Kulturë » Mërkuri
Poezi nga Timo Mërkuri
E shtune, 31.12.2011, 01:58 PM
Timo Mërkuri
Bungovilet e prera*
I prenë bungovilet barbarisht. E prej tyre
fluturuan kujtimet e fëmijërisë si harabela të trëmbur.
O po unë gjithmon kam patur nevojë për pak fëmini
që ma jepte lulimi i gjithvitshëm i bungovileve.
Tani luleve s’ua dalloj dot ngjyrat e zogjtë s’vijnë më tek unë
Ndaj më duket vetja si një zgërbonjë ku fryn veç era.
*-Bimë dekorative karakteristike, me lulim të gjitvitshëm.Thuhet se në qytetin e Sarandës e ka sjellur nga vendet arabe poeti Naim Frashëri, në kohën kur punonte në doganë e këtij qyteti.
Vetmi në dimër
Do ndërtoj një të dashur prej dëbore
Këtë dimër, kur edhe zjarri mërdhin.
Mdoshta më ngroh pak në këtë të ftohtë
Në këtë vetmi.
Uji që lajmë duart.
Pilati lau duart.Por ujin nuk e derdhi.
Me të lanë duart dhe fytyrën shekujve Pilatët e rinj.
Tani uji është nxirë.Mandje bie erë.
S’flitet më për pastërti.
Një re më pengon.
Ah kjo re e bardhë që s’lëviz.Kjo re e vogël e bardhë
Si shami e sime motre
që refuzon të çpaloset në një lamtumirë.
Ah kjo re e bardhë që s’më lë të hipi në skaf e të nisem
Se në cep të saj ndrit ylli i mëngjezit si një lot pikëllimi.
Epilogu i lavdisë
Në Janinë. Pranë kalasë. Për pesë para.
Shpatat e heronjve shiten
në dyqanin e vjetërsirave.
Malçan *
Era vjen me kuje. Por s’e kuptoj dot
Se ç’thotë në ligje? Për ç’gjëmë? Për ç’mort?
Qan e s’pushon
Me lotët e malit,me lotët e mia
S’u ngope, o Zot?
*-Malçan- mal në rrethin e Sarandës. Thuhet se emri i tij shpjegohet me togfjalëshin “
Hëna e fëminisë sime.
Sa e bukur qe hëna e fëminisë sime. Sa e bukur.
Kur loznim mbyllasyza, hipte mbi manin e xha Dhimos
Tundte degët e binin meteorë
E mes gjetheve më shkelte syrin e ma bënte
kuku, kuku.
O, po qe e bukur hënëza ime.
Unë ëndëroja të martohesha me të
Ose,së paku, të merja një nuse nga hëna.
Mesnatës, kur më përcillte në shtëpi, ulej te hardhia
praën dritares
Ku unë më në fund, e puthja nëpër ëndëra.
Qe vërtet e bukur hëna ime. Tani
Në qiell është një hënë bullafiqe.Plakë mistrece.
Leshralëshuar përmbi det
Që përgojon gjithë natën vajzat e qytetit.
Ziliqarja e dreqit.