E diele, 10.11.2024, 05:52 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Engjëll Koliqi: Takimet e Dom Mikelit në Stubëll, por rikthehen te fama dhe vlerat e pashlyeshme historike

E diele, 02.10.2011, 06:05 PM


 

Me ndërhyrjen konstruktive të Forumit Imazh dhe Media

 

TAKIMET E DOM MIKELIT NË STUBËLL,

PO RIKTHEHEN TE FAMA

DHE VLERAT E PASHLYESHME HISTORIKE

 

Manifestimi tradicional në përkujtim të Shkollës së Parë shqipe në Kosovë “Takimet e Dom Mikelit 2011” kanë qenë të përfaqësuara më mirë se kurrë më parë, nga shqiptarë të të gjitha viseve tona, madje edhe çamë. Krejt kjo, falë ndërhyrjes kostruktive, respektivisht pjesëmarrjes aktive të Forumit Imazh dhe Media, drejtuar nga vetë presidenti – Prof Dr Astrit Memia. Ishte e pranishme edhe mbesa e Faik Konicës. Juria profesionale e orës letrare, e përbërë nga pjesëtarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Kosovës Lindore, sivjet ka ndarë 3 çmime Agim Ramadani dhe 3 çmime Shën Jeronimi Ilir. Çmimin Akil Koci sivjet e ka marrë poeti e kritiku i famshëm vendor – Prof Isak Ahmeti, me rastin e pensionimit, kurse me çmim special është nderuar Prof Mehmet Halimi, i cili ka kontribuuar në të njëzetedy edicionet e këtij manifestimi. Në programin kulturo-artistik, bashkë me vendorët, kanë shkëlqyer këngëtarja çame Enkelejda Arifi dhe artistët humoristë shkodranë – Paulin Ujka e Zef Ndoja.

 

Shkruan: Engjëll KOLIQI

 

Të shtunën e 17 shtatorit, si zakonisht të tretën shtunë të shtatorit, në Stubëll është mbajtur manifestimi tradicional, i njëzetedyti me radhë, në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë – “Takimet e Dom Mikelit 2011”, që kësaj radhe kanë qenë të përfaqësuara më mirë se kurrë më parë, me ndërhyrjen konstruktive edhe të Forumit Imazh dhe Media.

 

Në të vërtetë, Takimet kishin filluar një ditë më parë – të premten, me orën letrare të grupit letrar “Migjeni”, të Shkollës së Stubllës “Dom Mikel Tarabulluzi, me ç’rast kanë shkëlqyer nxënësit te të cilët vërehej krenaria, që shkolla e tyre mba emrin e Dom Mikelit.

Shumë nga mysafirët, posaçërisht ata nga Republika e Shqipërisë, kanë ardhur të premten në mbrëmje. Ishin mbi dhjetë sish, gjashtë nga të cilët – veprimtarë të forumit Imazh dhe Media – Prof Dr Astrit Memia (president), Prof Dr Hysen Muçeku (drejtor i auditimit të Republikës së Shqipërisë), Ana Kove Spahia (shefe e botimeve në Kuvendin Popullor të Shqipërisë), Lulzim Sula (momtazher e regjisor në RTSH), Veip Tafani (fotoreporter e operator i Forumit) dhe Sherif Kola (menaxher i Forumit Imazh dhe Media).

 

Mëngjesi i së shtunës së 17 shtatorit, në Stubëll nuk ishte mëngjes i zakonshëm, por ishte një mëngjes më i ndritshëm, plot rreze gëzimi e krenarie. Në ora 9 filloi zyrtarisht Dita kryesore e këtyre Takimeve historike, me meshën solemne, të bashkëkremtuar nga shumë meshtarë e të udhëhequr nga ipeshkëvi i Kosovës – Shkëqesia e Tij Imzot Dodë Gjergji.

Me të mbaruar mesha, pak minuta mbas orës 10, në qendrën rinore që është në oborr të kishës, në praninë e mbi dymijë pjesëmarrësve, filloi manifestimi qendror shkencor-artistik. Së pari, të pranishmit i kanë përshëndetur Imzot Dodë Gjergji dhe kryetari i Komunës së Vitisë – Mr Nexhmedin Arifi.

 

Mandej u mbajt akademia shkencore, që kësaj radhe si temë qendrore pati rolin dhe kontributin e Papa Gjon Pali II për Kosovën dhe përgjithësisht shqiptarët. Lidhur me këtë temë kanë folur: kryeparlamentari i Kosovës – Dr Jakup Krasniqi, Jusuf Buxhovi dhe Eqrem Zenelaj. Prof Dr Astrit Memia (president i Forumit Imazh dhe Media dhe këshilltar për media i kryeministrit Sali Berisha), ka trajtuar një temë të frytshme mbi historikun e shkollës në Shqipëri, duke folur kryesisht për disa shkolla të shekullit XVII, në rrethin e Lezhës.

 

Para se të flase Dr Memia, është shfaqur në sallë, për herë të parë videoklipi 5-6 minutësh “Një Shqipëri një komb, një komb një gjuhë, një gjuhë një kulturë, një kulturë një qendrim, një komb një shtet”, përfunduar me këngën o sa mirë me qenë shqiptar. Ky videoklip është si hymn i Forumit Imazh dhe Media – imazhi i kombit tonë, prandaj presidenti i Forumit, Dr Memia, para se të futej në referatin e Tij mbi shkollën shqipe në Pllanë të Lezhës (1632 – 1638), ka folur mbi vlerat e pakontestueshme historike të Stubllës dhe, në emër të Forumit Imazh dhe Media, ka propozuar hapjen e ndoj dege të Universitetit publik të Prishtinës në këtë trevë. Dr Memia ka dorëzuar temën e plotë, për botim në buletinin e Takimeve, kurse ka theksuar para të pranishmëve pikat kryesore të referatit të tij. Ai ndër të tjera ka thënë se falë Vatikanit dhe klerit katolik vendas, në vitin 1632, në Pllanë të Lezhës kishte funksionuar shkolla shqipe, që ishte edhe vatër e luftës për çlirimin kombëtar. Profesor Memia ka cituar dokumente shumë të rëndësishme arkivore të Vatikanit, për këtë çështje. Kjo ligjëratë është ndjekur me shumë interesim, prandaj themi se pasuria më e madhe e manifestimit të sivjemë, ishte pikërisht Forumi Imazh dhe Media, që mëton të jetë vërtetë imazhi origjinal i kombit tonë, identiteti i mirëfilltë kombëtar.

Ndërkaq Shyqri Galica ka folur mbi jetën dhe veprimtarinë e bujshme letrare, si poet e kritik i madh – Prof Isak Ahmeti, me rastin e 65 vjetorit dhe pensionimit të tij. Duke folur mbi vlerat letrare të Isak Ahmetit, Z. Galica ka theksuar se ai ka një privilegj të rrallë, sepse veprat e tij janë bërë literaturë e obligueshme në degën e letërsisë, të fakultetit filologjik të Universitetit të Prishtinës,që është një privilegj për mbarë Stubllën.

Për të kursyer kohën dhe durimin e qytetarëve, ligjëruesit kanë folur shkurt – pesë deri dhjetë minuta secili – por i kanë dorëzuar punimet e tyre më të gjëra te Këshilli organizativ i Takimeve të Dom Mikelit, për t’u botuar të plota në buletinin e Takimeve. Akademinë e ka moderuar veprimtari e shkrimtari i shquar vendor – Mr Sarë Gjergji.

