Kulturë
Alma Begaj: “Farfurima e shpirtit” (III)
E premte, 30.12.2011, 01:09 PM
Alma Begaj
Shkëputur nga cikli me poezi “Farfurima e shpirtit” III
BORA BRENDA MEJE
Zbresin
flokët
e bores,
vijnë lehtë e ulen,
mbështeten butë,
e, lënë një qilim të bardhë delikat.
Kalojnë orë
para se të mbërrijë
si një këngë djepi e ëmbël,
gjumi dhe ëndrrat.
RRËSHKITE PORSI NGJALA
Porsi ngjala
rrëshkite para meje.
Të thirra,
por ti notoje
qetë.
*
As dallgët
s’të ndalën,
e unë,
si një pikë uji
mbeta e shkretë.
IKËN DHE VJEN
Jam dhe s’je,
Të kërkoj e nuk të gjej,
Vjen e ikën,
Pas, lë gjurmën e harresës.
RELAX
R utina mbytëse, pa frymë më lë
E rëmirë lulja e Krishtlindjes
L ejon të më kapë nostalgjia
A jrin me oksigjen ma mbush
X ixëllon Ylli im i shpresës.
LIQENI I ËNDRRAVE
Dielli shkon e shndërrohet,
përtej dritës së kuqe të imagjinatës,
në tym gri
e, reflektohet në ujë,
syrin ma shkel dhe më tërheq.
aty brenda në liqen.
Porsi tornadot,
tani,
krijoj forma të çuditshme
në vizatimet e mendjes time,
valë dredha-dredha
e kujtime të vjetra
më vijnë sot,
vendndodhjen e tyre,
nesër e gjej.
Trupa të panjohur,
fytyra pashembull e formë,
magji ngjyrash dhe poezi.
Sytë e përgjumur, humbin
në një foto të imagjinatës time.
FJALA
Në portën e fjalës
trokas,
duke ëndërruar
vallëzoj,
një këngë të padëgjuar,
ku ndriçon fshehtas
Dielli.
VETËM MË DUAJ
Më duaj
më duaj edhe për një natë të vetme,
e unë, do të vishem plot gëzim,
nga agimi deri në perëndim.
Po të lë një fjalë
përmbi pragun e një puthje,
e, ti, pikturo me të
të ardhmen tënde
me freskinë e fillimit të ri.
NGA FLY
Tretu Diell
larg
në Perëndim
ashtu siç tretet
vështrimi im
në ty..
Kur ti puth
Valën e Detit,
unë ty
synë të shkel.
Shkrihemi
Unë,
Ti dhe Deti
kur flladi vjeshtor
na përkëdhel.
Ti dhe Vala
i buzëqeshni shpirtërisht
muzgut.
Në Agim,
vjen
takimi tjetër.
I WANT A COFFEE
Buzët e tua
në të miat puthiten.
Akoma pa shijuar asgjë,
aroma jote më deh,
më ndjell.
E hidhëruar
me ëmbëlsi,
e avullt,
e nxehtë..
Ashtu të lëngësht
dua të të rrufis
menjëherë,
O kafe e zezë pis.
FTOHTË
Sa ftohtë që kam.
Ajzbergët kanë shkrirë
nga dielli i nxehtë
por, unë sërisht kam ftohtë.
Këmbët akull…
shpirti më akull…
Dielli ka harruar
të kthejë rrezet e tij nga unë.
Kalojnë ditë,
muaj,
vite..
Shekuj do kalojnë,
dhe ai,
përsëri do harrojë
të kthejë buzëqeshjen nga unë.
E unë,
përsëri shumë ftohtë kam
Ku je ti diell?
MOSHA “XXL”
Kur këmbët e mia
të ndjejnë të parat dridhje
dhe nuk kanë dëshirë
për të më marrë rreth botës,
atëherë unë do të pushoj.
Me mendjen time të hutuar
që udhëton në kohë
në mbretërinë e kujtimeve,
tejkaloj horizontin e moshës së jetës,
bëhem pak “e çmendur”
por, me një buzëqeshje të madhe
dhe e kënaqur nga kjo Botë.
DASHURI E ËMBËL
Dëshiroj të jesh këtu ..
Dashuria ime e ëmbël,
përkrah meje,
e, të shoh në sytë e tu.
Dua të humbas në botën tënde,
..në timen…
në botën tonë.
Një kordë e zërit që ngrihet,
një psherëtimë e lehtë ..
më bën të vallzoj,
një frymë e nxehtë
më ngroh lëkurën,
ndërsa një re
kërkon të më burgosë.
Mendimet e mia ..
fjalët e mia,
dhe dora ime,
dorën tënde shtrëngon,
për të dëgjuar pulsin
në zemrën tënde.
E ndjej frymën tënde të ngrohtë
në fërkimin e butë të lëkurës,
prekur nga buzët e tua të kuqe flakë
që më puthin lagësht.
E, ti,
ndjen emocione e,
të shpërthejnë të dridhurat
në një të pafundm përqafim.
Dua të jemi së bashku
prapa kësaj dritareje të hapur
për të shikuar jashtë gjithë botën,
e, rreth nesh,
vetëm festë dritash dhe ngjyrash,
të ketë.
Dua të shtrëngoj fort rreth vetes,
sepse të dua Dashuria ime e ëmbël.
PORTAT E SHPIRTIT
Nëpër sekrete
fshihen çelësat
për të hapur dyert
në lidhje me shpirtin.
Ndjekim ekuilibrin
në përputhje me universin
për të shkuar
sipër shiritit në ngjyrë blu në vjollcë.
Të arrijmë në portat e shpirtit
e, kurrë nuk kthehemi pas.
E pasuksesshme
përpjekja ime,
për më tepër,
rruga ime e padukshme duket
kur flas,
vetëm për dashurinë.
ANIMA
Vuaj,
por mos m’i digj dëshirat
shpirti im!
Deri sa thembra e Akilit
të gjejë një mbështetje
brenda dashurisë time
që lufton mes dyshimit dhe vuajtjes,
a mund të mbështetem
në ndihmën tënde perëndi?
Ah, shpirti im,
mes hemisferave,
që më shtyjnë tek ty
janë vite, shumë vite largësi.
Përballe meje shfaqet,
diçkaja e panjohur
për mua dhe gjithkënd.
Gjithçkaja që, muzikantët,
nuk mund ta përshkruajnë dot në muzikë
por, që tingull hyjnor është.
Atë, që piktorët,
nuk mund ta penelojnë me ngjyra
por, që ngjyrë është.
Ky është çasti,
ku ti shpirt,
më fal gjithçkanë dhe asgjënë.
VARGU I POETIT
Shpesh,
shumë poetë përdorin fjalë,
për të thënë
diçka aq të thjeshtë.
I marrin mendimet
kalojnë gjatë kohë
për një rimë
për të bërë një këngë,
një poemë
me muzikën e fjalës.
Unë jam duke kënduar
Për ty, kam shkruar një këngë,
për të qenë i sigurt
Për atë që do të them.
Më lër të fluturojë për në hënë,
më lejo të luaj në mesin e yjeve.
Më lejo të shoh
nëse është e njëjtë
të shkoj në Jupiter apo Mars.
Me fjalë të tjera, kap dorën time!
Me fjalë të tjera, dashuromë, Puthmë!
Plotëso zemrën time me një këngë,
dhe bëj që të këndoj shumë e më shumë.
Ti je gjithshka që Unë kurrë s’e kam pritur,
ku lutem me adhurim.
Me fjalë të tjera, bëj të jetë e vërtetë!
Me fjalë të tjera, Të Dua!
ATJE JAM DHE UNË
Ndonjëherë,
shoh në horizont…
e, vështrimi
shkon në pafundësi.
Ndjek lojën e reve
me kohën
që luajnë aq përsosur.
e, në skajin më të largët,
atje jam unë,
tek flladitem me një pulëbardhë.
E ti jetë ku je?
KUSH JEMI?
-kush je ti ?
dhe unë …
-kush jam?
… nëse
simfonia e përjetshme e jetës
të ngjall dyshime të dëgjimit,
dil në ballkon!
Bërrtit,
ulërit
sa kraharori të çlirohet!
Nëse shikimi të vështirësohet,
mos shiko atje
ku nuk dëshiron të shohësh!!
