Mendime
Redan Bushati: I shtypuri shtyp
E diele, 22.07.2012, 09:53 AM
I
shtypuri shtyp
Nga Redan BUSHATI
« Klika
e natës dhe e turpit nxjer për ditë ''gazeta'' të reja, të paguara nga arka e
Shtetit. Mendimi i klikës sodomite dhe hajdute është, duke botuar shumë gazeta,
t'i japë botës besimin që ka një shtyp të gjerë në Shqipëri dhe që ky shtyp,
shtypi i tërë pothuaj, mban anën e kabinetit që çqeveris Shqipërinë. » - këto
janë dy fjalitë hyrëse të artikullit ''Nga tryeza e kryetarit'', nëntitulli
''Klika e natës dhe e turpit'' e mendjendriturit Faik Konitza, të botuar më 31
mars 1923 në gazetën ''Dielli''. Dhe sot pas 89 vjetësh, artikulli i Konicës është
tejet aktual, veçan hyrja e tij, ku me dy fjali, si rrallëkush, jep panoramën
dhe fatin e shtypit shqiptar: dje, sot, me gjasë dhe nesër, nëse larot e pendës
do të shtohen dhe nëse populli shqiptar, pavarësisht se e kupton lojën e
pushtetit-shtet, zgjedh të mjaftohet me kapërdimjen e saj mbytëse.
Në të njëjtin
artikull, po nëntitulli ''Larot e pendës'', mes të tjerash poligloti shqiptar
thekson « … larot e pendës kanë një shesh të lirë, mbushin xhepat, dhe kënaqin
instinktin e skllavit, i cili kërkon kurdoherë të fëlliqë dhe të shajë gjërat më
të lartëra... ». A s'po bëjnë vallë këtë, me përpikëri dhe angazhim të jashtëzakonshëm,
një ''industri'' e madhe mediatike në Shqipëri?! Pa më tregoni pakëz, për të më
bindur, emrat e kujt media kanë mbetur pa u skllavëruar dhe gazetarët e cilës së
përditshme shqiptare pa shërbyer si laro të pendës! Në ndërgjegjen time, përgjigjja
për numrin e medias nuk i kalon gishtërinjtë e njërës dorë; ndërsa për gazetarët
nuk di ç'të them, di veç se në ka profesion në vendin tonë më të nëpërkëmbur e
të pambrojtur financiarisht e fizikisht është: gazetaria.
Pyetjet,
përgjigjet e sakta (të drejta) të së cilës japin edhe tablon e gjendjes së medias
në vendin tonë, janë: a) Si financohet media në Shqipëri? (Sot ''industria e
medias'' është një nga sektorët me humbje ekonomike, por që çuditërisht asnjë media
nuk falimenton!); b) Kush e financon median shqiptare? dhe c) Nëse kjo e
fundit, media, ashtu siç rëndom përflitet, financohet nga njerëz të pushtetit
apo të lidhur ngushtësisht me të, mafiozë të lidhur me shtetin, pronarë që kërkojnë
favorizimin e bizneseve të tjera të tyre etj., atëherë pyetja që shtrohet është
''Si mund të besohet në një media të lirë dhe të pavarur, nëse ajo është e
kapur nga interesa meskine dhe klane mafioze?''
Media
shqiptare është një pushtet me fuqi të papërgjegjshme, ku secili mund të thotë
ç'të dojë dhe të nxjerrë llum nga goja, sepse asgjë s'e ndalon, pengon apo
penalizon atë. Nga ana tjetër, shtypi shqiptar, pavarësisht përmirësimeve të pjesshme,
nuk i përgjigjet ritmit dhe nevojave të zhvillimeve globaleve, të diktuara edhe
mbi trupin e Shqipërisë. Shtypi shqiptar është kthyer në një monopol, i cili
menaxhohet nga faktorë të ndryshëm me dhe në pushtet, që derdhin të holla për
mbajtjen në këmbë (fuqi) të grupit të tyre mediatik.
Rasti i
gazetës « Tema » është një shembull sesi fytyra e baltosur e një pushteti
rrënon një gazetë nga themelet, edhe pse ajo vazhdon të mbahet, së paku në dukje,
me sakrifica të mëdha, por tirazhi i së cilës është fare pak i ndjeshëm. Duke
mos mjaftuar vështirësitë e daljes së saj në treg, kjo gazetë ndeshet në vështirësi
të herëpashershme edhe me daljen e saj në internet – nga sulmet e hackerave apo
vullnetarprishësve, që presin ''dekorata'' nga pushteti. Vetë botuesi i saj,
Mero Baze, në studimin e Sokol Ballës ''Fjala e lirë, sfidë Europiane'', në faqen
54, mes të tjerash deklaron « Duke më ndëshkuar mua me të gjitha metodat,
fizike, financiare dhe familjare, ai (Sali Berisha) ka kërkuar të kalojë një mesazh
frike në median shqiptare ». Një rast i fundit, por jo i vetëm, është edhe
mënyra mbytëse e kërcënuese, ku inspektorët e kontrollit tatimor plot krekosje,
trokasin në dyert e gazetës « Shqiptarja.com ». Inspektorët,
kryesisht njerëz të aftë të pushtetit në vjeljen e kujt të mundin në Shqipëri,
nuk kishin se nga të shkonin tjetër, por drejt e në dyert e një gazete, e cila
akoma s'ka mbushur vitin e parë të botimit – ndërkaq gazeta të tjera që merren
me libër shtëpie të atij e këtij dhe çfarë lajthitjesh e gënjeshtrat botojnë,
nuk njohin uniformat e tatimorëve prej vitesh, edhe pse kanë shumë e shumë kohë
në treg. Kjo nuk do të thotë aspak se një media nuk duhet t'i nënshtrohet
kontrollit fiskal, porse është e çuditshme sesi sapo një biznes ndodhet në hapat
e parë të tij, inspektorët mbijnë si kërpudhat mbas shiut. Të ishte për ndonjë të
huaj, do të thuhej: hajt. Por ne, që e njohim çdo pëllëmbë të Shqipërisë, e dimë
se ato inspektorë janë të dërguarit e pushtetit për të mbyllur gojën e atyre
pak mediave të lira në vend. Turp!
Kulmi i
absurdit dhe ironisë qëndron tek TVSH-ja, - lavire që epshëm i jepet epshit me çdo
pushtet në Shqipëri, - siç thotë po Faik Konica në artikullin e lartpërmendur « ...nevojat
dhe idealet e Popullit lëftohen me financa të shtrydhura nga gjaku i Popullit! »,
secili prej nesh është taksapagues i rregullt apo i detyruar për të qenë i tillë
i Radio Televizionit Publik Shqiptar. Dhe ç'na shfaq çdo ditë TVSH-ja jonë e
dashur, veçse ''orgjitë'' e larove të pendës me eprorët e tyre pushtetar?!
Një ndër
gazetarët e shquar amerikan të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Edward R. Morrow
është shprehur « Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini
kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë
vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një
histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe
çfarë qe ». Por, harrojeni se do të arrini deri këtu: shpirti i këtij
populli do të ngrihet si uragan ditën më të bukur tuajën, që t'ju hedhë në greminën,
që ju vetë po ia hapni atij. Andaj, shporruni o të mjerë, që po i pini çdo ditë
e më tepër, pa njohur ngopje, gjakun popullit shqiptar! Shkarrashkruani sa të mundni
në gazeta, libra historirash apo edhe krijoni me kurvërinë tuaj një histori
krejt të re të kombit shqiptar, duke ju mësuar brezave të pavërteta, e si
rrjedhojë duke rritur gjithnjë e më shumë lule të vyshkura. Po gajle mos kini,
një ditë babëzia juaj do të ndalet, e kjo s'ka pikë dyshimi.
Siç u përbalt
At Gjergj Fishta për mbi 45 vjet me radhë, ashtu po bëni edhe ju sot me mjaft
intelektualë dhe njerëz të lartë shqiptarë. Po harruat, me (pa) dashje, se
epilogu i nënës suaj parti ishte i trishtë – sot babai juaj shpirtëror, Enver
Hoxha, përbuzet me përçmim nga e gjithë populli shqiptar, – kështu do të ndodhë
nesër edhe me ju brenda ndërgjegjes së fëmijëve tanë. Ju që shkruani kodra mbas
bregut, faqe të tëra gazetash e librash me të pavërteta, duke iu mbushur
mendjen shqiptarëve me lulëzime ekonomike imagjinare e me të tjera përralla si
këto, në Hadin e memories intelektuale shqiptare do të përfundoni. Zullumqarë!
Në fund,
kurajë për median e shtypin e lirë e të pavarur shqiptar. E si për t'ju ndihur,
sadopak më tej në veprimtarinë tuaj, po e mbyll me eruditin shqiptar, Faik
Konica, ku mes të tjerash në një letërkëmbim me një funksionarë të lartë austriak,
shkruan « Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë rëndësinë e pasjes së shumë lexuesve,
por unë kuptoj atë të pasjes së lexuesve të mirë, të pakët në numër ndofta, por
të mençur, të aftë për të kuptuar dhe përhapur atë që kanë kuptuar ».