Kulturë
Skënder R. Hoxha: Këngë harrimi
E hene, 02.01.2012, 08:07 PM
SKËNDER R. HOXHA
KËNGË HARRIMI
1.
Në ditë festash
Ngjallen përfytyrimet
Kujtimet shpalosen vetë
Nëpër Dushkajën time
Nëpër vendlindjen time
Nga lodrat fëmijërore
Të asaj kohe të varfër
Fëmijë këmbëzbathur shkoja
Një lopë për ta kullotur e
Krande të mbledhja në mal
Se nëna më priste –
Të piqte misërniken n’çerep!
Tash kujtimi shpalos ditët
Se si kalonin bashkë me rininë
Time plot ëndrra –
Nëpër peizazhe të vrugëta
Kohë e pamëshirshme ishte!
Largohu kujtim i hidhur
Më shtrëngon këngë harrimi
Dushkaja ime plakë këndellu
Se buzëqeshjen kafshoj përmallshëm
Për mua –
Gjithmonë vend frymëzimesh…
2.
Oh!
Para syve më bëhet suferinë
Kah –
E kaluara ime lëpihet
Dhembshëm e krenarisht!
Kur atje në Dushkajë
Shiu rigon prajshëm
Në kodra e male
E luginave të buta e gurore
Lëshojnë shtat prroskat
Dhe derdhen në përroje
Lumbardh e Dri – rrëkajë,
Nga Marmulli në jug
E deri në Butajë…
3.
Ato vjet të rënda
Më trandin,
Më mbushin ankth
Si ëndrra e keqe.
Më bëjnë të harroj kujtimin
Kujtime të hidhura
Të kryefjalës sime –
Fëmijëri e rini…
4.
Një qen që ndonjëherë
Rri me mua,
Ka gjenealogji të pistë,
Nuk është qen besnik
Që të zonë mbron,
Është i sojit të lig –
Tinëz kafshon!
Ai krekoset kur leh
Në koncert kameleonësh
Në dasma mediokritësh…