E hene, 29.04.2024, 08:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Gjuha poetike qendër e semantikës figurative

E shtune, 18.02.2012, 05:22 PM


GJUHA POETIKE QENDËR E SEMANTIKËS FIGURATIVE

 

(Mihai Pascaru: Definicione, poezi, Editura Limes, Cluzh-Napoka, 2011)

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Qasjet poetike ndaj problemeve dhe intrigimeve për poetin është një kategori paksa e veçantë nga njerëzit e tjerë. Kjo bëhet nga shumë arsye, por sipas disa teorive kjo qasje varet edhe nga inspirimet, ndijesimet, por edhe qëndrimet e poetit, gjegjësisht krijuesit, në kohë dhe hapësirë të caktuar. Dhe këtë kohë, por edhe këtë hapësirë të caktuar, ai e poetizon me qasje paksa të veçantë, siç u tha më lartë.

Edhe poeti bashkëkohor rumun Mihai Pascaru në këtë vëllim poetik, që na vjen në biliguing gjuhësor rumunisht e shqip, heton këtë qasje, madje me qëllim të caktuar, sepse do patjetër të thotë atë çka është dominuese në kohën e tij, por edhe në hapësirën ku jeton. Madje ky qëndrim poetik i poetit Pascaru detajisht përafrohet me Rumaninë, gjendjen dhe pozitën e saj në këtë kohë epokale të historisë së saj. Andaj, vendlindja, pse jo edhe atdheu i poetit është epiqendra e frymëzimit poetik, por edhe e transformimit në aspektin artistik, në këtë rast poetik: / Sorra/ Zog i parajsës/ Rumune/. Më këtë gjuhë poetike, autori derdhë në qendrën e semantikës se vet figurative tërë mllefin, madje edhe mospajtimin e tij me kohën dhe hapësirën. Nuk i vë në dyshim, madje as në duel këto nocione, por duke i ballafaquar, ai suksesshëm paraqet jetën e tyre në simbiozë si te njëqelizorët. Edhe forma e shprehjes poetike del tejet e kapshme, e thjeshtë, por jo hermetike dhe e mbingarkuar. Duke qëndruar në këtë nivel, ky poet është mjeshtër i vargut të dendur, konciz, harmonik, përmbajtjesor, figurativ, por të çliruar prej bagazhit të rëndë dhe të stërzgjatur të formës së rrëfimit deklarativ. Kështu kjo poezi është e shkurtë, është përmbajtjesore me semantikë figurative, e pse jo edhe me një ironi e sarkazëm të mbrehtë dhe të qëlluar. Dhe kësaj ai ia arrin duke ikë edhe nga disa norma teorike të cilat me siguri se do ta ngurtësonin këtë formë të poetikës së tij.

Qasja e vargëzimit të poezisë së këtij poeti paraqitet që në mbarështimin e poemës si formë e poezisë. Poema e tij është e shkurtër, është koncize, është madje edhe eliptike, do të thosha. Ajo nuk mbushet, madje as që stërzgjatet me përshkrime, deklarime dhe qasje të tjera mbingarkese, por rrjedh lirshëm dhe tejet saktësisht, e artistikisht. Poema e tij, sipas Mircea Stâncel është: „Po qe se do të doja t’u japë një emër Mendimeve të Mihai Pascaru-t, do t’i quaja pastër e thjesht, poemoparima.”. Këto poema, por edhe poezi të tjera janë koncize, madje edhe shumë të kapshme dhe lexuesi i kupton dhe absorbon mirë dhe pa ndonjë vështirësi. Poemat e tij flasin por nuk “llomotisin” sepse: “Poemat flasin me gojë të mbyllur/ mu për këtë dallohen/ nga fjalimi politik e forma tjera/ të vajtjes nga shtëpia.”, për të vazhduar më tutje në të njëjtën poezi apo poemoparemë: “Mos ia hapni gojën poemës; /poema do të kafshojë me tërbim/ Nuk e keni parë kurrë një njeri /Të kafshuar nga poemat?”.

Poemoparemat zënë vend të dukshëm në këtë vëllim poetik me titull “Definicione” të poetit dhe krijuesit rumun Milai Parescu. Dhe vërtetë këto janë qasje të reja poetike të tij, por janë edhe definomë të reja për të vargëzuar paksa ndryshe poemën si zhanër të poezisë artistike. Shkuar në tërësinë e këtillë të mbarështimit poetik vargjet, ai i lejon vetit që tërë poetikën e vet ta mbështesë mbi elipsën, mbi sarkazmin, por edhe metaforën e pse jo edhe paradoksin e figura të tjera që funksionalizohen dhe bashkëdyzohen ndërmjet vete. Bashkëdyzimi i këtillë del mjaft interesant, por edhe ndijesor për lexuesin, madje edhe për kritikën letrare. Të gjitha këto ai i bën nëpërmes fjalës e gjuhës, kuptohet asaj poetike, ngase: “E mbëltova një fjalë/ në tokë/ të mugullojë/ dhe më dolën / fjalë.” Mbi këtë parim biblik shprehet artistikja, latohen versionet  poetike dhe depërton nëpër shtyllat e figurave që janë një simbiozë e mozaikut shprehës.

Duke depërtuar në embrionin e skalitur nga pena e poetit Pascaru, lexuesi do të ndeshet me disa forma të poetikës që nuk bëhen me qëllim ngushëllimi, por as përurimi dhe përgëzimi për të. Nëpër nuancimet e kësaj poetike shkallëzohen nyjëtime dhe përshkallëzime që mbarsën me të gjitha elementet e një bashkëkohësie të dekadës së parë të këtij shekullir, pra të bashkëkohores të shekullit të XXI. Dhe e tërë kjo arrihet me shprehje poetike koncize e të shkurtës. Kështu në qerthullin poetikë “Sentenca”, por dhe të tjerët e veprës “Definicione”, poeti kultivon poetikën sentenciale, e pse jo edhe proverbiale. Kjo formë e shprehjes në vargëzimin e poezive buron saktësisht pa ndonjë shkapërderdhje e as mbingarkës të tepërt e të zgjatur.

Funksioni i këtyre vargjeve është tejet i kursyer, madje edhe meditativ dhe kuptimplotë. Por kjo gjë në disa poezi shndërrohet edhe në formula: /E=mc3/ shkruan ai në poezinë “Apokalipsa 3”, e cila përbëhet vetëm me këtë varg poetik të shndërruar në formulë. Kjo formë përdorët edhe në disa poezi të tjera të këtij vëllimi poetik, por vargjet e tyre më tepër kanë mëtim të proverbit, apo edhe të aforizmave poetikë. Kështu në poezinë “Konfuzion” shkruan: /Deti i Kuq/ derdhet në/ Detin e vdekur/. Apo në poezinë “Gjeneza”, thotë:  /Në fillim ka qenë/ Fjala/ që luante/ me Faktin/.

Gjuha poetike e këtyre poezive është poashtu një specifikë që inkuadrohet afirmueshëm në alfabetik e shprehjes së vet. Ky shtresim nuk rrjedh zorshëm, por fiton ndjeshmëri, por edhe bukuri artistike, duke u shtrirë në të gjitha qelizat e saj. Kësaj u ndihmon edhe gjuha e përkthyesit, e cila është aq e ndjeshme, e saktë dhe po aq lirike dhe figurative. Thënë në përgjithësi, edhe elementi i gjuhës poetike e përmbush anën e poetikës së poetit Mihai Paccaru që vjen te lexuesi shqiptar kudo që ai është , në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi, por edhe në Diasporë në të gjitha kontinentet.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora