Kulturë
Fotaq Andrea: Dy fjalë për autorin Sami Repishti dhe veprën e tij
E premte, 30.12.2011, 01:59 PM
Keto dite, ne mjediset e Universitetit te Tiranes, mes pedagogeve, studenteve dhe te ftuarve u promovua libri i prof. Sami Repishtit "Dialektika e rendit dhe e rebelimit tek Andre Malraux", teze masteri shkruar prej tij ne frengjisht dhe mbrojtur ne Queen College of the City University te New Yorkut ne vitin 1971, veper e cila u konsiderua nga Prof. Fatos Tarifa si nje veper e mirefillte shkencore e nje niveli doktorature dhe me vlere te medha per studentet dhe intelektualet.
Prof. Romeo Guranjaku beri nje prezantim te gjate te figures se ndritur te prof. Repishtit, te veprimtarise se tij te gjere patriotike ndersa F. Andrea u ndal konkretisht tek permbajtja e vepres dhe me pas lexoi nje pershendetje drejtuar rinise shqiptare nga Prof. Repishti me rastin e promovimit te librit.
Gazetat Shqip e Mapo te dates 1 dhjetor pasqyruan veprimtarine, ndersa gazeta Metropol e po kesaj date e botoi pershendetjen e Prof. Repishtit te plote.
DY FJALË PËR AUTORIN DHE VEPRËN
"Dialektika e rendit dhe e rebelimit tek Andre Malraux"
nga prof. Sami Repishti
Nga Fotaq Andrea
Sami Repishti, profesori 86 vjeçar, që vazhdon të na mahnitë me freskinë dhe forcën e mendimit, vjen sot para publikut shqiptar, e në mënyrë të veçantë para brezit të ri shkollor e studentor, me një vepër më se të veçantë: Dialektika e Rendit dhe e Rebelimit tek André Malraux, tezë masteri, të cilën e ka mbrojtur në Queens College of the City University të Nju Jorkut, në qershor 1968.
Profesor Repishti - personalitet i mirënjohur i bashkësisë shqiptaro-amerikane, që ka çuar vite të tëra para Kongresit Amerikan, në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë zërin e tij për ardhshmërinë e çështjes shqiptaro-kosovare në rrugën e demokracisë -, trajton e analizon në këtë vepër çështje të rëndësishme të inteligjencies franceze, evropiane e botërore të viteve të para dhe pas Luftës së dytë botërore, si “Njeriu dhe aventura”, “Njeriu dhe revolucioni”, “Komunizëm apo humanizëm universal”, duke e parë këtë dualizëm në antitezë të fortë e të hapur, për të çuar pashmangshmërisht drejt “Zhgënjimit” dhe “Rrugës së shpëtimit nëpërmjet artit”, pesë tema madhore këto që përbëjnë pikërisht kapitujt dhe lëndën e studimit.
Pas vitesh të tëra torture të egër fizike dhe morale, pas dhjetë vjetësh burgimi në “ferrin komunist shqiptar”, siç e cilëson ai shtetin totalitar shqiptar dhe diktaturën komuniste, pas një periudhe të stërzgjatë mbijetese e revolte në kampe përqendrimi – përshkruar këto me hollësi të tillë sa të ngjethen mishtë në librat që ka botuar, (”Nën hijen e Rozafës” dhe “Pika loti - tregime nga burgu”) –, e shohim studentin Repishti në Paris, konkretisht në vitet 1970-71, kur ende vazhdonte jehona e lëvizjes së majit 1968, periudha kur kishte zier, në kryeqytetin francez dhe në tërë Francën e më tej, revolta spontane kulturore, shoqërore e politike drejtuar kundër shoqërisë tradicionale në mjaft vende perëndimore, një lëvizje kundërshtimi, me përmasa të gjera, ndaj çdo forme autoriteti. E shohim antikomunist të vendosur gjer në fund, tek i kishte thënë ballazi një “Jo” të prerë e përfundimtare xhelatit të vet, për të mbetur përherë në anën tjetër të barrikadës, me idealin e vetëm të të qenit Njeri i lirë. Dhe pikërisht, në ato vite vlimi të përgjithshëm, kur vijonte periudha e Perdes së hekurt në disa vende, e pranverës së Pragës dhe e tankeve sovjetike në Çekosllovaki, periudha e “Revolucionit kulturor” në Kinë - në thelb antikulturor e me gardisët e kuq famëkeqë -, periudhë edhe e asaj “Kine të vogël të Europës”, siç e cilësonin ironikisht në Perëndim Shqipërinë staliniste e të izoluar, Repishti 45 vjeçar, me bagazh përvoje të hidhur prej fatit të vendosur nga një sistem i ashpër totalitar, “bagazh i rëndë tragjik”, i drejton letër të gjatë André Malraux-së, njërit prej patriarkëve të humanizmit francez të shekullit XX, emër i madh e i nderuar i letërsisë franceze, Ministër i Kulturës së asaj kohe. Dhe Repishti do të jetë e do të mbetet kështu i pari shqiptar që shkroi për krimet e komunizmit në Shqipëri dhe i dënoi ato me forcë në letrat drejtuar Malraux-së, këtij personaliteti të madh të Francës që qëndron “në Panteon si një Goncourt suprem, si një Nobel i përjetshëm”, siç shprehet për të akademisti i sotëm francez Jean d’Ormesson.
Me një të vërtetë të thjeshtë e të madhe si viktimë e totalitarizmit që ka “jetuar me litar në grykë”, si dëshmitar okular i kasaphanës komuniste, me nevojën për t’u ballafaquar me Historinë (si fat) dhe plotësisht i ndërgjegjshëm në kërkim të fatit të njeriut të lirë, Repishti student analizon një për një veprat e shkrimtarit të madh, fatin e personazheve të tij të shumtë, duke depërtuar në “nevojën e tyre për veprim” e jetë intensive, në “nevojën për aventurë e për vëllazërim”, pikërisht nga ku lind edhe vetë lëvizja revolucionare. Sepse, një lëvizje e tillë si etikë aksioni, si nevojë për ndryshim, si pasion i rinisë së kohës, në kërkim të së vërtetës, të lirisë individuale dhe njohjes së botës në përgjithësi, ishte jo vetëm në modë, por edhe prirje e theksuar e gjysmës së parë të shekullit XX e më tej, ku do angazhoheshin, por edhe do zhgënjeheshin, shkrimtarë e artistë të shumtë francezë, gjermanë, rusë, italianë, çekë etj., që nga Barbusse, Rolland e Verhaenen të Luftës së parë botërore, që nga Aragon, Bloch, Malraux, Gide, Pasternak, Brecht, Seghers, e deri tek Elouard, Char e Picasso, figura të shquara intelektuale europiane të para dhe pas Luftës së dytë botërore.
E në këtë mes, në dilemën edhe të mjaft intelektualëve shqiptarë të viteve të Luftës së dytë botërore, “në duhej apo jo sakrifikuar ajo që është e shtrenjtë në mendjet dhe në zemrat, liria individuale, për hir të kolektivitetit të imponuar”, Repishti pozicionohet qartë, kundër “shtetit” që sundon shoqërinë, kundër aksionit të kontrolluar dhe çdo forme shtypjeje të lirisë së mendimit dhe të lirisë së individit, duke shpërthyer me zë të fuqishëm : “Me pranue vuajtjen pa kundërshtim dhe vdekjen pa u revoltue, ashtë skandaloze!” Sepse është pikërisht Njeriu që end vetë pëlhurën e Historisë ai që, tek kërkon t’i japë kuptim jetës, lë gjurmë në të me aktin e tij të lirë e të pavarur. Njeriu i lirë, dhe të drejtat e tij themelore, do të bëheshin për profesor Repishtin motoja kryesore e jetës së tij, vetë “Feja ime”, siç shprehet profesori i nderuar.
Duke parë te ndjenja tragjike e jetës fillesën e Humanizmit të Malraux-së, kur atë ndjenjë e bagazh tragjik me peshë të rëndë, Repishti e kish mbajtur vetë vite të tëra në zemrën dhe kurrizin plagë, në letrën që i drejton shkrimtarit të madh francez, ai shprehet me patos të veçantë se asnjëherë ideja e vdekjes, apo e vetëvrasjes si akt, nuk i gllabëroi shpirtin; përkundrazi, dashuria për nënën, si ndjenjë sublime, dashuria për shokët dhe vetë ndjenja e vëllazërisë i japin atij forcë, shndërrohen në burim jete e optimizmi, për të mos e lëshuar veten për asnjë rast e për asnjë fatalitet dhe për të kërkuar e luftuar shkakun e vuajtjes dhe të tragjikes. E me këtë forcë të madhe shpirtërore, Repishti student i ngre himn nënës së vet dhe gjithë nënave të përvuajtura të Shqipërisë, që me dashurinë e tyre mbanin të ndezur flakadanin e jetës dhe vetë optimizmin për të. “Një dashuri e tillë, mendoj, i shkruan Repishti Malraux-së, ka qenë pika e nisjes e rikthimit tim në jetë, pajtimi me farën njerëzore. Nëna ime e moshuar kishte kaluar dy vjet në një kamp përqendrimi, e izoluar dhe e vetmuar. E kam parë si keqtrajtohej nga gardistët e kuq sa herë që afrohej për të më parë përmes shufrave të hekurt. Dhe e tillë ka qenë pranë meje, të themi, gjatë gjithë kohës".
Në një kapitull më vete, Repishti ndalet në zëvendësimin e etikës së aksionit individual me estetikën, me të bukurën, me vetë artin në kuptimin e përplotë, ku përfshihet edhe vetë arti i të jetuarit. Sepse nëse njeriu, qenie vdekatare, vdes në mënyrë të pashmangshme, arti, si shprehje e thellësisë së njeriut, mbijeton, vepra mbetet, lë gjurmë. Dhe analiza e profesor Repishtit kumbon këtu si një mesazh i freskët sidomos për brezin e ri se arti dhe vetë arti i të jetuarit, përtej çdo forme mbijetese dhe bagazhi tragjik të së shkuarës, si shprehje e thellësisë së njeriut, si afirmim i lirisë së tij zgjeron dhe rinovon konceptin Njeri dhe krejt Njeriun tërësor në çdo kohë e rrethanë.
Në përfundim, autori zbërthen e lartëson humanizmin e Malraux-së në disa rrafshe, duke e parë në evolucion, për të arritur, së bashku me të, në konkluzionin se kultura njerëzore, si strukturë e thellë dhe e domosdoshme për njeriun, merr format e saj më të epërme të humanizmit njerëzor në kuadër të Europës bashkëkohore, të kësaj Europe të Bashkuar që përherë e më shumë po lartëson vlerat e saj në vëllazëri e për vëllazëri popujsh e individësh, si tipari i saj themelor, bashkëkohor e i qendrueshëm.
Fotaq Andrea
Tetor 2010.