Kulturë
Ilir Muharremi: Arti sulmues
E merkure, 01.02.2012, 07:58 PM
Arti sulmues
Nga Dr. Ilir Muharremi
Arti nuk është vetëm një bukuri shpirtërore që nuk e dimë nga vjen, ose nuk i përshtatet rregullave tona, në asnjë mënyrë, nuk është rob i joni, por sulmues, revolucionar, përmirësues i gabimeve të ndryshme. Arti është si një shigjetë e cila kontrollohet nga dora dhe depërton në çdo fshehtësi, pavarësisht ekonomike, politike, juridike ose kriminale. Qëllimi është sulmimi i sinqertë ndaj padrejtësive. Bëhet fjalë për artistët e guximshëm, të cilët arrijnë qëllimet pa u ndaluar nga askush. Këtë dobët e vërejmë në Kosovë, sepse shumë artistë janë të mangët për nga guximi dhe indikacioni politik është i pranishëm edhe në veprat e tyre. Artisti futet në politikë, por, jo të jetë skllav i saj, por ndryshues estetik dhe revolucionar në kolektiv, ose thyes i rregullave të paqëndrueshme. Në histori të artit njihet se artistët shpesh kanë përdor artin për të sulmuar qeveritë dhe për të demaskuar problemet sociale e ndonjëherë me kaq sukses sa veprat e tyre janë ndaluar. Kjo dukshëm mungon tek ne. Në vitet njëzetë të shekullit njëzet, disa artistë gjermanë, ku bënin pjesë George Grosz e Otto Dix, filluan të bëjnë vepra që kritikonin me forcë vendin e tyre. P.sh “Shtyllat e shoqërisë” e Grosz-it satirizonte udhëheqësit gjermanë duke i bërë ata qesharakë dhe të ligj. Ai u persekutua për këtë lloj arti, derisa më në fund u largua nga Gjermania në vitin 1933. Madje kemi edhe konflikte politike dhe ushtarake që shoqëruan gjithë shekullin njëzet. Miliona njerëz vdiqën në të dy luftërat botërore, efektet e tmerrshme të të cilave u portretizuan nga shumë artistë. Politikanët në atë kohë përpiqeshin t’i fitoni mendjet e artistëve duke i detyruar të bënin piktura propagandistike. Vërehet dukshëm sipas tregimeve të vërteta të artistëve revolucionar të shekullit njëzet, që arti ka magji të depërtoj dhe të ndryshoj çdo padrejtësi, e kjo i përket duarve të artistëve të talentuar. E vetmja lëvizja “Vetëvendosje” në krye me Albin Kurtin, përmes përformansave artistike dhe parullave të ndryshme, në të pavetëdijshmen artistike përpiqet që me art të tregoj çdo padrejtësi momentale. Duke parë, mungesë të dukshme të artistëve guximtar kjo lëvizje obligohet me përformansa artistike nëpër rrugëve të kryeqytetit t’i satirizoj, ose të demaskoj realitetin e brendshëm. Por, jo kjo gjë i takon artistëve, të cilët zhyten në ujërat e absurdit në të cilin notojnë, pa ditur notë. Duhet të merren me sulme dhe bombardime të përditshme, me ngjarje aktuale, me të cilat ballafaqohemi çdo ditë. Bëhet fjalë për artistë të të gjitha fushave, jo vetëm në artin e pikturës, por të teatrit, filmit, muzikës etj. Nëse artistët lejojnë që padrejtësia e udhëheqësve të dominoj, atëherë arti ka humbur luftën me pushtetin, dhe duhet të fshihet parapa dobësive të veta. Politikanët me duar zgjidhur veprojnë pa mëshirshëm, sepse mungon ndëshkimi artistik. Artistët e mëdhenj, janë bërë të mëdhenj sepse thyen rregullat e kohës, depërtuan në brendësinë e pushtetit, kjo dominoj më së shumti në luftën e dytë botërore. Kjo luftë e njohur me bombardime të pamëshirshme dhe masakrimin sistematik të miliona njerëzve në kampet e përqendrimit nazist. Me përfundimin e saj, shumë njerëz nuk mund të pajtoheshin me tmerret e asaj që kish ndodhur, kjo më së miri u pasqyrua në artin e kohës. Se artisti ec me kohën, ose edhe më shpejt, kjo u dëshmua me artistin zviceran Alberto Giacometti i cili pikturoi dhe gdhendi burra e gra në formë të skelave. Ai i vendosi të vetmuar në hapësirë. Kjo i përket vizionit të tij, të reflektuar nga koha e pas luftës së dytë. Me vetë faktin që ata janë vendosur të vetmuar, shprehin pasigurinë e kohës, plagët e pa harruara, të cilat janë të gjalla dhe presin që koha t’i shëroj. Por, me pamundësi artistike. Madje, ata qëndrojnë edhe të uritur, duke shprehur vdekjen nga uria në kampet e përqendrimit. E vërtetuar është se artisti ec me kohën, por tek ne koha politike ec me hapa më gjigant se koha e artit. Artistët duhet të arrijnë këtë shpejtësi duke mos u frikuar nga asgjë, sepse arti sfidon edhe frikën. Beteja e tyre duhet të jetë tejet e pastër me asnjë qëllim anues ose pëlqyes, sepse mund të shndërrohet në zagarë të stërvitur, e artisti është pasqyrues estetik i problemit dhe shkelës i padrejtës që i bëhet vendit të tij, gjithnjë duke ngritur në piedestal drejtësinë dhe shpërfaqur padrejtësinë. Pavarësisht me çfarë forme arti ose e satirizon, dramatizon, ajo mbetet te artisti. Andaj, do kërkoja nga përgjegjësit kulturor të cilët në duar kanë buxhetin për art, ta ndajnë atë në vlera reale artistike kohore, edhe nëse do ju kthehet nga artistët si “Boomerang”, të jenë të sinqertë me vepra sepse herë do kur koha ka për të nxjerr vlerën e vërtet artistike.