E shtune, 08.02.2025, 04:00 PM (GMT)

Mendime

Berisha flet përçart, kryetari i PS lëshon bejte në Twiter

E premte, 04.11.2011, 07:54 PM


Editorial nga gazeta Sot

 

Nuk ka ditë që të mos të dëgjojmë dhe të shikojmë shtetin që po arratiset nga ky vend dhe bashkë me të edhe jeta jonë që po shkon për ditë e më shumë në një greminë pa fund. Ekonomia e shqiptarëve është e rrënuar më shumë se kurrë, korrupsioni është ulur këmbëkryq, antiligji po ushtron terror dhe vrasjet po shtohen nga dita në ditë. Klani i Sali Berishës erdhi në pushtet me euron në kufijtë e 120 lekëve dhe e ka çuar në 140 lekë, ndërkohë që qeset e plasmasit në supermarket dalin me çerekun e sasisë që dilnin ne fillim të vitit 2006. Nëse në vitin 2006 blije një litër vaj me 130 lekë apo një kg sheqer me 65 lekë, sot kjo shifër mbetet përrallë nga e kaluara. Sot një litër vaj ka kërcyer në 270 lekë dhe një kg sheqer e kalon 130 lekëshin, po kështu gjithë gama e artikujve ushqimorë ka kapur qiejt duke jua vështirësuar përditë e më shumë jetën shqiptarëve. Orizi, gjalpi, vaji, sheqeri, mielli, buka, makarona, salca, kripa, uji, zarzavatet etj, kërcyen rok&roll berishian, duke kapur stratosferën me çmimet e kripura. Për më shumë energjia elektrike është bërë gangrena e qytetarit shqiptar, duke u kthyer në një sëpatë që pret në mes pensionin e pensionistit varfanjak që kryeministri i vendit ja rrit nga viti në vit me 200 lekë, ndërkohë që vetëm çmimi i energjisë që është rritur në këto vite i “ha” jo vetëm shtesën, por plot gjysmën e pensionit. Shqipëria e sotme është shndërruar në një vend pa shpresë, pa të ardhme, ku sundon qoftëlargu me klikën e tij dhe bën opozitë bejtexhiu që e bën të qeshë nga mëngjesi në darkë, me bejtet e lëshuara nga versioni i ri i komunikimit Twiter. Shqiptarët janë kthyer sot si tridhjetë vite më parë me shpresën se kur do vdesë Saliu. Nëse deri para 1985 prisnin kur do vdiste Enveri me shpresën se do shpëtonin nga e keqja që ju kishte zënë fytin dhe ju kishte marrë shpirtin, sot ata presin vdekjen e Saliut për të shpëtuar nga kjo e keqe që na ka pllakosur. Pse, këtu është demokraci? Në fakt, demokracia shqiptare është një biçim oligarkie kriminale bajraktarësh, që qeveris shtetin me duar të ndyra që po masakrojnë çdo shpresë njerëzore. Për më shumë, këtu ka vdekur shpresa për zgjedhje të lira, kanë vdekur institucionet e pavarura, ka vdekur ligji. Kryeministri i shqiptarëve nuk ndjen frikë nga kërkush. Ai si i marrë ulërin, bërtet kërcënon dhe vret këdo që i del kundër. A nuk vrau Saliu në Gërdec plot 26 bij e bija nënash? A nuk vrau Saliu në mes të bulevardit katër burra, baballarë qytetarë pa iu dridhur qerpiku? Për më shumë, Saliu e ka pushtuar këtë vend. E vjedh kur i do qejfi arkën e shqiptarëve, i vjedh votat e shqiptarëve në mes të ditës me ligj dhe maliq, të pret buzëqeshjen dhe të vret shpresën dhe ëndrrat për të ardhmen tënde, të fëmijëve të tu apo dhe të brezave që do vijnë. Shumëkush e shikon kryeministrin e vendit që broçkullis çdo ditë karagjozllëqe me superfuqira domatesh dhe arroresh, ullinjsh dhe energjie bërthamore, boronicash e kumbullash që vetëm një të marri mund t’ja nxërë goja. Dikush i konsideron si zgjuarsi të liderit që na qeveris, duke mos analizuar çmendurinë që ka marrë dhenë në këtë vend të vogël, por të plehëruar me shumicë në marrëzinë e mbjellë me shumicë. Askush s’flet. Opozita është kthyer në fasadë që nga dita që kryetari i saj e humbi betejën e tij me Tiranë. Kryetarit të opozitës i ka ngelur sahati te humbja e bashkisë së Tiranës dhe tani si një fëmijë i vogël dhe tekanjoz rri mënjanë dhe lëshon bejte nga Twiteri, duke e kthyer qëndrimin opozitar në një betejë bejtexhinjsh midis tij dhe rapsodit Sali. Kryeopozitari lëshon çdo ditë të qartë mesazhin e qejfmbetjes me shqiptarët dhe pret ditën kur Saliu do bjerë vetë nga marrëzia e tij, për të marrë kolltukun kryeministror. I tërhequr në botën e tij dhe me njerëzit që e rrethojnë, kryeopozitari ndihet i kënaqur në batakun që na ka pllakosur, duke thënë nën zë: “E donit Saliun, mbajeni varfërinë, e donit Bashën, mbajeni kurbanin”, duke vrarë shpresën dhe ëndrrat e miliona njerëzve që presin nga opozita shqiptare mbështetje për hallin që i ka zënë. U kthyen vitet tetëdhjetë. Të gjithë do presin vdekjen e Saliut për të ndryshuar gjërat. Për më shumë kryeopozitari do dalë në pension duke bërë bejte nga Twiteri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora