Udhëpërshkrim
Engjëll Koliqi: E bekuar qoftë Shqipëria - mbi të gjitha Trojet Arbërore
E hene, 02.01.2012, 08:58 PM
NË KREMTIMIN E DITËS SË FLAMURIT DHE 99 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, NË LECCO TË LOMBARDISË, TË GJITHË BROHORITËN:
E BEKUAR QOFTË SHQIPËRIA
MBI TË GJITHA TROJET ARBËRORE
Në Lecco të Lombardisë, jo fort larg Milanos, në mbasditen e së dielës së 27 nëntorit me hare në fytyrë dhe në shpirt, kishin ardhur qindëra shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnike, dhe denjësisht kanë kremtuar 99-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe kanë nderuar flamurin tonë kombëtar, me shqipen dykrenare në mes. Një kremte vërtetë e bukur, ku vallëzuan të rinj e pleq, rreth 80 vjeçar. Urimi unanim i të gjithë të pranishmëve në festë ishte: Zoti e bekoftë Shqipërinë Tonë, mbi të gjitha trojet arbërore!
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Fotoreporter: Kristijan Ramaj – KACI
Të dielën në mëngjes, të gjithë shqiptarët në rrethinën e Lecco-s, dhe më gjerë në Lombardi, ishin zgjuar me gëzim. Ishin zgjuar të hareshëm, sepse atë ditë fara arbërore e kësaj ane, do të bënte një festë të fuqishme, kushtuar atdheut të përbashkët, me emrin e shenjtë Shqipëri, si dhe flamurit tonë kombëtar, të kuq me shqipen e zezë dykrenare në mes, pra një festë shumë e bukur e veshur me ngjyrat tona të dashura kuqezi.
Bariu shpirtëror i shqiptarëve në Italinë veriore – Dom Jeton Thaqi, kishte ardhur nga Venediku për ta hapur ketë festë të madhe kombëtare, me meshën e shenjtë, që u celebrua në kishën e lagjes San Giovanni, në Lecco, me fillim në ora 15,30. Aq shumë kishin ardhë bashkëkombas, saqë kisha nuk i zente të gjithë. Mbasi mbaroi mesha, të pranishmit, por edhe shumë vendorë italianë, shkuan në një sallë të bukur aty afër, ku kremtuan me shumë shije dhe bukuri, deri ne mesnatë. Ishin mbledhur në atë sallë qindëra bashkëkombas, të të gjitha trojeve tona etnike – nga Stublla, nga Ferizaji, nga Tirana, nga Tropoja, nga Lezha, nga Gostivari, nga Prishtina, nga Kaçaniku, nga Prizreni, nga Gjakova, nga Shkodra, nga Korça, etj.
Moderatorët – Marie Zefi-Ukaj dhe Krist Ramaj, ia dhanë fjalën kryetarit të shoqatës “Stublla” dhe “Nënë Tereza”, Z. Pashk Ballabanit, i cili shpalli të hapur festën dhe foli pak për rëndësinë e saj, normalisht duke i porositur të pranishmit, që në asnjë çast të mos e harrojnë vendin e tyre, duke shtuar se jemi krenarë që i përkasim Shqipërisë. Ai, pastaj ia dha fjalën Marjan Gjergjit, i ardhur nga Bergamo, i cili foli për historikun e 28 Nëntorit Shqiptar, të Shqipërisë dhe të Flamurit tonë e të pavarësisë. Gjatë rrëfimit të rrjedhshëm të historisë, Marjani, shpesh është ndërprerë nga duartrokitjet e të pranishmëve. Do t’u mbetesha borxh, po të mos përmendja edhe fjalimet e bukura përshëndetëse të bariut shpirtëror Dom Jeton Thaqi-t dhe të kryetarit të shoqatës “Sofra Shqiptare” me seli poashtu në Lecco, Ndue Qokaj, të cilët i kanë emocionuar të pranishmnit, që shpesh i kanë ndërprerë me duartrokitje. Është me rëndësi të ceket, se në mes të çdo fjalimi, kishte nga një këngë të bukur patriotike, ose nga një valle të gëzuar, të luajtura mrekullisht nga vashat si sorkadhe të grupit simpatik “Fluturat”, të shoqëruara në vallen Shota, nga Luz Koliqi. Kur jemi te vallet, do të mëkatnomin të mos flisnim edhe për vallet e bukura të burrave, në të cilat bashkë me të rinjt, mrekullisht ka luajtur edhe mjeshtri i madh i valles burimore, Pal Ballabani, edhepse në moshë të shtyrë, afër 80 vjeç. Xha Pali ka fituar shumë duatrokitje frenetike nga të pranishmit. Programi kulturo-artistik ka qenë shumë i pasur dhe shumë i këndshëm, sidomos për faktin se – përveç këngëtarëve të këtushëm, Luz Koliqit, Emanuel Ukajt, Fatmir Lukës dhe “Fluturave” ndër të cilat më së bukuri këndonte Afërdita Ballabani, janë paraqitur dhe kanë shkëlqyer rrapsodët e ardhur nga Ferizaji – Elmi Agushi dhe Agim Elmazi, të cilët kanë nxehur deri në vlim atmosferën festive dhe janë ndërprerë shpesh me duartrokitje.
Një pikë speciale ishte organizuar për autorin e këtij reportazhi – Engjëll Koliqin, duke më nderuar si ambasador i paqes, me një mirënjohje speciale, në pergamenë, nga SHIKH “Stublla”, me emrin e vendlindjes sime. Më shumë jam gëzuar për këtë mirënjohje nga njerëzit e vendlindjes, se sa me titullin e ambasadorit që kam marrë në Tiranë. Kjo mirënjohje më është dukur më e ëmbël, edhe për faktin se ishte e nënshkruar nga veterani ynë këtu, humanitari shembullor, Pashk Ballabani.
Vlenë të përmendet edhe organizimi shembullor i lotarisë festive, ku 15 dhuratat e ndara i kishin dhuruar bashkatdhetarët, kurse paratë e mbledhura nga shitja e biletave të lotarisë dedikohen për humanitet. Shitësit të më shumë se 200 biletave të lotarisë, Marjan Ballabanit, organizatorët ia dhuruan një orë dore.
Një javë më parë, për nderë të festës sonë kombëtare ishte organizuar edhe turneu i futbollit të vogël, në palestrën sportive në Oggiono të Lecco-s, ku kishin marrë pjesë hiç më pak se 12 skuadra. Në festë janë ndarë çmimet e këtij turneu. Me kupën e madhe është nderuar skuadra fituese e turneut STUBLLA CITY, dhe të gjitjhë lojtarët e saj, edhe traajneri, me nga një medalje. Me medalje janë nderuar edhe lojtarët e skuadrës që ka zënë vendin e dytë – BINÇA-KABASHI, ndërkaq skuadra e tretë – BALLABIO, u nderua me një top futbolli. Çmimin e portierit më të mirë të turneut e mori Nikoll Ramaj, ndërkaq me çmimin e lojtarit më të mirë dhe më fer të këtij turneu të madh festiv, u nderua futbollisti Daniel Doda.
Mëkatnojmë po të mos i lavdëronim të rinjtë – vajza e djem, që shumë bukur kanë shërbyer me pije freskuese e ushqime tipike shqiptare, si dhe ata që kanë kujdestaruar në këtë festë, por edhe ata që kanë stolisur për bukuri sallën.
Urim i të gjithë të pranishmëve, që u shqiptua edhe publikisht, ishte që 100 Vjetori i Pavarësisë, t’ia hapë qiejt e valëvimit flamurit kuqezi, me shqipen dykrenare, si flamur shtetëror mbi të gjitha trojet arbërore!!! Gëzuar!