ËNDRRA IME E BUTË
Ëndrrat e mia të buta,
po pyesin natën:
-A mundesh dot
të më bësh një ëndërr të lehtë
dhe brenda ngjyra-ngjyra?
Nën heshtjen blu
ëndrra, kërkon të përballet me zërin
të luajë me duart.
-Ëndrrat e mia të buta,
mos kërkoni më shumë gjatë natës,
mos u bëni maniake të hyni kudo,
më lini të qetë në ëmbëlsinë hyjnore,
më lini vetëm,
imazhet e errëta m’i largoni,
ditën lëreni të vijë e bukur!
E unë,
nuk mund ta ndal
këtë pushtim ëndrrash.
SHKALLA E JETËS
Ri-ngjitje në shkallë,
nga ku rashë,
e pasigurt shkumëzoj,
frymoj.
…Sërisht mundohem të ngjitem
bashkoj me lotët e mi
edhe djersën e përvuajtur..
si një lule mes tufë lulesh,
lirinë e thjeshtë dua të gëzoj.
Shfaqjen e pabesueshme
nga lart e vështronin
qeshnin,
talleshin, dhe
bisedonin:
-Përse lodhet të ngjitet?
(për t’u ngjitur në një jetë
që nuk ekziston?)
-shpenzime për një lumturi,
po ku është ajo?
Përpjekje të vazhdueshme bëj
që nga rënia,
në ri-ngjitjen e shkallës së jetës.
AKOMA TË DUA
Zëri yt
fryma jote
përballet me mua…
Drita jote,
hija jote
gjithçka jotja
më bën të humbas frymën
më bën të dridhem.
E gjithë kjo
më ka bërë mua
të bie në dashuri me Ty
që ditën e parë
kur unë të pashë ..
Ti,
gjithmonë më ke dashur…
dhe Unë
të Dua ende
Dashuria ime!
INDIFERENTE
Unë mund të bëj si çdo natë:
Të vishem me indiferencën time,
duke vallëzuar zbathur
me këmbët e vogla
përgjatë rrugëve
për të harruar.
Në mes të pirjes së duhanit
dhe e vetmuar
hyj në nostalgji.
Trëndafilat e rremë
dhe serenatat
më shikojnë habitur.
Por sonte, unë shtroj si zakonisht
velin e freskisë.
Heq nga fytyra trukun e konsumuar,
nga një ditë e lodhshme,
e, përballem me një teatër imagjinate
në pasqyrë,
ku spektaklin,
vetë e duartrokas.
Në sfond
është një himn injorance
që më shoqëron.
Sonte,
dua t’i mbaj hapur sytë e mi
në qiell,
dhe ende besoj
se yjet me shkëlqim në lëkurën time
nuk janë vetëm një pasqyrim
por diçka që prek.
Një magji
që rreh midis gishtave.
E brishtë
duke e thyer rutinën
me një lotësjellës,
ti vjen kaq i fortë,
por si një zemër
që di të fluturojë.
E, më ngre aq lart..
në hënë me çon
dhe përtej universit.
Sillem me ty
si gruaja që shpirti të dëshiron,
tepër romantike,
e, ëmbël të bie
në prehërin tënd,
dhe përsëri të djeg
me dashuri.
Lexoj të vetmen poezi
të shkruar në sytë e tu.
Gjendem në horizont,
konfuze
me të mira e të këqija.
Të qaj me lotë të hidhur
nga aq shumë helm
që del prej shpirtit.
Dhe në duart tua
të mbetet vetëm hiri im,
hiri i ëndrrave të mia.
AGIMI VJEN SËRISHT
Fshehur mbaji o muzg
trëndafilat e kuq!
Dhe lulet e tjera
në sy mos t’rafshin më!
Agimi sërisht
plot freski do t’vijë…!
EMOCION
Qaj dhe qesh
për të njëjtën arsye,
emocionet e mia
ende bëjnë beteja në zemër,
elektrizimin e ndjej
ende brenda meje.
A thua jam kaq shumë emotive?
Koha, ka lënë gjurmë tek unë.
Ëndrrat, që galopojnë
me trokthin e kalit
dhe plot imagjinatë.
Koha ma vret emocionin
por, emocionet,
nuk duan të dëgjojnë.
Vetëm pas kësaj beteje,
vjen ndalesa e zemrës.
Mëngjesi, humbet ngjyrat e tij..
Muzgu, pret një natë..
Dielli, nuk ndihet më ngrohës..
Por, nëse zemrën e mbush me ëndrra,
nëse fluturon e merr fantazi,
atëherë, jeta është plot me ndjenja
emocion dhe adrenalinë.
PULËBARDHA
Nëse do mendoja të lundroja në det,
në mënyrë që të marr shpirtin tënd
e të bie pikiatë në mendimet e tua,
sigurohu se këtë do ta realizoj.
E, do të ishte një çast i madh.
*
Përvjedh fytyrën tënde,
si e bardha borë
e, brenda shpirtit tënd hyj
e, nuk dua të largohem.
Emocionin tim,
ndjenjat e mia,
dua aty t’i rrënjos.
*
E kam fuqinë
për të dhënë një buzëqeshje..
e kam forcën e një përqafimi
nën mbulesë ngjyrë vjollcë,
që mban ende aromë
nga indet e tua dhe të mia,
ngjyra dhe aroma të zgjedhura për ne..
gjithë botën,
me një fluturim të bukur pulëbardhash
ta përshkojmë..
*
Me Zotin tonë takohemi,
dhe jemi të lumtur ..
ka aq shumë bukuri,
ashtu si një pulëbardhë ..
e bëjmë fluturimin tonë në det,
dhe shikojmë nga lart ..
*
Ja, tani, ta dërgoj një puthje,
një buzëqeshje llamburitëse ..
dhe ti .. që dëshiron të më kapësh
në fluturim …!
NË ËNDËRR
Shtrirë në krevat
fle e përhumbur…
e, një zë më vjen papritur,
dikush po qan.
I çel sytë, por,
zërin e dëgjoja sërisht.
Qan e ulërin i mjeri..
Ç’të jetë vallë thashë.. ???
Prek faqet,
janë të lagura….
ç’të shoh?
Janë lotët e mi.
Kuptoj që ai zë jam unë
e, qaj me ngashërim.
Ai zë është shpirti im
që pret jashtë trupit tim
për t’u futur brenda sërisht.
E mora,
e vështrova me habi
-Ç’doje që jashtë dole??
Më pas, më tregoi një histori
ku shumë kishte vuajtur
dhe donte të ishte i lirë.
Ehhh..
për një moment mendova:
-E çfarë është jeta ???
Përgjigja ishte:
-Jeta? Është ajo pjesë ku,
disa luajnë
dhe disa rrinë,
disa qajnë
dhe disa qeshin,
por, disa vdesin për së gjalli
dhe disa jetojnë duke vdekur.
FRIKA IME
Dhe një natë tjetër pa ty…
Sa e frikshme kjo dhomë
mbuluar nga errësira mizore.
Po afron mëngjezi,
ufaa, sa me fat jam unë..
kaloi ajo pjesë që më tmerron,
nata….
Ditë e re,
rutinë e përditëshme
e, sërisht ty të kërkoj
nëpër rrugë, kudo…
…prapë nuk të gjeta.
Prapë erdhi Nata…
…sa frikë…
VALË ADRIATIKU
Në bregdet,
eci sa, vetë këmbët të ndalen.
Uji që vjen,
uji që shkon…
Vështrimin largoj në horizont
në kërkim të asgjëje…
Dallga,
sërisht vjen e shkon lehtë
Linjë e qetë,
pa fund…
Ngadalë rrezja e diellit
tretet në det
dhe vala që vjen,
puthet me valën që shkon…
MENDIMI IM
Është e bukur nostalgjia
kur, përmbi trupin tim rrëshket..
E ngrohtë dhe e lehtë
si shiu më puth
porsi Dimri i lë vendin Pranverës..
Sytë s’më çuditen
dhe ndërsa lotojnë
mendimet fluturojnë
drejt luginave të largëta
të gjelbërta që gjarpërojnë
trup kërrusur
në një buzëqeshje të hidhur
që ngrin në fytyrë.
Por ndjenja e ëmbël është ende
në nostalgjinë time të pafund.
Mendimi im i rrufeshëm:
Je e madhe, vishu, dil,
Dielli akoma nuk ka perënduar…!