Udhëpërshkrim
Ben Andoni: Sqepi i Skënderbeut
E premte, 30.12.2011, 01:15 PM
Sqepi i Skënderbeut
Nga Ben Andoni
Shqiptarët, në kronika, e kanë kontrolluar të vetëm këtë kënd të jashtëzakonshëm të bregut të tyre. Dikur i thoshin Sqepi i Skënderbeut dhe ai ndalonte ultësirën prej gati 30 kilometrash, ku dergjeshin fqinj me njëri tjetrin, Drini, Mati dhe Ishmi. Në trazira, fshiheshin piratët shqiptarë dhe këtu Gjergji “i çmendur” siç e quanin venedikasit, bëri zbarkimin e tij të suksesshëm. I gjyshi, Gjergji i madh, Skënderbe, e mendoi si një vend të përkryer për të formuar qytetin e tij arbnor bregdetar, Kjurrilin. Mamica, motra e Kastriotëve, kaloi vitet e fundit, ndërsa pas largimit të Skëndërbeut të Ri më 1501, kështjella e ndërtuar nuk u përdor më. Ikën dhe Venedikasit, ndërsa turqit e rrafshuan përfundimisht Rodonin... Skënderbeu “i Ri” duhet ta ketë kuptuar shpejt se entuziasmi i tij djaloshar dhe hija e gjyshit nuk mjaftonte për të ndërtuar ngrehinën e paraardhësit. Gjithsesi, “i çmenduri”, si po e thërrisnin shpesh e më shpesh venedikasit, donte ta shpërthente këtë korracë që e mbështillte. Ishte emri i gjyshit, që e mbante të trazitur keq, por dhe bëmat e tij, që e grishnin. Si për ironi të fatit, kishte zgjedhur vendin, që Skënderbeu, ai i vërteti, kishte kërkuar t’u shpëtonte në të gjallë otomanëve, bash në kulmin e egërsisë së tyre... Paqtimi i mjedisit, pylli i dëndur pranë, një kishë gati e rrënuar dhe një manastir, që e kishte ngritur halla e madhe Mamicë, sërish nuk mjaftonin...për bëmën e tij, një shekull më vonë, që do përfundonte ende pa nisur.
Në Shën Pjetërù
Pak kilometra dhe shekuj më pas, në “kontinent”, në këtë fillim pranvere, gjërat janë më të realizuara. Në Kep nuk ka se kush të zbarkojë, ndërsa peshkatarët, larg tij në stere, luajnë me potere domino. Mbi të gjithë, shquhet trupi i drejtë i Mëhill Kacit. Flokëthinjur. Shumë simpatik dhe atlet. E ngre krahun dhe pastaj e përplas me uturimë duke përdorur dhe shpatullën. Burrat, që e ke vështirë tu përcaktosh moshën, janë të pazëshëm rreth tij. Një tavolinë e lerosur, bosh; një tjetër më e lerosur shtrihet andej tej; kurse tre njerëz të policisë pyjore ia kanë marrë shtruar me një ziafet që në mesditë. Një grua nuk na i ndan sytë. Askujt nuk i bën përshtypje ardhja e të huajve në fshatin e Shën Pjetrit, ndërsa dy peshkatarë më tutje, japin e marrin me një makinë të ardhur nga Durrësi për Pazarin e peshkut. Në fakt, të gjithë banorët merren me peshkimin në Shën Pjetër. Prodhimin u duhet t’ua shesin njerëzve, si ky, me një Mercedes të fillimviteve ‘90, që i torturojnë pafund në pazar. “Ejjj, e dini nga kam ardhur”, i pyet djali i ri durrsak. Ua di hallin shkretanëve. Ka një farë të drejte, sepse të shkosh deri aty duhet të stërlodhesh më shumë se rruga me gunga, që është vetëm 22 kilometra nga magjistrali kryesor i Shqipërisë, që lidh Tiranën me Durrësin. Jemi kthyer pak në Sukth, pastaj për të mbërritur në Shën Pjetër kemi kaluar Kullën 6 kilometra më tej. Pas saj Manzën. Një qendër bashkie, që e dëgjon vetëm kur ka zgjedhje. Pastaj në Shkallë. Edhe kjo dy kilometra, sërish në një rrugë pa rrugë. Më pas Tërmala dhe Shkathona...njësoj dy kilometra. Një stacion i fundit në një fshat të çuditshëm me emrin Rrotulla, që është më tutje tri kilometra, dhe pastaj direkt fshati. Një rrugë segmentare, që më kujton Akilin me breshkën. Në tavolinën tonë, gruaja vjen menjëherë. Duket e kënaqur me pazarin që kanë bërë peshkatarët. Por një shikim i të shoqit e step dhe vendin e merr një burrë i ri, që na shikon sikur po i kërkojmë të na heqi udhë në West. “Duhet me pagu me shku andej. Se për kët makinë që keni, nuk ka vlerë. Nuk shkoni, sikur të ngjallet dhe Skënderbeu. Më skaf vetëm...”