Kulturë
Dy balada nga Vangjush Ziko
E enjte, 29.12.2011, 01:33 PM
Vangjush Ziko
BALADË E RE
Garentina
humbi përtej detesh,
Mori krahët e pulëbardhës.
Kostandini
jeton dhe s' tretet.
Nëna plakë është gjallë.
Garentinën
më s' e qan
as fyell' i ndryshkur,
as lahut' e tharë.
As lahutari mend s' e mban
baladën e parë.
Pulëbardha solli letër
Shkruar në gjuhë të panjohur.
Nëna thirri djalin e vetëm.
Kostandini kitarën mori.
Edhe këndoi me kitarë
këngën e hidhur të prostitutës.
Iu bë kitara gur' i varrit,
Nënës iu shojt drita në sytë.
AGO YMERI DHE KALI
Ago Ymeri
ëndërron në burg
dasmën e gruas.
Një lot i hidhur iu kë put
mjekrës së parruar.
(Kali i tij rrahu patkuan)
Ago Ymeri
nuk e fshin
E gëlltit lotin nga buzët.
Dhëndri nusen e përfshin
I puth nishan' e gushës.
(Kali i Agos u turr fushës)
Ago Ymeri
u drodh në burg
Dhe e kafshoi buzën e tij.
Curil' i gjakut rrodhi çurk
Nuk ish i kuq,
Ish gjak i zi.
(Kali në der' e burgut mbrin)
Ago Ymeri
nuk u betua.
Nuk u betua për gjak të ri.
Dhëndri i gruas
ish shoku i tij.
(Kali përjashta hingëllin)
Ago Ymeri në qeli
varrosi vetë
nderin e tij.
(Kali më kot po hingëllin)