me lente zmadhuese, edhe gjurmët që ka lënë, edhe thinjat e flokëve,
edhe brazdat e ballit, edhe ‘mëkatet’ e së kaluarës. Pra, të gjithë nxitojnë ti
bëjnë ‘qëllesën me gurë’ si Marie Madalenës. Mëkatërët kryqëzojnë një tjetër
‘mëkatar’ të panjohur nga publiku. Ende, askush s’ka pyetur: në ç’raport
qëndrojnë Shaqiri dhe Lika po të marrim si njësi matëse shqiptarizmin? Në
ç’kahje do lëvizte vektori? Paskëtaj, do ishte e natyrshme të pyetej për
maturimin intelektual dhe shkallën e vetëdijes qytetare. I pari, mesa jam
informuar, është duke përgatitur mbrojtjen e doktoraturës në fushën e sigurisë
kombëtare, ndërkohë që drejtuesi i sapoemëruar, e ka mbrojtur atë qyshkuar. I
pari ka studiuar për shkencat juridike, mirëpo shumë pak e ka ushtruar këtë
profesion. I dyti ka studiuar për shkencat ekzakte dhe është profesionist në
këtë fushë. Po të merreshin parasysh këta tregues, analizat do bëheshin krejt
ndryshe, do ishin më konkrete dhe bindëse për publikun. Atij që e do vëndin e
tij dhe që mishëron kapacitetet e duhura qytetare dhe intelektuale, s’ka arsye
pse të mos i besohen poste të rëndësishme drejtuese në administratën
shtetërore. Së paku kjo është edhe praktika më e përparuar që njohim.
Përgjithësisht,
bota është e përfshirë në kthetrat e egoizmit material, vazhdon të digjet në
zjarrminë e etheve të dollarit, ndërsa litari i varfërisë dhe krimit vazhdon ta shtrëngojë për fyti.
Institucionet shtetërore, në çdo cep të planetit, ndodhen në kthetrat e
egoizmit politik. Jo rrallë, politikën e përfytyroj si një shkop të madh, por
të bukur fildishi, i cili godet ritmikisht shpinën e krrusur të popullit. Se
cila pjesë e tij ka shpëtuar nga ndotja, syri juaj mund ta shikojë më mirë se
unë.
PSE
KAQ FRIKE NGA NDRYSHIMI
E
kam ndjekur me interes informacinoin në fjalë, kuptohet, vetëm ditët e
para, mandej, një gjellë që serviret
mëngjes e mbrëmje, të sjell neveri. Përgjithësisht, krijuesit i shoqëron në
mënyrë të pashmangshme edhe një lloj indinferentizmi, ndikuar kjo nga rëndësia
e problemit apo emrit konkret që lidhet me të. Sepse, të teshtijë Shaqiri, s’ka
arsye që Tiranës t’i rritet temperatura dhe të vrapojë mbas tij. Sigurisht,
s’bëhet fjalë për “bariun e grigjës”, duke tërhequr kështu vëmëndjen e
analistëve apo teologëve, bëhet fjalë vetëm për një bari të zakonshëm. Të
gjithë pyesin në mënyrë habitore: përse u shkarkua drejtuesi i SH.ISH-it ?
Ndërsa unë do të pyesja: Kujt duhet t’i ngrihet ‘kulti’: drejtuesit apo
institucionit? Simbolet apo mitet, përgjithësisht s’pajtohen me ecurinë
e qytetërimit modern, megjithëse bëhen frymëzues kur mishërojnë vlera. Por ne
s’kemi njerëz me statura të lartësisë së Allen Dulles, ideator, organizator dhe
mjeshtër në artin e spiunazhit. Atherë,
përse gjithë ky interesim për ish kreun e Shërbimit Informati? A i
meriton Ai gjithë këto kurora të thuruara enkas mbas largimit? Opinioni dhe
lexuesi shqiptar gjëndet para mitit të krijuar enkas, dhe gjithë kjo,
trumbetohet sikur të bëhej fjalë për mendimtarët e shquar të Rilindjes
Kombëtare (çuditërisht, rreth tyre flitet pak ose aspak!) apo për
personalitetet tona bashkëkohore; për Rexhep Qosen, princin e qartësisë
intelektuale në fushën e artit të shkruar, apo Ismail Kadarenë, për Kristo Frashërin, me studimet e tij të
vyera historike apo profesorin tjetër të nderuar, Pëllumb Xhufin, për
mendimtarin Moikom Zeqo me krijimtari të bollshme e të spikatur, apo studiuesin
e talentuar në fushën e sigurisë kombëtare dhe shërbimeve inteligjente, Irakli
Koçollari, për diplomatë e shkencëtarë të cilët s’na mungojnë. Askush s’merret
me atë që meriton vëmëndjen dhe interesimin e qytetarëve: në ç’lartësi
është aktualisht Shërbimi Informativ Shtetëror, në raport me detyrat e tij
kushtetuese ? Në praktikën e shërbimeve
sekrete më të konsoliduara, sikush ka vlerat e veta: inspektorët e rolit bazë
që operojnë brenda vendit dhe ushqejnë me informacion hallkat e tjera sipërore;
agjentët e influencës që operojnë në brendësi të shteteve kundërshtare;
agjentët e penetrimit, të infiltruar në institucionet publike apo brenda vetë
shërbimeve të fshehta të vendeve kundërshtare; agjentët e dyfishtë, që punojnë për shërbimin e fshehtë
të vendit kundërshtar me miratimin e shërbimit të fshehtë të vendit të
origjinës; agjentët specialë që kryejnë ndërhyrje nga më të vështirat; agjentët
e përgjumur të vendosur në vendin kundërshtar me veprimtari tërësisht të
ligjshme, në pritje për t’u aktivizuar në momentin e duhur; agjentët legalë, të
cilët veprojnë në vende të tjera me
mbulesë ligjore, duke përdorur statusin që buron kryesisht nga akreditimi
diplomatik etj. Mirëpo ne s’kemi eksperiencat e CIA-s:(Central Intelligence Agency), në SH.B.A, e
themeluar më 1947
MI6: (Military Intelligence,
Section 6), në Angli, e themeluar më 1909
GRU (Glavnoje
Razvedyvatel’noje Upravlenije), në Rusi, e themeluar më 1918
DGSE: (Direction Générale de la Sécurité
Extérieure) në Francë, e themeluar më 1982, zëvendësuesja e shërbimit të vjetër
të Inteligjencës, të MOSSAD-it në Izrael, etj.
Gjithashtu s’kemi mjetet e fuqishme financiare që ato disponojnë. Le të
kujtojmë se buxheti vjetor i
BND arrin në rreth 430. 000.000.Euro, e kështu me radhë. Në kushtet që
Shqipëria është vend anëtar i NATOS, po kështu, në kuadër të bashkëpunimit me
shërbimet sekrete partnere, kryesisht atë amerikan, a ka kontribute konkrete
shërbimi ynë dhe a janë vlerësuar praktikisht nga aleatët tanë? Cilat janë
kapacitetet intelektuale që punojnë brënda këtij institucioni dhe si mund të
përmirësohen ato? Si mund të ndryshojë financiarisht jetesa e këtyre punonjësve
në raport me vështirësitë e punës dhe përballjen me barikadat e krimit të
mirëorganizuar? Cilat janë kapacitetet drejtuese e
manxhuese dhe a duhet të ndryshojnë në raport me kërkesat e kohës? A krijohen
vlera brënda këtij shërbimi, nga ata, të cilët mbeten të heshtur dhe anonimë
deri në ditët e fundit të jetës së tyre, dhe a promovohen ato?
Në
këtë institucion të rëndësishëm informacioni, punën s’e bëjnë vetëm
këshilltarët që këshillohen, as drejtorët thuajse të përjetshëm të drejtorive
në bazë dhe në qëndër, të cilët edhe kur ndrrojnë kolltukët e së njëjtës
lartësi, i marrin me vete të preferuarit e tyre, tamam si vezirët në kohën e
sulltanatit. Ata janë gati të shesin gjithçka në këmbim të privilegjeve, madje
do ta quanin normale: ’’të hanë bukën e turkut dhe të bëjnë duvanë e kaurit’,
sepse rrënjët e tyre janë të vjetra dhe të thella. Peshën e punës e mbajnë mbi
shpatulla punonjësit e thjeshtë. Po a funksionon praktika e karierës sipas
punës dhe meritave të seicilit? Sa herë që ndrrohen titullarët, s’është e thënë
që të ndryshojë edhe rregullorja e brendëshme mbi bazën e së cilës, de jure
funksionon Shërbimi Informativ. Me ndërhyrjen e shefit të larguar të këtij
shërbimi, është ndryshuar një nga kriteret kryesore, duke i dhënë të drejtën
këtij të fundit, që për raste të veçanta, të emërojë punonjësin pa mbushur tre
vjet në bazë, duke gjykuar mbi ‘interesin’ e punës. Mirëpo kur rastet e veçanta
s’janë një e dy, por dhjetra e dhjetra, atherë kuptohet se si ka funksionuar ky
institucion. Emërimet nepotike qëndrojnë larg qasjeve që afron një sistem
demokratik. Pra, nëse do rikthehen në bazë, për të plotësuar periudhën tre
vjeçare, gjithë ata që kanë mbushur aparatin qëndror në sajë të lidhjeve
miqësore, çfarë do të ndodhë? Asgjë. Veç medias që do sigurojë ushqimin javor
duke publikuar “furtunën” në SH.I.SH, asnjë ekujlibër tjetër s’ka për tu
prishur. Punonjësve që do t’u largohen vendeve të pamerituara të punës, do tu
rikthehet në mënyrë graduale aftësia dhe dinjiteti i munguar profesional,
ndërsa Shërbimit Informativ do ti rikthehet shëndeti i munguar prej vitesh. Në
lojën e bukur por të vështirë të shahut, ushtari smund të lëvizë në kuadratin e
oficerit, sikurse ky i fundit s’mund të zërë vendin e mbretit apo mbretëreshës.
