Kulturë
Alma Begaj: Cikël me poezi nga libri “Shikim që sfidon distancat”
E shtune, 24.03.2012, 03:55 PM
Alma Begaj
Cikël me poezi, shkëputur nga libri “Shikim që sfidon distancat”
GODITJE DIELLI?
Një sy,
po sheh mbi shpinë..
Në trup,
kalon drithërimë..
Një rrotullim,
njëqind e tëtëdhjetë gradë..
Fuqishëm,
pushtohen
dy palë krahë..
Goditje dielli?
Në brendësi
mes dy buzëve,
një gjuhë e nxehtë
hedh valle,
dëshirën ndez..!
Duart,
hutohen,
ngatërrohen,
rreth belit ndërthuren..e,
shkasin më poshtë
në trup..
e, psherëtima gulçon
si melodia hyjnore.
MUZIKA E DETIT
Shiko se ç’bëhet në det..!
Është koha e lojës
së muzikës së shpirtit..!
Nuk jam,
nuk jam aspak gati ta marr
vallen e sirenave..
Çdo herë,
mendimi është diku tjetër..!
..të palodhshme janë valët,
në ndjekje të njëra-tjetrës,
unë, vazhdoj në kërkim
të dritës që pasqyrohet
mbi ujë, si në një copë xhami,
..realitet i pakapshëm..!
Shiko të lutem,
shih ç’bëhet në det..!
Dashuria,
ka marrë krahët e fluturimit
në përmbushjen e shpirtit
e ma krip frymën,
me parfumin tënd!
LETËR ME NGJYRA
Sot,
në mëngjes,
m’kish ardh’ një letër.
Ishte me ngjyra,
që reflektonte
mes vijave të qeta,
Vilën n’majë t’kodrës
plot me shkëlqim;
Mbaj mend,
butësinë e lëkurës tënde,
prekjen e duarve të tua,
e atje tej,
m’mbytet shpirti,
mendimet,
m’treten si vesë..
MUZGU I VERËS
Muzgu,
në çastin e fundit
zgjeroi dritaren,
e, dielli,
nënshkroi me trëndafila
qiellin..
ajri i pastër m’i zgjeroi venat..!
Vera,
është një kujtim i nxehtë,
e ruhet në zemër,
për netët e ftohta të dimrit..!
MENDIMET NË PROTESTË
Lumenjtë e kokës time,
vërshojnë
në çdo udhëkqryq,
bllokohen
në udhët qorre,
e shpërthejnë
gjithë paretet anësore,
madje kur buçasin,
dhimbje më shkaktojnë,
të dalin kërkojnë,
përmes çdo fije floku..!
JASHTË ENDET GJUMI IM
Si unë, edhe gjumi im,
çdo natë shohim hijet
që na i thithin ajrin,
e lëkurën ma lajnë deri në agim.
Faleminderit ty, kujdestar
i ëndrrave të mia të egra,
që shoqëron pagjumësinë time
deri në këngën e kokoshit të tretë.
Mbi dritaren time të verës,
hëna zgjat kokën me shikim të butë,
më pëshpërit melodi ninulle,
deri sa të më vërë në gjumë.
SHOH NGA POSHTË
Zot, të falem për gjatësinë time!
Ma ke zgjedhur bukur një metër e pesëdhjetë.
Më mjafton ta shoh nga poshtë-lart, lisin e malin.
Me sy e shikim lart mbeta!
VERBËRI
Sot, me symbyllur po shkruaj,
Shkronjat, nuk di si renditen vetiu,
Agu i mëngjesit, sytë m’i verboi,
Me lot vese m’i lau, e dot s’m’i shëroi.
KËMBËZBATHURA
Det i trazuar në muzg,
këmbëzbathur kripem në çdo ind,
e dielli përmes valëve plot shkumë,
më qesh ndërsa shkon në perëndim.
KRAHËT E ERËS M’I HEQIN RRUDHAT
Valëzimet e reve tej në qiell,
me format që ua laton era,
dhe krahët e zogjve mbi det,
mbi ballin tim, tendosin rrudhat..!
Durrës 31.07.2011
LINDJE E PAKUJDESSHME
Kjo mbrëmje që shkoi,
ku bëra dashuri
mendore me ty,
nuk ishte e kujdesshme.
Pas një çasti,
e hodha mendjen larg..
dy netë më parë,
me sforco të dhimbshme
kisha lindur një poemë,
dhe gjeta mes rreshtave,
mëmësi të rreme
vetëm emrin tim,
nuk kisha vënë.
Ndërsa nuk dyshova asnjëherë,
në asgjë,
për atësinë,
e dija se
kisha lindur një vajzë.
25/04/2011
MBUSHU ME AJËR
Thith…
Nxirr..
Frymo…
e duhet ta nxjerrësh!
Çarmatosu..
pastaj mahnitu..!
Atëherë luaj..
por mos gënje..!
Apo diskuto, mos injoro,
hesht, më pas piskat..!
Fjalët vjell kur ushqehesh keq.
Përshëndet,
vepro..
përballë pasqyrës, thuaj lamtumirë
dhe kthehu në botën time..!
Disiplina është kujdes:
por.. që dashuria..
nuk e duron..!
25/04/2011
DO VIJË KOHA..
Do vijë koha – nëse është!
Do vijë përgjigja – nëse pyet!
Do vijë pranvera – oh, natyrisht do vijë!
Bashkë me hënën – yjet do shkëlqejnë!
Bashkë me dritën – dielli do rrëzëllejë!
Bashkë me lulet – aroma jote!
25/04/2011
SYTË E TU BLU..!
Sytë e tu blu,
si pasqyra e detit të thellë,
si nxehtësi e akullit në thellësi:
I dua, i injoroj .. i kam frikë!
Kështu blu janë venat e tua,
kur fshehin dëshirën tënde.
Ngjyra jote më tërheq,
dhe shkoj pas saj pafund..!
Retë e mëndafshta në trup,
xhinset e venitur nga koha:
muzikën e mban në gjoks,
thesar ngjyrash që nuk i njoh,
i dua, dhe pse janë misterioze.
Dhe rreth teje blu:
blu sysh,
që kthehet në mua,
blu venash,
që pulsojnë.
Blu emri yt!
Prill 2011
NATA ZBRET..
Nata,
zbret,
përgjatë trenit të mendimit.
Vrapon,
duke sjellë me vete,
imazhe,
të largëta.
Arratiset,
duke lënë pas
kohën,
që ngadalë,
pamëshirshëm,
garon me ne,
për të shpëtuar,
momentet tona,
pangopshmërinë tonë me kohë,
ushqehet me kujtimet tona,
ato që rastësisht
humbasin.
Por natën,
ndjej një zë,
një zemër,
dorën e një artisti,
që butë pikturon,
dhe ngjyros
me ngjyra,
jetën, dashurinë.
LARGËSI
Largësia fizike është vetëm një presje,
që e bën harmoninë të diskutohet.
Sonte me batanije do ta mbuloj,
t’ja dëgjoj të qarën,
që është edhe imja.
Maj 2011
TI MË QUAN DASHURI
Ti më quan dashuri
dhe unë e dëgjoj,
…………………….
nga puthjet e tua.
… jetoj atje …
midis buzëve të tua,
që pëshpëritin emrin tim.
Maj 2011
MERRE PËRQAPUTHJEN!
Ti, nuk mund të urresh një të kaluar!
Ti, as të sotmen nuk e urren dot …
Një dorë e lehtë është vënë
e mbi flokët, kontrollon hapin e kohës,
ku dredha – dredha janë kthesat,
dhe presin vazhdën e një jete.
Ti, merre përqaputhjen time kët’ mbrëmje..!
Askush nuk e di sekretin e fjalës veç teje..!
Maj 2011
LAKURIQËSI
Nganjëherë ndjehem e zhveshur,
krejt lakuriq,
por jo e zhveshur
si shumë mund të besojnë ose mendojnë,
ose dëshirojnë,
jo pa rroba, apo erotike e shtrirë në një krevat,
ose si të shkoj në këmbë rreth shtëpisë
me asgjë në trup, ose në dush.
Ndjehem lakuriq brenda …
siç mund të ndjehet e zhveshur një rreze e diellit
që filtron nëpër degët e një peme,
si një frymë flladi që lëviz retë,
si një lule që jep polenin e saj për një bletë.
Një tren mendimesh më vesh,
si një gjerdan perlash që përëndon në muzg,
si të ishin gishta, me dëshirat e mia.
Ndez një cigare,
edhe një tjetër, ndoshta e fundit në këtë natë,
apo ndoshta vetëm një që i paraprin një tjetre.
Nuk mund të marrë asgjë me vete,
kur një mendim më shfaqet në të gjithë bukurinë e vet,
kur më pyet vetvetja nëse kam apo jo mungesën e logjikës,
kur mendimi më djeg si flaka e një zjarri,
kur distancën që e ndan atë nga dëshira për një ndjenjë.
Çdo gjë bëhet aq e uritur për të gëlltitur kohë,
akoma më shumë, kur ditët shkojnë e m’i çojnë më larg,
të gjitha ato që më veshin, dhe unë,
qëndroj atje, zhveshur,
si një gotë e çmuar prej kristali,
transparente në bukurinë time,
jo e plotë në boshllëkun tim të vetvetes bosh, boshllëk
dhe kjo dashuri që si vera e kuqe, pret që të mbushë kupën time,
duke lënë pak pika që dridhen në sipërfaqen e brendshme
të lakuriqësisë time..
Sepse veshja ime e vetme është dashuria jote,
dhe unë nuk mund të vesh më shumë,
Po,
jam e zhveshur,
dhe dua të ëndërroj përsëri,
një fluturim bashkë me ty.
Maj 2011