E shtune, 27.04.2024, 12:22 PM (GMT+1)

Mendime

Laureta Petoshati: Një udhëtim drejt Kosovës së pavarur

E shtune, 01.03.2008, 06:37 PM


Një udhëtim drejt Kosovës së pavarur

Nga Laureta Petoshati

Edhe pse qyteti mesdhetar zakonisht është i ngrohtë, përsëri ky mëngjes herët ishte drithërues. Ishte bryma, por dhe emocioni brenda meje dhe të gjithëve ne, që po niseshim për në Fier nga ku do të nisej autobusi për në Prishtinë. 96 vjet më parë stërgjyshërit tanë kishin pasur emocionin e ngritjes së Flamurit dykrenor këtu, tek ky Shesh i madhërishëm i Flamurit, ndërsa ne niseshim tek ajo pjesë e tokës sonë, që për 95 vjet mbeti e pushtuar, e torturuar, e gjakosur, por dhe na u mohua neve që jetonim në trungun amë. Ashtu gjithë drithërim, këmbët më çojnë tek varri i Ismail Qemalit dhe në vesh më buçasin fjalët e tij : “Bijtë e mi, unë nuk kam pasuri që t’ju lë, po ju lë një atdhe amanet”. Bekimin për gjithë atë rrugë të mundimshme e merr tek ky Shesh e tek ky varr që janë kthyer në Mekë të Shqiptarisë dhe rruga Vlorë-Prishtinë të duket si fluturim shqiponjash. Në Fier, anëtarët e tre shoqatave atdhetare, të asaj për Identitet dhe Bashkim Kombëtar me shtrirje nga Fieri deri në Prevezë, të shoqatës “Labëria” dhe shoqatës “Çamëria”, kishin hedhur mbi supe flamuj kombëtarë dhe e kishin nisur këngën që pa gdhirë. Dikush kishte marrë dhe një fyell, me të cilin i binte ca melodive baritore. Qytetet kalonin njëri pas tjetrit dhe arritëm më në fund pas Shpalit të Mirditës, në zonat e thepisura të Pukës, Fushë Arrëzit, atje ku lumi Fan rridhte i qetë dhe ku ngrica vezullonte e dukej që dielli nuk e shkrinte dot, aq sa kjo pamje të kujtonte Eposin e Kreshnikëve në vargjet se “shumë po ndrit ky diell e pak po nxeh”. Nuk kishe më nevojë për të gjetur rrugën, ajo ishte “piketuar” në shtylla e shtëpi me flamuj kuq e zi, aq sa dukej se në zonën e Kukësit ku endej mjegulla dhe shtronte dëbora kishin çelur lulëkuqet valëvitëse. Kaluam doganën e Qafë Morinës dhe pikërisht aty ishte “thembra e Akilit”, pika jonë e dobët, që na ligështoi. “Përse na kërkoni pasaporta për të hyrë në tokën tonë?” – i thamë policit që ishte matanë doganës sonë. Atij iu mbushën sytë me lot. Ishte një djalë i bëshëm nga Kosova, që i dhembte shpirti njësoj si ne. Nuk di si ta përshkruaj futjen tonë në Prizren, atje ku burrat e kombit u mblodhën në kuvendin dhe lidhën besën e shqiptarit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Autobusi ynë ndaloi për pak dhe ne dolëm dhe morëm një valle të mbuluar me Flamur. Makinat varg të mbuluara me flamuj kuq e zi u binin borive, këndonin, ndërsa një burrë plak me qeleshe të bardhe në kokë, përveç nesh, puthi dhe rrotat e autobusit që kishte ardhur nga Shqipëria. Kënga ushtonte e pika loti rridhnin. Jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë, me vëllezërit tanë. “Xhamadani vija-vija/ Është Kosova, është Shqipria!” Nuk e di a do të ketë mendje njerëzore që ta mendojë këtë ditë si ne shqiptarët! Kur mbërritëm në Prishtinë ishte natë, një natë rrëzëllitëse, që ushtonte nga bori makinash dhe nga flokët e hollë të borës që i jepnin një ngjyrë mistike. Miqtë tanë po na prisnin. “Morti dhe gëzimi nuk kalohen vetëm!”- na thotë njëri prej tyre. Ne ishim mbi dyzet vetë dhe kush katër, kush pesë, kush shtatë vetë na morën në shtëpitë e tyre. Ramadan Gashi, një intelektual dhe një ish luftëtar i UÇK, tashmë punonjës në Ministrinë e Punës, merr në shtëpi katër prej nesh. Po ashtu dhe Ukë Gashi, Azem Bogaj, Mehdi Berisha, Sheshivar Makolli, Shemsi Thaçi, Adem Berisha, Sheqir e Ismet Podvorica, Gani Sahiti, Qamil Dili, Rrahim Sahiti, etj. Sa zbritëm nga autobusi filloi hareja nga e para, vallja, kënga, recitimet për Kosovën për Flamurin. Kush tha se ne takoheshim për herë të parë? Ne kishim një jetë që njiheshim, por dhe një shekull që prisnim të ritakoheshim. Nuk ka fjalë që përshkruan mikpritjen, ngrohtësinë. Falë zotit, ata që kishin armë me leje shtinë me armë për të uruar mirëseardhjen tonë.
17 Shkurt 2008. Miqtë tanë janë nga ai “brumë” dhe nga ai gjak që u derdh lumë për çlirimin e Kosovës. Ata mbijetuan nga lufta por shumë prej tyre humbën shokët, vëllezërit, baballarët. Respekti në fillim për të rënët. Ne, katër anëtarë dhe njëkohësisht drejtues të shoqatës atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar, u nisëm fillimisht në rrugën drejt komunës Skënderaj. Ramadani që ngiste makinën po na shpinte tek godina shumëkatëshe “KATANA” , emër ky sipas pseudonimit të heroit Agim Ramadani, busti i të cilit ishte në oborrin e ndërtesës. Kjo godinë është një qendër sportive- rekreative, por aty është dhe Instituti i Sigurisë “Katana”, një institucion ky, në të cilin punojnë kokat e inteligjencës shqiptare. Një nga drejtuesit dhe pronar i këtij institucioni është Xhafer Gashi, bashkëluftëtar i heroit Agim Ramadani, që theu kufijtë shqiptaro-shqiptar, tashmë ekspert i lartë i sigurisë, i specializuar në Izrael për “VIP PROTECTION TEAM LEADER”. Xhaferi, i dekoruar disa herë, madje edhe nga gjenerali amerikan Jackson, e që ka qenë shef i sigurisë së ish kryemistrit Agim Çeku, i emocionuar për këtë ditë historike për krejt kombin shqiptar na thotë se “Është fat që po e përjeton brezi ynë, këtë kurorëzim të gjakut të derdhur në disa breza”,dhe më pas na fton për në mbrëmje, për festën që bën për pavarësinë dhe miqtë e tij ish luftëtarë të UÇK.
“Ja kjo, është fusha ku u bë Beteja e Kosovës. Këtu nuk mbijnë kurrë lule, por vetëm bozhure. Këtu dhe kali lëshoi lot të kuq. Këtu filluan mashtrimet dhe tradhtia serbe, edhe Millosh Kopiliqi nuk ka qenë serb, por shqiptar nga Skënderaj”- na thotë Ramadani dhe vazhdojmë rrugën për në qendër të Prishtinës.
Hotel “Grand” një kontinent më vete. Sapo mbërrimë atje, shokët tanë po na prisnin. Dikush kishte filluar këngën me çifteli. Pasi mbaroi ai, djemtë vlonjate, Marisen Aliaj, Steli Metaj, Denis Karanxha, Dritan Nelaj dhe disa djem të tjerë fierakë që nuk ishin më shumë se 20 vjeçarë, filluan këngët labçe. Filloi dhe vallja e kënduar labçe. Thyhen në këngë kufijtë dhe shteti amë bëhet etnik mu në mes të Prishtinës. Lleshi, një artist nga Prishtina, ka një brez të gjatë, kuq e zi, si ai i Skënderbeut. U lidhëm dorë pas dore pas atij brezi dhe filluam një valle rreth e rrotull Sheshit “Nëna Terezë”. Prinin në krye Lleshi, Azemi, Genc Llakaj Kryetar i shoqatës atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar Fier-Prevezë, pastaj Zamira Bashmili- Kryetare e Grave të kësaj shoqate për degën e Vlorës, e vinin me radhë të gjithë që bashkoheshin, burra, gra, djem, pleq me plisa të bardhë në kokë. “Do bashkohemi apo jo?”- ishte thirrja e Zamira Bashmilit dhe njerëzit e kapur dorë për dore përgjigjeshin : Po, po, po! Kënga patriotike “Eja, mblidhuni këtu-këtu” bashkonte radhët e njerëzve të kapur dorë më dorë. Mos ndoshta këtë ka pasur në mendje i madhi Abdurrahim Buza, kur pikturoi tablonë “Shqipëria vallëzon”? Në shesh është gjithë Shqipëria etnike ashtu siç e ka krijuar Zoti dhe ata që e duan bashkimin kombëtar. “Pa Kosovë e Çamëri / Nuk ka Shqipëri” ishte parulla që hidhte 18 vjeçari çam nga Fieri Neritan Murati e që pasohej nga Ilir Shkurti dhe nga grupi që e shoqëronte. Ndjeva duart e fuqishme teksa më shtrëngonin duart, të dy djemve nga Kosova të veshur me bluza, ku shkruhej “Ta gëzojmë pavarësinë e Kosovës”, e vazhduam vallen së bashku, ne vëllezërit e gjakut që me shpirt e duam bashkimin e kombit dhe të trojeve ku na prehen të parët tanë. “Nuk e kam ndjerë veten më krenar se sot për vendin tim, teksa shoh flamurin tonë në gjithë Kosovën”-më thotë një gazetar amerikan i CNN teksa shkoj drejt grand “Hotel”.
Ora 15:00. Përsëri tek Hotel “Grand”.Vallja, kënga dhe hareja u ndërprenë si me magji. Të gjithë kishin sytë nga ekrani ku shfaqej Hashim Thaçi me leximin e Deklaratës së Pavarësisë. Ky kuvend më kujtonte kuvendin e Vlorës, në vitin 1912. Por dhe deklarata e Pavarësisë së Kosovës çuditërisht kishte 12 pika si viti i shenjtë i shqiptarëve! 12 pika vëllezër, 12! Po aq janë dhe shenjtorë, prandaj çdo fjalë që lexohet është e shenjtë! Me kë tu krahasoj vëllezër të Kuvendit të Kosovës? Më dukeni sot si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi ...Pas votimit të deklaratës me 12 pika sipas numrit historik, dëgjohet zëri i emocionuar i kryeparlamentarit Krasniqi: “Kosova është Republikë! Është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik”! Hotel “Grand” shpërthen në thirrje të papara, puthje, lotë, këngë. Pak më tutje dëgjohet kënga labe e apostujve të polifonisë si Golik Likaj, Syrja Hodo, Tomor Lelo, Nazif Çela, që ishin bashkuar me një grup lab të ardhur nga Greqia. “Cili je ti more burrë/Që na vjen nga Shqipëria/ Unë jam Smail Qemali/Prapa më vjen historia” këndonte grupi dhe pastaj vazhdonte këngën Tomor Lelo sipas improvizimeve të tij, “ do ti marr se s’është punë/ është e jona Shqipëria /Kosova dhe Çamëria/ Se kemi vajza si tyja”,sepse në krah iu bashkua zv/ministrja e jashtme e Shqipërisë Edit Harxhi, e cila këndonte polifoni bashkë me grupin. Kristaq Ziu, me origjinë nga Himara, por që banon në Fier, i njohur si djegësi i flamurit grek në mes të Fierit, kishte marrë një grusht dhé dhe po e puthte në mes të grumbullit të gazetarëve të huaj duke thënë: “Ky është dhé i vendit tim që bota na e ndau një shekull më parë.”
Festa vazhdoi rrugëve të Prishtinës deri në mesnatë. Kishte birë, verë, kekë, fruta, bukë falas “Made in Kosova”. Në qiell vargjet e këngës së Ilir Shaqirit, përziheshin me fishekzjarrët që çanë barkun e natës së përgjëruar për pavarësi.
Ne kthehemi tek godina e Institutit të Sigurisë “Katana”, ku zhvillohej një festë. Në ballinë ndriste portreti i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i heroit Agim Ramadani. E si mund të gëzohej pa ata? Ç’mu kujtua një këngë e viseve të mia : “Të nderojmë pavarësinë/ Dhe burrat e shquar / E dhanë jetën për lirinë/Me flamur në duar!” Në mbrëmje ishte kryebashkiaku i komunës Skënderaj, intelektualë, ushtarakë, vajza, djem kryesisht familje të luftës dhe të dëshmorëve. I pranishëm ishte dhe poeti Agim Doçi, i cili përshëndeti të pranishmit për pavarësinë. Ndërsa u lexova të pranishmëve një mesazh që më dërgonte Lefter Çipa, “Ne s’kemi ëndërr të madhe/Aq sa krahët hap shqiponja/Shqipërinë natyrale/ Katër Vilajetet tona”, u drithërova dhe kjo pavarësi m’u duk më e pakta gjë që kërkojmë ne, shqiptarët. Ne duhet të bashkohemi.
18 shkurt 2008. Kosova zgjohet më e buzëqeshur se kurrë më parë, nën një flamur shtetëror me hartën e vet të verdhë, me gjashtë yje dhe me një ngjyre blu si ai i Europës. Por rrugët skuqnin nga ai, Flamuri Kombëtar, që valëvitej gjatë gjithë rrugës që ne bëmë. Si të vish në Kosovë dhe të mos shkosh tek shtëpia e Jasharëve, heronjve dhe martirëve të krejt kombit shqiptar?Jemi rrugës për në Drenicë, në zemrën e Dardanisë, ku ndodhet Prekazi, fshati me 3900 banorë. Azem Bogaj, ndërsa na shoqëron na thotë se ku ndodhej shtëpia e Hasan Prishtinës, na shpjegon dhe kodrën në Skënderaj ku serbët kishin ndërtuar një fabrikë municioni prej nga shtëpia e Jasharëve dukej në pëllëmbë të dorës, e prej nga ku ata mendonin ta bënin shkrumb e hi. Dikur në shkollë kemi mësuar për Gjergj Elez Alinë, por paska pasur dhe kjo koha jonë të tillë. Zakonisht trimat nuk qahen, por unë nuk i përmbajta dot lotët. Erdhi kjo pavarësi edhe me gjakun e fëmijëve të fisit Jashari, gjak që e skuq si purpur Flamurin tonë kombëtar. “Bac u kry!”- shkruhej në tërë Kosovën, por flamurët këtu tregonin se është kryer pavarësia vetëm në një pjesë të Shqipërisë etnike, pjesët e tjera janë ende nën zgjedhë. “Sot do të kemi luftë. Me fat na qoftë”- u kish thënë Komandanti familjarëve të tij, ndërsa sot fjalët e tij janë shkruar nën një tjetër kontekst: “Me fat pavarësia”. Në Kullën e Jasharëve në krye të sofrës është një hero tjetër i gjallë, Rifat Jashari, një shqiptar më shumë mitik se real. Sytë e tij shkëlqejnë me një dritë joniane. Aty janë dhe Lulzimi, Bekimi, Murati. Kastriot Shametaj, poeti që ishte me grupin tonë aty për aty thotë ca vargje: “Prehu i qetë komandant/Prehuni gra e fëmijë/ Ju jeni rrënja e kombit/ Ju jeni Flamuri ynë”. Po aty ne takojmë Marigona Jasharin, Shabanin dhe Ademin e vogël. Jasharajt po rilindin bashkë me rilindjen e Kosovës. Besarta e mbijetuara e ferrit dantesk vazhdon Universitetin e Prishtinës, ndërsa të tjerët kanë filluar vajtjen në shkollat fillore. “Hallë, do më sjellësh dhe mua pak pavarësi?”-më tha nipi im Justini, para se të nisesha në Kosovë, duke menduar si një katërvjeçar se pavarësia është një lodër e bukur. Por unë dola në foto me Jasharët e vegjël, bashkëmoshatarë të tij, që kanë të njëjtat ëndrra si dhe im nip e që luajnë tashmë si gjithë të tjerët dhe nuk i ngacmon më bisha serbe. Ti tashmë ke më shumë shokë e vëllezër për të luajtur nipi im.
Po aty , pranë kullës së Jasharajve, ne krijuam dhe degën e shoqatës sonë për Kosovën, me kryetar zotin Hibush Hetemin. Ne jemi për bashkim dhe vetëm bashkim. Rrugës për në Shqipëri, ne përshëndetemi me flamujt kuq e zi, ndërsa kur iu afruam trarit të doganës u thamë policëve: Kjo doganë nuk ka nevojë për ju, më! Nuk do të ketë më kufi shqiptaro-shqiptar!
Përsëri në Vlorë. Miqtë e mi më tregojnë sa çfarë ishte bërë në Vlorë më 17 shkurt. Shefi i Kabinetit të Bashkisë, zoti Arben Beqiri, m’i pat dërguar fotot me e-mail duke më sqaruar se :
Data 17 shkurt, ishte një ditë e shënuar edhe për qytetin e Vlorës, djepin e Pavarësisë Kombëtare, ku më 28 Nëntor të vitit 1912, u ngrit Flamuri ynë nga Ismail Qemali me Isa Boletinin dhe me patriotët e tjerë. Bashkia e Vlorës kishte kohë që po përgatitej për këtë festë. Mbas 96 vjetësh po ripërsëritej një histori e lavdishme, por tashmë protagonistët ishin në Kosovë, ku kryeministri Hashim Thaçi, me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës po shpallnin Pavarësinë e saj, nën gjurmët e paraardhësve të tyre 96 vjet më parë në Kuvendin e Vlorës. U improvizua nga aktorët Besnik Aliaj dhe Vasillaq Godo,ardhja e Ismail Qemalit me Isa Boletinin në një pajton me kuaj, që e filloi nisjen në Shtëpinë Muze të Pavarësisë dhe përfundoi në Sheshin historik të Flamurit, i cili skuqte nga Flamujt Kombëtarë dhe nga një banderolë e madhe në të cilën shkruhej “Vlora e Pavarësisë për Pavarësinë e Kosovës”. Karvanin e madh që udhëhiqte procesionin për të festuar pavarësinë e Kosovës e shoqëronin grupet artistike të qytetit dhe konkretisht Ansambli “Labëria” dhe Ansambli “Aulona Folk”, të cilët vallëzonin dhe festonin Pavarësinë e Kosovës” duke kënduar këngë patriotike. Mbas grupeve artistike vinin përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor në Vlorë dhe konkretisht: Kryetari i Bashkisë Vlorë zoti Shpëtim Gjika, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, zoti Agron Sharra, Prefekti i Qarkut Vlorë zoti Xhevahir Rexhepi, Kryetari i PS Bashkia Vlorë, zoti Eltar Deda, deputetët e Vlorës Bujar Leskaj dhe Ardian Kollozi, etj. Vargun e ndiqnin qytetarë të Vlorës, ushtarakë të Shkollës së Trupës Detare Vlorë dhe të Trupave Tokësore Bunavi. Në Sheshin e Flamurit ata u pritën nga qytetarë të ndryshëm që këndonin dhe hidhnin parulla për Pavarësinë e Kosovës. Përpara Monumentit të Pavarësisë, Kryebashkiaku Gjika mbajti dhe një fjalim të shkurtër, ku ndërmjet të tjerave tha se “Sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët. Sot përjetojmë ngjarjen më të rëndësishme në të gjithë historinë e kombit tonë, pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në 28 Nëntor 1912. Sot, Kosova martire, është më afër se kurrë, dheut mëmë. Sot flamuri kombëtar po valëvitet më lart se kurrë në historinë e tij. Ëndrra e miliona shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, sot u bë realitet. Shpirti ynë i përbashkët, këtej e andej kufirit, tashmë ka vetëm një simbol, Flamurin e Kuq që valëvitet i lirë edhe në Kosove, në Kosovën tonë, në Kosovën e të gjithë shqiptarëve, në djepin e shqiptarizmës. Prandaj dhe jemi mbledhur këtu, të gjithë bashkë, në këtë simbol të historisë sonë. Nga Sheshi i Flamurit, nga Sheshi i Pavarësisë, ne u themi vëllezërve tanë në Prishtinë, në Gjakovë, në Mitrovicë, në të gjithë Kosovën:
Ta gëzoni pavarësinë, ta gëzojmë atë të gjithë siç jemi, të bashkuar rreth ëndrrës sonë për të qenë të lirë.”
Më pas festa vazhdoi me një program të pasur artistik dhe me fishekzjarrë që çanë qiellin e kristaltë për këtë ditë historike për mbarë kombin tonë.”
Por festa vazhdon akoma kudo në botë ku ka shqiptarë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora