Kulturë
Qerim Hysenbegasi: Karroca e Mitrush Kutelit
E enjte, 29.12.2011, 02:44 PM
Qerim Hysenbegasi
Karroca e Mitrush Kutelit
Ishte thyer dita. Qielli gri kish filluar të siste pikat e para të lotëve. Toka e përhimtë e kënetës, nisi të merrte ngjyrën e errët. Një cipë e hollë balte mbulonte rrugët në të cilat kalonin karrocat e ngarkuara me baltovinat kënetore. Këmbët rrëshkisnin si të ishin vendosur në një terren lubrifikant.
Mbi kullat, sipër telave me gjëmba, që rrethonin kampin, si sfinksa, qëndronin rojet e armatosura. Brenda telave, midis te burgosurve, lëviznin policët xhahilë, qe vëzhgonin ecurinë e punimeve, ecejaket e karrocave të ngarkuara. Lëvizte vargu i tyre, duke respektuar një distancë ritmike, si të kishin qenë vagonë të një lokomotive arkaike.
Papritur vargu i tyre shkëputet.
Të parat ecin, vazhdojnë të shkelin mbi dhimbjen e tyre. Diku vargu ngec…, shkëputet. Të dënuarit që u ngeci karroca, forcat iu mehen, këmbët u shkasin mbi terrenin e lagur.
U bën ndofta apelin e fundit forcave të veta, por karroca s’i bindet, s’lëviz.
Vargu i karrocave që vinte pas tij, ngec, nga që rruga ishte tepër e ngushtë e s’lejonte të kryhej parakalimi. Polici i çirret, bërtet, hungërin me të tërë mllefin e shpirtit demoniak.
Kuteli konsumon energjitë e fundit, por karroca s’lëviz… Është ngulur në tokë, do shpatulla, jo penë. Tenton për të fundit herë i madhi Kuteli, por këmbët i shkasin, koka i përplaset mbi kazanin e hekurt të karrocës. Përgjaket balta, karroca kryeneçe s’lëviz…Atëherë mbi trupin e brishtë të mjeshtrit të letrave vershëllen kamzhiku, më fort se mbi shpinën e mushkës xanxare.
Në atë heshtje varri, midis atij terreni të përlotur ndihej vërshëllima e kamzhikut si shushurimat e gjarprinjve të irrituar.
Gjaku i Kutelit shkroi atë natë mbi papirusin e pafund të moçalishtes tregimin më të dhimbshëm të jetës së vet. Dosjet e shumta të qiellit gri shënuar atë natë numrin e goditjeve të kamzhikut.
Si përfundoi kjo ceremoni tragjike, shokët e rrëmbyen trupin gati pa jetë të Kutelit të madh dhe e çuan në kapanon. Karroca …, ajo mbeti atje, e patundur si simbol i rezistencës, i protestës së pashëmbullt.
Të nesërmen Mitrushi del nga klapia, por trupi i tij dergjej nën plagë…S’ka forcë të lëvizë, të ngrihet, të hajë dhe fjalët, pasuria e vetme, s’i vijnë ndër mend, s’dalin prej goje. Çanga qe lajmëronte fillimin e punës për ditën e re e gjeti shkrimtarin shtrirë. Polici e rrëmbeu prej leckash e përplas 2-3 herë dhe është gati ta mbysë.
- Ku e çon more xhahil? -ndihet zëri i mjekut të burgut, doktor.Isuf Hysenbegasit.
- Në punë, i duhet të bëjë normën.
- Jo sot, por as për 3 muaj s’është në gjendje të dalë në punë.
Më vonë Kuteli do të shprehej:
- S’di cili engjëll, i dërguar i Zotit, më solli në jetë. Njoh atë që më ruajti jetën për të mos ma rrëmbyer xhahilët, njoh kolegun tim, ëngjëllin Isuf Hysenbegasi.