Me të përfunduar akademia shkencore, ka filluar ora e madhe letrare, që kësaj radhe e ka moderuar shkrimtari i mirënjohur stubllas – Ndue Ukaj. Edhe për këtë ka pasur interesim të jashtëzakonshëm, sa që janë paraqitur dhjetëra poetë, për të recituar poezitë e tyre, gjë që nuk ka qenë e mundur, kështu që kanë lexuar poezitë e tyre rreth 30 poetë, nga Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore dhe nga Shqipëria. Me duartrokitje shumë të gjata, të pranishmit e kanë përshëndetur poeten vendase – Zahide Marie Ukaj, edhe për shkakun se bashkëshorti i saj Qeshk Ukaj (veteran shumë i vlefshëm i arsimit në Stubëll, para rreth një muaji ka kaluar në amshim). Ndërkaq poeti, shkrimtari e veprimtari vendas – Engjëll Koliqi, i mllefosur ndaj një grupi keqdashësish, që po duan ta shtrembërojnë historinë e shkollës shqipe në Kosovë, madje edhe ta mbyllin shkollën e mesme në Stubëll, ka dalë me një poezi të gjatë satirike, duke u munduar ta kopjojë Fishtën, madje me gjuhën e popullit në gegnisht “Paska pâ Pasha nji andërr”.

 

Juria e përbërë nga: Prof Dr Qibrije Demiri (Kosovë), Bilall Maliqi (Preshevë) dhe Burhamedin Xhemaili (Kumanovë), sivjet ka nda gjashtë çmime letrare. Çmimin e parë “Agim Ramadani” e ka marrë poeti ynë veteran Qerim Ujkani, të dytin – Ana Kove Spahia, kurse të tretin – Etleva Tafa. Ndërkaç çmimin e parë “Shën Jeronimi Ilir” e ka marrë Nehas Sopaj, të dytin - Bardh Frangu, kurse të tretin – Dritë Maxhuni. Isak Ahmeti është nderuar me çmimin “Akil Koci” për të arritura të jashtëzakonshme në lëmin e kulturës. Këshilli organizativ i Takimeve të Dom Mikelit, sivjet ka nderuar me një çmim special vetreranin e shkencës dhe të arsimit, të Republikës së Kosovës – Prof Mehmet Halimi, i cili nuk ka munguar në asnjë edicion të Takimeve.

Më pas ka vazhduar programi kulturo-artistik, ku të pranishmit i kanë ngazëllyer ansamblet Alba Folk nga Gjilani dhe Kemal Azizi nga Vitia. E jashtëzakonshme, si përherë, ka qenë këngëtarja e famshme çame – Enkelejda Arifi, ndërkaq me shkrepëtima humoristiko-satirike kanë shkëlqyer artistët e këndshëm shkodranë – Paulin Ujka e Zef Ndoja.

Siç shihet edhe në brendi të reportazhit, manifestimi  i sivjemë i Takimeve të Dom Mikelit, ka qenë i përfaqësuar më mirë se kurrë më parë, me shkencëtarë, letrarë dhe artistë, nga të gjitha viset tona, madje edhe çamë. Edhe sa i përket numrit të çmimeve letrare dhe të përgjithshme, sivjet është shënuar një rekord, duke falënderuar para së gjithash Forumin Imazh dhe Media, që sivjet janë inkorporuar drejtpërdrejt në manifestim, si dhe donatërëve, që kanë mundësuar rritjen e numrit të çmimeve. Urojmë që fama historike dhe vlera e këtij manifestimi të rritet, çdo vit e më shumë, sepse këtë e meritojnë paraardhësit tamë, që me shekuj kanë luftuar, me pushkë e me penë, për këtë liri që sot e gëzojmë, anekënd trojeve arbërore, me urimin tonë qe sa më parë të ribëhet një shtet ose federatë, me emrin Shqipëri -  Natyrore Etnike. Këso urimesh dëgjoheshin, gjithnjë e më shumë, edhe nga të pramishmit në manifestimin e sivjemë, që shkëlqei duke falënderuar sidomos Forumin Imazh dhe Media. Prandaj jo rastësisht Këshilli Organizativ po mendon që Forumin Imazh dhe Media ta angazhojë çdo vit në organizimin e këtij manifestimi.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora