E premte, 02.05.2025, 02:51 AM (GMT+1)

Mendime

Dibran Demaku: Ministër-Po, Njeri-Jo!

E hene, 20.08.2012, 08:32 PM


MINISTËR-PO,  NJERI-JO!

Nga Dibran Demaku

Në një tregim popullor thuhet: Një baba kishte pasur vetëm një djalë. Por,  edhepse nje edhe i vetëm edhe ai kishte qenë i pahajër. Ishte munduar babai që ta edukonte, por ai me të vetën se me të vetën. Dhe kur e kishte kuptuar se i biri nuk përmirësohej një ditë i ishte drejtuar me fjalët:-Ikë! -i kishte thënë-e zoti të qoftë në hajër se ti nuk do të bëhesh kurrë njeri!

I biri ishte larguar nga shtëpia e babait dhe kishte shkuar larg,  shumë larg. Kishte shkuar në një vend ku nuk e njihte askush dhe aty kishte vendosur të fillonte të ndërtonte jetën e vet. Dhe siç thuhet në tregimin popullor atij i kishte buzëqeshur fati. Nuk dihet se ato që i kishte arritur

i kishte falë punës së nderëshme apo në ndonjë mënyrë tjetër, por në vendin ku ishte vendosur kishte arritur që të bëhej i pari i vendit. Pra, ishte bërë Pasha! (Tregimi popullor bën fjalë për kohën kur populli dhe vendi ynë ishte nën sundimin e Perandorisë osmane).

Pashait të ri i ishte kujtuar babai i tij dhe dita kur ai e kshte përzën(dëbuar) nga shtëpia duke i thënë se ai kurrë nuk do të bëhej njeri. Dhe kishte qeshur me mendimet e babait të tij!  Babai i kishte thënë se ai nuk do të bëhej kurrë njeri, ndërkaq ai kishte arritur të bëhej Pasha! Nën delirin e madhështisë ai kishte vendosur që ta sillte babanë e tij në sarajet e veta dhe t`i tregonte se ai kishte gabuar me mendimet për personin e tij. I kshte urdhëruar vartësit e vet që ata të urdhëronin sejmenet(ushtarët) që të shkonin në katundin ku ndodhej Plaku i tij dhe duke ua treguar emrin e Plakut,  ta merrnin dhe ta sillnin tek ai. Dhe kur vartësit i kishin thënë se nëse Plaku nuk do të bindej që të vinte ai u kishte thënë që sejmenet ta merrnin me zor( me dhunë).

Sejmenët e Pashait të ri kishin shkuar në katundin e Plakut dhe kishin pyetur për te. Dikush u kishte thënë se Plaku që ata kërkonin ishte në arë duke lëruar. Sejmenët kishin shkuar tek ara ku punonte Plaku dhe i kishin thënë se ai duhej të shkonte me ta. Kur Plaku i kishte pyetur se përse ai duhet të shkonte me ta,  ata i kishin thënë se kështu kishin urdhër nga Pashai i vendit. Plaku u kishte thënë se ai nuk njihte asnjë Pasha dhe se nuk do të shkonte me ta. Sejmenët i kishin thënë Plakut se ai gjithësesi duhej të shkonte me ta dhe kur Plaku nuk ishte bindur ata ia kishin lidhur duart dhe e kidhin detyruar të shkonte pas tyre. Sejmenët shkonin kaluar, ndërkaq Plaku i lidhur vraponte pas kuajve të tyre.

Kur kishin arritur në Sarajet e Pashait, Plakut sa nuk i kishte dalur shpirti nga lodhja. Ashtu të lodhur e të dërmuar e kishin futur në Sarajin e Pashait.

Pashai nuk e kishte prishur fare terezinë, por kishte pritur derisa Plaku ishte përmendur. Pasi Plaku ishte përmendur e kishte pyetur:-Plak a e di se ku ndodhesh?!  Plaku nuk ishte përgjegjur andaj Pashai kishte shtuar:-Ndodhesh para Pashait të vendit, që do të thotë para Pashait tënd!

-Unë nuk njoh asnjë Pasha! -i ishte përgjegjur Plaku.

-Mos u shpreh në atë mënyrë more matuf plak se a e di se çfarë të bëj! -ia kishte kthyer Pashai( e që ishte i biri i tij).

-Më merr të keqen! -ia kishte kthyer Plaku.

-Unë po të dua të marr shpirtin! -i ishte kërcënuar Pashai.

-Shpirtin ma merr veç ai i lumi! -ia kishte kthyer Plaku duke bër me dorë nga qielli dhe kishte vazhduar:-Kush më solli këtu?!

-Unë kam dhënë urdhër që të të sillnin këtu! -ia kishte kthyer Pashai duke qeshur.

-Pse çfarë të duhem unë?! -kishte shpërthyer Plaku. -Apo nuk ke punë të thjera dhe merresh me pleq more hajërsëz!

-Desha të të pyes diçka ore plak!

-Kot pyet se nuk të përgjigjem !  ia kishte kthyer Plaku.

-A më njeh ti mua?! -kishte vazhduar Pashai.

-As nuk të njoh e as nuk dua të të njoh!

-Më shiko së paku njëherë dhe mbase do të më njohësh!

-Të thash se as të njoh e sa nuk dua të të njoh ! -ia kishte ktheyr Plaku. Ju pashallarët jeni të gjithë njësoj dhe keni të njejtin zanat!

-E pra unë jam yt bir! -kishte thënë Pashai.

-Ti nuk je im bir! -ia kishte kthyer Plaku pa e shikuar fare.

-Unë jam yt bir! -ia kishte ktheyr Pashai. -Jam yt bir që më pate larguar nga shtëpia dhe më pate thënë:-Ik nga sytë këmbët sepse ti nuk do të bëhesh kurrë njeri! Ndërkaq siç e sheh unë jam bërë Pasha!

-Unë të njoha nga zëri more i shkretë qëkur më futën tek ti! -ia kishte kthyer Plaku, por nuk doja të besoja se ishte ti! As nuk dëshiroja!

-Deshe ose nuk deshe ti unë jam yt bir dhe jo pak,  por,  Pasha! E sheh o babai im se ti ke gabuar në raport me mua:-Thoje se unë kurrë nuk do të bëhesha njeri, ndërkaq unë u bëra Pasha!

-E i mjeri unë i mjeri! -kishte ofsharë Plaku. -Unë nuk kam thënë kurrë se ti nuk do të bëhesh Pasha, por kam thënë se ti nuk do të bëhesh kurrë njeri!  Dhe atë e përseris: Ti nuk do të bëhesh kurrë njeri!

-Pse a nuk është Pashai më i madh se njeriu ore babai im matuf! -ia kishte kthyer Pashai në mënyrë triumfale i bindur në fitoren e tij.

-Ti aq sa di edhe flet more i shkretë! -ia kishte kthyer Plaku.

-Jo unë di edhe më shumë! -ishte përgjegjur i biri i tij Pasha.

-Ti nuk di asgjë! -sikur e kishte kërcënuar Plaku.

-E si nuk ditkam asgjë kur unë jam Pasha?! -ia kishte kthyer i biri Pasha.

-Ti po të dije dhe po të ishe njeri do t`i urdhëroje sejmenët e tu të vinin e të më merrnin në mënyrë njerëzore dhe jo ashtu siç më morën! Ti po të ishe njeri do të vije vet tek unë more i shkretë e i mjeri unë për ty!  Andaj mua nuk më mbetët tjetër vetëm të iki nga këtu! - kishte thënë Plaku dhe ashtu këmba- doras kishte dalë nga pallati i Pashait pa marrë leje nga i biri i tij Pasha! . . , .

…edhe këtë verë që po ikën kisha shkuar në Kosovë. Një ditë të nxehtë korriku fill i vetëm po shëtisja nëpër bulevardin “Nëna Tereze” të kryeqytetit. Në të dy anët e bulevardit ndërtesa me fasada të reja që shkëlqenin nën rrezet e diellit veror. Shkëlqenin sidomos fasadat e ndërtesave qeveritare. Në ato ndërtesa hynin e dilnin qeveritarë të ndryshëm edhe ata të veshur në stilin e modës së fundit. . Qeveritarë të ndryshëm që fytyrat e tyre i kisha parë vetëm nëpërmes të ekranit të televizorit e të cilat fytyra tash po i shihnja nga afër. Ata kalonin nëpër bulavard me kokën lart dhe me fytyra të qeshura e të fryera nga shëndeti. Në anën tjetër në kënde të ndryshme të bulevardit kryesor të kryeqytetit lypsarë të ndryshëm që shtrinin duyrt e kërkonin lëmoshë. Një kontrast i tillë i jepte shije të keqe kryeqytetit. Qeveritarët e shëndetshëm dhe të veshur sipas sitilit të modës së fundit kalonin para lypsa

rëve dhe as që e kthenin kokën të shikonin nga ata të mjerë . Po e vrisja mendjen dhe po e pyesja vetën:-Vallë këta qeveritarët e vendit tim kanë humbur arsyen dhe orientimin në kohë e hapësirë?!

I kisha rënë disa herë fund e krye bulevardit dhe kur po doja të kthehesha në banesë krejt papritmas e ndjeva një dorë që më rëndoi mbi supin e djathtë. Ktheva kryet dhe shikova një fytyrë që të them të drejtën e njihja kaherë, por tash e rruar dhe e kruar sikur kishte ndryshuar paksa. Dhe nuk do ta njihja sikur mos ta kisha parë para pak kohësh në ekranin satelitor atje në vendin ku tash sa vite ndodhesha i mërguar. E shikova gjatë. Ai ishte rruar e kruar,  me një fjalë ishte pispillosur dhe i ngjante një dhëndërri që do të martohej sonte. Me rroba të reja të modës së fundit dhe me një kollare në qafë që i shkëlqente nën rrezet e ngrohta të diellit të korrikut.

-Po ku je bre miku im i shtrenjtë! -m`u drejtua ai rrëmbyeshëm.

-Nga pike ti këtu! -ia ktheva unë si i zënë në befasi.

-I pikuri këtë radhë je ti! -ma ktheu ai flakë për flakë-sepse unë jam gjithmonë këtu.

-Ke të drejtë! -ia kltheva unë. -Ne që jetojmë larg, kur vijmë këtu jemi të pikur e të shpikur!

-Po të shikoja nga dritarja e zyrës sime dhe nuk po u besoja syve të mij!  Ai nuk është miku im po i thoja vetës! Miku im do të më lajmëronte sapo të ateronte në aeroport! -po dërdëlliste ai.

-Ja që këtë radhë kam ardhur me makinë! -ia ktheva unë.

-Dhe nuk trokite në derën time! Desha të them në derën e zyrës sime?!

-E ku ta dija unë se cila është dera e zyrës sate! -ia ktheva unë, ndërkaq në ato momente më erdhi në mendje figura e tij e shfaqur në ekranin e televzionit publik para ca kohësh. Edhe atë herë ai ishte i veshur,  i rruar e i kruar,  i pispillosur si sot.

-Zyra ime ndodhet në katin e shtatë të ndertesës së Qeverisë! -ma ktheu ai me një mburrje që i vërehej në gjeste e në sy.

-Që kur punon në atë zyrë?- e pyeta unë sa për mirësjellje.

-Kaherë! -ma ktheu ai në mënyrë triumfale.

-Urime! -ia ktheva unë.

-Të falemnderit për urimet! Por, nuk do të mbetemi me kaq. Do të ulemi në veranden e hotelit të biznesmenit tonë të njohur dhe të pijmë nga një gotë!

Arsyetimet e mija që i nxora në ato momente tek ai nuk pinë ujë. Ai ishte i vendosur në të tijën dhe mua nuk më mbetej tjetër vetëm të shkoja pas tij.

Nga veranda e hotelit ku ishim ulur shihej thuajse i tërë bulevardi kryesor i kryeqytetit. Në ato momente kur ishim ulur ne atje nëpër bulevard defilonin njerëz të moshave dhe të gjinive të ndryshme si me porosi. ”Miku im” herë pas here i përshëndeste ata me dorë dhe ndjehej shumë i lumtur dhe krenar. Nuk e di nëse ata që i përshëndeste ky e njhnin apo jo, vetëm pothuajse asnjëri nuk ia kthente përshëndetjen. Në ato momente në mendje më vetëtiu mendimi se mbase ai këto veprime i bënte që të tregohej para meje se sa i rëndësishëm ishte personaliteti i tij! Kjo gjë sikur e nxiti kureshtjen time andaj e pyeta:- Kaq shumë të njohur,  ke?!

-Që nga fillimi i punës sime në ministri,  ata më njohin mua! Ata janë shumë dhe domosdo që do të më njohin mua që jam një,  Njëshi! - dhe buzëqeshi.

-Pse punën e ministrit e bën ti?! -e pyeta pa të keq.

-Të ministrit jo, por aty afër!

-Sa afër?!

-Jam këshiltar i ministrit!

-?! …

-Këshilltar i ministrit?! -Bukur,  besa!  Dhe e ke shkollimin adekuat për punën që bën?!

-E kam mbaruar fakultetin!

-Cilin fakultet?!

-Atë që më duhej!

-Aha!  Domethënë fakultet me porosi?!

-Me porosi ose jo unë e mora diplomën që më duhej.

-Në cilin Universitet?!

-Mos po pyet pak si shumë?! - ma ktheu ai i ndezur në fytyrë.

-Mbase ty këto pyetje të duken si të tepërta, ndërkaq për mua janë më se normale!

-Të thash se e kam mbaruar fakultetin dhe se kam diplomë! -ma ktheu flakë për flakë. -Nuk të mjafton ty kjo?!

-Këto diplomat e pasluftës sikur nuk ma mbushin mendjen! -ia ktheva unë. - Dhe kur kësaj t`i shtohet edhe mosha e disa të diplomuarve nga ju! . . .

-Ty nuk të mbushet mendja sepse ke inat! Kush të ka faj që mbete nëpër ato skutat e perendimit dhe nuk u ktheve kur ishte koha?!

-E kur ishte koha e kthimit sipas teje?!

-Ishte koha atëherë kur luftohej për këtë vend!

-Ti u ktheve atëherë?! …

-Jo,  u ktheve ti! -ma ktheu me inat që i vërehej në të gjitha pjesët e fytyrës.

-Përse nxehesh! -ia ktheva unë. -Ti vetë më ftove të pijmë nga një gotë dhe tash kërcet si zorra në prush?!

-Ti gjithmonë ke qenë i tillë!  Dhe i tillë do të mbetesh!  Mohues i gjthëçkaje!

-Përse,  çfarë mohova unë!  -e pyeta.

-Po ja ti mohon diplomën time të Universitetit.  Mohon punën time! Ndërkaq deshe ti apo jo unë sot bëj punën e këshilltarit të ministrit!  Sot këshillëtar e nesër…nuk i dihet…Nesër mund të bëhem edhe ministër! …

-Ministër-po , edhe mund të bëhesh, por njeri-jo! -ia ktheva unë fare i qetë i bindur se ai do të shpërthente pas fjalës sime.

Për habinë time ai nuk e tha asnjë fjalë, por u ngrit rrëmbyeshëm dhe iku.

Në ato momente seç më erdhi në mendje edhe një herë Pashai i tregimit popullor…



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx