Kulturë
Ndue Ukaj: Poezia e Ali Podrimjes
E shtune, 21.07.2012, 07:25 PM
Poezia si
vetidentifikim
Nga Ndue Ukaj
Poezia e
Ali Podrimjes, në rrafshin e komunikimit artistik, si poetikë e sistem
komunikues gjuhësor, por edhe stilistikë, në botën letrare shqipe, paraqitet e
veçantë, karakteristikat e së cilët dallohen në strukturën e vargut, por më
fuqishëm, në rrafshin e ideve. Në rrafshin e elementeve konstituive poetike,
kjo poezi, me shtresën e tingujve dhe cilësitë ritmike, shpërfaq tekstualiet të
gjallë e dramatik. Podrmija, duke qenë
poet më perceptime të thella, me botë të pasur imagjinatave e inovacion
të bujshëm artistik, përmes asociacionit të imazheve dhe figurave, konfiguron
vargje lakonike, ku shquhet, përveç tjerash, mprehtësia dhe thellësia
filozofike e mesazhe, të cilat konotojnë dhe kështu, shtresojnë elementet
bazike të një poetike moderne, përmasat e së cilës poetikë, vazhdojnë të
përcjellin tendencat avancuese në artin poetik. Autori luan mjeshtërisht me
simbole dhe metafora, të cilat i mvesh me shtresa tekstesh a figurash arkitekstuale,
të cilat marrin statusin e shenjave poetike, të shënjuara poetike, që
përcjellin mesazhe dhe funksionalizojnë perceptimet e poetit, për dukurit të
cilat i shkruan. Gjitha këto elemente poetik, i japin poezisë së tij një impuls
të veçantë në kuadër të poezisë shqipe.
Poezia e
Ali Podrimjës artikulohet përmes një sistemi figurativ të përpunuar, e të konsoliduar, ku ndeshim figurat stilistike të
fuqishme, me një predominancë të metaforave dhe simboleve, që enden se
shënjuese të stilit podrimjan. Poeti, stilin dhe diskursin e tij poetik e
ndërton duke harmonizuar ndjeshmërinë dhe përvojën letrare si eksperiencë. Kjo
e bën poezinë e tij universale, sa do që, ajo të shumtën e herëve, frymon nëpër
ambientin shqiptar, motivohet prej tij dhe ka qëllim intencional përmbushjën e
misionit të pikasjes së historisë së qenies shqiptare në poezi.
Në
relacion poetik, mes subjektit (poetit) dhe objektit, gjithmonë ekziston
empiria letrare e cila merr status të fuqishëm; autori i shmanget patetizimt
poetik dhe ndërton tipin e poezisë me përlotë ekuivokë, ku shquhet sidomos
mendimi i thellë.
Poezia e
Podrimjes, në esencë, shtreson ide e situata që paraqesin shpirtin e trazuar të
subjektit, kundruall universit të pafundmë, në të cilin lundron imagjinata e
tij poetike dhe thithë përvojat me specifike të këtij universi. Për të
realizuar pastaj, përmes shenjave poetike, biblën e tij të jetës, diskursin e
shumëllojshëm poetik dhe semantikën e jetës si art dhe artit si jetë. Poeti
Podrimja gjithnjë kërkon të gjejë mjete të reja të shprehjes artistike, andaj
edhe tipi i poezisë së tij gjithmonë del i freskët, stili evolues.
Në
poezinë e tij ndeshim një gamë e gjerë temash e problemesh, por edhe
shumëllojshmëri trajtash e mjetesh ligjërimore. Podrimja, herë del si poet i
revoltës dhe i rezistencës (për të shëmbëllyer me Migjenin e Nolin), herë me
shpirtin e pasionuar të rrëfimit homerik (për të shëmbëllyer me Gjergj
Fishtën). Idealet e tij poetik, përveç se kanë qëllim funksionale, ato
korrespondojnë thellë, në këtë kontekst, më poet të mëdhenj klasik shqiptar.
Është
mendim i pranuar në kritikën shqipe se Podrimja në poezinë bashkëkohëse shqipe
solli një ndjeshmëri dhe intonacion të ri poetik, një tip të poezisë që kërkon
esencat dhe i manifeston përmes gjuhës së goditur e figurave të përpunuara.
Në librin
me poezi “Pikë e zezë në blu”, Onufri, Tiranë, 2005), poeti Podrmja qysh në
titull sikundër shpalos platformën poetike, kur konfronton dy figura poetike të
fuqishme, figura këto të cilat dalin në kontrast pazakonshëm; dy figura që janë
ngjyra të ashpra të krijimtarisë së tij poetike: e zeza, si personifikim i së
keqes, element që shtresohet në dimensione kërkimore e intecionale, dhe e
kaltra si ngjyrë lumturie, e njollosur nga pika e zezë, e cila prish harmoninë
dhe bukurinë estetike, tash jo vetëm të poezisë, por edhe ekzistencës së
poetit. Pika e zë në blu, është metaforë për vërsuljet që ju bëhen lumturisë së
poetit, dashurisë, harresë, por kjo pikë e zezë në blu bëhet shenjë estetike e
kondensuar dhe me nuanca emocionale, prej së cilës sajohet një tip i poezisë së
mendimit të thellë dhe filozofike. Këto vërsulje, autori i nxjerr herë nga
subjektiviteti personal, e herë-herë nga ndjesimet kolektive, nga fatet dhe
fatkeqësitë e kombit të tij, nga mjerimi, i cili siç shprehet ai “të lë pa u
larë”. Për të shpërthyer në poezinë “Biblike” që e hap këtë përmbledhje, me një
mllef të papërmbajtur, por të realizuar poetikisht: “Në tokën tende/ të qosh
jetë refugjati/mallkim gjaku”.
Bota
letrare e poezisë së Podrijmës është e gjerë. Ajo shtrihet neper hapësira
etnike e universale, ndërsa autori fatet e popullit të tij, që janë edhe fatet
i tij, i pikasë me trajta të fuqishme retorike, ku metaforat dhe figurat e
mendimit krijojnë imazhet universale, herë të trishta, e herë gazmore.
Ky libër
poezish, është i ndarë në pesë cikle poetike: Imazhe i akullt, Maratonë nga
Iliria, Mes ujit të madh dhe ëndrrës,
Pikë ë zezë në blu, Bregu ja errët, të cilat shtresojnë një numër vjersha të
botuara nëpër kohë të ndryshme, e në të cilat poeti rrekët së trajtuar për
fenomene të ndryshme të qenësisë së njeriut dhe përpalljes së tij me furtunat e
jetës. Poezia shikuar përgjithësisht, evokon situata e fenomene që lidhen më
gjendjen e kombi të tij, veçanërisht Kosovës. Poeti evokon situata të ndryshme
ekzistenciale, të cilat në sensin “gjykues të pietetit” marrin atribute
revoltuese. Për të funksionalizuar këtë, inkorporon në vargje figura të dendura
sarkastike, përmes një gjuhe që nuancohet me shenja humori të hidhur: autori
është i shqetësuar për trendët e kohës nën qiellin e tokës së tij, pastaj
hedhet në revoltë therëse, siç del tek vargjet Lehje atje poshtë: U ka dalë
zëri/ Heronj apo brejtës. Poeti Ali Podrimja, përmes metaforave të dendura dhe
sistemit gjuhësor të përpunuar me mjeshtëri artistike, hedhet ne furtunat e
jetës dhe sfidon kohët, duke u trandur në shpirt, siç del tek vargu: “Delja e
livadhit shëtit Njeriun”. Kjo metaforë dhe ky mesazh poetik, si kontrast
figurativ, sfidon të bukurën dhe godet ashpër dukuritë që e dezorientojnë
njeriun e kohës. Prandaj edhe trishtohet nga “Përmendorja e viçit”: Viçi ynë më
në fund/ Meriton një përmendore.
Në
letërsinë shqipe, Podrimja njihet si poet, i cili kultivon vargun e kondensuar,
me një sistem figurash e trajtash retorike që çrendomtësohen (nocion i formalistëve
rus) nga trajtat konvencionale të poezisë shqipe. Në këtë segment, poeti hedhet
në krah të tendencave të transformimit të strukturës poetike; autori nga tipi i
ligjërimit të zakonshëm, kalon në ligjërim atributiv, ku ndeshim sistem të
përpunuar figurash e trajtash poetike, në të cilin plan, rrafshi estetik, pa
asnjë shmangie mbetet esencial dhe predeterminues.
Poezia e
Ali Podrimës i përket korpusit të poezisë shqipe që ec në rrafshin e ecjes pas
novatores dhe tendencave të hapura të poezisë. Modernia (si koncept që shënjon
shkëputje nga tradite dhe shënjon prurje të reja) në poezinë e Podrijmës, është
e dukshme. Kështu që në letërsinë shqipe ju bashkangjitur një plejade të tërë
poetësh të mirëfilltë, të cilët ditën t’i shmangeshin ideologjisë në art e jetë
(kujtojmë Mirko Gashin, Azem Shkrelin, Fredrik Reshpjan, Visar Zhtin, etj.)
Poezia e
Podrimës, vargjet në përgjithësi janë sintetike. Përveç tjerash, atë e
karakterizon nganjëherë një dimension ironie, i pulsuar nga dridhmat dhe
tronditjet e poetit kundrejt tyre:
Kështu
tek poezi “Nëna zbret në zemër të dheut”, poeti esencat e botës së ndjeshmeve
të tij i rrumbullakon tek zhbërja, nga e cila ka ankth: “Edhe fjala e fundit
kur më tha/gabimi i identitetit si hije më ndjek/ e unë zihem me ligjet. Në
këtë sens, autori ndjehet i irrituar me pozicionin e qenies të tij nacionale
midis dy qytetërimeve, prandaj me dele thotë nuk dilet në Pazar/ prandaj edhe
litari e ka lidhur lak/ duke mos e mbajtur as lëshuar.
Gama e
interesimeve poetike të Podrimjës është e gjerë, prek tema e probleme të kohës,
të shkuar dhe të së ardhmes. Objekti i
tij artistik, korrespondon me situata aktuale, por edhe të së kaluarës. Poeti
jep krizën e përgjithshme me bota të fuqishme, kund edhe më diskurs dramatik.
Në këtë aspekt, vlen të përmendet poezia “I marri sokaqeve tona”, ku me shtresa
të ndryshme motivesh, autori përplasë në vargje fatin a “kasdabnës sonë”.
Gjitha këto kanë një dimension të fuqishëm ironik.
Poezia e
Podrimjes referencën inspiruese e ka shpeshherë nëpër ambientin shqiptar, e
ndërlidh kund e kund me personalitet të rëndësishme historike dhe këto i vënë
funksion të intencionalitetit poetik.
Tek
poezia Udhëtimi nëpër pyll, poeti ka frikë nga të panjohurat, andaj obsesioni i
tij shpërthen hovshëm: Kujdes se Malin e pa shkelë/Mund ta terrojnë dhe
perënditë/e dot ta gjesh/Itakën. Për të ikur ndonjëherë nga temat e rënda,
poeti nuk lenë pa prekur edhe tema intime, e cila temë, edhe pse nuk paraqitet
në shumësi, karakterizohet për vlera universale (poezitë Cunami nën Çarçaf si
dhe Përflakja e trupave).
Shikuar
përgjithësisht, Ali Podrimja poezinë jo vetëm se e ka vokacion, por atë e
kultivon me shije të hollë artistike. Në strukturën e poezisë së tij kemi një
ligjërim poetike të avancuar, me trajta shumëformëshe shprehëse. Përveç se e ka
esencë të ligjërimit figurën dhe goditjet e fuqishme e ironike, fjalëformimin i
tij i ndërtuar kryesisht me vargje lakonik, në gramatikën poetikë të së cilit
inkorporon një gjuhë të gjallë. Në këtë aspekt, kodet dhe diskurset
shumëformëshe kulturore e letrare, me ide e motive të nduarndurëshme,
sintetizojnë portretin e një poeti të madh dhe produktin e tij- një poezi
universale.
(Ky
tekst, është botuar në disa media shqiptare të përditshme dhe kulturore në
vitin 2007)