Në praktikën më të mirë të universiteteve perëndimore, asnjë master shkencor
s’mund të mbrohet para atij professional. Asnjë i diplomuar për mjekësi, smund
të fillojë punën si kirurg, kardiolog apo psikiatër, pa kryer specializimin aq
të nevojshëm pasuniversitar. Ka disa vite që në Shërbimin Informativ kanë gjetur
strehë të sigurt edhe njerëz të paaftë.
Janë pranuar jo pak ‘të diplomuar’ edhe nga universitetet tona private, shumica
me ‘master professional tre vjeçar’. Kjo kategori, de jure i nënshtrohet
‘testimit’ brenda institucionit. Niveli i mjerueshm i universiteteve tona
private, të cilët janë shndrruar në biznese fitimprurëse dhe vetëm dije s’kanë
filluar të prodhojnë ende, prodhojnë ‘Diploma’ në sasi të konsiderueshme për të
gjitha specialitetet. Besoj se do ishte mëse normale kufizimi I pranimeve nga universitetet
private, të paktën për një periudhë disavjeçare. Njerëzit e afërt të
biznesmenëve të fuqishëm, nipërit dhe mbesat e njerëzve të politikës apo
drejtorëve të drejtorive, mund të gjejnë edhe vënde të tjera pune në
administratën shtetërore, nëse do bëhen imponues me nivelin e tyre të
inteligjencës dhe profesionalizmit. Atherë, cila do jetë shtysa dhe stimuli i
brendshëm moral pë ata që dinë të punojnë dhe që prodhojnë rezultate?. Si mund ti kapërcejnë ata ferrat që i kanë
mbi kokë dhe nëpër këmbë? Brënda këtij institucioni ka edhe intelektualë,
njerëz që prodhojnë art dhe shkencë. Nuk ka arsye që ndaj tyre të vazhdojë të
mbahet një qëndrim reaksionar si në kohën e bizantit. Ata veçse mund të
ndihmojnë me kontributin e tyre të çmuar.
LARGIMI
I SHAQIRIT S’ËSHTË FUNDI I BOTËS
A
ka ardhur koha që, drejtuesi i ri i SH.I.SH të korigjojë me vendosmëri gabimet
e bëra si rezultat i neglizhencës apo paaftësisë së drejtuesve të mëparshëm?
Mos vallë kjo është çështje karakteri, detyrim ligjor apo alternativë e vetme
për prestigjin e institucionit dhe të vet drejtuesit të tij? Asnjë drejtues i
lartë s’mund të marrë përsipër të bëjë revolucion, sepse do dëshonte qysh në
krye, ndërsa ndryshime dobiprurëse, gjithmonë me frymë bashkpunimi, duhet dhe
mund t’i realizojë. Nëse drejtuesi i larguar i ka patur duart tërësisht të
lidhura nga vargonjtë e interesave, po ky i sapoemëruari, a do jetë i lirë
(nëse ka vullnetin!) nga politika dhe faktorë të tjerë që s’varen prej tij, për
të bërë ndryshimet e nevojshme? Kam
bindjen se roli i drejtuesit të parë është shumë përcaktues.
“Lidershipi,-shkruan Zbignew Brzezinski,-është pjesërisht çështje
karakteri, pjesërisht inteligjence, pjesërisht e organizimit dhe pjesërisht e
asaj që Makiaveli e quante “fat”…” Edhe diçka tjetër. Seicili drejtues i lartë
i këtyre niveleve, kryesisht i institucioneve të një rëndësie të veçantë, sapo
marrin kolltukun, humbasin maturinë nga magjepsja, para faktit se vetëm ata e
kanë privilegjin për të disponuar këtë pushtet të fuqishëm informacioni. Vetëkënaqësia
ka vetëm një çmim: trumfin e dështuar.
Të vërtetat kanë forcë të zgjojnë interesimin dhe vëmëndjen e lexuesit me koshiencë dhe vetëdije të maturuar, ndoshta edhe reagimin e tyre dashamirës. Të trajtosh të vërtetat, s’do të thotë se merr përsipër denigrimin e Shërbimit Informative Shtetëror, të këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Kurrsesi. Të flasësh për drejtuesin e këtij shërbimi, i cili në asnjë rrethanë s’mund t’a identifikojë veten me institucionin, s’do të thotë se synon denigrimin e figurës së tij. Sigurisht që jo. Të heshtësh, më keq akoma, do të thotë të humbasësh ndjeshmërinë dhe detyrimin moral për problematikat e vëndit tënd. Por pyetja shtrohet: Pse ka shumë frikë nga ndryshimi? Pse gjithë ky paragjykim i kotë, i pabazuar? Dhe më tej: Kush ka frikë nga ndryshimi? Dhe pse?