. Sekseri barist na thotë se askush nga peshkatarët nuk luan nga tavolina nëse nuk i jep 4.000 lek të thata në dorë. Me pak fjalë, që të ikësh në një nga perlat e turizmit shqiptar, të duhet të paguash një skaf të vogël. Ndryshe, shikoje nga bregu- më thonë duke qesëndisur, për një pikë hipotetike në horizontin ujor, që nuk shihet për shkak të relievit dhe largësisë... Mëhilli, 43 vjeçar, që ka dalë garant për rrugën, na shikon nga larg, por pa na dhënë aspak mbështetje për pazarin. Në fund të gjitha palët janë dakord. Mëhilli ngjitet mbi këmbët e forta dhe tash fytyra i ëmbëlsohet. Për fat nuk është llafazan. Nuk ka mbaruar ende, sepse që të shkojmë drejt motobarkës së tij, në një si tip vendgrumbullimi të peshkatarëve, na duhet edhe një 30 minutësh me këmbë, në një bregdet që nuk ka të sosur... Kënaqem me shushurimën e ujit dhe guackat, por edhe me konceptin e largësisë, që më tregon Mëhilli. Ajo nuk është asnjëherë e saktë. Ia fal, ngaqë peizazhi i Adriatikut, nën pushtetin e një ere që fryn nga toka, është i këndshëm dhe grishës...Pak minuta më vonë jemi në det, në një barkë pisërisht pisanjose. Në det, historia është më e thjeshtë. Jemi në dorë të Mëhillit, që më duket një çast si kapiteni Hateras. Pak gjëra i bëjnë çudi, por rrugës e tregon që është një qenie e shushatur. I duket çudi se pse na bën aq përshtypje ikja në këtë vend, mundimi...Udhës më tregon trashë për vendndodhjen e lumenjve. Nga Shëngjini, përballë Kepit të Rodonit, është një ultësirë që shtrihet nja
Kështjella
Një kullë e ndërtuar me një formë mrekullisht të harkuar ngroh barkun. Tutje një kullë prehet në ujë. Kjo, që dikur ka qenë një nga kështjellat më të rëndësishme në rrethinat e Durrësit, kishte emrin e Skënderbeut. Për herë të parë, Rodoni përmëndet në vitin 1324 si një qendër piratësh. Ky kuptim na ngroh dhe qesëndisim pak kalanë e fisme, që nuk i shkon ky përcaktim. Sepse jo shumë “larg”, gjatë shekullit të XIV në afërsi të kështjellës së sotme, që kulmon mbi ujë, ndodheshin tre manastire si edhe shtëpi të rralla, që tregojnë për fillimin e lindjes së një vendbanimi të mirëfilltë. Në këtë periudhë ky vend shërbente gjithashtu si një port i vogël për tregtimin e drithit, që vinte nga krahina e Ishmit. Por, ajo i ka shërbyer heroit kombëtar edhe si doganë. Në fakt, larg këtyre, kështjella, vetë, u ndërtua vetëm në kohën e Skënderbeut. Barleti rrëfen se Mehmeti i II, pas Rrethimit të tretë të Krujës erdhi në vendin e quajtur “Kepi i Rodonit”, ku Skënderbeu kishte ndërtuar një qytet dhe e prishi atë. Për ndërtimin e kësaj kështjelle nga Skënderbeu bëjnë fjalë një numër i madh dokumentash veneciane të viteve 1500-1501, si edhe disa kontrata që Skënderbeu kishte lidhur me mjeshtër ndërtimi nga Raguza në vitin 1463. Në të vërtetë, forma e saj nuk të lë shteg dyshimi. Fortifikimi i Rodonit të sotëm përbëhet nga një mur barrierë, i cili përfundon me kulla në det, që ndajnë Kepin nga thellësia e tokës. Kështu krijohej një zonë e mbrojtur me gjatësi katërqind metra dhe gjerësi njëqind metra. Brenda murit barrierë ishte e ndërtuar një kullë gjysmërrethore, që venecianët e quajtën “Torion”, ndërsa një kullë e veçuar ishte ngritur në një pikë të bregut të detit, prej nga mund të shihej Kështjella e Krujës dhe të komunikohej me të, me anën e sinjaleve të tymit apo zjarrit.
Pak histori
I rrëfej pak për kalanë. Nga Ark. Shkreli, i apasionuar pas këtij objekti, kam mësuar shumë më tepër. E citoj:” Osmanët kishin mundur t’ia merrnin portin dhe kështjellën zotneshës Rudinë të Vlorës në vitin 1417, duke mbajtur nën kërcënim të drejtperdrejtë sovranitetin e njërës ndër mbretërive të forta të kohës, mbretërisë spanjolle të Napolit. Kështu pra, dalja në det ishte një domosdoshmëri për një principatë agresive si ajo e Kastriotëve që me luftën e saj “të paparë”, po hidhte bazat e një shteti kombëtar. Terreni ishte i përgatitur. Qe shek. XIV, principata e Topiajve shtrihej edhe mbi Kepin e Rodonit me synime mbi gjiret detare deri në Durrës. Në këtë kohë Topiajt zotëronin në Kepin Melie, ose Kepin e Rodonit, edhe një flotë të përgatitur për mbrojtje nga flota venedikase, dhe kjo bazë ishte e lidhur me Krujën nëpërmjet lumit Ishëm. Në Mesjetën e vonë, kryesisht në shek. XIV-XV, raguzianet trafikonin dëndur në zonë, kryesisht në Lezhë - porta nëpërmjet së cilës tregëtia veneciane depërtonte në brendësi, por dhe në derdhjen e Matit dhe të Ishmit e në radën e mbrojtur të Kepit të Rodonit. Edhe sot ankorimi në lindje të Kepit të Rodonit ofron një mbrojtje të mirë nga erërat e kuadrantit jugor. Megjithatë trafiku detar në këtë zonë ka qenë i rrallë. Ky trafik shqetësohej jo rrallë nga pirateria, që ushtrohej prej shqiptarëve të strehuar ndërmjet Kepit të Rodonit dhe Bishtit të Pallës, por dhe Gjirit te Drinit.... Ky pra ishte vendi i duhur. Me 1452, ndonëse i izoluar nga princat e Lidhjes, Skenderbeu siguron para nga Alfonsi i Napolit për të rindërtuar dy kështjella, atë të Modriçit pranë Sfetigradit që kontrollon ultësirën Maqedonë dhe atë të Rodonit, pranë Durrësit. Kjo i shkonte për zemër edhe sovranit spanjoll pasi dalja e Skëndërbeut në det do të ishte dhe një bazë e mirë për ta në këtë anë të Adriatikut. Punimet u bënë me shpejtësi, por Skenderbeu tani nuk kërkonte vetëm një fortesë ku të tërhiqej me familjen në rast nevoje, por një qytet të tërë, ndonëse në 1455 ai këshillohet prej raguzianëve që të mos shkonte më tej për zmadhimin e kështjellës së Rodonit. Barleti, në kapitullin e dhjetë të “Skënderbeut” tregon se ndërmjet një beteje dhe një tjetre shkonte për të pushuar dhe për gjueti në Bisht të Muzhlit. Kështu në vitin 1467, ai ende diskutonte me venedikasit për projektin e vjetër të nji “instauratio loci Rhodonorum”. Fabianitz në librin e tij për “Historinë e franceskanëve në Dalmaci dhe Shqipëri” thotë se “sipas tregimeve e motra e Skënderbeut kishte blatuar në këtë vend një manastir për murgeshat e shën Klarës”. Tradita tregon që Mamica ka kaluar vjetët e fundit të jetës në kështjellën afër kishës. Në vitin 1463, Skënderbeu rifillon ndërtimin e Kalasë së Rodonit me muratorë Raguzanë dhe më 1467 përfundojnë punimet e Skëndërbeut sipas teknikave më të përparuara. Zgjidhja e kështjellës ndër më të përparuarat e kohës, bërë për t’u rezistuar armëve të reja të zjarrit ishte teorizuar nga konstruktori i njohur i fortesave Mariano Jacobo. Dhjetë vjet më pas më 1488, papa Inocentit VIII, ua jep Manastirin e Rodonit françeskanëve të Provincës Dalmate, dhe zona ka një frekuentim të rëndësishëm dhe lidhje të forta me detin pasi otomanët nuk mund ta kontrollonin këtë pjesë të Shqipërisë. Më 1500 Venediku ngarkon Andrea Michiel, proveditor në Shqipëri të mirëpresë “l’alleanza dei Redoni” e të shqyrtoje, me qëllim përfundimin eventual, të fortifikimeve të filluara nga Skëndërbeu. Venecianët kryejnë punime rindërtimi duke shtuar edhe elemente të reja fortifikimi. Pas largimit të Skënderbeut te Ri më 1501, kështjella nuk u përdor më.Venedikasit largohen nga Rodoni dhe turqit shkaterrojne përfundimisht kështjellën”.
Epilog
“Ej. Nuk kemi kohë”, më kthjellon Mëhilli. “Unë në det jam. Ti ke shumë. Ke det ke dhe tokë”. Ka të drejtë kur kujtoj udhëkthimin. Rikthehem duke shkelur kujdesshëm mbi fosile. Lemë pas kalanë dhe në një monopat befas shfaqet ogurzi një gjarpër. Ikën. Ikim. Pak minuta më vonë shtyjmë një barkë të keqe dhe jemi pjesë e detit, që na dhuron valë dhe largim. Jemi jashtë legjendës dhe harresës, që i kanë dhënë këtij vendi. Në fakt, hijen e Kastriotëve nuk e mbushin dot vdekëtarët e sotëm. Sot dhe mot. Eshtë ag i pranverës 2007.
Huazuar nga: