E premte, 19.04.2024, 05:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Çamëria në poetikën e Namik Selmanit

E enjte, 29.12.2011, 02:56 PM


ÇAMËRIA NË POETIKËN E  NAMIK SELMANIT

 

Duke shfletuar antologjinë poetike “Shpirti Çam” të poetit Namik Selmani

 

Nga Prof. dr. Resmi Osmani

 

Diplomacia e Fuqive të Mëdha,në vitin e largët 1913, me laps të kuq hoqi vijën ndarëse të kufirit në jug të vendit. Çamëria u shkëput nga atdheu. Kjo vijë e kuqe ishte si një e prerë me bisturi, si një plagë që kullon gjak. Kjo plagë është ende e hapur, ther dhe dhemb,si plagët e vjetra kur vetëtin e bubullon. Gurët e sinorit, që shënuan kufirin e ndarjes, kishin peshën e robërisë për atë pjesë që mbeti m’at’anë, peshën e dhimbjes dhe ndarjes për së gjalli të pjesës tjetër të kombit. Çamëria shqiptare, sistematikisht u masakrua,u përgjak, deri sa në vitet e kobshme 1944-45, erdhën kalorësit e Apokalipsit,të prirë nga gjakësori Napoleom Zerva, që me zjarr e hekur e me shfarosje të jetëve njerëzore të pafajshme, derdhën lumenj gjaku. Çamët, me një eksod biblik, u detyruan të lenë trojet amtare dhe Çamëria, siç thotë poeti Bilal Xhaferri, në vargjet e papërsëritshme të “Baladë Çame”:

Dhe kudo toka çame,

mbuluar nga retë,

rënkon e mbytur në gjak e lot,

e mbetur shkretë,

pa zot.

Kjo popullatë martire, që humbi fizikisht,por jo shpirtërisht trojet e saj historike, tok me dhimbjen e pafashitur për vendlindjen, dheun e të parëve, mori me vete dhe mbajti të pashuara në kujtesën e saj historinë, kujtimet për varret e të parëve, pragjet e shtëpive, legjendat, përrallat, këngët, zakonet, imazhet e papërsëritshme,  gati parajsore të tokës çame: kaltërsinë dhe ndriçimin e qiellit nga dielli i jugut, dallgët e Jonit që puthin brigjet e saj, blerimin e ullinjve e të portokajve. Gjumin e tyre e trazonin dhe e trazojnë edhe sot e kësajdite ëndrrat dhe ca gjëmime, që duket se vijnë nga nëntoka, si kushtrime të-të parëve dhe të të rënëve që nuk gjejnë prehje. Edhe pse kanë kaluar dhjetëra vite, ky përmallim dhe brenga nuk janë fashitur. Prindërit ua kojnë fëmijëve dhe nipërve, brezat ua kalojnë brezave. Ky konstitucion kompleks, i veçantë, sa i dhimbshëm, i ndjeshëm dhe i përmallshëm, tejet njerëzor dhe i dashur, sjell jehonën e viseve amtare dhe brengën e pashuar, por edhe refleksionin, shpresën dhe besimin për të nesërmen, se një ditë do të kthehen aty. Këtë dukuri, këto vlera shpirtërore të qenësishme të njeriut çam, pothuajse i kanë pasqyruar në art, kush më shumë e kush më pak, të gjithë krijuesit dhe poetët bashkëkohorë, që janë bij të komunitetit çam, duke filluar që nga i papërsëritshmi Bilal Xhaferri, poeti dhe prozatori Arben Kondi, Namik Mane, Agim Bajrami, prozatorët Enver Kushi, Bedri Myftari, Shefki Hysa, etj. Por, në këtë trajtesë, duam të shprehim disa opinione dhe mendime për krijimtarinë e  poetit, publicistit dhe veprimtarit shoqëror Namik Selmani, një nga poetët  prodhimtarë e  të spikatur të pas viteve 90-të, që sjell jo disa poezi, por një volum të plotë për Çamërinë martire. Krijimtaria e tij poetike përfshin tetë libra.  Librin e tij poetik, në të cilin ka përmbledhur poezitë kushtuar Çamërisë, të botuar në vitin 2007, e ka quajtur”Shpirti çam”. Por pse pikërisht kështu? Cila është veçantia e këtij shpirti? Shkrimtari Enver Kushi, ve në dukje se:” Shpirti çam, është pjesë e pandarë e atij shqiptar, me të cilin e lidhin mijëra fije. E megjithatë ai ka më shumë fluiditet, dritë, qetësi, kolor, aroma dhe ca gjëmime të thella si të thellësive të detit” N.Selmani, simbolikën e shpirtit të paepur dhe etern çam, e ka ngjizur dhe sintetizuar në një nga poezitë simbolike të  këtij libri, që ka titullin” Shpirti i Çamërisë”. Aty  rrëfehet se këtë shpirt, në kohëra, kanë dashur ta venë nën tehun e lloj - lloje gijotinash vrastare, por përherë sëpatat i kanë marrë zogjtë! E ai ka mbetur i gjallë e i lirë në të gjitha kohërat! Poezia mbyllet me vargjet:

.....Oh shpirti çam kish ikur,kaltërsia e priste

Kishte mbetur kryexhelati që s’kishte ç’tëthoshte.

Heshtonte sheshi

Krakërima korbash sillte,

Sëpatat kishin fluturuar në krahët e zogjve....

Poeti ka lindur dhe është rritur në Ninat të Konispolit. Toka e ëmbël dhe e bekuar e këtij fshati, ka rritur dhe ushqyer të madhin rilindës Hoxha Tahsinin, patriotë të tjerë dhe luftëtarë të çështjes shqiptare, poetin e shpirtrave njerëzorë, Bilal Xhaferrin. Namik Selmani, në vijim të kësaj trashëgimie kulturore dhe atdhetare, talentin e tij poetik të spikatur e ka vënë në shërbim të çështjes sonë kombëtare, që ka mbetur ende e  pazgjidhur.

Namik Selmani, në krijimtarinë e tij në tërësi dhe veçanërisht te “Shpirti Çam”, na shfaqet si poet liriko-filozofik, me angazhim të theksuar patriotik, i frymëzuar, me shpirt e zemër të ndjeshme, përherë i shqetësuar për fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që janë pjesë e unit të tij. Poet i ndjenjave delikate, me sensin e të bukurës dhe së mirës, që në morinë e subjekteve që rrok, edhe te ajo që në dukje ngjan e  zakonshme, gjen të veçantën, që e paraqet me vargje dhe gjuhë të figurshme dhe elegante. Duket gjithnjë se është në kërkim e i paprehje, që artin e tij ia kushton atij, që është ideali i tij, çështjes kombëtare. Gjeografia e poezisë së tij, përfshin gjithë hapësirën e trojeve ku jetojnë   shqiptaret: Kosovë, Preshevë, Maqedoni e Mal të Zi. Ajo, pasqyron bukurinë e peisazhit të atyre vendeve, ëndrrat, aspiratat, luftën për liri, gjakun e derdhur, evokon ngjarje të shënuara të historisë së tyre, që janë pjesë e kujtesës historike dhe burim krenarie. Për temat    trajton, ai është një zë i veçantë, është poeti i përkushtuar i vlerave, por edhe dhimbjeve dhe vuajtjeve  të etnisë. Kjo e bën aktuale poezinë e tij dhe e nderon poetin. Eshtë kjo ndofta një nga arsyet që ai është  i lexuar dhe i pëlqyer në trojet shqiptare jashtë kufirit shtetëror. Poezitë e tij janë përfshirë në antologji të botuara në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Pas këtij rrugëtimi, le të kthehemi te libri “Shpirti Çam”. Ai është një enciklopedi poetike. Aty janë qytetet e magjishme buzë detit: Preveza, Parga, Gumenica, Arpica, Vola, qyteti i Janinës, Marglliçit dhe Filati, janë fshatrat e mbushura me gjelbërimin e ullinjve: Nista, Koska, Kastria, por me pamjet e dhimbshme të rrënojave dhe braktisjes së shtëpive. Janë brenda poezive burrat e shquar, trima e të mençur: Hasan Tahsini, Osman Taka, Bilal Xhaferri, Daut Hoxha, Abaz Dojaka, kapedanët trima të luftës për liri, të vizatuar me penelata transparente e fluide si në akuarel. Aty takojmë Bajronin në Sul dhe poetët çamë bashkëkohës të poetit, të tubuar në amfiteatrin e Dodonës pellazgjike. Aty u këndohet nënave çame, të nurshme e fisnike, të mira. të dashura e të dhimbsura deri në amshim, vashazt e bukura si drita, të buta si vita dhe djemtë si petrita. I këndohet dashurisë dhe ndjenjave të thella njerëzore, gëzimit dhe bukurisë së këngëve dhe valleve, miteve dhe legjendave, ngjarjeve historike dhe dhimbjes së madhe: Braktisjes së detyruar të krahinës. Dhe në gjithë këtë shumëllojshmëri subjektesh të botës çame, pulson, regëtin e ndrin fisnikëria dhe bukuria e pafishitur e shpirtit të njerëzve të kësaj krahine. Shpirt, që mbetet i tillë, si në gëzime dhe hidhërime, si në vuajtje e mjerime, si në luftë e si në paqe. Vargjet janë të mbushur me kaltërsinë e qiellit dhe ndriçimin lëbyrës  të diellit të jugut, me valëzimin e paqetë të dallgëve të Jonit, që ledhatojnë brigjet, me ajrin që ermiron borzilok e manxuranë. Muza e poetit, ka mbledhur nektarin në gjithë hapësirën çame dhe ka mbushur me ambroz hojet e vargjeve, që për lexuesin të jenë si pija hyjnore e perëndive pellazgjike. Janë afro njëqind poezi dhe mbi dymijë e gjashtëqind vargje. Në çdo njërën poezi,  përmendet të paktën një herë Çamëria, por çuditërisht kjo hasje e shpeshtë e këtij emëri, nuk sjell zhvlerësim, përkundrazi, për rastin dhe mënyrat se si përmendet, nga figurat artistike  që e veshin, ky emër kthehet në metaforë dhe për lexuesin mbetet i afërt e i dashur, një lajtmotiv melodioz, me një tingëllim dhe  muzikalitet të ëmbël, edhe kur motivi  është i dhimbshëm. Mos gjithë kjo është diçka virtuale, disi romantike dhe e idealizuar? Jo. Poeti e ka shkelur dhe shëtitur tokën çame, edhe ai si shumëkush nga ne, që kanë qenë aty për herë të parë, është emocionuar thellë, i është dridhur zemra, i është drithëruar shpirti dhe me ndjeshmërinë e hollë të poetit-bard, imazhet dhe përjetimet e veshura me figuracion të pasur të marrë nga ai mjedis , i ka hedhur në vargje, të cilat vijnë te lexuesi plot freski, të vërteta,  emocionuese dhe me kumtin e tyre historik, narrativ apo filozofik. Poeti është tërhequr edhe nga gurra e folklorit të pasur çam, motivet e tyre, sado të bukura, vijnë në ripunimin e tyre edhe më të bukura, ngaqë poeti, me mjeshtërinë e punuesit të gurëve të çmuar, u jep formë dhe shkëlqim që të shfaqin tërë vlerën e tyre.

Shqyrtimi i vëmendshëm i poezive të këtij vëllimi, rrëfen se poeti Namik Selmani, siç e thamë, është poet i zhanrit liriko-filozofik, spontan e meditativ, shpesh shpërthyes. Poezia është në shpirtin dhe mendjen e tij si pjesë e unit, duket se ai nuk sforcohet që ta  kërkojë  poezinë dhe motivet, por ato i vijnë vetiu, natyrshëm. Kjo ndodh ngaqë është një vrojtues i vëmendshëm e i kujdesshëm i truallit ku shkel dhe, njohës i mirë i  historisë dhe mjedisit, që bëhet burim i vjershërimit të tij dhe shprehës i mesazhit, që kërkon ti transmetojë lexuesit. Shpesh, ai e gjen të bukurën, poetiken edhe në ngjarje apo objekte  në dukje prozaike, por ai zotëron alkiminë poetike të shndërrimit të fjalës në ar. Leksiku i tij është i zgjedhur, i pasur. Duhet vënë në dukje se ai ka dhuntinë, ndofta ngaqë është pedagog letërsie, që në poezitë e tij, të përfshijë fjalë të bukura e të veçanta, nga të folmet krahinore të trevave që u kushtohen poezitë. Në vëllimin “Shpirti Çam”,ka plot fjalë të atij dialekti, që tingëllojnë bukur dhe krijojnë atmosferë foljore të ngrohtë e të pasur. Jep kësisoj një shembull sesi duke ruajtur normat e pranuara, shqipja mund dhe duhet të pasurohet me fjalën e bukur e tingëlluese të folmeve dialektore të gjithë trevave shqiptare.

Megjithëse vëllimi poetik i kushtohet Çamërisë, e cila siç është e ditur, ka pësuar një gjenocid barbar, tragjik e të përgjakshëm, me përfundim spastrimin etnik të asaj krahine nga popullata shqiptare, çuditërisht, në asnjë poezi nuk ka mllef, nuk ka urrejtje, nuk ka thirrje për hakmarrje, nuk ka zemërim. Të gjitha poezitë, kanë mesazhe paqeje, mirësie  dhe dashurie. Është një qëndrim mençuror, bile, më shumë. E vërteta historike e fatit të Çamërisë dhe banorëve të saj shqiptarë, është e njohur. Janë të njohura edhe mizoritë dhe krimet që u ushtruan mbi ta, me zjarr e hekur, për t’i dëbuar nga trojet e tyre. Duke lexuar poezitë e Namik Selmanit, aq të bukura e të ndjera, si pjesë e shpirtit çam, lexuesi di të bëjë përfundime, dhe të evidentojë sesa të padrejta ishin  gjëma, mynxyra, gjakderdhja dhe egërsia e bandave shovene greke ndaj kësaj popullate fisnike. Gjithashtu, që lexuesi të kuptojë edhe sa të drejta  janë kërkesat e këtij komuniteti, për tu rikthyer në vatrat e tyre stërgjyshore. Por edhe të reflektojë ndaj pretendimeve dhe kërkesave absurde, anakronike dhe shoviniste të reaksionit  grek të ditëve tona, për të ashtuquajturin Vorioepir.

Në këndvështrimin stilistikor, në këtë vëllim, poeti Namik Selmani i ka lejuar vetes liri dhe larmi stilistike, në funksion të temës dhe përmbajtjes së secilës poezi, si në kompozimin dhe arkitekturën e brendshme, në rimat, ritmin, metrikën, theksat tonikë, gjatësinë e vargjeve, madhësinë e strofave etj.  Gjen aty vargje të lira, vargje me metrikë, poezi me strofa e pa strofa, me rimë e pa rimë etj. Por  e përbashkëta e tyre është bukuria e shprehjes dhe vargëzimit. Bie në sy që vargu, si njësia më e vogël dhe lidhëse, vijuese e mendimit poetik, është shkruar me kujdes të veçantë, çdonjëri prej tyre ka bukuri, që ia japin figurat dhe metaforat e goditura e të zgjedhura me kujdes, çdo varg është si njësi e mëvetësishme, tërësia e tyre përbën unitetin e secilës poezi dhe kuptimin e saj të plotë. Është një përmbledhje poezish, ku çdonjëra është më e bukur se tjetra, aq sa nuk di se cilën  të veçosh. Secila është një befasi artistike, që i flet shpirtit të lexuesit me një gjuhë të zgjedhur, tingëlluese, fine, elegante e të veçantë. Janë poezi nga më të ndjerat e të frymëzuarat që i janë kushtuar Çamërisë. Janë si një buqetë lulesh të bukura, të freskëta, ku piklat e vesës së figurave shkëlqejnë si diamante, lule me aromë dehëse,  të mbledhura nga postatet e luleve të amvisave çame: Trëndafila, borzilok, trëndelinë e manxuran. Shumë poezi kanë muzikalitet, tingëllojnë si këngë, dhe pse jo, shumë syresh, mund tu shërbejnë  muzikantëve për tekste këngësh. Poeti, për mënyrën e shprehjes dhe transmetimit të mendimit, është sa klasik aq edhe modern. Shpesh lexuesi duhet të ndalet, të rilexojë, të mendohet që të rrokë më së miri idenë e metaforave, simbolikën dhe mendimin e autorit. Kjo, natyrisht është një vlerë, pasi lexuesi duhet të mendohet që të arrijë në ato shtigje ku poeti  ka dashur që ta drejtojë.

Ky vëllim poetik i Namik Selmanit, është si një stafetë poetike, që njeri brez ia kalon tjetrit, një kujtesë e amanetit çam, amanet që brezat ua kalojnë njeri-tjetrit.  Pavarësisht se i kushtohet Çamërisë, ky “Shpirt çam”, si pjesë e kujtesës historike, u drejtohet gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, pasi çështja çame, është jo vetëm e këtij  komuniteti, por është pjesë e çështjes sonë kombëtare që kërkon zgjidhje. U drejtohet me forcën e fjalës artistike edhe shtetarëve dhe politikanëve, që të ndërgjegjësohen dhe të angazhohen për ndreqjen e gabimeve dhe padrejtësive politike që i janë bërë dhe vazhdojnë ti bëhen  këtij komunitet martir. Është mesazh kujtese, malli, shprese, dashurie e besimi, që troket në mendje dhe zemër dhe që fal kënaqësi  estetike dhe të bën të mendohesh sa herë që ta lexosh. Ky është edhe misioni qytetar dhe atdhetar i artit të vërtetë poetik.

Jam i sigurt se pena e Namik Selmanit, me këtë libër poetik, na bën që të njohim më mirë vet-veten dhe na e bën Çamërinë edhe më të bukur e të afërt për fëmijët tanë, na bën më krenarë për vendin e të parëve tanë që nesër të mos fytrëskuqemi kurrë. Libri poetik “Shpirti çam”, pa asnjë dyshim është një arritje madhore e autorit dhe nuk duhet të mungojë në bibliotekat e shtëpive çame dhe  jo vetëm atyre.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora