Kulturë
Kalosh Çeliku: Premtimi për në Baba Tomor
E merkure, 07.03.2012, 08:17 PM
PREMTIMI PËR NË BABA TOMOR
(Grave të mia besnike, në vend të stolive të arit.
Dhe, luleve...)
Nga: KALOSH ÇELIKU
Shenja e nisjes
Nata pa Hënë.
Yjet tallen me zjarr
Qiellit i kërkoj fjalë
Dita më bie me shuplakë.
Shenja e nisjes, oj Nënë!...
Dardha Gorrice
Çafka sot ka hipur në dardhë
Fruta ha, nusërohet në këtë kohë.
Baba, e vështirë qenka buka e ugareve
Vargjeve u vjen era ugarë
Toka ka gjak ugari.
Dardha plaket në mes të fushës
Çafka sot i del zot me këngë...
Vaje në gjumë
Laurë, Ti ke qarë në gjumë
Mesnata ka qenë e ftohtë.
Laurë, sonte të mbulova me vargje
Diellin ta zbrita në dhomë.
Varg s’kam pasur ta djeg dhomën...
Ankand te Pazari Grave
Vjen derisa unë rrokullisem lëmsh
me të Dashurën e Omar Khajamit
e shahem me librat horror.
Kot, para s’kam të të huazoj për bukë
Palaçot nderohen me shpërblime.
Asgjë s’kam, vetëm pagjumësi...
Konferencë kombëtare
Rastësisht të takova në rrugë
të kishin dëbuar nga Partia.
Urdhëro: unë s’jam Uolt Uitmani i madh
as miku im, Mirko Gashi - bohem
unë jam Kalosh Çeliku - rebel
dhe me Ty do të pi verë.
Nëse të ka përzënë Partia
vogëlushe, unë nuk të përzë...
Vetëm Unë
të pi me verë
Ky Qytet është i çmendur
Mike oj, që të martuan me poezinë
e më ndjekin mua si qentë
nga mëngjesi në mëngjes.
Ky Qytet do të di çdo gjë
nën cilën Urë kam bërë natë
me cilën Mike pres e përcjell trena
për Ty me cilin çmendesh në shtrat.
Po, kurrë s’do të dinë ç’kam në gji
e mbi cilin varr bëra dashuri...
Mike s’kam
tjetër Kalosh
Mike, s’kam tjetër Kalosh
të shtrihet me Ty në shtrat.
Mike, s’kam tjetër Kalosh
pa dy shtamba verë...
Pushtimi i Shkupit
Kur qentë e pushtuan Shkupin
e u strehuan te Pazari Grave
kockat dolën nëpër Qytet
u lëpinë nëpër Bit-Pazar.
Kur qentë e pushtuan Shkupin
Mikja u vesh në të zeza...
Rrokullisje deri në mëngjes
Udhë me rërë deri në Tyrbe
m’u dogjën këmbët, kam etje
me të vdekurit pi verë.
E rrokullisemi natën deri në mëngjes
mbi varrin e Baba Shehut
për ilaç...
Doruntinën e solla Unë
Ditën me diell
thërret: çohu nga varri
lakuriqët i sulen territ!
E shoh, Rrapin, verën
Urën e Gurit dhe Tavernën.
Miken me një tufë lule
veshur në të zeza:
- Zgjohu shpirti im, mbaje besën
premtimin për në Baba Tomor!...